PRIZRENI, SHKRUAR ME GERMA TË ARTA

“Jetojmë në kohën ku ekzistojnë shumë dijetarë, por ata që flasin janë të paktë. E do të vijë koha kur do të ekzistojnë pak dijetarë, e ata që do të flasin do të jenë të shumtë”. Abdullah ibën Mesudi
Historia këndohet me gjuhën e fotografisë.
Autor Salajdin Krasniqi
Nga Kadri Tarelli
Jo më shumë se dy muaj kohë më parë, kur në Durrës përurohej libri “Polemika”, me autor Uran Butka, pikërisht më, 20. 12. 2024, miku ynë, botues Berat Batiu nga Prizreni, më dhuroi librin “Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin”, shkruar me germa të arta, me autor Salajdin Krasniqi. Libër voluminoz me 574 faqe. Shtëpia botuese “Fidani”. Prizren. 2024. Me këtë rast e falënderoj përzemërsisht botuesin Berat Batiu.
Libri hapet me këto pak vargje shkruar nga ideologu shqiptar Hafiz Ali Korça dhe autorin librit, si thirrje qytetarie e atdhetarie, për Prizrenin, qytetin emërndritur në historinë e mbarë kombit Shqiptar.
Më duhet t’i citoj, për t’i pasur si udhërrëfyes në këtë shkrim kushtuar librit, dhe më së shumti prizrenasve dhe Prizrenit, qytetit të ndritur të Dardanisë dhe mbarë trojeve Arbnore.
“Asnjeri nuk e çan kokën,
dokumente për të mbledhur.
Sikushi nga një rrashtë,
në xhepa ar për të hedhur. Hafiz Ali Korça
Prizren dhembje, Prizren gëzim!
Ne me ty e ti me ne, ke fuqi.
Prizren i dashur, je plot histori. Autori
Në këtë udhëtim mendimi, më duhet të përgëzoj e falënderoj autorin Salajdin Krasniqi, për punën e jashtëzakonshme dhe plot përkushtim e mundim, për grumbullimin e materialit fotografik, më pas studimi dhe përzgjedhja për t’u futur në këtë libër, që unë e quaj “Enciklopedi e Prizrenit”, ku heshtur flasin fotografitë.
S’besoj se autori do të mërzitet kur them nëpër shkrime: Mjerrë ai krijues që niset të shkruajë monografi, pasi ky lloj libri mbetet si magazinë e pa mbyllur, me portën hapur për të pranuar dokumente të tjerë, që nuk u grumbulluan në kohë. Mos themi më tej, qejf-mbetjet e personave që janë brenda librit dhe ata që nuk janë përfshirë në të.
Do të jem në një mendje edhe me shumë të tjerë që mund ta quajnë pa frikë: “Një monument për Prizrenin”, ose “Monografi në fotografi, kushtuar Prizrenit”, si frymëzim çasti për qytetin magjik, që i qëndroi luftërave e pushtimeve dhe mbijetoi.
Se çka hequr autori, për ta bërë këtë libër, veç ai e di…..!? Madje mund të botojë një libër me rrëfenja të këndshme, mbase aty këtu edhe për të qeshur apo trishtuar, kur ndodh që zotëruesi i fotografive nuk pranon t’i japë, duke nxjerrë lloj-lloj muhabetesh. Por logjika e çdo lexuesi e krijuesi, e merr me mend sa mundim dhe kohë kërkon kjo punë voluminoze, që i bën nder autorit, por më shumë qytetit dhe qytetarëve prizrenas.
Besoj se jam goxha i kënduar në fushën e letrave, por me një libër të tillë po ndeshem për herë të parë, dhe më pëlqen, pasi flas me fotografitë që më përgjigjen shqip, pavarësisht se kush ka shkrepur aparatin dhe kush i ka mbajtur e ruajtur fotografitë në albume, në biblioteka, në sepete, komodina apo arkiva. Libri më mer për dore dhe më shëtit nëpër lagjet e qytetit të vjtër dhe të ri, ku çdo gur mund të tregojë ndodhi e histori. Do desha të isha i gabuar, nëse një ditë do të ndeshesha me të tillë libra, kushtuar qyteteve të trojeve Ilire në gadishullin Ilirik. Çdo qytet ka një jetë dhe jeta shkruhet në histori, në këtë rast është derdhur bukurmirë në fotografi.
Jam i bindur dhe besoj se të gjithë personat-personazhe të këtij libri magjik, kanë të drejtë të gëzohen dhe të mburren, sepse këtu gjejnë portretin e tyre, duke u bërë të pavdekshëm, pasi të gjithë janë futur në “Arkën e kujtesës”, që është libri. Njëkohësisht të pavdekshme bëhen edhe çastet kur u shkrep aparati, duke fiksuar kohën, për t’i thënë brezave, kështu ka qenë qyteti ynë, por këtu dhe kështu kemi qenë edhe ne.
Një vlerë e shtuar e këtij libri “Monument”, është hyrja e shkruar nga vetë autori, i cili përmbledhtas, shkurt, qartë dhe saktë na jep një panoramë të historisë së qytetit ndër shekuj, deri në ditët tona.
Do mjaftohem vetë me dy gjetje të vogla:
Së pari: Qyteti përmendet për herët të parë me emrin Thermidava në vitet 85, era jonë. Por askush nuk duhet të çuditet kur të lexojë se gjatë shekujve ka ndryshuar edhe emrin: Theranda, Prizdrijana, Peneropolis, Prizrendi. Prizdren, Perseren, Pesrend dhe në fund Prizren, si shprehje gjurmëve të pushtimeve dhe pushtuesve të ndryshëm, që kaluan mbi këto troje, pasi luftërat nuk e kanë kursyer gadishullin Ilirik, natyrisht edhe Prizrenin tonë, deri në ditët tona. Na mjaftojnë vitet 1998-1999, kur Dardania, dhe Prizreni u çliruan përfundimisht nga zgjedha e huaj, për të jetuar e zhvilluar qetësisht dhe vrullshëm. Unë e kam hequr nga fjalori fjalën Kosovë, duke e zëvendësuar me emrin e lashtë Dardani. Emër që tingëllon më bukur në shqip. Besoj kam të drejtë, madje u a them edhe krijuesve dardanas, kur jemi bashkë në konkurse letrare, takime apo konferenca shkencore.
Së dyti. Për qytetin janë përdorur edhe Epitete, si “Prizreni i lashtë”, “Prizreni historik”, “Prizreni qytet muze”, ose “Stamboll i vogël” dhe “Prizreni legjendar”. Jam i bindur se Prizreni i meriton të gjithë epitetet, që i bëjnë nder.
Pa hyrë thellë në histori, qyteti i Prizrenit në Dardani, u bë i famshëm, i lavdishëm dhe emër-njohur, me “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, në qershor të vitit 1878, pikërisht pak dit para fillimit të Kongresit të Berlinit, ku fuqitë e mëdha prekën dhe prenë trojet e banuar nga shqiptarët. Ky kuvend burrash të ditur të fjalës dhe të besës, mori vendime të rëndësishme shtet-formuese dhe ushtarake, dhe politike, për mbrojtjen dhe bashkimin e territoreve të banuara nga shqiptarët. Lidhja ishte tërësisht mbarë shqiptare dhe mund të krahasohet me “Besëlidhjen e Lezhës”, në vjetin 1443, me “Kongresin e shkronjave”, në qytetin e Manastirit, (Nëntor 1908), me kuvendin e Vlorës që shpalli mëvetësinë, Nëntor 1912, me Kongresin e Lushnjës 1920. Pra siç shihet, jo të gjithë qytetet të kenë fatin të jenë në ballë të historisë së kombit, siç është edhe Prizreni.
Kështu lind e drejta e qytetarisë prizrenase, që çdo vit të nderohet e kujtohet kjo datë e shënuar për mbarë kombin, si detyrim për ta lartuar ngjarjen dhe qytetin që priti dhe përcolli delegatët nga e gjithë hapësira shqiptare, duke u bërë qendra e gjithë botës shqiptare. Këto kushte na shtyjnë që, çdo veprimtari që organizohet dhe kryhet për këtë qytet, dhe në këtë qytet, meriton mirënjohje dhe nderim të veçantë, siç është rasti i këtij libri monografik, ku flasin vetëm fotografitë.
Besoj se e teproj të ngulmoj si lexues, se pasuri e këtij libri është përmbajtja, do të thosha e veçantë, më tej kumti që përcjell dhe që i vlen çdo qytetari apo çdo shqiptari e studiuesi të vetëdijshëm që hyn në të panjohurat e këtij qyteti magjik.
Çdo njohës i historisë, e di mirë se qytetet, nëpërmjet tyre edhe kombet mburren me gjetjet arkeologjike, të cilat i ndeshim në objekte të ndërtuara, më tej në gurë, (kryesisht gdhendje e mbishkrime), në terakotë, (baltë e pjekur) dhe metal, (monedha dhe figurina të ndryshme). Kështu nëpërmjet tyre krijohet përfytyrimi i jetës së shoqërisë dhe zhvillimi ekonomik në një periudhë kohe të caktuar. Dhe vetëm kaq….!
Ndërkohë libri “Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin”, na sjell botën e gjallë të qytetit, me ndërtimet dhe njerëzit në lëvizje, që kanë trup e shpirt, duke na rrëfyer si ka qenë qyteti dhe si ka ndryshuar ndër vite, si dëshmi që të bind pa folur, vetëm duke u parë sy ndër sy.
Si fillim, dua të them se ka disa jetëshkrime të autorëve të huaj që kanë bërë fotografie më të hershme. Po përmend disa emra: Johann Georg Von Hahn, (1811-1869), Margarët Masson Hardie Hasluck (1885-1948), Alber Kahn (1860-1940), Dr. Josef Szekely (1838-1901), Baroni Franc Nopça, etj, etj. Kështu nga këta udhëtarë apo misionarë, kemi edhe fotografitë e para, që datojnë rreth vitit 1863, dhe për të vazhduar deri në ditët e sotme.
Më tej, jam i bindur se çdo lexues, këtu do të gjejë vetveten, pasi fusha e veprimtarive njerëzor dhe shoqërore është paraqitur e tëra në lëvizje, në ndryshim, madje nuk mungojnë e dhe pengesat, prapësitë, djegiet, grabitjet, shkatërrimet që sollën luftërat dhe pushtimet. Megjithatë Prizreni mbijetoi në vazhdimësi dhe ka të drejtë të mburret në përjetësi.
Nuk them gjë të re….! Lexuesi do të gjejë vend-ndodhjen mjafton të dallojë një pikë qendrore në foto, bie fjala Kalaja, “Shtëpia e lidhjes”, apo “Fontana”, por më së shumti do të gjejë të pasqyruar edhe copëza të jetës qytetëse, si rrugët e rrugicat të shtruara me kalldrëm, urat që lidhin lagjet e qytetit, tregu, mulliri, spitali, shkollat, ndërtesat e kultit, magazinat, mjetet e transportit, kur mungonte makina, etj. Etj. Mos t’u duket çudi nga një foto që tregon makinën e parë që mbërrin në qytet, bashkë me pronarin apo drejtuesin e këtij mjeti, që çdokush e quan revolucion në transport mallrash me njerëzish.
Një lloj tjetër pasurie me shumë vlerë është, jeta shpirtërore e banorëve që gjallëronin qytetin. Po ndalem sa për t’i prekur: gazetat dhe gazetarët, mësuesit dhe shkollarët në vite, shumë prej tyre me emrat përkatës, veshja dhe paraqitja e tyre e fisme, model për t’u ndjekur edhe sot. Më tej muzikantët që shoqëronin dasmat dhe gëzimet familjare, më pas edhe koncertet në skenat e qytetit, por edhe në mbarë vendin. Në këtë rast nuk mbeten pas, vallet dhe valltarët, këngët dhe këngëtarët, djem e vajza me kostume kombëtare.
Kam përshtypjen se çdo fjalë që shtoj e rëndon lexuesin, pasi çdokush që nis të shfletojë këtë libër, do ndjejë kënaqësi kur të shikojë veten, të afërmit e familjes së tij, komshinjtë, miqtë dhe shokët, bashkëqytetarët që mbushën jetën dhe bënë historinë e qytetit. S’besoj se ka gjë më të bukur, të bisedosh me kohën dhe njerëzit që flasin në heshtje, në këtë libër madhor.
Urime i nderuar Salajdin! Qytetit të Prizrenit i ke ngritur një përmendore përjetësie, që ka zënë vend ne ballë të oxhakut, në odat e burrave, në ballë të bibliotekave të çdo familje prizrenase, si pasuri e patjetërsueshme.
Do të më vijë mirë që, shembulli juaj të ndiqet edhe nga të tjerë krijues për qytetet e tyre, pse jo edhe për ta vazhduar e pasuruar punën tuaj, pasi jeta e qytetit vazhdon në përditësi dhe në përjetësi.
Urime dhe suksese!
Kadri Tarelli
Durrës. Mes shkurti, 2025.