30/12/2024

PSE KLASA POLITIKE KA RËNË

0
Ndue-Dedaj

Nga Ndue Dedaj

Dëgjon rëndom të thuhet se kjo klasë politike ka rënë, përpos se nga vetë politikanët, të cilët nuk duan ta lëshojnë “lokomotivën” që i mban në pushtet apo i shpie drejt pushtetit. Kemi një klasë politike të konsumuar, si ata traktorët e dikurshëm “Stalinezë”, që më tepër zvarriteshin kodrave me gërvimë therëse sesa hapnin toka të reja. Publiku, qytetarët e dinë se duke qenë e tillë ajo nuk mund të sjellë ndryshim, por nuk gjejnë mënyrën se si ta largojnë nga skena politike, çka sigurisht nuk do të ishte një gjëmë e as dramë, përderisa dihet që elitat qarkullojnë, e aq më tepër ato politike. Mund të thuhet, nuk është njëlloj si një forcë politike me pushtet të pakufizuar prej dy mandatesh e që ka nisur të tretin, si opozita pa kurrëfarë pushteti, çka është e drejtë, por në një vështrim partitë shqiptare të tranzicionit, si “ingranazhe” të së njëjtës baltovinë politike tridhjetëvjeçare, janë sosur kush më shumë e kush më pak.

Ndërkohë që Kosova, me hir a pa hir, e ka bërë ndryshimin, dhe pse klasa e saj politike ishte përgjithësisht e pas luftës së 1999-s. Lexuesi e ka të lehtë krahasimin. Atje kemi presidente të re, Kryeministër të ri, kryetar Kuvendi të ri, kryetar të LDK-së të ri, kryetar të PDK-së të ri etj. Të rinj në detyrë dhe jo vetëm në moshë. Shkurt, klasa politike kosovare është tjetër. U deshën vetëm njëzet vjet që ajo të mos ishte më e përshtatshme për qeverisjen e Kosovës. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Maqedoninë e Veriut etj. Kurse këtu udheheqësit politikë nuk e leshojnë fronin, si ta kenë të trashëguar, nuk e mbyllin kurrë ciklin, por ricikohen pareshtur, me apo pa “inceneratorë” të politikës. Një mbijetesë politike e panatyrshme dhe sforcuar si askund tjetër. Presidenti ka 30 vite në politikë e pushtet, Kryeministri 24 vite, ish-kryetari i PD-së i rikthyer përmes “Foltores” 30 vite e kështu me radhë etj. Këta janë personat që i japin sërish tonin politikës. Nuk është vetëm kohëqendrimi i gjatë në të njëjtën “vijë zjarri” pa hapur krah për të tjerët, por stili i fortë i të bërit politikë, shpesh përzier me një arrogancë që të kujton diktaturën.

Klasa politike në Shqipëri nuk sendërtoi dot një shkollë politike bashkëkohore, prurjet e reja properëndimore në politikë (individë që kishin studiuar në Perëndim) iu nështruan shkollës së vjetër të politikës, duke u përshtatur me sjelljen agresive të shefave; disa të paktë sosh, kur e panë se nuk mund të përçonin një frymë të re, e braktisën politikën allashqiptarçe që në hapat e parë. Stili autoritarist monist vazhdonte të ushtronte ndikim negativ në politikë, prandaj shpesh është i njëjti ligjërim inatçor, vulgar si te politikanët e vjetër, si tek ata të rinj në moshë, me fjalor fyes, tallës, denigrues, ku mungon humori i hollë, finesa, eleganca e të shprehurit dhe mbi të gjitha argumenti dhe kundërargumenti. Politika erdhi duke u tehuajsuar për publikun dhe u përdoruar nga krimi. Pati vetëm një kohë të shkurtër idealizmi, në fillimet e pluralizmit, pastaj politika u bë pre e klaneve të ndryshme, të fortëve, individëve me ndikim në zonat apo trevat e tyre, duke hyrë kështu në lojë trafikimi i votave, si një “pandemi” zgjedhore e pashembullt, provë e së cilës janë dosjet e Prokurorisë numër 184 mbi manipulimin e zgjedhjeve të pjesshme në Dibër më 2016 dhe numër 339 për të njëjtën akuzë në zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Durrës, etj. Politika u vu në shërbim të atyre që shpesh quhen oligarkë, të përfolur për pastrim parash etj. Përndryshe, ajo u shndërrua në një “bankë” përfitimesh të paligjshme për një dorë njerëzish në afera me pushtetin.

Është e dështuar ajo politikë që nuk shkon te njeriu, që shërbehet vetëm për miq e shokë, militantë partiakë, pa u investuar seriozisht për interesin e gjerë publik, rritjen e pagave, pensioneve, minimumit jetik etj. Për rënien e klasës politike nuk mund të ketë një argument më të madh se sa humbja e besimit të publikut te partitë dhe liderët politikë. Se në ç’pellg notonte politika tek ne u pa pak vite më parë, kur me djegien e paprecedentë të mandateve nga PD, Kuvendi u sajua me individë anonimë, që nuk kishin as grintën më të vogël të parlamentarit. Ky ishte një nga rastet e falsitetit kur politika e kulisave doli zbuluar faqe të gjithëve. Ka organizma të pavarurara që bëjnë studime për politikën, sondazhe që lidhën me “bereqetin” e saj, shprehur në shifra e përqindje, shoqëruar me komente e analiza, që doemos kanë rëndësinë e tyre, por prej tyre nuk kemi dëgjuar të na thuhet shqip se sa efiçente është sot klasa politike, sa ajo përfshihet, zgjidh, programon dhe realizon objektiva në favor të qytetarëve. Ndërkohë, Nanë Liza e protestave të lagjes së re te “5 Majit” na thotë se njerëzit nuk kanë besim te politika e as te shteti i tyre. Ajo padashur u bë deputete e atyre banorëve dhe të tjerëve në Shqipëri që kanë probleme me shpronësimet e kompensimet e pronave. Nëse gruaja e moshuar mirditore, deputetja pa mandat, debatoi sy në sy me Kryeministrin për shqetësimin e komunitetit të saj, a keni parë nga deputetët me mandat, aq më tepër të shumicës, ta bëjnë këtë gjë në sallën e Kuvendit? Të “grindën” me qeverinë për investimet e pakta në infrastrukturën rrugore malore, politikat pa strategji për fshatin, gjë që ka çuar në brakstisjen dhe shpopullimin e malësive nga banorët etj. Cili deputet do të ngrihet në Kuvend e të ngrë zërin fort se ka gra që bëjnë tre – katër punë në ditë në të zezë për të mbajtur familjen, në një kohë që vetëm pak kohë më parë u njohëm me skandalin e pagave të një shpure zyrtarësh, këshilltarë ministrash, kryebashkiakësh etj. Cili deputet do të përballet me qeverinë për nivelin e skajshëm të varfërisë, duke e kthyer rritjen e mirëqenies së njerëzve në një kauzë parlamentare? Cilët deputetë do të shndërrohen në “gozhdë” të Kuvendit për problematikat më të mprehta të vendit, si në vitet ’20 të shekullit të kaluar Ambroz Marlaskaj, apo siç kemi parë në 91-in e mbrapa deputetë të djathtë e të majtë, individualitete të spikatura të parlamentarizmit bashkëkohor. Politikanë e deputetë të zot ka dhe sot, veçmas nga ana e opozitës, ama fjala nuk është thjeshtë për individë të shquar në politikë, por kryekrejet për strategji politike të reja, të inicuara nga ata në forumet partiake dhe në Kuvend, por dhe nga grupime të reja politike që mund të lindin.

Paradokset politike kanë qenë vazhda e këtij tanzicioni. “Dushku” zgjedhor ka prodhuar herë pas here deputetë fiktivë. Ka pasur grupe parlamentare socialdemokrate apo republikane deri më 15 deputetë, kur partitë përkatëse ishin minore. Koalicionet me parti pa peshë, sa për numër janë pemë pa kokrra, si të thuash, piramida politike. Shembulli më i freskët është koalicioni i fundit, ku një grupim politik si PD-ja (e Rithemelimit) garon në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit për bashkitë e mbetura pa kryetarë nën siglën e LSI-së?! Kryebashkiakët e këtij koalicioni të quajtur “Shtëpia e Lirisë”, të cilës parti do të jenë nesër? Në një vështrim më të gjerë: të së majtës a të së djathtës? Apo do të kemi për herë të parë kryetarë bashkie “hibridë”? Pa shpjegim dhe të papërligjura elektoralisht janë dhe rastet, kur dikush i PS-së fiton mandatin dhe me urdhër nga lart tërhiqet e një tjetër hyn në Kuvend në vend të tij(!)

Bëhen vazhdimisht pyetsorë për zhvillimet sociale, kulturore etj. Kryeministri iu drejtua shqiptarëve me dhjetë pyetje dhe ata dhanë mendimin e tyre nëse duhet lejuar mbjellja e kanabisit për qëllimi mjekësore, për ashpërsimin e gjobave kundër evazionit fiskal, ndëshkimin e ndotësve të hapësirave publike, nismën “Ballkani i Hapur” etj., por a do të ketë ndonjë pyetsor qeveritar ku qytetarët të shprehen dhe për lehtësitë që ata duhet të kenë në rastin e shpronësimit për interesa publike dhe kompensimit të tyre? A duhej të ishin pyetur ata dhe për projektin e modernizimit urban të kryeqytetit, para se të ngriheshin kullat deri në dyzet kate sa në Dubai që e kanë shformuar Tiranën e vjetër, qendrën historike të saj? Një realitet të tillë e ka prodhuar politika, pasi ajo e ka në dorë vendimarrjen, përmes aktorëve të pushtetit. Po ashtu, nuk dimë të ketë pasur pyetsorë rreth klasës politike, partive, koalicioneve zgjedhore, liderëve të tyre? Çfarë do të kishin thënë shqiptarët në një anketë të këtij lloji? Do t’i miratonin ata lojërat politike në kurriz të tyre, apo do ta kishin shpallur të mplakur këtë klasë politikanësh, të pamundur për t’i çuar më tej aksionet politike dhe se ndryshimin në këtë mes lypet ta bëjnë të rinjtë dhe në radhë të parë ata me shpirt opozitar, që e konsiderojnë politikën një mision.

Politilogët mund të bëjnë analiza të thukta të gjendjes së sotme politike, kurse për ne si qytetarë anomali të tilla të rënda janë të mjaftueshme për të dalë në përfunimin se klasa politike shqiptare e tranzicionit është në krizë, çka do të thotë se praktikisht ajo ka rënë dhe se duhet zëvendësuar me një të re të pakapur nga vetvetja dhe myshterinjtë e politikës. E kjo nuk bëhet me mendësinë e vjetëruar të “baballarëve” të politikës, që e shohin vetën si senatorë të përjetshëm dhe nuk i lëshojnë privilegjet. Janë qytetarët që kanë përgjegjësinë e ndryshimit të politikave qeverisëse dhe lidershipeve politike, që mos t’iu thuhet sot e nesër me shpoti: “Meritoni qeverinë që keni”, por dhe këta politikanë të pasojshëm. E në një rithemelim a riformatim të politikës, logjika e do të ketë dhe dritare të reja që mund të hapen, por njëra sosh mbetet opozita, e cila paçka trysnisë së pushtetit, shilarësit të saj politik, në demokraci nuk është asnjëherë një shpresë e humbur. Nuk do të ndodhë “mrekullia” e një mengjes të gdhihemi pa establishmentin politik aktual, që pastaj të nisnim t’i mbushnim si në ëndërr selitë e partive me idealistë të kulluar. Jo! Nuk është bjerrë vetëdija e ndryshimit te shqiptarët, aq më tepër te rishtarët e politikës, thjeshtë ata duhet të guxojnë më shumë.

Vërtet e sollëm si shembull ndyshimi Kosovën, por klasa politike atje ndryshoi dhe pse ranë prangat mbi duart e disa udhëheqësve të saj. Ato kanë rënë dhe mbi duart e disa ministrave të Tiranës, ashtu si shpallja non-grata nga shteti amerikan i disa politikanëve, të djathtë e të majtë është një formë ndëshkimi. A do të jenë dhe këtu prangat ato që do ta zëvendësojnë klasën e korruptuar politike me një të re?…

Edhe pse ndëshkueshmëria e korrupsionit është shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe domosdoshmëri jetike për shoqërinë, askush nuk do të dëshironte që demokracia të bënte përpara drejt standardeve europiane përmes qelive, por ndërgjegjësimit të politikanëve për të shërbyer përmes ligjit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok