“PROFECIA” E POLITIKËS PA MORAL
NGA NDUE DEDAJ
Që politika shqiptare nuk ka bosht dihet, por që ajo nuk ka kurrëfarë kodesh morale, është vërtetë e dhimbshme. Asambleja e Partisë Socialiste u mblodh të dielën për të parë si rregull punët e veta në prag të vitit të ardhshëm zgjedhor, ndërkohë që kreu i saj deklaroi me një solemnitet të habitshëm se opozita në zgjedhjet që vijnë nuk merr më shumë se 25 mandate, aq sa në vitin 1997!? Për çfarë i duhej një deklarim i tillë liderit “absolut”? A është kjo politikë korrekte? Cili është morali politik këtu, pasi këtë deklaratë e bën kryeministri i vendit? Nëse do të ishte fjala thjeshtë për liderin e mazhorancës, ai nuk e ka tagrin të flasë me këtë ton autoritarist për një parti tjetër. Denigrimi, përçmimi, intimidimi i kundërshtarit politik asnjëherë nuk ndodh nga qejfi. Por ka një sekret këtu, Rama “urdhëron” një fitore plebishitare, madje duke caktuar dhe rezultatin e zgjedhjeve pikërisht se ndjenë humbjen e mandatit të katërt! Kjo nuk është retorikë nga ana jonë dhe doemos që kërkon një analizë më vete. Sado e vrazhdët dhe jo normale të jetë politika, kjo lloj qasjeje e bën atë amorale, ashtu si nga krahu tjetër, tam-tamet pa kurrëfarë sensi të opozitës rreth foltores së Kuvendit për afro gjashtë muaj. Amoraliteti politik, për fat të keq, vërehet kudo dhe është kthyer në normë. Çfarë emëri mund t’i vësh asaj që në dy bashki verilindore, Peshkopi dhe Kukës, qytetarët votojnë kandidatët e partisë në pushtet, paçka se kishin ndodhur skandale bash nga përfaqësuesit e mëparshëm të kësaj force politike. A ka moral politik këtu, se logjikë zgjedhore jo se jo? Mungesën e moralit e dëfton përditshmëria e qeverisjes. Qeveria është arrogante me bazën dhe “diplomatike” me të huajtë, mediat që i ka uzurpuar, ku bën çmos për piarin e saj, gjer me librat e shkollës falas për një kategori nxënësish. Zëvendësja e kreut të qeverisë, e tejngopur me pushtet, flet përditë kinse me shqiptarët, o në autostradën e re para inagurimit, o në anijen e forcave detare, o në aeroplan për të mirat që qeveria po bën për njerëzit, por refuzon t’i presë protestuesit e rrugës Thumanë – Kashar aty para godinës së Kuvendit, edhe pse këtë ia kërkon publikisht dhe njëri nga shefat e opozitës. Ku është morali i shtetit këtu? Edhe të mbyll rrugën për te shtëpia e prona jote, dhe nuk dëgjon zërin e revoltuar të një komuniteti të tërë? Sigurisht që njerëzit e kuptojnë pse-në, “ortakërinë” e qeverisë me sipërmarrësit e mëdhenj, për të mos përdorur vend e pavend fjalën oligarkë. Si ka mundësi që këta qeveritarë fjalët e mira në Kalimash e në Kashar i kanë para se të inagurohet rruga, kurse pastaj ne vend të tyre “flet” trau!?
Shoqëri me kode morale të bjerra
Nuk është vetëm politika, është në radhë të parë shoqëria. “Bota pa kode morale është e rrezikuar”, shprehet një personazh filmi bashkëkohor italian. Kodet morale janë zemreku që e kanë mbajtur jetë e mot botën në binarë. Ka ligje ndërkombëtare, kushtetuta shtetesh, rregulla të qarkullimit planetar, nëse mund të themi kështu, por prapë bota është e rrezikuar, ngaqë mungojnë ato që nuk janë ligj i mirëfilltë me nene, por marrëveshje e pashkruar, apo mirëkutim, që nis nga njeriu i thjeshtë e përfundon te më të lartit krerë shtetesh e qeverish. Nëse problemin e vështrojmë brenda për brenda shoqërisë tonë, me siguri që sociologët duhet ta kenë dhënë me kohë alarmin, se çfarë është prishur në moralitetin shqiptar, thënë ndryshe, në moralin e individit, moralin e bashkësisë (publikut), moralin e politikës dhe shtetit etj. Shkolla dhe familja janë para një sfide të madhe edukimi. Adoleshentë të rrëmbyer nga “shoqëria e keqe” nuk i dëgjojnë prindërit për të shkuar rregullisht në shkollë, çka do të thotë se është prishur një kod moral tradicional, kur fëmija ishte i bindur ndaj prindit. Në shoqërinë moderne duket sikur morali është diçka e vjetëruar. “Mos na bëj moral” vjen reagimi i mënjëhershëm sapo t’i thuash një të riu se ka jo vetëm të drejta, por dhe detyra, që sigurisht ai e ka dëgjuar në shkollë, por nuk e ka përvetësuar si koncept. Por tjetër është morali e tjetër moralizimi. Në këtë kontekst, çfarë edukate pune u japim sot fëmijëve dhe të rinjve? Sa nxënës e studentë punuan këtë verë? Kryesisht në turizëm, që për një pjesë mund të jetë dhe e ardhmja e tyre. A po arrijmë t’i mësojmë ata se jeta nuk mund të jetë ditë – natë në telefon dhe në lojëra elektronike me “qenie” të llahtarshme që të shfaqen natën në ëndrra. Fëmijët nuk lëvizin më nga vendi kur hyn brenda një i madh, as në shtëpi për prindin, as në klasë për mësuesin. Gjëra të vogla, mund të thotë ndokush. Sigurisht që nuk duam njerëz që rrinë sus para nesh “me një këmbë”, por as të atillë që nuk duan t’ia dinë për asgjë. Fëmijët janë problemi më i madh i shoqërisë së sotme dhe nuk është “punë fëmijësh” marrja me ta.
Modelet nuk vjetërohen kurrë
Katarsisi i politikanëve, shtetarëve dhe nëpunësve është thelbësor në një shoqëri demokratike, për më tepër që ajo dukshëm ka vartësi nga politika. Të zgjedhurit, të emëruarit në drejtim si rregull përpiqen të tregojnë dhe grintën e zyrës së shtetit. Të tillë ishin njëherë e një kohë ministrat e arsimit të Shqipërisë, shkrimtarët Ernest Koliqi e Sejfulla Malëshova. Ata bënë të tyrën paçka se çfarë bëri politika e mbrapshtë me ta. Ishin idealistë, pavarësisht bindjeve që kishin dhe politikave që ndiqnin. Morali ka rënë aq poshtë se kemi pasur ministra, o me dosje Sigurimi, o me diploma shkencore me plagjiaturë dhe më e keqja hajdutë me “patentë”. Nuk kemi më as intelektualët e shquar që konsideroheshin institucion në vete. I thonë Ylli Popës aty nga viti ’80, ju jeni profesori ynë dhe s’mund t’ju thërrasim ndryshe, po pse nuk e mbroni titullin “profesor”, ndërkohë që ai ishte docent. E dini si u përgjigj profesor Popa? Do ta mbroj, por mbasi ta mbush Shqipërinë me kardiologë! Falë kujdesit të tij, sapo kishte filluar specializimi pasuniversitar për kardiologji. Profesor Popa më pas u bë dhe kryetar i Akademisë së Shkencave, por “akademia” e tij qe në radhë të parë ajo që bëri për ta shumëfishuar profesionin e vet në dhjetëra e qindra mjekë të tjerë specialistë të sëmundjeve të zemrës. Kurse sot sigurisht që ka mjekë të zot, por nuk janë të paktë ata që përflitën për sjellje si te Onkologjiku. Në tranzicion, të gjendur pa autoritetin e shtetit, njerëzit e pushtetit ekzekutiv e nxorën vendin në “anëkand” për qëllimet e tyre, ata sistemit të drejtësisë vendosën “autoritetin” e tyre vetjak përmes korrupsionit, ashtu si të fortët që i forcuan pozitat përmes krimit të organizuar, kush e kush nga palët të përfitonte e pasurohej në rrugë të paligjshme. Shpesh ato e gjejnë aleatin te njëri-tjetri, siç dëshmojnë disa procese hetimore ku aktorët e krimit janë trafikantë, prokurorë, shefa policie etj.
Jo “për shkak të lirisë!…”
Një nga “apologjitë” e sotme është se kjo është natyra e demokracisë, nuk ka më pengime, kufizime, censurë etj. Por nuk është kështu. Kush tha se demokracia është amulli dhe mungesë përgjegjësie dhe se në emër të saj individi mund të bëje çfarëdo prapësie, paçka se nuk është e natyrshme, e drejtë, e fisme, e moralshme. Ka aq shumë formulime për lirinë, nga ato filozofike te më të thjeshtat, që nuk duam t’i përsërisim. Si mund të thuhet se në emër të lirisë së shprehjes deputeti nuk mban përgjegjësi për ato që shpreh në Kuvend, edhe kur ai thotë marrëzira? Presidenti nuk mban përgjegjësi për dekretet që firmos, edhe kur ato nuk janë në interes të publikut? Qeveria nuk mban përgjegjësi për vendimet që merr, edhe kur ato i hapin rrugë grabitjes së pasurisë publike e kombëtare të shqiptarëve, siç janë aferat e mineraleve, ndërtimet masivisht të HEC-eve mbi lumenj e përrenj, ndërtimet në zonat e mbrojtura etj. Liri është që Gjykata të japë vendime të blera nga pala e gabuar? Liri është që profesorët e universiteteve t’ua shesin provimet dhe diplomat studentëve, e pastaj qahen se nuk na vijnë studentë të rinj? E shikoni sa problematike është liria, kur abuzohet me të. Atëherë ajo nuk është liri. Sa u përket institucioneve të shtetit, këto punë i rregullon ligji në një shoqëri demokratike të vërtetë, por çështja është se askund në botë nëpunësit nuk i kanë larë duart si këtu me moralin dhe të moralshmen.
*
Nesër do të votohet dhe për një politikë të moralshme dhe e tillë është jo vetëm të “sulmosh” për pushtet pareshtur si në Lindje, por dhe të tërhiqesh nga pushteti pas disa mandatesh radhazi, pa u brengosur se po e lëshuam ne, do të bëhet kiameti!? Kjo nuk ka lidhje me i bë nder opozitës, por mos me çue vendin në krizë për shkak të qeverisjes steriotipe, pa ide, konkurrencë dhe programe zhvillimi si të vendeve të BE-së.