21/12/2024

RRËFIMI I NJË ARBËRESHI, RRËFIM PËR ARBËRINË, – NJË ZJARR QË NUK SHUHET…

0
At-Antonio-Belushi3

Nga Visar Zhiti

At’ Antonio Belushi shkoi në Qiell, – kështu lexoj sot nga miq e të njohur që e kanë takuar, shprehin dhimbjen në shumë portale dhe mua më fanitet porta e shtëpisë së tij arbërore në Jug të Italisë, me hark sikur bashkonte kohëra ashtu si i zoti i saj që përbashkonte shqiptarët kudo, që nga fshatrat arbëreshe aty e gjithandej përreth e matanë Adriatikut, në Shqipëri e Kosovë e Mal të Zi e Maqedoninë e Veriut, – e Jugut për ne, – dhe më tej, arvanitasit në Greqi e në diasporën në Europë e deri në Australi e Amerikë, ku ka shqiptaro-arbëreshë, “gjaku yne i shprishur”.

Aktiviteti i tij mbi gjysmëshekullor është i gjerë dhe do të flitet gjithnjë e më shumë për atë, për revistat që themeloi, konferencat e intervistat e parreshtura, arkivin dhe bibliotekën e pasur, etj, letërkëmbimin e dëndur, ku shkruante me një arbërishte moderne, të ëmbël, po unë sot jam vetëm emocional, kërkoj letrat e tij, fjalën e tij:

“Ku gjënde tashti? – më pyeste në njërën si një atë. – Veprimtaria jote letrare  zbukuron dhe biblioteken time, – shtonte. Dhe unë ngazëllehem sërish si atëhere. – Kur vjen e na gjën njeter herë?”. – E si të mos mallëngjehem? Dhe ja si e mbyllte letrën, me adresën e tij a ndonjëherë e hapte me po atë:

“Antonio Bellusci *

Prift arbëresh me shtetësi shqiptare

Drejtor i revistes arbëreshe “Lidhja” dhe i Bibliotekes Arbëreshe

Via/Rrruga Pollino, 84 * 87010 Frascineto/Frasnita (Cosenza)”

Dhe vendoste nr. e telefonit e të celularit. Zilja e tyre tani do të bëhet cicërimë zogu mbi kryqin e mermertë në vendorehjen e tij…

Një herë tjetër më shkruante:

“…Mendoj se të kujtosh Gjakun Arbëror… është dhurata më e madhe që mund  t’iu bëjmë miqëve  dhe vetes arbëresh, sepse në kujtesë është premtimi  i ripërterimit të fares arbërore. Ajo Liri e Pavarësi që donte  Skënderbeu  dhe që gjithë jetën  e vete i këndoji me mall dhe e vajtoji me dhimbje  asaj lirie të humbur të  tokës  Mëmë. Thuhet që distanca  është një faktor geometrik por zemra ime  arbërore rreh bashkë me  zemren Tuaj, me  çdo  vëlla  shqiptar apo mik qoftë Ai.

[…] po  Ju dergojë një kopje të librit: “Rrugëtimi  i një  Arbëreshi – Jeta, vepra, kujtime”, i cili dolli në shtyp në Tiranë muajin shtator 2019.

Ky liber,  që është përmbledhje e jetës  dhe vepres sime,  mendova që të shperndaj këtë emozion me  Ju, miq të mi të cilet  deshët  Arbërinë, mbeshtetet arbëreshët, dhe që më keni nderuar me pjesëmarrjen Tuaj dhe kontributin Tuaj per Biblioteken ‘A Bellusci’. në Frasnitë.

Shumë prej miqëve i kodifikova në këtë liber, dhe është nder dhe kënaqësi imja të jemi të gjithë bashkë në faqet e një libri të vetem.

[…] Unë  po e ngreh krenar (Flamurin) në  ballkonin  tim te Biblioteka.

Jam i sigurt qe ky  Flamur  koken  dhe  trupin do  valvise nga  është Toka  Mëmë. Ju faleminderit…”.

Po ai vetë u bë Flamur Arbëror, me atë të kuqen e zjarrtë si zjarri i vatrave, që s’kanë për t’u shuar sa të këtë shqiptarë e gjuhë të tyre.

Kisha qenë në shtëpinë e tij, – tashmë ajo është në zemrën e çdo arbërori – dhe kisha ndjekur mesha të tij, – emri At’ Antonio Belushi do të jetë si një kambanë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok