13/12/2024

Roman që s’duhet të mbetet në harresë

0
Resmi-Osmani

“Koha zero” e shkrimtarit Enver Kushi

Ese nga Prof. Resmi Osmani

Shtysë për hartimin e kësaj eseje u bë një status i paradokohe në fb. i poetit dhe studjuesit Sulejman Mato. Bënte pyetjen: përse në Shqipëri pas viteve 90-të nuk shkruhet letërsi cilsore? Ky ishte opinion i  tij, gjithsesi nihilist. Bëra një shënim , dhe pas meje edhe krijues të tjerë, se ky opinion ishte i gabuar dhe nuk shprehte të vërtetën. Se në Shqipëri dhe jashtë saj, numërohen me dhjetra autorë që të çliruar nga dogmat dhe ideologjitë, shkruajnë dhe publikojnë letërsi  cilësore, moderne dhe postmoderne në prozë apo poezi.

Me këtë rast, ndër prozatorët e pas viteve 90-të, dua të nxjerr në reliev krijimtarinë e shkrimtarit Enver Kushi, nëpërmjet analizës së romanit “Koha zero”, ku dalin më mirë në pah vlerat e tij si krijues. Në një ese  në Dita, shkrimtari dhe studjuesi Bedri Islami, e ka konsideruar  Enver Kushin, prozatorin më të mirë  të ditëve tona. I të njëjtit mendim, në një opinion në fb. ishte edhe Ermir Nika: ”Enveri (Kushi) është dhe do të mbetet padiskutim një ndër prozatorët më të mirë të letërsisë shqipe.” Jam i të njëjtit mendim me  dy të sipërcituarit.

Letërsia e mirë, u qëndron kohërave. Bile edhe shekujve dhe lexohet për vlerat e saj universale dhe estetike. Por që libri të lexohet,  duhet të shkojë te lexuesi, të gjendet ne tregun e librit dhe t’u rekomandohet lexuesve nga kritika letrare dhe mediat. Ndër ne, me pak përjashtime, nuk ndodh kështu. Libri i autorit vendës, lihet në harresë si të mos ishte shkruar apo botuar kurrë. Kjo ka ndodhur edhe me romanin “Koha zero”

Romani “Koha zero”

Është botuar në vitin 2002. Ngjarjet e romanit zënë fill në nisje të vitit 1991 dhe përfundojnë në mars të viti 1992. Faqet e romanit janë kronikë e ngjarjeve ashtu siç janë përjetuar nga autori.Një autopsi artistike e këtyre viteve të tallazitur. Pas shëmbjes së diktaturës së gjatë, me një ngrirje të jetës në afro pesëdhjet vjet, vendi dhe njerëzit gati u gjendën në një anije pa busull, që u ndodh në vorbullën e ngjarjeve të rrëmujshme dhe në një tollovi, ku nuk dihej të ecej për të arritur brigjet e ndritura të demokracisë, që ishte njëkohësisht edhe e pranishme edhe e munguar. Në këtë kaos idesh, dëshirash, pikëpamjesh, vizionesh shpesh të shformuara e të mbushur me ndjenjën e hakmarrjes, urrejtjes, etjes për pasurim të shpejtë, dëshirën për çrrënjosjen e komunizmit, nëpërmjet të shkatrrimit të gjithçkaje që ishte krijuar në atë sistem, u kthyen në psikozë dhe patologji shoqërore. Mitingjet populiste me parrullat in ekstremis, pasuar me krijimin e shoqatave dhe partive si shprehje e një pluralizmi të deformuar e karikaturizuar, demonstratat dhe grevat, shtypi dhe gazetat opozitare, zhvillimi i shpejtë i tregut të vogël privat që u klthye në një shfaqje banale e të pështirë të etjes për fitim e mbijetesë, ishin këto dhe të tjera dukuri që mbizotruan jetën e atyre viteve. Në krye të dallgëve të kohës për ndryshim e përparim,u dukën edhe dallgët e antivlerave, karrieristët, komunistët antikomunistë, më të rrezikshëm se vetë komunistët, pseudo shkrimtarët dhe gazetarët delirantë me status të rrem persekutimi etj. Ka edhe më: kërkimi i eshtrave të të vdekurve e masakruarve, varrimet dhe zhvarrimet, rilindja e besimeve dhe kulteve dhe shfaqja e profetëve të rremë, shëruesve, xherrahëve dhe spiritistëve, ishin gjithashtu dukuri të kësaj kohe. Gjithë këto janë pjesë e lëndës së këtij romani, që ka një emër ëndrre. Bëhet fjalë për dimrat apokaliptik të viteve 1991-1992, ku siç thotë autori demonët e shkatërrimit, projektuan dhe u përpoqën të realizojnë në hapsirat tragjike shqiptare, idenë sa absurde aq edhe makabre të kohës zero. “Koha zero”! Sado e çuditshme të duket në konceptim dhe si kategori filozofike, nuk është dukuri e re. Në histori, koha zero si fillim i ri, nuk ka munguar. U konsiderua ajo pas lindjes së Krishtit, pas zbritjes së Kuranit për arabët, apo pas Revolucionit Borgjez Francez, ngjarje që kanë shënuar epoka. Koha zero për zhvillimet shqiptare të atyre dy viteve(bile edhe më pas), ishte kohë e mynxyrshme, kohë shkatërrimi e rrënimi të vlerve materiale, shpirtërorëe e morale. Në ekonomi u propogandua dhe u zbatua “Rrafshi zero”: shkatërrimi I ndërmarrjeve ekonomike, fermave serrave, stallave, plantacioneve me drufrutorë etj. Ndërsa në vlerat shpirtërore, kulturore, krijuese dhe artistike, u arrit deri në djegien e librave në turrën e druve,gjoja në luftën për çrrënjosjen e komunizmit. Shkatërrimi i tyre do të ishte koha zero. Le të fillohej gjithçka nga e para, si të mos kishte ekzistuar asgjë, si në një boshllëk të frikshëm, si në ditën e parë të zanafillës. Ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji, psikoza e shkatërrimit dhe rrënimit, shkonte drejt zerimit të kohës.

Kuptohet sesa detyrë të vështirë ka marrë mbi vete autori. Shumë të vështirë. Bile tejet të vështirë. Falë talentit dhe përkushtimit të tij, si krijues e si qytetar, Enver Kushi, ia ka dalë të na japë një vepër të veçantë e tejet të ndryshme, diçka ”Sui generis”, që të bën të mendosh dhe ta mbash mend gjatë. Por si e ka arritur? E vlen të ndalemi në mjetet artistike dhe stilistikën e përdorur nga autori. Siç e lartpërmenda, letërsia e shkruar nga Enver Kushi, është e një lloji të veçantë, e dallueshme. Pasi ka grumbulluar dhe zotëruar lëndën, pas meditimit për ato ngjarje sa tragji-komike dhe absurde, ka vendosur të përdorë edhe mjete shprehëse, të cilat ngërthejnë dhe pleksin realen me irealen, fantastiken dhe surealen, groteskun, hiperbolën, simbolet dhe metaforat e fuqishme, shpesh fantastike dhe vështirë të kuptueshme. Veçanërisht hiperbola dhe teprimi, përqasja e së pabesueshmes me të besueshmen, e së vërtetës me të pavërtetën, bashkimi apo krahasimi i të pangjashmeve dhe asaj që është fantastike, me natyrë tokësore, qiellore dhe nganjëherë kozmike, e bëjnë të fortë dhe të paharrueshëm efektin tek lexuesi. Edhe kur zhvillimet janë të dhimbshme, butaforia e paraqitjes së tyre, shkakton një buzagaz të hidhur, por shpesh edhe stepje dhe shtrëngesë shpirtërore, pështirosje dhe kryesorja, të bëjnë të mendosh e të reflektosh. Futja në roman e ngjarjeve fantastike dhe sureale në masë relativisht të gjerë dhe të shtrirë thuajse në gjithë rrëfimin, është një nga mënyrat shprehëse të autorit: gjarpërinj- lodra që ngjallen, zvarriten e pickojnë, rënkime dhe zëra të nëndheshme që flasin, gjëmime të thella dhe njolla drite në mugëtirë, kocka të fosilizuara që bien nga qielli, shpendë pa pupla që ulen në pemë pa gjethe, delirantë dhe të çmendur, gjumi i thellë i zgjatur i disa lagjeve të kryeqytetit, ëndrrat, makthet e frikshme e të llahtarshme, njerëz që lehin natën si qen nëpër ballkone, gërmime në boulevard për gjetje eshtrash  të pushkatuarish etj.  Të para në një kuptim më të plotë, sado që në pamje duken si kategori irracionale dhe metafizike, në të vërtetë janë pjesë e subkoshiencës dhe e brendisë së nënshtresave të mendimit njerëzor, e subkoshiencës, e racionales, por të veshura me atë përfytyrim që shkrin në një  e pa një kufi të qartë dallimi, të reales me atë që në dukje është e pabesueshme.

Në analizë të fundit, e zhveshur nga mbishtresat, ajo shfaq substratin e vërtetë mbi të cilin është bazuar. Edhe kur nuk duket hapur, realja, e besueshmja, faki domethënës që duhet paraqitur, shërben si bërthamë kondensimi e kategorive të tjera. Është si kokrriza e rërës brenda guaskës së perlave. Kur ajo veshje sublimon, atëhere mbetet thelbi, të cilin lexuesi e rrok intuitivisht. Le të kujtojmë për ngjashmëri përrallat, legjendat, baladat dhe mitologjinë e thesarit tonë popullor që i ka të vetat këto mjete stilistike..

I gjithë romani është një ndërthurje metaforash. Por metafora qëndrore, lajtmotivi, nga faqet e para deri në fund është ajo e gjarprit. Me të lidhet fati dhe veprimi I personazhit kryesor tetëmbëdhjetë vjeçarit Andi Kasa, por jo vetëm i atij. Gjarpri është metaforë ambigue. Në mitologjinë shqiptare, vitoret e shtëpisë janë të mira fatsjellëse. Por sido që të jetë gjarpri është i frikshëm, i pështirë, helmues, vrasës. Që në fillim të romanit, në shtëpinë e kasajve, shkarkohet një maune. Thashethemnaja bën të vetën dhe përhap mister. Dihet një gjë: ngarkesa ka ardhr nga jashtë, nga kufijtë e veriut! Edhe pse thuhet vetëm një herë, kjo është shumë domethënëse se ajo që ndodhi në vitet e para pas viteve 90-të, nuk ishte  një produkt thjesht shqiptar.

Andi, rastësisht zbulon se ata ishin gjarpërinj lodra. Të gjatë një metër e gjysmë, të punuar bukur, gati si të vërtetë! Edhe pse kundër dëshirës së tij, i gjendur në zgrip të jetës, luftës për ekzistencë i braktisur nga e dashura, i dëshpëruar, i neveritur nga amullia e jetës dhe gjithçka tjetër, që ishte e kundërta e ëndrrave dhe  idealeve të lëvizjes studentore të dhjetorit, ai del në treg. Suksesi ishte I jashtzakonshëm. Të gjithë duan dhe blejnë gjarpërinj. Pa dashjen e tij Andi bëhet përhapës i së keqes, i helmit. Saga e gjarpërinjve është një histori më vete. Ata jetësohen, dalin rrugëve, zvarrisen mureve, helmojnë, merojnë dhe çmendin njerëzit. Edhe kur i groposin  te gropa e madhe, prapa Pallatit të Kulturës, (E njohur si gropa e Ajdinit) pas një shiu apokaliptik, ata ringjallen dhe dalin rrugëve(Që nuk jemi çliruar ende nga ajo psikozë, e rrëfyen ngjarjet e vitit 1997 dhe 1998), veç tyre në veri shfaqen edhe zhapikët e verdhë me njolla të kuqe që nxisin njerëzit për grabitje , ku gjejnë vdekjen dhjetë vetë në një magazinë të shkrumbuar nga zjarri.

Andi pasurohet, por kjo nuk e lumturon, përkundrazi. Është e kuptueshme që gjarpri, simbolizon atë rrymë e mendim regresiv e shkatërrues por euforik të “Rrafshit zero” të “Kohës zero” që ushqeu veprimet thuajse apokaliptike dhe që u kthyen në një psikozë kolektive të viteve 1991-1992. Edhe pse jo me dëshirën e tij, Andi naiv e i pavullnetshëm, që përjeton me ankth e si një makth gjithë ngjarjet, u përfshi në atë vorbull dhe u bë viktimë e saj.

Hiperbolat dhe grotesku janë përdorur në mënyrë mjeshtërore. Shformimi, karikaturizimi, edhe pse në dukje i bën të dyshimta dhe ndonjëherë edhe të pabesueshme ngjarjet dhe personazhet që i mbartin ato, janë mjete artistike efikase për ilustrimin e absurdit, ligësisë, lakmisë, ideve delirante dhe dukurive të tjera të çuditshme dhe të pabesueshme të atyre viteve. Ngjarjet nderthuren me personazhet natyrshëm. Ngjarjet absurde kanë edhe personazhe absurd. Kronikat e ngjarjeve të ditës dhe të kohës, vijnë papritmas, nga gazetat, radjua apo TV. Si ca lajme të zakonshme, apo disi të çuditshme, nuk janë me shtrirje lineare, por vijnë si një mozaik me ngjyra kontrastuese. Në to përfshihet kryesisht kryeqyteti. Parë me kujdes vihet re se në paraqitjen e tyre, nuk ka trillim por hiperbolizim. Mjafton të kujtohet parrulla “Opozitarë por vëllezër”dhe vallja e vëllazërimit në parlament! Midis ngjarjeve gëlojnë edhe personazhet. Episodi i çfarosjes së lopëve të kuqe, që kishin ushqyer me qumësht, kastën e kuqe, ka heroinë ish kujdestaren e lopës së anëtares  së Byrosë Politike, që për shërbimet e saj në çrrënjosjen e komunizmit në blegtori, në shkallë rajonale e planetare, për zellin e saj gradohet zv/ministre e Bujqësisë. Shtypi i shkruar, ka edhe ai kalorësit e vet. Ish shkruesit e fjalimeve të sekretarëve të parë të partisë, në qytetet e humbura provincial, pseudo poetët, pseudo të persekutuarit, që për të bërë karrierë shfaqin urrejtje patologjike për letërsinë dhe artin dhe krijuesit e tyre, pa asnjë përjashtim, zotërinjtë Bushkoka, Bushgjoka, Zigur Kuçi, Kolë Dodmerkaj, që shkruajnë, thënë ndryshe, zhgarravisin artikuj sensacionalë, nga rreshtat e të cilëve kullon vrer e helm, që mbjellin urrejtje, hakmarrje, thyerje eshtrash e kafkash, për varje në litar etj. Gazetat e tyre me tituj “ Goditja” dhe “Rrufeja”janë industria e pështymës, baltës dhe helmit. E shpallin njeri-tjetrin më të mirin e më të madhin poet e gazetar të veriut apo jugut(Edhe pse kanë kaluar tridhjet vjet,disa syresh i kemi ende nëpër këmbë!) në fund ata përfundojnë në çmëndinë e pastaj në rrugë të madhe duke lehur e vjellë helm gjarpri. Rrafshuesit e vlerave vetjake dhe të mohimit të vlerave intelektuale, na shfaqen me vetshpalljet e tyre si president, kryeministër, ministër etj. Figura tragji-komike. Mos t’u duket çudi: ato vite, kushdo mendonte se mund të bëhej kryeministër, apo funksionar i lartë i shtetit.

Koha zero. Viti zero, që i jep tiullin romanit, është, siç thotë autori, një emër ëndrre. Vit apokaliptik. Në roman herë pas here, heroi kryesor, mediton dhe filozofon për kohën në tërësi dhe për kohën zero. Nëse koha dhe hpësira ekzistojnë vërtet, pavarësisht nga ne, apo janë një sajesë e mendjeve dhe, çfarë është jeta njerëzore dhe individit, brenda asaj kohe dhe hapësire që jetohet. Idetë dhe mendimet janë të turbullta, abstralkte, subjektive e metafizike. Drejt kohës zero si një fatalitet, ecet sistematikisht dhe metodikisht hap pas                                         hapi,  duke  filluar që nga fillimviti 1991. Metafora aq e gjetur e orëve, të ngecura, të çakërdisura, që në tre pika të ndryshme të kryeqytetit, shënojnë orë të ndryshme dhe kohë të ndryshme, është prelud, uvertura e dhimbshme. Ajo nuk vonon të vijë. Fillimi është (simbolikisht) 1 marsi 1992. Ngjarjet dhe dukuritë që e paralajmërojnë “Kohën zero” dhe që më pas e shënojnë atë, janë rrëqethëse, të lemerishme, të pështira, pak të thuash të mynxyrshme. Një makth ronitës që shfaqet me syhapur. Pas shiut tre ditor dhe gjumit të harresës së kryeqytetasve, dalin gjarpërinjtë që bëhen zotër të gjithçkaje. Si të vinin nga të tjera botë, shfaqen zogjtë e shpupluar që ulen në pemët dhe shkurret pa gjethe; shfaqen hijet që ndryshojnë emrat e bulevardeve dhe shesheve me emra absurd dhe gjarpërinjsh: kryeqyteti i gjithi ngjyrë gri-muzgu, zogjtë pa pupla. Zhdukja e teksteve të shkruar nga gazetat dhe librat; shkatërrimi dhe rrënimi i Akademisë së Shkencave; fshirja e këngëve dhe melodive nga shiritat e kasetave të radio Tiranës. Zëra vajtimtarë të kobshëm të vajtojcave që dalin nga Instituti i Kulturës Popullore. Ka edhe më: Skënderbeu, në piedestalin e monumentit të vet, i zhveshur nga armët, duket si lipsar, vëllezërit Frashëri të mbetur pa hundë gojë e veshë, dukeshin si të sëmurë psikikë. Asnjë nuk i njeh. Para monumentit të përçudnuar të Nënë Shqipëri, digjeshin me qindra kafka dhe skelete……Harresë kolektive. Nuk ka pasur dikur, nuk ka të shkuar.  Nuk duhet të dihet për atë që ka qenë “dikur”. Nuk ka trashëgimi, tradita, histori, nuk ka kulturë, nuk ka vlera. Të tillë zëra nihilist, që donin të fshinin me fshesën e urrejtjes tërë të shkuarën e këtij populli dhe këtij vendi, në ato vite nuk ishin të pakët, përfshi edhe disa subjekte të veçanta politike ( vazhdon edhe në ditët tona). Këtë të vërtetë autori vetëm sa e ka shprehur me mjetet e artit të tij. Kjo është “Koha zero”, ky është “Viti zero”. Në sfondin gri dhe muzgjeve gri. Andi Kasës iu duk sikur një gojë gjigante, përtypte pa pushim ditët, javët, muajt, vitet të asj që quhej kohë. Do të donte të ishte më mirë i vdekur se i gjallë! I tmerruar ai bën thirrje:”Ndaleni këtë rrënim! Ndaleni këtë rrënim! Koha zero! Koha zero” Ky është edhe mesazhi.

Në mbyllje të kësaj eseje, duhet t’i kthehem edhe një herë fillimit. Arti i të shkruarit të autorit Enver Kushi, është i veçantë, origjinal dhe modern, në paraqitjen e subjektit dhe zhvillimit të lëndës, të thurjes së reales me irealen, relativisht i zorshëm për tu kuptuar nga lexuesi i zakonshëm. Kjo prozë është shkruar për një lexues më të kualifikuiar, elitar. Në këtë vështirësi që kërkon vramendje qëndron edhe bukuria e saj. Lexuesi duhet të mendojë, të zbërthejë frymën dhe kuptimin e lëndës, për të nxjerrë të vërtetën dhe kuptimin real, për të arritur te e vërteta e asaj që autori ka dashur të shprehë, te mesazhi i romanit. Proza e Enver Kushit, në përgjithësi duhet lexuar e rilexuar, me kujdes e pa ngut, për të zbuluar atë që nuk thuhet, që është midis rreshtave, domethënien e metaforave dhe simboleve. Shpesh paragrafë e faqe të tëra ngjajnë me ekuacione algjebrike, herë më të thjeshta e herë me disa të panjohurta. Lexuesi për t’i shijuar, duhet t’i zgjidhë, në mos për të rrokur idenë e plotë të autorit, për të nxjerrë një përfundim të vetin, i cili do t’a bindte dhe kënaqte. Duhet të pranojmë, se lexues të ndryshëm, në varësi të formimit dhe iluminimit të tyre, si në gjykimin e një pikture abstraksioniste, do të nxjerin përfundime të ndryshme, që ndofta autori nuk i ka menduar apo që nuk i shpreh. Kjo është edhe bukuria dhe një nga veçoritë e kësaj forme të shkruari, që e angazhon dhe e përfshin lexuesin. Per hir të vërtetës duhet thënë se nuk kemi të bëjmë me prozë hermetike. Autori lë dritare të hapura për të depërtuar në brendinë e lëndës, siç është rasti i shprehjes së mendimit të personazheve për idetë e dhjetorit, demokracinë, apo qëndrimiet e tejskajshme dhe motivet që i nxisin.

Një nga aspektet që këtë roman e bën një nga më interesantët e prozës pas viteve 90-të, është gjuha e bukur, fjala e zgjedhur, tipizimi i personazheve me të folme dialektore dhe shkrimi elegant dhe i ngjeshur me ide. Dialogu sado i pakët, është i shkathët dhe me ritëm të brendshëm, si kontrapunti muzikor, në ngulitje të idesë që shpreh fjala e thënë. Mënyra e paraqitjes së ngjarjeve dhe gjuha e përdorur janë sugjestionuese. Ato bëjnë të jetosh ngjarjen me sytë e mendjes, të ngjallin së brendshmi ndjesinë e ftohtësisë, të së frikshmes,, të së pështirës dhe ndohtësisë. Kurse grotesku dhe hiperbola, bëjnë që buza të vihet në gaz dhe të ngjallet ndjenja e përbuzjes për personazhet e stigmatizuar. Ka krerë e faqe që përngjajnë me skenat e filmave horror: zogjtë e shpupluar, zvarrisja e gjarpërinjve në bulevard, eshtrat e lopëve që sillen nga qentë e Kamzës, gruaja që heq zvarrë dymbëdhjetë skelete kokëlope, zërat e të vdekurve nga nëndheu etj. Bëjnë që të ngjallet përfytyrimi e fantazia dhe, të përjetohen me ankth dhe emocion nga lexuesi, si të ishte pjesmarrës në ngjarje. Duke bërë kësisoj, që lexuesi të mendohet dhe t’i fiksojë për t’i mbajtur mend gjatë. Këtu qëndron edhe forca e artit të vërtetë.

Kompozicioni është ndërtuar mjeshtërisht dhe në funksion të idesë qëndrore të romanit. Muzgjet, me ngjarjet kriminale të para viteve 90-të, reflekse të totalitarizmit dhe luftës së klasave, kanë për objekt justifikimin dhe motivimin e përmbysjes së atij regjimi të urryer. Ato muzgje janë tragjike. Por disa nga ngjarjet vijuese, pas tyre, çuditërisht përshkohen ng e njejta frymë, me kah të kundërt, por tashmë si psikozë, të parealizueshme dhe gati komike. Janë të kthyera përmbys, por megjithatë sjellin dëm shumanshmërisht të madh, për të arritur deri te “Koha zero”. Arkitektura e kompozicionit është solide, edhe pse në brendi të ngrehinës së tij gërshetohen labirinte të shumtë, në mbyllje të çdo pjese, takohen në një pikë, që është si një sheshpushim midis shkallëve, për t’u ngjitur m lart, për tu njohur me pamje të tjera.

Pas muzgjeve dhe zymtësisë së kobshme, në mbyllje të romanit, është një paragraf, i mbushur me dritë e diell, si fund’ i zymtësisë dhe ëndrrës së gjatë, dalja nga tuneli, kthimi i shpresës, i gëzimit, i jetës së zakonshme dhe normalitetit. Kur e lexon, lëçitësi ndjen një çlirim të brendshëm, teksa sheh që errësirës ia ze vendin drita.

***

Kanë kaluar tridhjet vite nga zhvillimi I ngjarjeve të romanit “Koha zero”. Ata që kanë lindur ato vite tashmë janë tridhjet vjeçarë, një brez njerëzor i ri. Romani mbetet aktual për këtë brez që përjeton tranzicionin që s’po i duket fundi. Ata duhet të jenë lexuesit e tij. Ndofta ngjarjet do t’u duken të pabesueshme, të habitshme, por duhet të besojnë se të tilla kanë qenë. Dhe ende ka koka të nxehta që duan t’i kthejnë sërish ato! Duhet t’i dinë, që të mos i lejojnë të ndodhin më. Ata duhet të rrokin mesazhin e ndërtimit dhe jo të shkatërrimit e të rrënimit, të dashurisë e harmonisë dhe jo të urrejtjes, të mirëkuptimit dhe konsensusit dhe jo të mosmarrëveshjeve tragjike, të atdhedashurisë  dhe respektimit të historisë sonë, të ruajtjes, nderimit e vlerësimit të simboleve dhe kulturës kombëtare.

Mesazhe që lexuesi do t’i zbulojë në këtë roman.

I sugjeroj shkrimtarit Enver Kushi, që romanin ta ribotojë, në një shtëpi botuese dinjitoze, e cila të marrë përsipër shpërndarjen,  promovimin dhe propogandimin e tij. Kurse Qëndra Kombëtare e Librit dhe Leximit të gjejë mundësinë e  përkthimit të  tij në gjuhën angleze.

Tiranë, maj 2011-janar 2023.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok