22/07/2026

KOHA MODERNE NËN PETKUN E FABULËS ANTIKE

0
Buzhala-Ezopi

(Vështrim mbi librin me fabula “Nga dritarja e Ezopit” të Prend Buzhalës)

Nga Gjon GJERGJAJ

Në letërsinë shqipe, fabula ka qenë gjithmonë një zhanër që, përmes alegorisë dhe simbolikës, ka mundësuar kritikën e realitetit pa e emërtuar drejtpërdrejt atë. Vëllimi “Nga dritarja e Ezopit” i Prend Buzhalës e vazhdon këtë traditë, por njëkohësisht e modernizon atë, duke e sjellë fabulën në një kontekst bashkëkohor, ku temat e pushtetit, korrupsionit, hipokrizisë politike, deformimit institucional, propagandës dhe krizës morale marrin përmasa universale.

Që në titull, autori vendos një lidhje të vetëdijshme me Ezopin, themeluesin e fabulës klasike. Megjithatë, kjo dritare nuk shërben për të parë botën e lashtë, por për ta soditur realitetin e sotëm. Lexuesi kupton se kafshët, insektet, rrugët, dritaret apo sendet nuk janë protagonistë të rastësishëm; ato janë metafora të njerëzve, institucioneve dhe mekanizmave të shoqërisë moderne.  Titulli “Nga dritarja e Ezopit” është një zgjedhje artistike me domethënie të fuqishme simbolike dhe intertekstuale. Ai e lidh drejtpërdrejt veprën me traditën e fabulës ezopiane, duke e vendosur autorin në dialog me trashëgiminë klasike të Ezopit, themeluesit të këtij zhanri. Megjithatë, dritarja është një metaforë e këndvështrimit. Përmes saj, autori e sodit dhe e interpreton botën bashkëkohore me syrin kritik të fabulistit, duke e parë realitetin përmes alegorisë, simbolit dhe satirës.

Fjala dritare sugjeron hapje ndaj realitetit, vëzhgim, reflektim dhe mundësi për ta parë shoqërinë nga një perspektivë tjetër. Ndërsa emri i Ezopit evokon traditën e fabulës morale, ku kafshët dhe personifikimet shërbejnë për të demaskuar veset njerëzore dhe padrejtësitë shoqërore. Në këtë mënyrë, titulli paralajmëron se lexuesi nuk do të ndeshet me një botë fantastike, por me një pasqyrë alegorike të realitetit të sotëm. Kështu, titulli është një çelës interpretues i tërë veprës: ai bashkon traditën klasike me aktualitetin, duke sugjeruar se, edhe në kohën moderne, fabula mbetet një mjet i fuqishëm për të zbuluar të vërtetat mbi pushtetin, moralin, drejtësinë dhe sjelljen njerëzore.

  1. Pasuria tematike dhe artistike e librit

Një nga veçoritë më të spikatura të këtij vëllimi është përdorimi i alegorisë politike. Personazhe si luani, dhelpra, ujku, derri, gomari, majmuni apo bufi nuk përfaqësojnë vetëm karaktere individuale, por tipologji të tëra pushteti. Luani mishëron autoritetin formal, dhelpra manipulimin dhe dinakërinë, ujku forcën arbitrare, ndërsa gomari shpesh simbolizon qytetarin e ndershëm që shfrytëzohet ose bëhet viktimë e sistemit. Në shumë fabula, autori arrin të tregojë se pushteti nuk korrupton vetëm individin, por krijon një kulturë ku hipokrizia, propaganda dhe servilizmi bëhen norma.

Një tjetër shtresë tematike e ideore e rëndësishme është kritika ndaj demokracisë së deformuar. Parlamente, zgjedhje, ministra, tenderë, këshilltarë, ekspertë dhe zëdhënës shfaqen vazhdimisht si pjesë e një sistemi ku forma mbizotëron mbi përmbajtjen. Vendimmarrja paraqitet si spektakël, ndërsa përgjegjësia zhduket pas retorikës. Në këtë këndvështrim, fabulat si rrëfime morale, janë edhe përsiatje të thella mbi aspektet se si funksionon pushteti në shoqëritë moderne. Autori nuk ndalet vetëm te politika. Ai zgjeron vështrimin edhe drejt medias, administratës, akademisë, drejtësisë dhe jetës së përditshme. Në disa fabula ironizohet inflacioni i titujve akademikë, në të tjera denoncohet drejtësia selektive, propaganda televizive apo kultura e konformizmit. Kjo shumëllojshmëri temash e bën librin një panoramë të gjerë të problemeve shoqërore dhe morale të kohës sonë.

Nga ana stilistike, vepra karakterizohet nga një gjuhë e qartë, e drejtpërdrejtë dhe e ngjeshur. Autori nuk përdor përshkrime të gjata; përkundrazi, secila fabul krijohet   mbi një situatë konkrete, zhvillohet me ritëm të shpejtë dhe përfundon me një sentencë që sintetizon mesazhin moral. Kjo strukturë e kujton modelin klasik ezopian, por njëkohësisht e afron librin me lexuesin bashkëkohor, i cili kërkon tekst të shkurtër, por me ndikim të fortë.

Një element i veçantë është ironia. Në vend të moralizimit të drejtpërdrejtë, autori zgjedh satirën dhe paradoksin. Pikërisht përmes humorit të hidhur ai arrin të ekspozojë absurditetin e realitetit. Lexuesi buzëqesh gjatë leximit, por menjëherë pas buzëqeshjes ndien peshën e kritikës që fshihet pas fabulës.

Në aspektin filozofik, libri ngre pyetje të rëndësishme për raportin mes individit dhe pushtetit, dijes dhe oportunizmit, moralit dhe interesit, lirisë dhe konformizmit. Personazhet që mendojnë ndryshe shpesh izolohen, ndërsa ata që përshtaten shpërblehen. Kjo krijon një atmosferë që e tejkalon kontekstin lokal dhe e bën veprën të komunikojë me çdo shoqëri ku pushteti tenton të dominojë mendimin kritik.

Edhe pse frymëzimi lidhet me zhvillimet politike e shoqërore të kohës sonë, mesazhi i fabulave mbetet universal. Lexuesi mund të gjejë në to reflektime për çdo sistem ku drejtësia zëvendësohet nga interesi, ku propaganda mbulon të vërtetën dhe ku pushteti përpiqet t’i kontrollojë jo vetëm veprimet, por edhe mënyrën e të menduarit.

Vepra  “Nga dritarja e Ezopit” si  një përmbledhje fabulash, është edhe një libër reflektimi qytetar, një satirë e fuqishme politike dhe morale, si dhe një dëshmi se fabula mbetet një nga format më efektive për të kritikuar realitetin. Prend Buzhala dëshmon se tradita ezopiane nuk është një relikte e së kaluarës, por një mjet i gjallë letrar për të interpretuar botën bashkëkohore. Përmes një gjuhe të thjeshtë, simbolikës së pasur dhe ironisë së mprehtë, autori ndërton një vepër që jo vetëm argëton, por edhe nxit lexuesin të mendojë, të dyshojë dhe të reflektojë mbi shoqërinë në të cilën jeton.

  1. Personazhet e fabulave si arketipa shoqërorë

Në vëllimin “Nga dritarja e Ezopit”, personazhet nuk janë zgjedhur rastësisht. Secili prej tyre bart një ngarkesë simbolike dhe përfaqëson një tip njerëzor, një institucion apo një fenomen shoqëror. Në traditën ezopiane, Prend Buzhala i përdor kafshët, insektet dhe madje edhe sendet e pajeta për të krijuar një univers alegorik ku lexuesi e identifikon lehtësisht realitetin njerëzor. Luani simbolizon pushtetin suprem, autoritetin politik dhe sundimtarin. Ai paraqitet si figura që merr vendimet kryesore, por shpesh përdor të tjerët për të ruajtur pozitën dhe për të shmangur përgjegjësinë. Dhelpra  është personazhi më i pranishëm dhe personifikon dinakërinë, manipulimin, hipokrizinë politike, propagandën dhe korrupsionin institucional. Ajo di të justifikojë padrejtësinë me fjalë të bukura dhe të mbrojë interesin personal nën petkun e moralit. Ujku mishëron forcën brutale, arrogancën e pushtetit dhe padrejtësinë. Ai përfaqëson zyrtarin ose funksionarin që vepron sipas interesit të të fortëve dhe përdor frikën si instrument sundimi. Derri simbolizon lakminë, korrupsionin, klientelizmin dhe përfitimin nga pushteti. Në shumë fabula ai paraqitet si ministër, kryetar apo drejtues që e shndërron shtetin në mjet për pasurim personal. Gomari është një nga figurat më komplekse. Ai personifikon njeriun e ndershëm, punëtorin e zakonshëm, qytetarin e mashtruar, por herë-herë edhe individin naiv që manipulimi politik e përdor si dekor ose si fajtor të rremë. Në disa raste ai satirizon edhe pseudoekspertin që mban tituj pa dije reale. Bufi përfaqëson dijen, urtësinë dhe ndërgjegjen morale. Megjithatë, autori e paraqet edhe si intelektualin që ndonjëherë hesht përballë padrejtësisë, duke ngritur pyetje mbi përgjegjësinë e elitës intelektuale. Majmuni simbolizon politikanin popullist dhe liderin e imazhit. Ai investon në pamje, slogane dhe retorikë, ndërsa i mungojnë vizioni dhe aftësia për të zgjidhur problemet reale. Korbi personifikon propagandën, burokracinë ose zyrtarin që legalizon padrejtësinë dhe vulos vendime pa përgjegjësi morale. Ariu mishëron forcën e rëndë, privilegjin dhe pushtetin që vepron sipas interesit të vet, shpesh pa ndjeshmëri ndaj të dobëtit. Lepuri, Harabeli, Trumcaku, Ketri, Kali, Pela përfaqësojnë qytetarët e zakonshëm, njerëzit e pambrojtur, të ndershmit dhe viktimat e sistemit. Ata janë zëri i arsyes, por shpesh mbeten të pafuqishëm përballë mekanizmave të pushtetit.  Rosaku i sjellshëm simbolizon politikanin pa personalitet, njeriun konformist që heq dorë nga bindjet për hir të karrierës. Përveç kafshëve, autori personifikon edhe insektet: mushkonjat, mizat, grerëzat, buburrecat, milingonat, brumbujt dhe krimbat e librave përfaqësojnë kategori të ndryshme të administratës, propagandës, mediave, burokracisë, elitave intelektuale dhe qytetarëve. Përmes tyre ndërtohet një alegori e shoqërive totalitare ose konformiste, ku zhurma kolektive e mbyt mendimin kritik.

Një veçori origjinale e këtij vëllimi është se autori u jep zë edhe objekteve dhe dukurive: rrugët, autostradat dhe trotuaret simbolizojnë zhvillimin e shtirur, keqpërdorimin e investimeve publike dhe kontrastin mes propagandës dhe jetës reale. Dritaret personifikojnë kujtesën, emigrimin dhe zbrazjen e vendit. Antenat simbolizojnë mediat, zhurmën televizive dhe propagandën. Ora, akrepat dhe numrat përfaqësojnë kohën historike, institucionet dhe përpjekjet e politikës për ta manipuluar realitetin. Monumentet, urat dhe qytetet alegorike mishërojnë kujtesën kolektive, identitetin dhe raportin mes së kaluarës dhe së tashmes.

Në tërësi, personazhet e këtij vëllimi nuk janë individë të veçantë, por arketipe shoqërore. Ata përfaqësojnë pushtetin dhe opozitën, manipuluesin dhe viktimën, intelektualin dhe oportunistin, qytetarin e zakonshëm dhe propagandistin. Pikërisht kjo i jep fabulave një karakter universal: lexuesi nuk sheh vetëm kafshë apo sende që flasin, por sheh vetë shoqërinë njerëzore të pasqyruar në një formë alegorike.

  1. Veçoritë ideore e stilistike

Vëllimi “Nga dritarja e Ezopit” ndërtohet mbi një sistem të pasur idesh që burojnë nga realiteti bashkëkohor shoqëror, politik dhe moral. Boshti ideor i fabulave është kritika ndaj deformimeve të pushtetit, korrupsionit, hipokrizisë politike, burokracisë, servilizmit dhe manipulimit të opinionit publik. Përmes alegorisë, autori denoncon dukuri që cenojnë funksionimin normal të shoqërisë, duke nxitur lexuesin të reflektojë mbi përgjegjësinë qytetare dhe morale.

Një ide qendrore është se pushteti, kur nuk kontrollohet nga përgjegjësia dhe drejtësia, shndërrohet në mjet privilegjesh dhe padrejtësie. Po aq të rëndësishme janë edhe motivet e lirisë së mendimit, guximit intelektual, vlerës së dijes së vërtetë, kritikës ndaj konformizmit dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Autori trajton edhe tema universale si e vërteta dhe mashtrimi, morali dhe interesi, drejtësia dhe arbitrariteti, kujtesa kolektive, identiteti dhe raporti i individit me shoqërinë.

Fabulat nuk kufizohen në një realitet të caktuar kombëtar, por marrin karakter universal, sepse problemet që trajtojnë janë të pranishme në çdo shoqëri ku pushteti abuzohet dhe ku propaganda tenton ta zëvendësojë të vërtetën.

Në aspektin stilistik, libri ndërthur tiparet klasike të fabulës me një mënyrë moderne të rrëfimit. Mjeti kryesor artistik është alegoria, ku kafshët, insektet dhe objektet e personifikuara shndërrohen në bartës të tipareve dhe sjelljeve njerëzore. Personifikimi është figurë themelore, pasi u jep jetë jo vetëm kafshëve, por edhe rrugëve, dritareve, antenave, orës dhe elementeve të tjera të botës materiale.

Një veçori tjetër është përdorimi i satirës dhe ironisë. Autori nuk kritikon drejtpërdrejt, por përmes situatave paradoksale, dialogëve të shkurtër dhe humorit të hidhur demaskon absurditetin e realitetit politik dhe shoqëror. Ironia shpesh kulmon në fund të fabulës, ku një sentencë përmbledh gjithë domethënien morale të rrëfimit.

Gjuha është e thjeshtë, e rrjedhshme dhe komunikative, por njëkohësisht e pasuruar me nëntekst simbolik. Fjalitë janë të shkurtra, dialogët të gjallë dhe ritmi narrativ i shpejtë, gjë që e bën leximin dinamik dhe efektiv. Secila  fabul ndërtohet sipas një strukture të qartë: paraqitja e situatës, zhvillimi i konfliktit dhe përfundimi aforistik, i cili mbetet gjatë në kujtesën e lexuesit.

Një tipar i rëndësishëm stilistik është edhe përdorimi i aforizmit dhe i sentencës morale, që e lidh veprën me traditën ezopiane, por edhe me satirën moderne. Përmes figurave si metafora, simboli, antiteza dhe paradoksi, autori arrin të krijojë një tekst me shumë nivele kuptimore, në të cilin çdo personazh dhe çdo situatë shërben si pasqyrë e realitetit njerëzor.

Pikërisht bashkimi i alegorisë klasike me satirën bashkëkohore, i simbolikës me gjuhën e thjeshtë dhe i humorit me reflektimin filozofik, e bën “Nga dritarja e Ezopit” një vepër me identitet të veçantë artistik dhe me vlerë të spikatur letrare.

Korrik 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok