05/12/2025

Qeveria Hoti e solli një njohje, ‘Qeveria Koti’ asnjë!

0
Florim-Zeqa1

Qeveria amatoreske dhe diplomacia inekzistente i kanë hapur rrugën Serbisë për tërheqje dhe pasivizim të njohjeve. Edhe pse zyrtarisht nuk kemi të dhëna për numër të ç’njohjeve, nuk e kemi asnjë njohje zyrtare që nga njohja e Izraelit, e cila na erdhi në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 Shator 2020!

Shkruan: Florim Zeqa

Vakum diplomatik

Mungesa e një diplomacie efikase në mirëmbajtjen e raporteve me shtetet njohëse i ka vënë në lajthitje ato, kurse të tjerat që ishin në prag të njohjes, janë larguar nga ideja e njohjes. Dërgimi i personave anonim dhe pa kredibilitet në përfaqësitë diplomatike e ka dëmtuar imazhin e Kosovës në botë!

Këtë situatë vakumi diplomatik, është duke e shfrytëzuar pdiplomacia serbe në parandalimin e njohjeve dhe kontestimin e njohjeve ekzistuese.

Diplomacia jonë, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme është mbyllur në lëvozhgën e saj, duke mos e zhvilluar asnjë lobim serioz tek shtetet mosnjohëse!

Ka ikur koha e njohjeve përmes miqëve perëndimorë

Siq dihet, shumicën e njohjeve të shtetit të Kosovës i kemi dhuratë prej aleatëve tanë, në veqanti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shumë pak njohje i kemi si produkt i lobimit tonë!

Madje, edhe njohjen e fundit nga Izraeli e aranzhoj presidenti amerikan Donalld Trump me rastin e Marrëveshjes së Uashingtonit, me ç’rast kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.

Ne, tërë ditën mund ta akuzojmë Serbinë dhe Rusinë për mungesën e njohjeve, por kjo në radhë të parë është pasojë e mospunës tonë, përkatësisht e mungesës së një diplomacie efikase dhe profesionale.

Shkaqet e ngecjes së njohjeve nuk duhet t’i kërkojmë jashtë Kosovës, por duhet t’i gjejmë brenda ‘Qeverisë aktuale’ për mos zgjerimin e ndikimit diplomatik tek shtetet mosnjohëse.

Nuk është pragmatizëm diplomatik dërgimi i kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian pa e pasur asnjë gjasë teorike për anëtarësim!

Pa anëtarësim në Këshillin e Evropës, pa njohjen nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe pa pranimin në Interpol dhe UNESCO, kërkesa e Kosovës do të mbetët edhe 20 vite në sirtarët e BE-së!

Ndërrimi i qasjes së SHBA-ve ndaj shtetit të Serbisë, shqetësues për Kosovën

Nuk është shqetësim vetëm deklarimi i SHBA-ve për mosvënjen e kushtit Serbisë për njohjen e Kosovës në dialogun e Brukselit, por janë raportet tepër të relaksuara me Serbinë. Paralajmërimi i SHBA-ve për investime qindramilionëshe në Serbi e vërteton përafrimin e amerikanëve me fqinjin tonë verior, përderisa mungojnë investimet kapitale në territorin e Republikës së Kosovës!

Raportet e mira dhe përputhja e interesave amerikane me Kosovën e sollën mrekullinë në vitin 1999, gjegjësisht intervenimin e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë-NATO-s. Por tani 24 vite më vonë gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht, e në veqanti pas fillimit të invazionit rus në Ukrainë kanë ndryshuar edhe rrethanat gjeostrategjike në Evropë dhe në Ballkan.

Nëse kryeministri Albin Kurti nuk e ndërron qasjen e qeverisjes dhe nuk e bën riformatimin e Qeverisë brenda një kohe të shkurtër, rrezikon që të përfundojë mandatin pa i sjellë asnjë njohje shtetit të Kosovës, e për më keq se kaq, mund t’i humbas disa prej njohjeve ekzistuese!

Është mëkat i madh që populli më pro-amerikan në rruzullin tokësorë të humbas mbështetjen e SHBA-ve, shkaku i një qeverie e cila nuk i merrë në konsideratë këshillat dhe rekomandimet e aleatit numër 1 dhe të shteteve mike të Bashkimit Evropian. Me këtë qeverisje amatoreske dhe me diplomaci inekzistente nuk mund të presim më mirë!

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok