RASHA NEMANJANE – KËSHTJELLË E FUNDIT E BIZANTIT ILIRIK (2)
Theksime nga shtrojca e studimit “DARDANIA – ANTIKA, MESJETA” rreth mashtrimeve dhe falsifikimeve të historiografisë serbe për të ashtuquajturit “shtet mesjetar serb“ në Kosovë si dhe autoqefalisë së kishës ortodokse serbe nga shekulli XIII, kur ajo nuk ka qenë e tillë, pos pjesë e një autonomie në kuadër të Peshkopatës së Ohrit
Nga Jusuf Buxhovi
Shthurja e Bizantit me anën e formacioneve të tjera autonome shoqërore dhe politike (feudeve, zhupanive dhe dinastive), siç ishin edhe “Despotati i Epirit”, “Despotati i Artës”dhe “Regnum Albaniae” e vitit 1272-1296 dhe të tjerave deri në shekullin XV kur do të marrë fund kjo perandori, në ato rrethana dramatike dhe fare të paqëndrueshme për nga realitetet shoqërore dhe politike, nxori në pah në njërën anë faktorët vendorë mbi të cilët perceptoheshin po edhe ndërtoheshin interesat e Lindjes dhe të Perëndimit për ndikim sa më të madh, kryesisht me anën e faktorit kishë, siç ishte rasti me Perandorinë Katolike të Kostandinopojës pas Kryqëzatës së katërt më 1204-1264 dhe të “Despotatit të Epirit”, dhe në tjetrën anë, pretenduesit për fronin e Bizantit, ndër të cilët duhet dalluar dinastinë Nemanjane të Rashës, e cila gjatë kohë së Stefan Dushanit (1331-1355) ia doli që të jetë forca kryesore e Bizantit, që u quajt edhe “Illyricum Magnum”.
Natyrisht se faktori Rashë, i parë në përputhje me realitetet e kohës dhe jashtë interpretimeve dhe përvetësime, nga ato që do të t’i bëhen nga ana e historiografisë serbe, asaj ruse dhe shkollës së sllavistëve të Vjenës në shekullin XIX, paraqet pikën kyçe të këtyre zhvillimeve historike, ngaqë, e nxjerr atë nga pengu i këtij keqinterpretimi, pra i përvetësimit joshkencor, siç është paraqitja e saj “themel të shtetit mesjetar serb” dhe, po ashtu, ia merr të drejtën Kishës Ortodokse Serbe, që të përvetësojë krishterimin ortodoks me liturgji të sllavishtes së vjetër kishtare. Jashtë këtyre përvetësimeve antihistorike, Rashës dhe dinastisë Nemanjane, i kthehet pamja e saj historike me faktorët shoqërorë, politik nga antikiteti (origjina tribale) si dhe roli i saj në hapësirën e Dardanisë, atë të Maqedonisë dhe të Epirit si forcë hegjemone në zhvillimet që e përcollën Bizantin nga shekulli XII – XV kur do të shembet përfundimisht.
Vendosja e shtetit mesjetar serb mbi dihominë e faktorëve joshkencorë: kishë-komb – duke u injoruar bërthama sllave nga shfaqja e saj e deri te shtrirja, që më së paku lidhet me gjeografinë historike të tyre siç paraqitet nga serbët dhe, njëherësh duke u përvetësuar sllavizmi si konglomerat etnik dhe, duke u konvertuar popujt antikë Tribalët, Dardanët, Keltët dhe të tjerët në serbë në përputhje me fantazinë e Priftit të Duklës nga “Gesta Regnum Sclavorum” (Kralevstvo slovena) e Orbinit – paraqet spektrin argumentues të rrëzimit të falsifikimeve, që për një kohë të gjatë, edhe janë pranuar, nga shkaku se ka munguar qasja kritike dhe objektive shkencore ndaj tyre. Ndaj, rishqyrtimi dhe rivlerësimi i kësaj problematike qoftë edhe mbi supozime të shumta, synon që Rasha dhe roli i saj në kuadër të Bizantit po dhe të përvijimeve kishtare lindje-perëndim, të nxirret nga përvetësimi dhe interpretimi joshkencor se ajo është “themel” i shtetit mesjetar serb dhe, të sqarojë edhe të vërtetën për identifikimin e krishterimit ortodoks të liturgjisë së sllavishtes së vjetër kishtare në Ilirik me krishterimin ortodoks serb dhe kishën ortodokse serbe gjoja si kishë të pavarur “kombëtare” serbe nga vitit 1219, kur ajo ka qenë pjesë e Peshkopatës së Ohrit të drejtuar nga Patrikana e Kostandinopojës. Episodet e gjoja “pavarësisë” nga viti 1219-1257 kur rikthehet qendra e Perandorisë së Bizantit në Kostandinopojë pas largimit të Perandorisë Katolik dhe vendimet e Koncilit të Lionit të vitit 1275, tregojnë më së miri për këtë mashtrim me të cilin për tetë shekuj është ushqyer miti i kishës së pavarur ortodokse serbe në Bizant, kur kjo do të ndodhë vetëm në vitin 1923, pra pasi që në Versajë, në vitin 1919, do të njihet mbretëria SKS si një realitet shtetëror të krijuar pas pushtimeve serbe të Kosovës dhe të Maqedonisë, vise këto kryesisht të banuara me shqiptarë, shumë prej tyre të besimit ortodoksë, që do të konvertohen dhunshëm në serbë.
Për t’u argumentuar këto shtrembërime, mistifikime, përvetësime dhe falsifikime ndër më të ndryshmet mbi bazat e një platforme shtetmadhe dhe ideologjie hegjemoniste sllavo-ortodokse, që u shfaqen nga “Naçertanja” e vitit 1844 e deri te programet e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve të viteve 1937, 1944 dhe së fundit të viti 1986, përqendrimi bie mbi katër fusha:
SË PARI: tek pasqyrimi i falsifikimit të dokumenteve mesjetare nga ana e Kishës Ortodokse Serbe në përputhje me konceptet shtetmëdha dhe ato hegjemoniste të projektuara në Rusi nga mesi i shekullit XVIII, me ç’rast pikënisje janë ato të autorëve bizantinë, pastaj literatura hagjiografike me theks të veçantë te përpjekjet që dinastia e Nemanjajve dhe Rasha të nxirret “themel i shtetit mesjetar serb” jashtë konteksteve kohore dhe jashtë raporteve shoqërore dhe politike të atyre rrethanave, ndërsa kisha e Rashës gjoja me autoqefali nga mesjeta. Ndonëse ishte fjala për një shkëputje të përkohshme nga Peshkopata e Ohrit, së cilës do t’i bashkëngjitet pas pak, së cilës madje i atribuohet liturgjia në gjuhën serbe, edhe pse dihet se ajo ishte një gjuhë kishtare e vjetër (amalgam midis sllavishtes dhe bullgarishtes), ngaqë gjuhë serbe do të ketë në gjysmën e dytë të shekullit XIX pasi që do ta formojë V. Karaxhiqi me ndihmën e shkollës sllaviste të Vjenës. Të kësaj natyre janë edhe shumë nga “monografitë” për jetën kishtare serbe si dhe jetëshkrimet rreth jetës dhe veprës së dinastisë Nemanja, të rishkruara ose të falsifikuara, gjithnjë me arsyetimet joshkencore “të përpunimit të tyre”, në përputhje me qëndrimet hegjemoniste. Ndër këto rrëfime të mbështetura në hagjiografi (literaturë kishtare, bien në sy botimet “Sveti Sava – Sabrana Dela” të botuara nga T. Jovanoviq, Beograd 1998, “Stevan Prvovenčani – Sabrana dela”, nga Georgievski-Jovanović, pastaj “Živopis Svetog Save” nga Teodosije Hilandarski si dhe vepra e Konstantin Filozofit “Povest slovina – Žitije despota Stefana Lararevića“, Beograd 1989, me ç’rast pranohet që ato janë të sajuara në Odesë në shekullin XVIII sipas disa rrëfimeve të priftërinjve të atjeshëm! Ngjashëm ndodh edhe me veprën “emblematike” të S. Novakoviqi “Zakonik Cara Dušana,cara srpskog 1349-1354”, Beograd 1870, në parathënien e së cilës pranohet se „Kanuni mesjetar nuk ekziston, por ai është arrnuar nga rrëfimet në shekullin XIX në Prizren dhe rrethinë si dhe nga disa tekste nga kishat në Vllahi dhe Rusi (Petergurg), të cilat i ka ndërlidhë Shafariku në Vjenë më 1859. Ngjashëm është vepruar edhe me kartat (povele) të shumta nga manastirët mesjetare, i Deçanit, Graçanicës dhe të tjera, të shpërndara në shekullin XIX nëpër qendrat europiane me anën e „Actes de Chilandar I. Des origines a 1319“ nga Živojinović – Kravari dhe Giros, të botuara në Paris, e ku Kristobula e Deçanit, e viti 1330 paraqitet në katër versione, bulë kjo që në një monografi të Muzeut të Beogradit me kartat mesjetare thuhet se „nuk ekziston origjinali, por kopja është besnike origjinalit“!
SË DYTI: te pasqyrimi i konvertimit të vazhdueshëm të Tribalëve antikë në serbë, e ku edhe gotët, keltët, dakët dhe të tjerët, gjithnjë në përputhje me fantazinë e Priftit të Diokelsë nga vepra “Gesta regnum sclavorum” e Orbinit, nuk i shpëtojnë kësaj praktike. Ndonëse nga burimet kryesore të autorëve antikë (Halkokondyles, Dukas e të tjerë), origjina e rasianëve lidhet me Tribalët ilir ndërsa Rasha me Tribalinë, ata konvertohen në serb dhe Serbi! Madje edhe ajo që nga kronikat e Perandorit Pofryrogenit nga shekulli X, njihet si Sclavinja (etni e përbashkët sllave, kryesisht e shtrirë nga shekujt VII-XI në Sllavoni e deri në Moravi), përvetësohet njëanshëm duke u anashkaluar kroatët, çekët, sllovakët dhe të tjerët në këtë hapësirë, pa ngurruar që në disa përkthime, si te kronika e A. Komninës, emërtimi Dalmacia të zëvendësohet me Serbia! Në vazhdën e këtyre falsifikime flagrante, më së largu shkon Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Jugosllavisë dhe ajo e Serbisë. Në kuadër të botimit të “Historia e popujve të Jugosllavisë në okumentet bizantine” (volumi VI), Tribalët konvertohen në serbë madje me arsyetime fare absurde dhe jashtë çdo morali shkencor me refrenin se “kur janë përmendur Tribalët është menduar për Serbët! Ose, që janë ngatërruar!” Kjo praktikë e falsifikimeve dominon në pjesën më të madhe të historianëve jugosllavë dhe atyre serbë që do të merren me historinë e serbëve dhe të Serbisë, me ç’rast edhe Keltët konvertohen në serbë, Gotët, Dakët, Abroditët dhe të tjerë.
SË TRETI: te pasqyrimi i keqinterpretimit të burimeve kryesore bizantine, që i bëhen veprës së perandorit të Bizantit Konstantine Pophyrogenit “De thematibus et De administrando imperia”, dhe veprës “Il Rewgno De gli sllavi haggi corrottamente detti schiavoni historia”, të Orbinit. Kjo e fundit – një rrëfim gjysmë letrar, i mbarështuar me shumë të dhëna të arnuara nga autorë të ndryshëm dhe i përcjellë me shumë e shumë kundërthënie dhe pasaktësi, mbi të cilin pastaj mbështetet i gjithë konstrukti i të ashtuquajturit shtet mesjetar serb në kuadër të botës sllave, që nuk paraqet tjetër pos një kundrim romantik-imagjinar i projektuar për rrethanat e njohura shoqërore dhe politike të shekullit XIX. Kësaj ecurie nuk do t’i shpëtojnë edhe shumë nga dokumentet e arkivave të Vatikanit, të Venedikut dhe veçmas të Raguzës, për ç’gjë flasin shumë dëshmi nga ato të Sufflayt, Ruvaracit, Jiriçekut, Georgijevit, Mikloshiqit dhe të tjerëve, që janë marrë me to në mënyrë kritike.
SË KATËRTI: tri fushat e para, do të mbeteshin pezull pa infrastrukturën e propagandës së gjerë, që duhej t’u shërbente atyre për t’u kthyer në “teza shkencore”. Nëse për më shumë se një shekull, ajo ka prodhuar fakte të rremë që kanë mbushur arkivat dhe institutet e ndryshme të kohës që u kanë shërbyer qëllimeve të saj, rishqyrtimi i tyre i vëmendshëm mundëson dekonspirimin e binarëve të falsifikimit të dokumenteve kishtare dhe atyre të autorëve bizantinë, të cilët, nisin nga punëtoritë e Hilandarit, ato të manastirit Tronosha, për në Karlovc, Odesë e deri në Vjenë, ku pastaj, pranohen dhe deponohen. Përpunimi i tyre i njëanshëm do të bëhet nga shkolla e atjeshme e sllavistëve, (Schafarik,Mikloschih, Windish, Lubić, Šišić, Rački, Jiriček, Dümler, Thalloszy e të tjerë), për t’ua dhënë vulën e “fakteve meritore shkencore” si “Monumenta slavica”.
E mira është se sot ka dalë në pah makineria e këtyre falsifikimeve nga punëtoritë e kishave ortodokse, veçmas ato në Hilandar, ku janë sajuar “zhititë” (rrëfimet) për jetën “e mbretërve serbë” dhe si janë krijuar prej tyre”dosje të rreme historike”, të cilat ndër qarqet akademike botërore ,veçmas në SHBA, gjithnjë e më shumë po e humbin kredibilitetin shkencor. Kjo është edhe e natyrshme kur kjo pranohet edhe nga disa autorë objektivë serbë, siç është historiani Ruvarac, që thotë se e gjithë historiografia serbe është sajuar në bazë të dokumenteve të falsifikuara kishtare në Odesë dhe Vjenë në shekujt XVIII-XIX. Por, e keqja është se këtyre falifikimeve, një pjesë e mirë e historianëve tanë institucionalistë, që veprat e tyre mbështeten nga diktati i historiografisë serbe si orbitër të tyre të vetëm “shkencor”, jo vetëm që u besojnë, por edhe vazhdojnë t’i përhapin si “dëshmi”, me ç’rast shumë prej tyre gjejnë vend edhe në katalogjet dhe prospektet zyrtare që finanson shteti i Kosovës, ndër të cilët më flagranti është ai i Prizrenit, ku ai paraqitet “qendër kulturore dhe historike serbe”!