REKUIEM PËR URËN MBRETËRORE

0

NGA NDUE DEDAJ

Kalojmë vazhdimisht para urës madhore, që rrezikon të kthehet në një fantazmë, duke iu kallur frikën njerëzve. Kaluam dhe dje, por nuk na e bëri zemra t’i bënim fotografi, ashtu siç ishte ajo, si një zonjë e moshuar që çalonte nga të dy këmbët. Protestuam ashtu në heshtje dhe u larguam, si të gjithë kalimtarët e tjerë… me shpresën se aty do të mbërrijë një minutë e më parë qeveria…

Ka disa ditë që gazetat, televizionet dhe rrjetet sociale kanë dhënë alarmin për shpëtimin e Urës së Zogut mbi lumin Mat, në afërsi të Milotit, ndërtuar në vitin 1927, e mirënjohur në Shqipëri, që shquhet për madhështinë dhe bukurinë e saj si vepër arti. Ndalimi i fundosjes së mëtejshme të saj është “urdhri” i ditës i publikut, që ka reaguar si asnjëherë tjetër ndaj një objekti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore, të rrezikuar seriozisht. Nuk ka diçka më emergjente sesa ndërhyrja e mënjëhershme për ta shpëtuar Urën e famshme. Nga përmbytja në përmbytje, po humbasim një nga monumentet inxhinierike shqiptare autentike, urën “mbretërore” rreth pesëqind metra të gjatë, me 6 harqe (njëri rrafshuar nga bombardimet e Luftës së Dytë), e vetmja e këtij lloji në vendin tonë dhe ndër më të spikaturat e Ballkanit. Por nuk është vendi të merremi me historikun e saj, i cili është bërë i njohur përmes fotografive të përurimit etj.

Përmbytjet e këtij dhjetori e fundosën dy metra njërën nga këmbët, ndërkohë që përmbytjet e një viti më parë kishin dëmtuar një tjetër këmbë të saj, duke bërë që shtrati i Urës të menjanohej dukshëm. Nuk dihet pse Ura unikale ka mbetur jetime, apo ngaqë gjendet në tokën e “askujt”, në pikëprerjen e tri rretheve: Lezhë, Kurbin e Mirditë. Si monument kulture i dorës së parë, ajo lipset të jetë në kujdesin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, e cila po nuk mbrojti një objekt të kësaj rëndësie, kot që bën programe e mban konferenca për trashëgiminë materiale e shpirtërore. Restaurimi i kësaj Ure dhjetë vjet më parë, edhe pse i mbikëqyrur apo realizuar nga IMK rezultoi më shumë “kozmetikë”, sesa ndërhyrje për ta shpëtuar atë nga themelet.

Ka reaguar prej kohësh dhe “Europa Nostra”, organizata ndërkombëtare që mbron vlerat e trashëgimisë kulturore, duke e përfshirë Urën e Zogut në listën e ngushtë të monumenteve më të rrezikuara dhe njëherësh duke u bërë thirrje institucioneve tona ta mbrojnë atë. Është fjala për një vepër arkitekturore që ngërthen edhe kontribute inxhinierike, projektuese e ndërtuese zvicerane, gjermane e italiane, çka do të paraprinte kompleksin e “godinave të ministrive” në qendër të Tiranës, me të cilat Shqipëria hynte në një fazë moderne të zhvillimit të saj urban, duke lënë pas stilin oriental të qyteteve. Nëse vendet e tjera të rajonit kanë urat e tyre simbol, Bosnja Urën e Mostarit, Turqia Urën e Bosforit, Rumania e Bullgaria urat mbi Danub, Maqedonia Urën e Vardarit, Shqipëria ka Urën e Zogut simbol.

Por asgjë nuk ka bërë të mundur shpëtimin e urës tonë simbol, as statusi i saj i përveçëm, as fakti që mban emrin e ish – Mbretit të shqiptarëve, as shkresat e drejtuesve lokalë dërguar ministrisë së Kulturës, as apeli i vazhdueshëm i mediave dhe i publikut, protestat e shoqatave etj. Sikur fati saj të jetë i paracaktuar për t’u fundosur nën ujë, në mos këtë përmbytje, përmbytjen tjetër. Dhe atëherë do të nisim e të vajtojmë të gjithë, si të mos ishim këtu kur ndodhi gjëma. E vërteta është së Ura e Zogut ka humbur kuptimin, aq më tepër funksionin, që kur u lejua që autostrada Durrës – Kukës të kalonte mbi të, duke e bërë të papërdorshme jo vetëm për atomjetet e vogla po dhe për kalimtarët. Që atëherë mbeti si një “kufomë” e betontë, çka kurrë nuk e kishin shkuar ndërmend projektuesit dhe ndërtuesit, inxhinieri shqiptar Gjovalin Gjadri, që duhej ta kishte bustin në anë të Urës që në të gjallë të tij. Është kryeura shqiptare e shekullit XX. Asnjë urë tjetër nuk ka histori më shumë se ajo, pasi për rreth tetëdhjetë vjet ishte jo vetëm ura e Veriut, por dhe e lidhjes me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë etj. Vëmendja e turistëve është rikthyer të Ura e Vashës, në humbëtirat e epërme të Matit, që ia ka nxjerrë në pah hiret “vashërore” Rruga e Arbërit, jo më të lëshë të rrënohet para syve të tu një urë e pakrahasueshme me asnjë tjetër, në një nga luginat më të mëdha e më panoramike të vendit.

Tani fjalët janë të tepërta, topin e ka në dorë qeveria, edhe pse ministrja e Kulturës thotë se duhet bashkëveprimi i disa ministrive për ndërhyrjen në Urën e Zogut, duke lënë të kuptohet se kërkohet kohë etj. Ministritë që duhet të bashkëpunojnë, janë të gjitha nën një “çati” dhe nuk ka si mos të merren vesh, një orë e më parë, njëlloj siç veprohet pas një aksidenti, pa na zënë në befasi përmbytjet e radhës. Jemi në pikun e dimrit dhe rreshjet kanë kohën e tyre, ashtu si dhe shirat e pranverës më pas. Nëse nuk është bërë më parë, le të ngrihet tani kantieri dhe të nisë puna për shpëtimin e Urës me shkronjë të madhe. Nuk duam të besojmë se marramendja mbas kullave shumëkatshe të kryeqytetit e ka zbehur interesin qeveritar për veprat e trashëgimisë kulturore, të pakthyeshme.

Lumi Mat dhe peizazhi përreth pa këtë Urë muzeale do të ishte tejet trishtues, Shqipërisë do t’i mungonte një gjymtyrë e qytetërimit të vet, gjë që asesi nuk duhet lejuar, për më tepër është në interes të publikut të gjendet mënyra për ta kthyer Urën e Zogut në atraksion të mirëfilltë turistik, ku veç të tjerash do të xhiroheshin klipe muzikore, do të mbaheshin takime poetike etj. Vetëm nëse do të ndodhë shpëtimi i kësaj Ure monumentale, do të besonim se shteti nuk do të presë më furtunat për të vënë mend zyrtarët e tij të lartë, por do të marrë në mbrojtje dhe objektet e tjera arkitekturore të këtij klasi. Gjithsesi, na mbetet të përsërisim shprehjen e njohur: “Sot, se nesër do të jetë vonë!” Që ky rekuiem yni dhe gjithë diskursi mediatik i këtyre kohëve të mos jetë një “meshë” përshpirtje e Urës historike të shqiptarëve…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok