PROF. DOC. AGIM BEJLERI-SHKËLQEU SI INXHNIER-SPECIALIST I TERMOCENTRALEVE E KALDAJAVE TË AVULLIT DHE NË AUDITORËT E UNIVERSTITETIT TEKNIK TË DURRËSIT E TË TIRANËS
Nga Gani S. Pllana, Prishtinë
Prof. doc. Agim Bejleri lindi më 13 prill 1927 në qytetin e Libohovës, në jug të Shqipërisë. Shkollën fillore e mbaroi në Gjirokastër, kurse gjimnazin prestigjoz të Shkodrës. Në Shkodër prof. doc. A. Bejleri u lidh me Grupin e Shkodrës duke iu bashkuar Lëvizjes Antifashiste, por në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare u zbulua dhe e dërguan në Kampin gjeman të Prishtinës nga ku shpëtoi duke u arratisur përpara se gjermanët të pushkatonin njëqind e pesë shqiptarë të internuar në këtë kamp famëkeq. Me t’u kthyer në Shqipëri prof. doc. Agim Bejleri i bashkohet Brigadës së njëzet e shtatë sulmuese dhe gjithë periudhen e Luftës Nacional-Çlirimtare e kaloi në veri të Shqiperisë.
Pas Luftës (1945), prof. doc. Agim Bejleri kthehet në Shkodër dhe mbaroi gjimnazin me diplomë “shkëlqyeshëm” në vitin 1946 dhe menjëherë, në vitin 1946 shkoi në Pragë, Çekosllovaki për studime të larta në Universitetin e Pragës për inxhnieri mekanike, me bursë nga shteti shqiptar, ku edhe diplomohet në vitin 1951 në degën e termoteknikës së përgjithshme, me temë diplome: “Gjeneratorët e avullit për prodhimin e kombinuar të energjisë elektrike dhe termike”. Pasi u kthye në Shqiperi, me diplomën çekosllovake, në vitin 1951 u emërua si Drejtor i TEC-it të Kombinatit të Tekstilit në Tiranë, kurse në vitin 1956 u emërua si Drejtor i Inspektoratit shtetëror për kaldajat industriale dhe për pajisje nën trysni pranë Ministrisë së Industrisë dhe vazhdoi në këtë detyrë deri në vitin 1968, kur e transferuan si Drejtor i TEC-it të Fierit dhe më vonë si kryeinxhnier.
Veprimtaria shkencore-akademike e prof. doc. Agim Bejlerit
Prof. doc. Agim Bejleri në vitin 1972 ka mbrojtur me sukes disertacionin, me titull: “Studim mbi djegien e qymyreve të dobëta në pëzierje me sasi minimale të mazutit”, për gradën shkencore “Kandidat i shkencave teknike” para Katedrës së Termoteknikës në Universitetin Shtetëror të Tiranës me udhëheqës shkencor prof. dr. Burhan Jukniun. Të gjitha analizat e qymyreve të disertacionit të tij u kryen në laboratorin e TEC-it të Tiranës, falë diturive të inxhinieres-kimiste Liljana Bejlerit (bullgare) me të cilën ishte martuar prof. doc. Agim Bejlerit gjatë studimeve në Pragë, e që ishte e vetmja specialiste në atë kohë në Shqiperi, që kujdesej për zbutjen e ujit të kaldajave të industrisë shqiptare dhe për largimin e gurit të kazanit nga kaldajat që nga pakujdesia kishin zvogëluar prodhimtarinë e avullit.
Titujt/gradat shkencore: Inxhinier (1951); titullin“Docent” e fitoi në vitin 1972
Laboratori kimik i TEC-it të Tiranës qendër shkencore dhe praktike për industrinë e vendit
Laboratori kimik i TEC-it të Tiranës nën drejtimin e Liljana Bejlerit (bashkeshortja dhe shoqja e prof. doc. Agim Bejlerit; shkencëtare e mirëfilltë) dhe me insistimin e prof. doc. Agim Bejlerit ishte kthyer në një qendër shkencore dhe praktike ku kryheshin analizat e lëndëve djegëse të ngurta, të lëngëta dhe të gazta; një fushë ku Shqipëria nuk kishte asnjë eksperiencë dhe ishte një kërkesë emergjente e kohës sidomos për lëndët djegëse të lëngëta, sepse vendi imprtonte nga jashtë pothuaj të gjitha lëndët djegëse të lëngëta, naftë dhe benzinë, që duheshin për industrinë dhe transportin, dhe në atë kohë nuk kishte institucion që të kontrollonte cilësinë e hidrokarbureve. Këtë e krijoi në Shqipëri Liljana Bejleri nën kujdesin e Fakultetit të Shkencave në Tiranë. Në TEC-in e Tiranës ishte ngritur po kështu një impiant i regjenerimit të vajrave për makinat më djegie të brendeshme dhe të vajrave për transmisionet, po keshtu nën drejtimin e prof. doc. Agim Bejlerit dhe inxhinieres-kimiste Liljana Bejlerit, duke i kyrsyer shtetit shuma të mëdha në valutë.
Prof. doc. Agim Bejleri si pedagog i jashtëm i USHT në Durrës dhe në USHT
Prof. doc. Agim Bejleri në 1972 u shkëput nga prodhimi dhe filloi punën si pedagog i jashtëm i USHT në Durrës dhe nga viti 1974 filloi të jepte leksione si pedagog i jashtëm edhe në USHT të Tiranës pranë katedrës së termoteknikës me shef katedre prof. Burhan Jukniun, ku vazhdoi punën si pedagog deri në vitin 1990.
Largimi i prof. doc. Agim Bejlerit nga Shqipëria
Prof. doc. Agim Bejleri në vitin 1991 u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Sofje, Bullgari, ku ishte vendosur më parë bashkeshortja e tij Liljana Bejleri dhe djali i tij Srebren Bejleri, i cili atë kohë mbronte aspiranturën me bursë nga shteti bullgar dhe punonte në Universtitetin Teknik të Sofjes. Pas vitit 2005 Prof. doc. Agim Bejleri emigroi në SHBA te vajza e tij Zana Bejleri, që atë kohë punonte si pedagoge në një kolegj amerikan, dhe ku e mesoi shumë shpejt dhe perfekt gjuhën angleze ne L.A. California, USA.
Njohuri perfekte të gjuhëve të huaja: çekosllovakisht, bullgarisht, rusisht, anglisht dhe italisht.
Veprimtaria pedagogjike në arsimin e lartë universitar
Eksperienca shumëvjeçare e prof. doc. Agim Bejlerit në TEC-et shqiptare u bë baza e veprimtarisë së tij pedagogjike. Më pas kaloi në arsimin e lartë, ku dha mësim në institucionet e arsimit të lartë në Durrës dhe në UPT (ish-USHT), në degët e inxhinierisë mekanike dhe energjetike ligjëroi lëndët mësimore, si në vijim:
Termodinamikë teknike;
Termoteknikë;
Termoenergjetikë;
Termocentrale;
Kaldaja industriale;
Proceset e djegies;
Instalime termoteknike;
Prodhimi i energjisë termike.
Veprimtaria shkencore e prof. doc. Agim Bejlerit
Punimet e prof. doc. Agim Bejlerit u përqendruan në:
përmirësimin e djegies së qymyreve shqiptare;
rritjen e rendimentit të TEC-eve;
uljen e konsumit të mazutit gjatë ndezjes dhe stabilizimit të djegies;
optimizimin e proceseve termoenergjetike;
analizën termodinamike të impianteve energjetike.
Fushat kryesore të specializimit të prof. doc. Agim Bejlerit
Termoteknikë;
Termodinamikë teknike;
Termoenergjetikë;
Termodinamikë teknike;
Transmetimi i nxehtësisë dhe masës;
Kaldaja industriale dhe gjeneratorët e avullit;
Termocentralet dhe impiantet termoenergjetike;
Termocentrale me avull (TEC-et);
Kaldaja industriale dhe gjeneratorë avulli.
Turbina me avull;
Instalimet termoteknike dhe sistemet e ngrohjes;
Efiçienca energjetike dhe shfrytëzimi racional i energjisë;
Djegia e lëndëve djegëse dhe teknologjia e proceseve termike;
Ventilim dhe klimatizim industrial.
Veprimtaria profesionale: Projektim, montim dhe shfrytëzim i impianteve termoteknike
Zbatim i teknologjive termoenergjetike në industri;
Lidhja e mësimdhënies universitare me praktikën e termocentraleve shqiptare;
Kontribut në zhvillimin e disiplinave të termoteknikës dhe termoenergjetikës në Shqipëri;
Konsulencë teknike për sisteme të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë termike;
Specialist në projektimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e termocentraleve (TEC-eve) në Shqipëri;
Analizimi i proceseve të djegies;
Optimizimi i punës së kaldajave industriale;
Specialist për rritjen e rendimentit të impianteve termoenergjetike.
Veprimtaria botuese e prof. doc. Agim Bejlerit
Prof. doc. Agim Bejleri si inxhinier i diplomuar në Pragë, i specializuar në ish-BRSS, dhe me përvojën e tij në TEC-e e paraqiti këtë përvojë në tekste dhe punime shkencore shumë të nevojshme për studentë dhe inxhinierë rë rinj. Po i paraqesim dis botime më kryesoret, si në vijim:
Tekste universitare
Bejleri, A.; Agolli, H.: “Ventilatorë dhe kompresorë” (adaptuar nga Agim Bejleri dhe Hysen Agolli), 228 f., Botues: Universiteti i Tiranës Fakulteti i Inxhinierisë, Tiranë, 1964.
Bejleri, A.: “Lëndët djegëse të vendit”, 211 f., Botues: Universiteti i Tiranës, 1975.
Bejleri, A.; Demneri, I.: “Termoenergjetika: impiantet termoenergjetike”, Dispensë, 181 f., Botues: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1982.
Bejleri, A.; Demneri, I.; Voshtina, L.: “Termoenergjetika: impiantet termoenergjetike”, Dispensë, 234 f., Botues: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1983.
Punime shkencore
Bejleri, A.: “Karakteristikat termoteknike të qymyrit të Manzës”, Buletini i shkencave teknike, Nr. 2, f. 53-65, Tiranë, 1975.
Bejleri, A.: “Mbi normativat e harxhimit të lëndëve djegëse”, Buletini i shkencave teknike, Nr. 3-4, f. 65-74, Tiranë, 1973.
Bejleri, A.; Vasili, L.; Zeko, F.: “Karakteristikat termoteknike përfaqësuese të qymyrit të Vllashit”, Buletini i shkencave teknike, Nr. 2, f. 73-80, Tiranë, 1982.
Bejleri, A.; Vasili, L.; Zeko, F.: “Për një standardizim më të saktë dhe më të kontrollueshëm të qymyreve të vendit”, Buletini i shkencave teknike, Nr. 2, f. 31-40, Tiranë, 1978.

Prof. doc. Agim Bejleri me bashkëshorten mjeke dhe inxhiniere-kimiste Liljana Bejleri (bullgare) gjatë studimeve në Pragë (1951)
Medalje dhe dekorata
Prof. doc. Agim Bejleri për angazhimin e tij në rini gjatë LNÇ për mbrojtjen dhe çlirimin e Atdheut është dekoruar:
Dekoratë “Medalje e kujtimit” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPSH, për periudhën e LNÇ, Tiranë, më 23 nëntor 1954, dekreti nr. 1970.
Dekoratë me “Medaljen e trimërisë” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPSH, për çlirimin e Atdheut, më 23 nëntor 1954, dekreti nr. 1970.
Dekoratë me “Medaljen e çlirimit” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPSH, per clirimin e Atdheut, me 23 nentor 1954, dekreti nr. 1970.
Prof. doc. Agim Bejleri është dekoruar gjithashtu me medalje tjera, si:
Me “Medaljen e Novatorit të Punës Socialiste”;
Me “Medaljen e Racionalizatorit të Industrisë”;
Me “Medaljen e shkencetarit të Republikës”.
Përfundim
Prof. doc. Agim Bejleri ishte një nga inxhinierët shqiptarë i formuar si inxhinier në Pragë (Çekosllovaki), një nga qendrat më të njohura europiane për inxhinierinë mekanike dhe energjetikë. Pas diplomimit u angazhua në projektimin, shfrytëzimin dhe studimin e impianteve termoenergjetike shqiptare, ndërsa më vonë zhvilloi një veprimtari të gjatë pedagogjike dhe shkencore.
Prof. doc. Agim Bejleri ishte ndër pedagogët e rrallë që sollën në auditor përvojën praktike të termocentraleve shqiptare dhe të perdorimit efikas të lëndëve djegëse në energjetikë. Ai lidhi teorinë me praktikën industriale dhe kontribuoi në përgatitjen e shumë brezave të inxhinierëve mekanikë dhe energjetikë. Veprimtaria e tij ndikoi në forcimin e shkollës shqiptare të termoenergjetikës, veçanërisht në fushën e djegies së qymyreve dhe funksionimit të termocentraleve. Punoi si pedagog në institucionet e arsimit të lartë në Durrës dhe më pas në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku ligjëroi lëndë të profilit termoteknikë dhe termoenergjetikë.
Prof. doc. Agim Bejleri ka punuar në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike dhe termike, duke u marrë me problemet teknike të kaldajave, turbinave me avull dhe sistemeve termoenergjetike.
Prof. doc. Agim Bejleri ishte një shkencëtar i mirëfilltë në fushën e termoteknikës dhe ishte ithtar i prodhimit të kombinuar të energjisë elektrike në Shqipëri. Për punën e tij si inxhnier i termoteknikës dhe në fushën e energjisë ka marrë vlerësime të larta nga Bota Akademike Ndërkombëtare, sidomos pas specializimit që kishte kryer në Akademinë e Shkencave të ish-BRSS. Një pjesë e madhe e disertacionit të tij i kushtohej edhe levërdisë së madhe ekonomike për vendin që do të sillte fuqizimi i TEC-it krahas prodhimit të energjisë nga HEC-i. Ai e kishte argumentuar me nje studim të mirëfilltë tekniko-ekonomik para Këshillit të Ministrave se Shqipëria gjatë periudhës së verës dhe të vjeshtës importonte energji në sasira të konsiderueshme në shifra shumë të larta dollarësh, çdo vit, madje në periudha thatësire të vazhdueshme shifra rritej në përmasa të pa përballueshme për shtetin dhe këto humbje ekonomike mund të zgjidheshin duke prodhuar energji elektrike me lëndët djegëse të vendit; të ngurta, të lëngëta ose gaz natyror, të cilat Shqipëria i kishte me bollëk dhe cilësi të lartë. Për këtë prof. doc. Agim Bejleri i rekomandonte Komisionit të Ekonomisë pranë Këshillit të Ministrave, në atë kohë, që të planifikonte ndërtimin e të paktën pesë TEC-eve me qymyre dhe mazut vendi, në zona të ndryshme të Shqipërise, në mënyrë që të ndërpritej importi nga jashtë dhe të evitoheshin humbjet në valutë për buxhetin e shtetit. Propozimet tekniko-ekonomike dhe idetë e paraqitura nga prof. doc. Agim Bejleri për prodhimin e kombinuar të energjisë elektrike dhe termike të nevojshme për zhvillimin e ekonomisë shqiptare ishin me bazë shkencore dhe të dobishme për vendin, por nuk u kuptuan drejt nga liderët e kohës të Partisë dhe të Shtetit, megjithate janë aktuale dhe me vlera të larta deri më sot.
Bibliografia
Bejleri, A.; Agolli, H.: “Ventilatorë dhe kompresorë” (adaptuar nga Agim Bejleri dhe Hysen Agolli), Botues: Universiteti i Tiranës Fakulteti i Inxhinierisë, Tiranë, 1964.
Bejleri, A.: “Lëndët djegëse të vendit”, Universiteti i Tiranës, 1975.
Bejleri, A.; Demneri, I.: “Termoenergjetika: impiantet termoenergjetike”, Dispensë, Botues: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1982.
Bejleri, A.; Demneri, I.; Voshtina, L.: “Termoenergjetika: impiantet termoenergjetike”, Dispensë, Botues: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1983.
Buletini i shkencave teknike, Tiranë (1973-1990).
