19/04/2024

REVOLTË KONSTRUKTIVE PËR NJË DISIDENCË LETRARE

0

(Kalosh Çeliku: „E përcolla Natën“, botoi SHBG „Asdreni“, Shkup 1998)

NGA HIDA HALIMI

Dhe e përcolla vërtet natën, një terr që nuk dihet në ç’orë bie në Prishtinë. Kjo copë natë me vargjet e poetit, të cilat nuk meritojnë të përcillen me atë retorikën monotone: „ Ja edhe një zë i veçantë në letrat tona…“ Ky libër poezish nuk mund të kalohet thjesht e përciptas.

Është ky një këngëtim stoik, i fortë, prapa të cilit fshihen prerje lotësh dhe diç tjetër që ndihet dukshëm në tercialet e kësaj kënge, po qe se duam të dëgjojmë më mirë partiturat e saj poetike, të cilat kanë një burim të kulluar, aq të sinqertë dhe po aq të pastër që arrijnë deri në virgjëri e cila ndoshta edhe i rrezikon ambiciet e autorit.

Ky këngëtim që rrjedh në këtë libër, është më fort një frymë e mbështjellë me këmishën e një vere dhe dashurie që shpesh vjen e hedhur dhe aq e tejdukshme me ta tradhtuar edhe vetë poetin si EGO krijuese, që insiston të kamuflohet, pa e diktuar se ka dalë në tragjikën rrënqethëse të kohës dhe dimensioneve të fluiditetit ku poeti jeton dhe merr frymë me këste të një ozoni ngarkuar me „Kope të zgjebosura“, kope, kope dhe kope, që nuk lënë pa e zgjuar revoltën e këngëtimit deri në sarkazëm.

Ky pezm poetizimi nuk ndihet aq lehtë, me të lexuar me një frymë, pa një post-lexim, që është edhe evident në rrymat bashkëkohore të çfarëdo zhanri, ku poetizohet më thellë, ku ndihet nga shumësi idesh dhe ndiesish që dalin herë të zëshme e herë pëshpëritëse, që i nxjerr poetika shpeshëherë edhe pa hirin e krijuesit.

Në librin e K. Çelikut janë tri nota që dalin nga pjesë të skajshme të opusit poetik, për të ligjëruar si një këngë e vetme në akordet e lirikës e cila ndonjëherë rrezikon të dalë në rrafshin prozaik si një monografi e një sinqeriteti aq të kthjellët me të lënë përshtypjen se kishe biseduar me një mik të kahmotshëm, të cilit ia njeh tekat dhe të mbetet ta njohtosh për çdo fenomen, vetëm me një vështrim. Që ndryshe mund të quhet ngrohtësi letrare.

FRYMË E PARË – SKICË PËR EROTIKË LIRIKE

Në opusin që e përshkon gati shumicën e vargjeve të librit i këndohet dashurisë. Pa akte, pa nudo dhe njëherit mjaft shlirshëm, një notë melodioze që përmban një kolorit sensitiv ndjenjash, ku thyhet në dorë tragjikja e një kuptimi oriental. Do të konstatoni se këtu poeti më shumë e shpreh abortin e një dashurie e cila në rrethana të tjera do të jepte fryte të shëndetshme të qëndresës stoike të një Mikeje. Por, ajo viktimizohet në infantilitetin tradicional të figurës së gruas, e cila në vend se të „murohej në Urë“ apo të „qethej rëndë“, pas traditës së „fajtores“, ajo arratiset nën ferexhe, për të lënë një Rrap dhe një zemër të stepur që nuk e zgjon më as vera e gjer në vetmi.

Është ky realiteti i një dimensioni hapësinor të cilin ndiesia poetike e regjistron, edhe më virgjër se ia imponon sensi i poetikës së mirë. Është kjo e vërteta e virgjërisë së vargut që nuk mund të djallëzohet për hirë të një kauzietike, e cila në asnjë rast nuk do të ishte këngë si kjo:

Asnjë natë me Ty…

Asnjë bocë verë, asnjë varg.

Nuk të thashë Qyqe as natën e mirë

Urime Vitin e Ri!…

FRYMË E DYTË – APO SHUSHURITJE E VETMISË

Si emblemë vetmie gjatë leximit të parë të këtij libri bien në sy ciklet: „Prapa kësaj nisjeje“, „E përcolla Natën“ a ndonjë tjetër të cilat lehtë do të merreshin definitivisht për një nuancë që më dukshëm e karakterizon këtë poezi. Me të vëzhguar më vemendshëm këto vargje si tërësi, më parë do të thuhej se këta tituj janë si një metamorfozë në botën unike të një vetmie poetike, që shpie nga vetmia në dysh në një tjetër „memento“ këngëtimi, ku lokutori pranë së vepruari, për t’i lënë hapsirë vetëm një zëri që thërret:

… Të nesërmen pasi e përcolla Natën

e takova tjetrën nën Rrap…

Vetmia lirike e këtyre vargjeve si dhe e vetë autorit sikur e ka gjenezën diku tjetër, atë e kishte sjellë „Nusja me Pashterkë të Kuqe“, apo:

Nuk pata të djeshme

nuk kam të sotme

vallë a do të kem të nesërme?!…

Ku pa imponime dhe servilitet letrar rrëshqet kënga në plagën kombëtare që kullon, kullon… dhe hapet nga e para:

Unë, biri yt, Kosovë

çudi, veç librave

s’të dhash gjak e rashë dëshmorë…

FRYMË E TRETË – TRAZIM  POETIK

Aty ku ngritet zëri, ku bien notat e një trumpete që do të zgjojë një mes, me të rrëfyer se çfarë fshehet në brendinë profetike të poetit, nuk mund të rëndomësohet me t’i marrë këto momente si rebelim letrar. Si e tillë nuk mund të merret intenca e zëshme që haset shpesh në librin e këtij autori. Më parë do të jetë ky një trazim filozofiko-lirik, ku shprehen dallgëzimet shpirtërore për t’u luftuar e keqja, deri në instancën e fundit.

Me të lexuar ciklin e pestë të këtij libri, më ra ndër mend Albert Kamy dhe vepra e tij „Njerëzit e revoltuar“, tek shkruante se shqetësimi poetik s’është tjetër përveç se një insistim moral për një rend njerëzor, e si të merrej ndryshe:

… Lakmi nuk ua kam hadumëve…

I shkojnë pas Doktor Ziut për një recension…

Ja, sërish doktor Adham-uti i Çajupit në letrat tona, kësaj i thashë revoltë konstruktive, e cila s’mund të jetë tjetër pos një avancim mendimi për një disidencë në qarqet hierarkie letrare, çfarë nuk jemi mësuar të shohim në botën e penës ndër ne, ku shumica e poetëve merren me himnizime dhe dedikase qarqeve individuale letrare, me të shpresuar se do të bëhen poetë.

Me të përfunduar librin „E përcolla Natën“ të autorit nga Shkupi, mund të thuhet pa mëdyshje se këto poezi janë të liruara nga përditshmëritë letrare. Bëjnë përjashtim, nga sindromi i uniformuar i një letërsie të ngulfatur nga autocensura, kjo dukuri që mjerisht është evidente në letërsinë tonë, ku shumica e autorëve të vetmin qëllim e kanë të jenë si ky apo ai krijues i njohur, duke harruar se fryma letrare është pasqyrë e shpirtit tonë dhe jo e dikujt tjetër.

Nuk mund të mos konstatohet se ky libër, edhe pse është shkruar në stilin dhe përmbajtjen e epokës së vet, ku ndihet intonimi i një rocku që i përgjigjet fluidëve të shekullit, megjithatë nderohet nga autenticiteti i një metafore të folklorit të përpunuar mirë, me nuancën e frymimit shqip.

Tiranë, RILINDJA 29 tetor, 1998

Shkup, STILI97, 1999

 

KALOSH ÇELIKU

 

PROTESTË TE “PAZARI GRAVE”

(Mikut tim, Fadil Bekteshi)

 

Miku im, të vdiqën të Ri

Para kohe se, linde Poet:

Të çmendën me Dashuri

Pse e ngrite nga varret Doruntinën.

E shkrove „Filxhanin e dashurisë“

Për ta shpënë në vend amanetin

E Vëllit të Vogël në LUMELOT.

 

Miku im, dudumët të vdiqën të Ri

Rrospitë Meshkuj në “Shtëpinë Publike”.

Që, shkërdhehen si qentë te “Pazari Grave”

Për një karrierë të sëmurë politike.

E, i shkruajnë Qeverisë letra dashurie

Poezi, në rolin e Patriotit melez:

Në kurriz të viktimave të “Idrizovës”

E dëshmorëve të Atdheut në Drenicë.

 

O Imzot, seç më pështyhet, më villet

Kur i shoh si e tërheqin veten zvarrë:

Rrospitë Meshkuj. Ehu, Rrospitë.

Që, gjithë jetën ta hëngrën shpirtin

He, hëngshin veten. AMEN!…

 

 

(Luftë me Veten)

 

E lehtë është lufta me armikun

E vret. Ose, ai të vret.

Por, e rëndë është me Veten:

As të vret. As, mund ta vrasësh…

 

 

(Rritja e hijes)

 

Një natë para se të arratisesh

Në “Xhenem”, matanë Urës:

Atje, ku pak para Agimit

Me poezi e përcolla Natën.

Zemrën e plagosa

Me dy shtama verë.

 

Të nesërmen, u zgjova vonë

Asnjë varg me Ty, bocë verë.

Hija është shtatë këmbë

Unë e përcolla Natën.

 

Po, kush të përcolli Ty?!…

 

 

(Ku rrinte e vërteta)

 

E vërteta, rrinte në Sy

Vetulla, në ballë, në gji.

Këmbëryq  me Mua si Poet:

Në një Tavernë Kryeqyteti.

 

E vërteta, rrinte nën Çati

Në vargun tim, të çmendur:

Para syve të Hutit me veshë…

 

 

(Prapa kësaj nisjeje)

 

Prapa kësaj nisjeje

Një lot, një mall:

Një poezi, një dashuri.

 

Prapa kësaj nisjeje:

Një letër, një ëndërr,

Një rrugë, një kthim…

 

 

(Oh, jo)

 

Ike pa thënë: lamtumirë, Mike

Pas një Nate me verë. Agim?!

 

Thellë, pas mesnate në Errësirë

Matanë Vardarit, këmbekrye në bërllok:

Shtatë pash e varrose Qytetin e Qyqeve.

Varreza politike“antishqiptare”. Parti.

 

Qyqe, moj: Mos më thuaj Natën e mirë!…

 

 

(Azil politik)

 

Qentë, kur m’u ndërsyen pas shpine

Vetëm për një asht – shpërblim.

E, kulturofagët – këlyshë me zgjebe

Ditënatë, tinëz të Nënës Parti.

 

Unë Mike, ika vetë nga Atdheu

Dhe, tek Ti kërkova azil politik…

 

 

(I besoj këmishës sime)

 

Këmishë e imja dua të jesh: PËRJETË

Që, të të veshi përditë. Përnatë!

E thonë: „nuk i besoj as këmishës sime„.

 

Megjithatë, nuk dua të jesh këmishë

Se, duhet të të shpie në pastrim kimik.

E kam frikë se grisesh, bëhesh arnë…

 

 

(Unë nuk jam

Zef Serembe)

 

Gruaja ime më e mirë në botë. Besnike

Më lut t’i lexoj ndonjë varg për Miken!

Asgjë, më thotë: Nuk kanë gjak

Vetëm, nëse ik unë çmendet poezia

Atëherë do t’ia kalosh Zef Serembes.

 

Qesh me gruan time. Dhe, Miken

U them: Unë nuk jam Zef Serembe:

Po, Kalosh Çeliku – rebel. Rrugaç.

Që, kokë më kokë me Zonjën Vdekje

Gjithë natën shkruajmë poezi, pimë verë.

 

Dhe, përçudi me gjithë dorëshkrime

Grua, ende nuk u mbyta në det…

 

 

(Nata nuk është

poezia Jote)

 

Muaj kaluan, dhe vite krize

Qëkur, nuk hamë – as pimë:

Nuk shkruajmë poezi lirike

Nuk marrim natën as rrugë.

 

Muaj kaluan, dhe vite krize

Qëkur, nuk e presim Agimin.

Nuk na ndjekinmë as qentë

Nuk na përgojojnë gojëligat.

Nuk ma kanë lakmi armiqtë

Nuk më shajnë edhe „miqtë“.

 

Nata nuk është poezia Jote…

 

 

(E përcolla Natën)

 

Fillkat vetëm në një lokal nate

E prita Ditën deri në mëngjes:

Herët, të m’i japi dhjetë plagë

Në mes të Prishtinës. Zemër.

 

Shtratin ma shtroi Mikja

E ç’m’u dorëzua pa luftë.

Perdet i hoqa pas fitores

Dielli lindi matanë maleve.

 

Verën e paskam besnike…

 

 

(A do të vijë Ajo)

 

Natën e kam rrëzuar në shtrat

Qe plot një javë.Muaj. Vite.

Dhe, me të bëj dashuri:

U çmend Rrospia Mashkull

Nesër, a do të vijë Ajo?

 

Një herë, dy, tri herë…

U çmend dashuria.

Dikur, para Agimit

Mbledh eshtrat në dhomë.

 

Nesër, a do të vijë Ajo

Të m’i varrosë te Shtëpia…

 

 

(Bie shi)

 

Bie shi këtë natë. Bie rrëke

Në xham dikush vonë troket:

Hap dritaren – errësirë. Natë.

 

Vallë, mos je ti Doruntinë?!…

 

 

(E takova tjetrën)

 

Të nesërmen, e përcolla Natën

E takova tjetrën grua nën Rrap.

Nuk pimë verë. As raki rrushi

Nuk e shkruajtëm asnjë poezi.

 

Erdhi Agimi, na gjeti në shtrat…

 

 

(Letër Nanës në varr)

 

E di, ti edhe atje mes varreve

Nuk ke mësuar shkrim – lexim.

Ç’dobi që mësove ti, më thua o bir

Kur ende nuk e theve zgjedhën?

E për në liri të prijnë gjysëmanalfabetët

Matrapazët, spiunët e kulturofagët.

 

Megjithatë, ta lexosh do t’kesh dëshirë

Do t’ia japësh ndonjë shkollari.

Vetëm, do të gëzohesh shumë për tët bir

Që, pasurinë e Babait shkriu në libra

E ka rrokur penën në dorë për luftë:

Mu si Babai dikur mauzerrin maleve

Brez pas brezi t’i dalim zot Atdheut…

 

 

(Policia letrare)

 

Cenzurat ende më ndjekin se, jam Poet

Ndryshe: Do më ndiqnin lëvdatat. Postet

Redaksive, që do m’i dhuronte Nëna Parti.

Shpërblimet letrare nga DoktorZiu

Për servilizëm e spiunim në letërsi.

 

Policia letrare më ndjek – sharjet

Kulturofagët e gjysëmanalfabetët.

Pse, nuk i bashkohem Kopesë së tyre

Me zgjebe nëpër çajtore e ëmbëltore.

Nuk shitem një recension – shpërblim

Pse i zhvesh lakuriq pisat në libra

Brez pas brezi pse e dua Atdheun…

 

 

(Dhelpra pas dashit)

 

Lakmi nuk ua kam hadumëve:

Servilëve, shkrimtarëve të Oborrit

Që, pinë çaj rusi, flasin për letërsinë

Nëpër Hane me bythët na, palare

E i shkruajnë njëri – tjetrit poezi.

 

Lakmi, sot nuk ua kam hadumëve

Që, më shajnë nëpër çajtore. Gazeta.

I turren DoktorZiut për një recension

Çmim në dasmën  e Xhadisë – nuse:

Si dhelpra pas dashit mos i bien udhës…

 

 

(Kafshë e zbutur)

 

Dum Dumi është një kafshë e zbutur

Që kullot në livadhet e Nënës Parti

E pi ujë në Hurdhë me bretkosa.

E tërheq qerren rrugës me popullin

E lidhin në grazhd si lopën. Kaun

Me një krah bar. Kosh me kashtë

Ose, një kovë taxhi.Legen krunde.

 

Dum Dumi është një kafshë e zbutur

Mëzat i tredhur. Nuk i kërcen Lopës.

Dhe, kurrë nuk e thyen zgjedhën…

 

 

(Nuk pata të Djeshme)

 

Eca rrugëve të Katundit. Dhiareve

Këmbëzbathur me një torbë përqafe:

Me një kalë druri. E pushkë shelgu.

 

Nën hijen e Lisit midis livadhit

E lexova Fishtën me shokë.

Edhe pse, ma ndalonte Partia

Tinës e shëtisnim dorë më dorë.

 

Nuk pata të Djeshme. Nënë Parti

Nuk kam as të sotme. Nuse Liri.

 

Vallë, a do të kem të Nesërme?!…

 

Shkup, 1997

Nga libri: E PËRCOLLA NATËN (Shkup,1998).

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok