13/12/2024

EDHE  555  VJET KY  T’KUJTON

0
25 mars 2018.pmd

Fritz Radovani: Edhe 555 vjet ky t’kujton

Nga Fritz RADOVANI:

“IN  HOC  SIGNO  VINCES.”

Në fillim të shek. XV Turqit sulmojnë Evropen dhe shkretnojnë fise e mbretni.

Fatosi i Krujës përballë rrezikut, qi i kercnohej Shqypnisë, i drejtohet Hyjit edhe e lutë qi mos të premtonte, qi Shqypnija të bije ndër kthetra të Turqve. Lutja e tij prekë të Amshuemin, i cilli i dergon së nalti Flamurin Kuq e Zi, emblemë bashkimi e vetsundimi. Me atë flamur në dorë, Skanderbegu, i mberthyem në armë, qet kushtrimin. Shqyptarët rrâjnë (nisen) menjiherë, kështu nisë lufta e tmershme dhe Turqvet u thehet sulmi. Në dorëshkrim, qi ban Poeti, e ka datën 20/11/1919, nën titull, ndër kllapa, lexojmë: Fragment i njij poemthi të pabotuem. Nuk dijmë kurrgja për ketë mendim të parë të tij rreth hartimit të këtij poemthi. Kanga, si kemi theksue edhe ma nalt, merr nji ton liriko-epik, tue u nda në shenj për fuqi shprehjesh, paraqitjesh të gjalla e fëtyrash ndjekore.

(At Viktor Volaj O.F.M. 1941)

Tue zbardhun mosha dhetepesët e jona

Atje prej shtojesh s’ Anadollit t’ plleshem

Hanza pergjakshem nisë mbi Evropë t’ kukzohet.

Ishte zot-madhi i Turqvet, qi në krye

  1. Të ma s’ rrebtes ushtri së jetës s’ atëhershme

Ujnat e njelmta dilte t’ Helespontit,

Edhe betohej n’ mni të vet mizore,

Se shpirti trupit s’ do t’i dahej para

Se hanzen t’ ngrifte mbi Sh’ Sofi t’ Bizantit

  1. E n’ Sh’Pjeter t’ Romës tagji t’i vête kalit.

E pse ai burrë dokrrash e pallavrash s’ ishte,

Perpara tij ran frone e ran therore;

U rroposen mbretni e u shkimen fise,

E as bar ma s’ bijti andej ka ’i shkeli kamba.

  1. Greku, Bullgari humben, humbi Serbi,

– Humbi, po, Serbi, madhështija e t’ cillit,

Qatje te e vona boten mbarë në zi

Do t’a pshtiellte. – T’ felgruemun drojet, shuejten

Zanin mbretent e Evropës. Zâmaret eshten,

  1. Eshti edhe kanga e nji mjeri e shemtueme,

I  ra mbarë dheut.

Kur, qé, mbi kep të Kruejës

Titanike po del nji hije burri,

Vetllat ngerthye, si dy hulli rrufeje,

Me do sy zjarmi e ‘i mjekerr t’ thijtë, e cilla

  1. Shllungë gjatë nofllash i derdhej, si ajo njegulla

Rreth njaj curri s’ thepisun. M’ krye trishtueshem

Flakë i shkelqan tarogza brynatake,

Qi, tmershem ka ‘i vezllon nen rreze t’ diellit,

Kometë zharitse dan nder sy t’ anmikut.

  1. Ai asht fatosi i ndiemun Gjergj Kastrjota,

I Madhi Gjergj Kastrjota Skanderbegu,

Qi, pre’ atij kepi, si nji shqype mali

Kundron kah forca e barbaris lindore

Shkon tue rrëmbye mbretni e fise e popuj,

  1. E gjithshka t’ mbarë perftue kisht’ mendja e nierit;

Si rribë Verit, qi rêt i fshin prej qiellit

E e lên token me u tha. Edhe tue pamun

Se anmiku i rrebtë i gjytetnis njerzore

Po nisë per s’ afermi Shqypnis t’ kercnohej

  1. E se prej nierit s’ kisht’ pse ndimë me pritun,

Çon syt kah qiella, e zemra gjak tu’ i shkue,

“O Zot! – gerthet, – O Zot i Madhi i Ushtrivet!

E po a njimend se ma s’ do t’ ket Shqypnija

Nji vend ku me t’ u lutë?… E se grat t’ona

  1. Djepat n’ Azi mbas sodit do t’ perkundin?…

E se Shqyptari tokën do t’ punojë

Veç per me kndêllun n’ mish gocat qerkeze,

Qi nji Tirani t’ i sherbejn ma kandshem?

Oh! Pse ia mbrrim ksajë dite, e s’ ka shperthye

  1. Toka q’ me kohë, me na perpi per s’ gjalli!

Ti, o Zot i Madh i Ushtrivet, Ti prej qiellet

Zemer e forcë m’ dergo, qi ktij Tartari

Barbar un t’ ia diftoj, se Shqyptarija

S’ merret pa gjak, e se per Fé e Atdhé

  1. Din t’ desë Shqyptari”. Permbi flatra

Të bardha t’ Fés kjo lutë u çue kah qiella

E i shkoi n’ vesh Perendis e e preku n’ zemer.

I Amshuemi, atëhera, prej visarit t’ qiellvet

Xjerrë nji pelhurë të njyme “kuq e zi”,

  1. Qi Engjuit vetë n’ Parriz endun e kishin:

E mbasi e puthë i Lumi e ven në ball,

Nji Kerubini t’ lehtë i urdhnon tu’  thanun,

“Na, e ketë Flamur Skanderbegut çoja

Atje poshtë n’ Krue,  e thuej prej ane s’eme,

  1. Se dersa t’ rrije tok fisi i Shqyptarit

Nen hije t’ ktij emblemi t’em t’ bekuem,

Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë ai ka me kenun”.

Kshtu tha i Amshuemi; e ai Kerubini i qiellvet

Palosun m’ parsme Flamrin e Shqypnis,

  1. Hapë flatrat e prarueme, e poshtë Empirit

Zhgjetë nper nji rreze drite dirgjet n’ Krue.

Ku Skanderbegut n’ dorë dhantin e Zotit –

Flamurin e Shqypnis – ia nep e kshillin

E t’ Lumit ia difton: Se si Shqyptari

  1. Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë do t’ mund qindroje.

Si ai nieri, qi trishtue njaj andrre s’ keqe,

Kur gjumi i del, me vedi xen e gzohet,

Se n’ hije e jo njimendtë iu tfaq rreziku:

Kshtu Skanderbegu nisë me u gzue me vedi,

  1. Si Lajmi i qiellvet n’ dorë ia dha Flamurin

E i tha se per nën hije t’ tij Shqypnija

E lirë e zojë m’ vetvedi p’rherë do t’ jitte.

Edhe armatiset Burri i dheut krejt m’ hekur,

Njeshë pallen n’ ijet – pallen t’ rrebtë mizore,

  1. E m’ patershanë, me pafta arenzit t’ mathne,

Njet Flamurin kuq e zi, qi vetë i Amshuemi

E kishte puthë, edhe mbi shpinë të kalit,

Qi, fry turijt, njuhatte erë të gjakut,

Hidhet porsi duhi e rrebtë. Prej millit

  1. E zjerrë pallen mizore, e drejtë kah qiella

Heshten e ngrehë. Nji fllad i lehtë, i ambel –

Flladi i Dashtnis – po e zhdrivillon Flamurin.

– Flamurin e Atdheut t’ em – qi tue gufue

Mallnueshem nepër ajr të lirë t’ Shqypnis,

  1. Nisë me u valvitë si fleta e Kerubinit,

Si njai skundilli i petkut t’ Perendis,

Qi, mirë qendisë me hana, hyj e diella,

Prej krahvet t’ amëshuem e t’ gjithpushtetshëm

I mvaret poshtë neper hapsi t’ Empirit,

  1. Kah, pshtetë m’ stuhi e m’ flatra t’ rribës s’ murranit

Sheston boshtin e moknes s’ rrokullis.

E ashtu n’ atë dukë të rrebtë e t’ perfrigueshme

Me ‘i za, si tue ulrue, prej kepit t’ Kruejës

Po u thrret Shqyptarvet t’ vet e u thotë: “Ktu burra!

  1. Ktu eni, o bijt e Malevet! Shqypnija

Gjindet n’ rrezik!” N’ atë bulurimë ushtuene

Malet e fushat e Shqypnis kreshnike,

edhe nji çetë e vogel homeridash,

– Burrash si motit veç qi bate nana –

  1. Per rreth tij mblidhen, e nen hije t’ Flamurit

Nji bé të madhe bajn e lidhin besen,

Se i pllâmë toket t’ Atdheut s’ ia lshojn Tartarit,

Po s’ e lán’ para me gjak t’ tij t’ perdhosun.

T’ forcuem me atë bé, t’ forcuem me shejtni tagresh

  1. E shpresë m’ Zotin tue mbajtë e m’ krah të vetin,

Me Flamur kuq e zi zhdredhun perpara,

Poshtë errmorevet t’ malevet t’ thepisuna

Si rreshme boret prej ndo ‘i kulmi t’ rryeshem,

Rrâjn fulikare permbi rradhë t’ Turqvet,

  1. Të cillt, prej s’ largut tue ua pamun hovin,

Thonë se kulshedra me dragoj po u turret.

Edhe mnershem nisë lufta titanike.

Kah t’ idhta shpata, kah gjakbâset heshta

Çeken nder shkndija me vringllimë t’ trishtueshme,

  1. E bumbullojn henike edhe gopedra,

E vrrasin keqas të varruemt per dhé.

Kaq nji zhurmë, nji rropame e ‘i vigmë e kobshme

Çohet per ajr të terratuemun pluhnit,

Qi rreth e rrotull t’ tanë dridhet Balkani.

  1. Shkon gjaku rrkajë. T’ tanë fusha e gjanë e Dibrës

Me kurma t’ zeshkët barbarësh asht mblue. Hidhet,

Hingllon, trumhaset kali i Skanderbegut,

Kah thundra e mbathne kthellë i humbë në dhé

Të rijtun m’ gjak t’ barbarit. M’ dhambë brén buzen,

  1. Atëherë zot-madhi i Turqvet pendohet

Qi i ra kurr n’ mend t’ mësyjë Shqypnin mizore.

E sheh, po, vetë gjakbâsi, se rob s’ bahet

Ai dhé, ku Flamri kuq e zi valvitet.

Shenim F.R.: “Me këte shej ke me fitue!”, At Gjergj Fishta na kujton fitoret e Heroit tonë të Pavdekshem Kombtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu!

Melbourne, 16 Janar 2023.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok