23/12/2024

REFLEKSIONE NGA “DIASPORA 2023”

0
Aliaj-Diaspora-2023-1

Nga Petrit R. Aliaj

Konferenca e fundvitit “Diaspora 2023”, tashmë, e kthyer në traditë nga Federata e Shoqatave Shqiptare në Itali, mbylli punimet e saj më 17 dhjetor 2023 në Brescia. Emërtimi i konferencave që ka realizuar FNAI përgjatë këtyre viteve pësoi pak ndryshim, duke u pagëzuar me emrin “Diaspora 2021, 2022, 2023…” në librin e rregjistrit të Federatës si një zgjedhje e bukur e Sekretares, ing. Erida Cela .

Në këtë shkrim do të mundohem të hedh disa të dhëna nga vëzhgimet dhe eksperienca që kam mundur të përfitoj si pjesëmarrës i të gjitha asambleve dhe konferencave të Federatës, veprimtari të cilat datojnë që me themelimin e saj më 26.04.2015 në sheshin “Skënderbe” të provincës Fermo. Në këto veprimtari me karakter atdhetar, aktorët kryesorë janë individë të pasionuar dhe grupe shoqërore që merren me promovime të krijimtarive të ndryshme si bartëse dhe trasmetuese të vlerave nga vendet e tyre të origjinës. Vlera të cilat krijojnë emocione dhe mbresa në komunitet, për karakterin e tyre bashkues në marrjen e vendimeve kolegjiale në këshillat drejtuese të tyre, duke respektuar e, për rrjedhojë, duke evituar krizat që shkaktojnë kryetarët e përjetshëm.

Ecja përpara në mënyrën më të thjeshtë të angazhimit vullnetar për të mirën e komunitetit, për të bukurën Arbëri, për të shejtën gjuhë, është patriotizëm i mbështetur në këto vlera morale të cilat e bëjnë çdo organizatë të bashkëveprimit shoqëror që të afirmohet, të jetë e besuar, të jetë në rolin e një rregullatori bashkërendues në komunitet, për identitet kombëtar dhe për një integrim dinjitoz në bashkëjetesë, paqë e harmoni.

Krahas të gjitha angazhimeve dhe veçmas për sa i përket anës funksionale, Federata ka ditur të ruajë paprekshmërinë e saj nga influencat partiake duke zbatuar statutin, pa hezituar për hir të dikujt që kërkon të përfitojë nga respekti i të tjerëve si edhe nga toleranca e miqësive të sëmura, ku solidariteti në këto raste thyhet nga konflikti i interesit dhe çon drejt shpërbërjes së saj.

Në këto raste realiteti është tregues për të gjitha veprimet dhe mosveprimet nga individë të cilët kërkojnë të aktivizohen, por që shpejt u bie entuziasmi në ndjekjen dhe zbatimin e detyrave, humbin ndjeshmërinë, kthehen në vëzhgues të papërgjegjshëm e të pavlefshëm në misionin e përbashkët.

Për këdo që e ka provuar të jetë në drejtim, krahas gjithë kërkesave dhe detyrimeve që rrjellin nga raportet me shoqatat, instuticionet dhe organizatat e ndryshme shoqërore në kuadër të bashkëpunimit, paralelisht janë edhe hartimet, miratimet dhe përkujdesi për zbatimin e programeve së bashku me analizat. Pikërisht në vlerësimin e përzgjedhjes së personave intelektualë e aktivë nga stafet drejtuese të shoqatave janë propozimet e tyre në asambletë zgjedhore, ku një rol të madh ka pasur ardhja në drejtim e intelektualëve të rinj në moshë për efektivitetin e punës së tyre në grup me ndryshime në organizim e metoda pune si p.sh nga ish-presidentet; dr. Anila Cenolli dhe dr. Margita Hoxha.

Rëndësi në hartimin e programeve të punës iu kushtua edhe daljes nga kornizat standard për çdo fund viti, në atë të një dialogimi të hapur e publik në bashkëpunim me specialistët në drejtim e me konsulentë.

Gjithçka e gjykuar për anën funksionale të çdo konference është konsideruar një shtysë “e imponuar”, e mirorganizuar për të gjetur temat që prekin shqetësimet e diasporës, mënyrën e komunikimit direkt, takimet online, kontaktet e shumta individuale me angazhimin e të gjithë stafit drejtues me shoqatat aderuese, të cilat janë motorët që e bëjnë të funksionojë mirë atë në organizim, shtrirje, zgjerim dhe përfshirjen e kategorive të shumta në veprimtari të përbashkëta. Puna ngulmuese për të kërkuar bashkërendime me shoqata të tjera, larg  egos për të qenë gjithmonë në krye ose për të diktuar, është konkretizuar me thirrje të hapura publike për bashkëpunim dhe aderim në Federatë.

“Të gjitha këto elementë bashkëpunimi në përfshirje, krijojnë mundësi të shumta për të realizuar e zgjidhur një gamë veprimtarish shoqërore dhe mjaft probleme të tjera jetike që hasen në Itali, ndryshe nga vendet e tjera të Bashkimit Europian ku vërehet më shumë tendenca për urrejtje, racizëm dhe ksenofobi”, (Amnesty International Italia), na diktojnë zgjidhjet e tyre në unitet dhe të lidhur pandashmërisht me shtetet tona amë ku, ndër kryesoret, është çështja e ruajtjes së gjuhës dhe traditave kombëtare në gjirin e shoqërisë multietnike italiane, si një forcë dhe energji e fuqishme asimiluese.

Kombet e tjera e kanë zgjidhur çështjen e ruajtjes së identitetit duke ngritur një sistem të tërë, me shtëpi kulture, librari, teatër  etnikë, biblioteka, institute të kulturës etj. të cilat i mungojnë komunitetit shqiptar, edhe pse ka veprimtarë të cilët kanë bërë dhe bëjnë përpjekje të lavdërueshme për ruajtjen e identitetit me mundësi të pakta, vullnetarisht dhe pa asnjë mbështetje financiare  nga shtetet tona, qoftë kjo edhe për të mbështetur një konferencë, dy, tre, katër që ka projektuar dhe realizuar Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali. Kjo është një veprimtari me përmasa mbarëkombëtare, me cilësi, rrjedhshëm, bukur edhe pse në vështirësi për të paguar sallat, mjetet, kuadrin e duhur, të menduarit racional në kohë për sistemimin dhe spostimin e të gjithë atyre që ftohen për të marrë pjesë në tubimet e konferencave në vazhdimësi.

Kurorëzimi me sukses i Konferencës “Diaspora 2023″është në nderin e të gjithë atyre që kontribuan për ta realizuar atë, duke filluar me plan-programin e Këshillit Drejtues të Federatës, ngritjen e grupit të punës për drejtimin e saj dhe krejt ekipin e Drekës Festive të sinkronizuar mirë nga z.Ndue Shabaku.(Zëdhënës i Federatës).                                                                                                                                                                             Merita e oratorëve në tërësinë e problemeve që u trajtuan, qëndron në faktin se ata jetojnë të përditësuar me çka duhet dhe bëhet për emigracionin, vlera të cilat diktuan përzgjedhjen dhe përfshirjen e tyre në Konferencë, duke e bërë atë cilësore në pjesëmarrje dhe sensibilizuese, për çka përjetojmë e çka duhet të bëjmë së bashku për diasporën në Itali.

Më vjen mirë të ndaj përgëzimet e mia për mbarëvajtjen e punimeve të Konferencës për drejtuesen e saj dr. Adela Shehu si intelektuale me shumë eksperiencë  në  promovimin e vlerave kombëtare e të trashëgimisë sonë gjuhësore e kulturore në bashkëpunim edhe me shoqata të tjera simotra të komunitetit shqiptar në Slloveni e Kroaci, me historianë, shkrimtarë, përkthyes e albanologë në Trieste. Është fakt që komuniteti shqiptar atje jeton në të njejtën hapësirë në të cilën lobi serb është i fuqishëm, i paguar nga shteti i tyre edhe me burime të tjera financiare e në sinkronizim me ata që lobojnë për Serbinë brenda BE, të cilët po kërkojnë mosnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe aneksimin e saj nga Serbia. A mjafton kjo që vetëm shoqata “Arbëria” të lobojë për identitetin tonë kombëtar dhe njohjen e Republikës së Kosovës kundër furisë anti shqiptare? Sigurisht që nuk mjafton dhe më shqetëson fakti se në drejtim të disa shoqatave me shqiptarë nga Kosova u është dërguar ftesa për pjesëmarrje në konferencë dhe nuk ka pasur reagim. (???)

Kujtoj se në përbërje të tyre ka edhe ish-luftëtarë të UÇK, kontribues të 3% për luftën çlirimtare, të cilët janë betuar në gjunjë përpara flamurit kombëtar me fjalët: “Unë, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre …” Konstatimi im ndofta edhe mund të jetë i gabuar, por ndihem keq kur mungon bashkëpunimi në planin kombëtar aq sa më jep të drejtë të shpreh se kjo mungesë do ta mbajë për shumë vite Kosovën dhe Shqipërinë të ndarë, dhe, mos o zot, duke mos reaguar ndaj situatave të rrezikshme me çka po ndodh në Kosovë rrezikohet dhe bëhet e pa mundur ruajtja e sovranitetit territorial të saj.

Për dr. Enisa Gordani shpreh konsideratat e mia për bashkëpunimin e saj brilant duke treguar respekt për mundësinë dhe besimin që i u afrua për trajtimin e temës; “Emigracioni dhe emancipimi, roli i gruas shqiptare” për të cilën edhe nga publiku në rrjetet sociale ka marrë përgëzime dhe urime së bashku me duartrokitjet tona në sallë, trajtimin, rolin dhe vendin që duhet të zërë gruaja shqiptare në shoqëri, për forcën dhe dinjitetin e saj njerëzor si krijuese e jetës. Faleminderit dr.Enisa!

– “Petrit! Kur të vini në Asti, merrni me vete qeleshe, lodra e daulle, flamuj e banderola, gajde, çifteli dhe, po të keni kostume kombëtare, i vishni ato” – ishte mesazhi i  drejtorit të Qëndrës Kulturore “Margarita Xhepa” në Asti, prof. Hasan Bulçari, për pjesëmarrje në paradën shumëngjyrëshe kombëtare më 23 shtator 2023. – Faleminderit miku ynë Hasan Bulçari edhe për mesazhin e drejtuar të gjitha shoqatave për bashkërendim të aktiviteteve rreth një familjeje të madhe me FNAI-n.                                                                                                                 Ai i bëri radiografinë punës edhe sakrificave të komunitetit shqiptar në Asti, për kontributet e tyre në vlera monetare për ndërtimin dhe funksionimin e kësaj qendre kulturore të mrekullueshme, të cilën pata fatin ta vizitoj me drejtuesit e shoqatës “Alba” në Brescia ku na shoqëroi  zoti Nikolin Gjeloshi, “Ambasador i Kombit” dhe ideatori i kësaj qendre. – “Janë këta shqiptarë patriotë që dhuruan fondet, punuan dhe e vunë në shërbim të komunitetit shqiptar dhe vendas këtë qendër, në të cilën japin kontributin e tyre specialistë të artit, të kulturës, të gjuhës, bashkëpuntorë, prindër me fëmijë e mësues, etj,” – shpjegoi miku ynë Nikolin duke na treguar listën e emrave të kontribuesve të afishuar brenda në qendrën e kulturës.

Ndërsa në përshëndetjen e tij modeste në konferencë zoti Nikolin Gjeloshi ndër të tjera propozoi që Konferenca “Diaspora 2024” të mbahet në Asti .

Me shumë konsideratë i përcjell përgëzimet dhe falenderimet e mia presidentit të shoqatës “AssoAlbania” në Asti zotit Marjan Bjeshkëza për bashkëpunimin e tij, konsideratat e shprehura për punën kolektive të Federatës dhe pjesëmarrjen në të dy konferencat e saj me stafin e tij.

Për detyrimin shoqëror që z.Granit Muçaj ka marrë përsipër të kryejë së bashku me anëtarët Këshillit Drejtues të Federatës, gjej momentin që ta përgëzoj për pozicionin e tij dhe përcaktimet në raport të rolit që duhet të luajë Federata Kombëtare e të gjithë atyre që flasin shqip e të pandikuar nga kozmopolitizmi gjuhësor në marrëdhëniet tona, ku dukuria e indiferentizmit ekstrem është veçse goditje fatale kundër ideve e inisiativave që ndërmerren dhe bëjnë të ndrydhen edhe ndjenjat më entuziaste të grupit. Ky ishte edhe një nga të shumtat argumente dhe shqetësime që na përcolli në raportin e tij Presidenti i Federatës zoti Ganit Muçaj si një fenomen që kthehet në edukatë dhe bëhet kulturë burokratike dhe instuticionale.

Në fund të fundit, gjithçka që realizohet në diasporë nga mërgimtarët, janë vlera që trasmetojnë dhe nuk arrijnë të shkojnë atje ku duhet ose të kenë pranë tyre ata që duhen. Më kujtohet një bisedë me një drejtues të komunitetit Maroken në Brescia, i cili më shpjegoi se Ministri i tyre i Jashtëm vjen një herë në dy muaj dhe bën takim të hapur me përfaqësuesit e komunitetit të tyre në Lombardi, për t’i dëgjuar dhe pastaj takon përfaqësuesit kryesorë të shtetit italian, për t’i përditësuar me problemet që ata hasin.

-Ndër të tjera, kur flasim edhe në aspektin e bashkëpunimit na afrohen mjaft intelektualë si profesorë, mjekë, doktorë, avokatë, shkrimtarë, krijues e drejtues aktivitetesh ekonomike të cilët i meritojnë emrat e tyre për çka bëjnë etj. Ndërsa kemi edhe një kategori tjetër në kërkim të lavdisë, honorareve dhe pompozitetit që kërkojnë me insistim të përshëndesin në tribuna. Është si të bësh dashuri me kusht me disa tipa të tillë pa skrupull, fodullë e pa personalitet të cilët na thonë: “Po,po, do të jem aty, por unë dua të flas kaq minuta”. Janë tipa që kërkojnë të flasin gjithmonë për Belulin dhe bëhen pengesë e të vështirë për çdo iniciativë me energjinë e tyre negative të mburrjes.

Në konsideratë për të gjitha takimet, konferencat dhe angazhimet e përbashkëta të shoqatave të Federatës FNAI  vlerësoj të gjithë drejtuesit e ‘shoqatave të tjera të cilët na nderuan me pjesëmarrjen dhe vlerësimet e tyre duke shprehur edhe dëshirën e bashkëpunimit në bashkërendim me Federatën. FNAI.Respekte e mirënjohje për  drejtuesit e tyre ; Marjan Bjeshkëza “AssoAlbania”, Asti; Ndricim Kercuku, “Krenaria Shqiptare”, Pordenone; Silvana Muço Dogani”, Radici & Ali”, Pescara; Sonila Otobashi, “Skanderbeg”, Parma; Eno Dule, “Ura”, Novara; Petrit Gjinaj, “Ura e Bashkimit”, Ponte di Legno; Mahije Bujupi, “Lidhja e Mësuesve Shqiptarë”; Elvira Lashi “Forum Donna Indipendente”, etj.

Uroj që të zgjohet kategoria e personave të cilët e kanë vëzhguar Federatën Kombëtare që në themelimin e saj me dylbi dhe skepticizëm, me arrogancë, shpërfillje e në kor me ndrikullat e tipit “Oh ç’u kënaqëm”, duke injoruar ekzistencën e saj, aktivitetin, trasparencën, kërkesat në rritje për punën dhe bashkëpunim të hapur e gjithmonë në mbrojtje të interesave të komunitetit mbarëshqiptar në Itali dhe jashtë saj, për integrim dinjitoz dhe bashkëjetesë me popullin Italian, i cili na ka hapur portat e miqësisë.

Nga Greqia e përshëndeti konferencën edhe z.Ardian Daullja Kryetari i Unionit të Shoqatave Shqiptare në Athinë i cili uroi organizatorët dhe të pranishmit për vazhdishmëri të këtyre konferencave shumë të nevojshme për mbarë shqiptarinë kudo ku ndodhet.Me këtë rast ai deklaroi  dhe falenderoi për inisiativat e bashkëpunimit dy palësh ndërmjet Unionit që ai drejton dhe federatës Fnai në drejtim të promovimit të artit ,kulturës,traditave ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe si edhe promovimin dhe marrjen e inisiativave për ushtrimin e të drejtave sociale të komunitetit shqiptar në Greqi dhe Itali.

Për mbështetjen konstante të realizimit të Konferencës dhe pjesëmarrje falenderoj në veçanti Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Milano zotin Diamant Kastrati, Konsullen e Përgjithëshme të Republikës së Shqipërinë në Milano zonjën Anila Pojani për përshëndetjen e saj drejtuar Konferencës dhe dr. Vat Marashi për mbështetjen e tij financiare .

Mirë u pafshim në “Diaspora 2024”.

Petrit R. Aliaj.

Brescia 17.12.2023.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok