03/12/2024

Promovuesit e armiqësivë politike lë të bëjnë një ekskursion në të kaluarën tonë kombëtare

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Të gjithë ata që sot promovojnë ose përkrahin armiqësitë politike (të tillët janë të shumtë), lë të bëjnë një ekskursion në të  kaluarën tonë kombëtare dhe prej atje do të kthehen me ide më të kthjellëta e më fisnike për t’ i kuptuar shumë anomali e probleme të kohës sonë.

Historia jonë kulturore ka shumë atdhetarë e autorë të shquar që kanë trajtuar plagët tona kombëtare dhe nëse i këshillojmë ata, mund ta kthjellim mendjen tonë të errësuar nga urrejtja dhe armiqësia.

Njëri nga ta është atdhetari dhe autori i shquar Mid’hat Frashëri (Lumo Skëndo), idealist i thekur, që në shumë tekste ka diagnostikuar shumë vese kombëtare.

Në shumë analiza, ai ka kërkuar që t’i kurojmë plagët tona dhe t’i kthejmë në virtyte, nëse duam vërtet përparimin kombëtar.

Analizat e tij, duken sikur të ishin shkruar sot, në këto ditë janari. Po, ai sot po t’i shihte shqiptarët e çakërdisur dhe të armiqësuar, do të përsëriste atë që ka shkruar në vitin 1909, në tekstin me titull “Të njohim pak fajin”, ku trajton plagët seriozë kombëtare: Mungesën e altruizmit dhe mos njohjen e fajit.

Mungesa e altruizmit kombëtar na ka errësuar mendjen dhe na ka futë në një mjegull totale mendore.

Përvoja historike tregon se askush nuk mund ta sigurojë lumturinë kombëtare, përparimin dhe mirëqenien, në qoftë se nuk është ushqyer mjaftueshëm me ndjenja të altruizmit.

Në të vërtetë, ata që nuk janë të ushqyer me këto ndjenja, krejt çka i sjellin shoqërisë është egoizmi, armiqësia dhe rrjedhimisht mjerimi.

Ja çfarë shkruan ndër të tjera Mid’hat Frashëri në tekstin në fjalë shkruan:

“Një komb është një familje madhe që ka nevojë për të gjithë të mirat e së voglës: shkuarja e mirë, harmonia, bashkëpunimi këtu janë shumë më të nevojshme se te familja. Për lumturinë e një kombi duhet që njeriu të ketë këtë virtyt, që në frëngjisht i thonë altruizëm.

Altruizmi është vetia fare kundër egoizmit: egoizmi na urdhëron që të mundohemi vetëm për veten tonë, të bëjm’ atë që na do qejfi, t’i bëjmë dëm tjetrit për të mirën tonë. Po altruizmi na këshillon që më parë të mendojmë tjetrin, të shikojmë të mirën e tij, të ruajmë të drejtat e shokut tonë, me një fjalë, altruizmi na thotë që çdo punë ta gjykojmë pas interesit të përgjithshëm dhe jo vetëm pas interesit tonë. Altruizmi është ajo lëndë, mund të themi, që lidh njerëzit e një kombi, gëlqerja që lidh gurët e një muri.

Altruizmi! Ah, është një fjalë e panjohur për ne shqiptarët. Sa është larg nesh altruizmi, kjo ndjenjë, ky virtyt! Armiqësi e përjetshme e shqiptarëve, fisi me fisin, fshati me fshatin, vëllai me vëllanë, është një prov’e mjaftë, që altruizmit në vendin tonë as emri s’i është dëgjuar! ”.

Sot në mes shqiptarëve përditë e më shumë dëgjon mendime të këqija, egoiste, thashetheme e intriga që të lebetitin trutë, dhe në anën tjetër, gjithnjë e pak ide altruiste. Me siguri, kjo është arsye e serioze pse jemi kaq keq, të mjerë dhe shumë prapa kombeve të përparuara të kontinentit.

Po, pikërisht kjo është një arsye e fortë pse vetëdije jonë shtetërore është e cekët, e në momente të caktuara duket sikur nuk ekziston fare.

__________

Imagjinojeni një kohë kur president kishim Ibrahim Rugovën. Njëri nga postulatet e punës së tij lidhej me fjalinë e mirënjohur: të ndërtojmë një shoqëri demokratike dhe tolerante.

Rugova me urtësi i fashiti dallimet e mëdha, nuk u rrëmbye kurrë nga instinkti i turmave dhe në çdo deklaratë promovonte veç tolerancën dhe vlerat demokratike.

Tanimën duket qartë se i kemi bjerrë mësimet e tij dhe nga shoqëria tolerante e demokratike,  po kalojmë në një shoqëri ekstreme dhe jo tolerante.

Kësaj dikush i thotë “është koha e ndryshimeve”. Nejse, ka ndryshime që sjellin shkatërrim dhe jotolerancë.

Duke i parë dhe dëgjuar deklaratat e sotme, seç m’ u kujtua nobelistja e letërisë Olga Tokarczuk dhe tregimi Çe Guevara, ku thotë:

“Instinkti i kopesë në momente historike përforcohet”.

Po, afshi që ngjall instinkti i kopesë në momente historike i vërbon pushtetkërkuesit dhe ju humb arsyen.

__________

Që historia të mos përsëritet, Ibrahim Rugova këshillon që politika të nxjerrë mësim nga ajo.

Rugova për komunizmin ndër të tjera thotë:

“Komunizmi nuk i krijoi vend konceptit të kombit, i cili ishte ndjerë si negacion i historisë. Ai ishte i mbështetur mbi një ide fiktive, primitive të barazisë, që e mohon historinë. Shefat si – Tito, Mao, Hoxha, Lenini…-pastaj fabrikuan historinë e vet. Prandaj njëri nga qëllimet e para të komunizmit ishte që të qëllonte intelektualët.”

E Kosova e ideve dhe idealeve të Rugovës sot ndodhet para sfidave serioze, ndaj, që historia të mos përsëritet dhe të mos biem nën kthetrat e barbarisë, barazisë utopike e dokrrave, politika duhet të nxjerrë mësim nga e kaluara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok