21/12/2024

Pse me kaq pesimizëm?!

0
u1_Vilhelme-Vrana-Haxhiraj

Ese

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Një ditë, ashtu papritur, një qytetar më ndali në rrugë dhe më përgëzoi për krijimtarinë time. E falënderova dhe prisja të më thoshte konkretisht se çfarë i kishte pëlqyer nga ndonjë botimi im. Por si përgjigje mora një zhgënjim të habitshëm, pasi menjëherë ai pyeti disi çuditshëm:

-Pse me kaq pesimizëm, zonjë?

E vështrova drejt e në sy dhe nuk iu përgjigja në çast. Duke e përqëndruar vështrimin ngultas në bebet e syve të tij, nisa ta zhbiroj atë shpirt cinik dhe egoist. Atë çast m’u duk se cinizmi, ligësia dhe shpirtvogëlsia e tij qëndronte brenda një skeleti pa jetë, me një kafkë të boshatisur e të shplarë nga euforia e fasadës së asaj jete të rreme e farse të reklamuar gjatë njëzetë e katër orëve të ditës dhe natës. Para meje qëndronte një shpirt i kalbësyer që as jep dhe as merr gjë. Kjo ndjesi e athët e mosgjësë që më përvëloi zemrën dhe mendjen, më zhyti në mendime të thella.

O Zot! Këtij njeriu të verbër, të shurdhët që flet në erë, nuk i erdhi turp që brenda pak sekondave tregoi dyfytyrësinë e tij? Dikë që të uron me sinqeritet edhe pse nuk i di emrin, mund ta quash “mik”. Veç kur të bënë një pyetje të tillë, e cila shpreh dyshim, mosbesim dhe kundërshti për atë që ai pak më parë e lëvdoi, ky tip nuk mund të quhet mik. As armik nuk mund të quhet. Ai është një idealist pa tru, një dallkauk që kthen gunën nga fryn era. Është nga ata tipa që hanë me të gjitha lugët, ose është njëri prej atyre që pas shuplakës në njërën faqe, kthejnë dhe faqen tjetër. Njerëz të tillë kanë mungesë të theksuar personaliteti. Ata nuk janë realist për derisa u mungon sinqeriteti me vet qenien e tyre. Përsa nuk e njohin realitetin, nuk hyjnë në rangun e njerëzve normal. Njerëz të tillë janë aq të vegjël shpirtërisht, sa nuk mund të rriten kurrë. Ky nuk qenka as mish dhe as peshk, por qenka kërmill që hiqet zvarrë!”- mendova pasi studiova paksa në vija të përgjithshme pamjen e jashtme fizike, ose më mirë karakterin e tij të dyzuar, i cili fliste në gjithë qenien e tij pa qenë nevoja që ai të hapte gojën.

Ai ende po shikonte me dyshim. Pasi ktheu kokën majtas dhe duke më parë shkarazi me bishtin e syrit, pyeti:

-Nuk di pse heshtët, zonjë. Unë të bëra një pyetje se më bëri përshtypje pasi lexova titullin e librit tuaj me ese publicistikë, që e keni titulluar, “Kështu ka ndodhur”

-Çudi, vetëm se lexove titullin dhe dole në këtë përfundim?  Të lumtë! Qënke psikolog i zoti. Më thoni ju lutem, çfarë kuptuat me këtë thënie?

-Kam parasysh se e keni penën pak të rëndë. Ndaj për shijen që më la titulli, ju bëra atë pyetje.

-Nuk po të kuptoj. Është titulli apo pena që rëndojnë si peshë? Tani, në ditët tona, jo vetëm unë, por dhe gjithë letrarët nuk kanë më nevojë për penë. Kanë mjete dixhitale. Mosha ime ka 20 vjet që punon me kompjuter, kurse sa e sa të tjerët kanë vite para meje që kanë përqafuar të rejat e shkencës. Pra, në këtë rast “pena” nuk hyn në diskutim, nuk ka më peshë. Ty të shtyp forca e fjalës, e cila të krijon trysni në trurin tënd apo në një tru tjetër të sëmurë apo të pazhvilluar që ndoshta ka ngelur sa një bizele.

-Ai titull i përshtatet përshkrimit të një lufte, e cila ka lënë pas hi, varfëri dhe shkatërrim të gjithanshëm. Kurse sot në demokraci ka lindur drita e shpresës.

-Vërtet ?! Po më habit. Si ka mundësi që unë dhe shumica e shqiptarëve nuk e shohim këtë dritë të gjelbër?

-Më duket se më keqkuptuat.

-E keni gabim. Unë them dhe mbaj përgjegjësi morale për ato që dëgjova.

-Ç’është e vërteta letërsia juaj më pëlqen, është shumëplanshe, është një krijimtari bashkëkohore dhe tejet e “guximshme”, por e kisha fjalën për ese-të dhe publicistikën tuaj.

-Të lutem, më thoni se ku çalon ese-ja ime?! Çfarë nuk ka të vërtetë në atë që shkruaj apo kë paskam shkelur në kallo?!

-Konkretisht kam përshtypje jo të mirë për titullin “Kështu ka ndodhur”. Kur ta lexoj do të jap mendimet e mia rreth tematikës së zhvilluar.

-Atëherë po të jap një këshillë. Kurrë mos fol para kohe, pasi kur flet goja para mendjes, përherë gabon. Me që ti je shkaku i këtij debati, do të presësh edhe pasojat. Deri tani ke folur si e ëma e Zeqos në majë të thanës. Emë fal, por e di ç’do të thotë pyetja jote cinike? Kësaj i thonë “korr e mos lidh !” Përgjigja ime do të jetë pasojë e pyetjes suaj. Ndaj po të pyes:

-Ç’mund të më thuash për lirinë e mediave?

-Unë mendoj se sot Media është e lirë. Ka shumë televizione, shumë gazeta të shkruara dhe online. Me sa kam lexuar kam vënë re, se gazetarët apo publicistët shprehin mendimet e tyre të lira.

-Zotëri, nëse mendimi i lirë do të shprehej përmes fjalës së lirë në medja apo biseda gojore, nuk ishte nevoja që qysh në vitin 1644, Xhon Milton do t’i drejtohej parlamentit anglez për lirinë e mediave, lirinë e mendimit dhe të fjalës. Jo më kot ai për këtë liri të domosdoshme, e cila i jep individit lirinë vetjake, botoi studimin psikologjik me titull “Aeropagjitika”. Kur lexon dhe fjalën e fundit në këtë libër psikologjik, kupton se për të fituar këtë të drejtë është e domosdoshme që secili të rrit besimin për të bërë gjënë e duhur vetëm për të qenë vetvetja.

*Dëgjo se sa të vërteta dhe sa realitet pasqyron Media.

E vërtetë nuk është vetëm të dëgjosh në TV, apo në faqen e parë të çdo gazete që në mëngjes sa hap syt, se ndodhi ‘X’ apo ‘Y’ krim? E ke idenë se sa ndikim të keq dhe sa negativisht ndikon mendërisht dhe moralisht tek shikuesit, lexuesit apo dëgjuesit kur ditën e fillon me një kronikë të zezë?! Ty nuk të bën përshtypje një lajm i tillë makabër, sepse të është mësuar veshi apo syri me kronika të zeza që tregojnë se shqiptarët po hanë kokat e njëri-tjetrit. Më e keqja është se pa t’u dridhur buza, me vete thua: “Mirë t’u bëhet! Le të hanë kokat me njëri-tjetrin!” Flet pa llogaritur dhe mbi të gjitha harron, se ata që vriten janë bija apo bijë nënash. Çuditërisht një i pashpirt nuk pyet se si e vranë, pse e vranë, në ç’rrethana e vranë? Kurse unë them se kështu ka ndodhur.

Janë shpalosur në media ndonjëherë shkaqet e krimeve? Krimi jo vetëm në vendin tonë, po kudo në botë, nuk është spontan. Ka një origjinë, që vjen nga preteksti, shkaku si dhe nga mënyra e organizimit për kryerjen e operacionit kriminal. Preteksti është një ndodhi pa rëndësi që të çon te shkaku, i cili është jo vetëm i thellë, por dhe të çon në marrjen e një vendimi ekstrem. Ndaj njeriu duhet të jetë i matur, i duhet të gjykojë dhe pas një arsyetimi të drejtë duhet ta mënjanojë krimin. Pasoja në këtë rast është fatale se identifikohet me vrasje, ose me hedhje në erë të një objekti. Jo vetëm që merr shumë jetë, por shkatërron ekonominë, prish qetësinë publike dhe sjell panik ndër banorët.

Një nga shkaqet e krimeve është emigracioni.

Krimi është shumë dimensional, si ç’është edhe liria. Krim nuk është vetëm kur vret me plumb, pra kur merr jetën e dikujt. Krim është kur mohon lirinë, të drejtat e dikujt apo të një komuniteti të tërë. Ose kur problemet shqetësuese të lënë pa gjumë. Pra vrasja morale apo mendore në vetvete përbëjnë krim. Trajtimi i shtetasve në mënyrë të pabarabartë përsëri përbën një krim.

Shkak janë dhe pasojat që solli emigracioni. Në vitet e para pas rënies së Murit të Berlinit, shqiptarët shkëputën zinxhirët e skllavërisë dhe u turrën nëpër botë të etur për një jetë më të mirë. Shkaqet e emigrimit ishin, niveli ekonomik ishte në zero, varfëria e skajshme, papunësia kishte mbuluar vendin, mungesa e liriva dhe mosnjohja e kartës së të drejtave të njeriut, izolimi gjysmë shekullor dhe ndarja e shqiptarëve në dy klasa armike të betuara me njëra-tjetrën. Shumica e këtyre shkaqeve vazhdon edhe sot me hapa galopante. Ndaj të rinjtë vazhdojnë të emigrojnë, pasi ndihen të huaj në atdheun e tyre. Kështu ka ndodhur që Shqipëria po shndërrohet në një azil të moshave të treta, jo vetëm me shqiptarë por dhe me të huaj.

Përqindja më e madhe e emigrantëve u përshtat me jetën e vendit mikpritës. Ata janë integruar dhe secili jeton si çdo qytetar i botës së lirë. Kurse një pakicë emigrantësh dembelë që nuk u pëlqen të punojnë, u gjendën në rrugën e madhe. Në këtë mënyrë u bën preh e mafjes botërore. Pikërisht këta njerëz me karakter të dobët, dembel dhe pa dinjitet, endacakët e rrugëve të përbotshme i shndërruan në spaçatorë droge, në trafikantë droge, armësh dhe të mishit të bardhë. Kjo është industria e korrupsionit që pa shpenzime të mëdha, sjellë fitime kolosale.

Babëzia, grykësia dhe egua për pasuri, i çoi endacakët e rrugëve të botës drejt krimit. Fillimisht dukeshin si fenomene spontane, por po t’i analizosh e kishin një farë organizimi, të cilin mafiozët e rrisnin gradualisht shkallën e krimit.

Sot ligjin e bën rruga dhe krimi i organizuar ku përfshihen nga fermeri i prodhimit të narkotikëve deri në rangjet e larta shtetërore në të dy anët e kufirit.Të lutem, më thuaj. se nuk ka ndodhur kështu.

Mosdhënia e pronës pronarit legjitim, përbën krim kombëtar. Ligji 7501, ishte një reformë e dytë agrare, që i ndau pronat e pronarëve legjitim në mënyrë të barabartë. Këto prona padrejtësisht kanë përfunduar në duart e politikanëve, duke i lënë pronarët legjitim me gisht në gojë. A nuk është e vërtetë kjo që po them?

Ndryshimet në kushtetutë sipas oreksit të Partisë në pushtet dhe moszbatimi rigoroz i ligjeve ka sjellë pabarazi, diferencime klasore si në diktaturën komuniste. Pa frikë them se gjithçka mund të jetë ky sistem, por kurrë nuk mund të quhet “Demokraci”.

Në Shqipëri sundon Autokracia e një njeriu, të cilit i binden verbërisht një grusht njerëzish me interesa të njëjta korruptive, të cilat mbrojnë pronat marramendëse të zhvatura padrejtësisht.

Pushteti nuk është në gjendje të ruajë integritetin tokësor të Shqipërisë. Është krim ndaj kombit më të lashtë, ndaj të cilit ndiqet një politikë shkombëtarizuese, duke mohuar gjuhën, autoktoninë dhe traditat e bukura shqiptare.

Po humbet nocioni i familjes, e cila është baza e shoqërisë dhe e një shteti me themele të forta. Sot me paturpësi po reklamohet në media dhe po aprovohen martesat brenda një seksi, kurse prindërit që janë të shenjtë, janë gjaku i gjakut të tyre, “Nënë” dhe “Baba” po zëvendësohen me prindin ‘1’ dhe ‘2’.

Moscënimi i kufijëve tokësor dhe detar ka kaluar në një treg shitblerjeje apo dhurimi ndërshtetëror mes shteteve fqinjë.

Ballkani i Hapur”, është regres në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Atë që nuk realizoi Tito dhe E.Hoxha më 1946, e realizoi Partia Socialiste në marrëveshje me Serbinë, duke iu bindur për interesa të ngushta të autokracisë, harroi gjenocidin shfarosës të shqiptarëve nëpër varre masive. Kështu Partia Socialiste e Shqipërisë, mohoi Kosovën e skllavëruar, të drobitur, të dhunuar dhe të sakatosur dhe paturpësisht i krijoi Serbisë vrastare mundësinë e daljes në det, e cila ka qenë shkak i dy luftrave botërore.

Vrafëria është ulur këmbëkryq në çdo vatër shqiptare. Shqipëria tejet e pasur si mbi tokë edhe nën tokë, me shumë resurse (mundësi) shfrytëzuese për një nivel të lrtë ekonomik, sot është vendi më i varfër në rajon dhe në botë. Shqiptarët në tokën e të parëve asgjë nuk kanë të tyren,

U ka ngelur vetëm ajri i ndotur nga mbeturinat toksike, se dhe bregu i detit është privatizuar nga hajnët.
-“Zotëri”, si ka mundësi që nuk të bëjnë përshtypje diferencimet e pagave apo pensioneve të 90% shqiptarëve që janë më të ultat në rajon?!

Çfarë do të thuash për shërbimin mjekësor që është “falas”, kur i sëmuri shumicën e barnave mjekësore i blen me atë pagën apo pensionin e papërfillshëm?

Pse nuk pyet se për ç’arsye tranzicioni në Shqipëri u plak, na zhgënjeu dhe na riktheu përsëri në neokomunizëm, nj sistem i egër, shpërfillës ndaj shumicës, sepse “aristokratët e rinj”kanë jo vetëm pushtetin por dhe janë shndërruar në milionerë e miliarderë? Nuk t’i vret syt mafjozi, rrugaçi apo injoranti që të tund para syve diplomat, doktoraturat dhe pasaportën diplomatike që i ka marrë me katapultë, nga 9 vjeçarja kaloi menjëherë në deputet të Parlamentit apo ambasador?

Shpërfillja, denigrimi dhe zhgënjimi i të persekutuarëve, me të cilët u tall politika, duke u hedhur për mëshirë nga një kockë për vite të tëra që po u zvarget në fyt sa t’u marrë frymën pak e nga pak.

Ne që gjasma na u premtua ndërtimi i shtetit demokratik, shtet i së drejtës, për fat të keq në vendin tonë zotëron drejtësia e padrejtësisë. Kemi 32 vite që jemi zhgënjyer, se dikur shpresonim në sistemin demokratik të tipit perëndimor,por në vendin tonë u vendos neokomunizmi.

Nuk kemi për çfarë të ankohemi më parë, për çmimet që kanë shkuar në stratosferë apo për fyerjen ndaj shqiptarëve duke na dhënë një lëmoshë 5000 lekshe?

A nuk është turp që sot në shek XXI, më, 31.3.2023, nxënës të shkollave 9 vjeçare të Vlorës, pritën në pikun e diellit Ministren e Arsimit, znj. Evis Kushi për 5 orë (9-14) , sikur po prisnin Zotin që t’u plotësonte dëshirat e tyre fëmijënore?

Zotërinj politikanë dhe pushtetarë, është mëkat, antidemokratike dhe antikushtetuese të përdoren fëmijët për fushata zgjedhore të partisë në pushtet.

Si përfundim, vure vath në vesh:  Se çfarë titulli ka libri im me publicistikë, nuk i hyn në punë askujt. Më takon vetëm mua të vendos. Kjo ka të bëj me privatësinë time që vjen nga liria ime vetjake. Të kesh fituar lirinë vetjake do të thotë që je vetvetja që nuk varesh dhe as ndikohesh nga askush. Nuk pyet askënd se ç’drejtim do t’i japësh jetës, ku dhe si do të jetosh. Ndaj nëse politika nuk do ta ndryshojë fytyrën dhe botkuptimin e saj të ngushtë. libri tjetër me ese dhe publicistikë do të titullohet  “Siç po ndodh, kështu do të ndodhë!

Më vjen keq, më dhemb shpirti për vendin tim, por jam  e bindur se do të vijë një ditë dhe do të thonë “Na ishte njëherë Shqipëria !”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok