06/10/2024

Nga Edison Ypi

Princ konservator që zgjedh e merr për grua çupën e komunistit, pranon poste republikane që s’mund t’i ketë një mbretëror, braktis gruan e parë, merr grua të dytë dashnoren e fshehtë mikeshë të gruas së parë, dhe si halabak që s’ka zënë kurrë libër me dorë dhe të vetmin frymëzim e merr nga Fejsbuku dhe Tiktoku, bën fshehtas video ish-gruan, gënjen paturpësisht për shkollimin, hesht si peshk për gjith’ ç’ka ngjarë se s’di të lidhë dy fjalë.

Ai që duhej të ishte i shquar për besnikëri ndaj principeve themelore, respektues i traditave zakonore, familjar i devotshëm, qytetar shembullor, respektues rigoroz i Ligjit, doli që është e kundërta e të gjithave këtyre; një budalla me brirë, injorant i padurueshëm, hileqar i pandreqshëm, imoral në qelizë, zevzek, qesharak, rrenacak, aq sa zor se gjen në dynja një më të trashë, më të keq, më të fëlliq, se princi ynë.

Nga ngjau ky bastard me gjysh gjenial ?!

A dallojnë “princat” e historisë tonë me këtë derdimenin e sotëm me celulara, video, dashnore, tradhëtira, hilera, çakaj që mban rrotull ? Apo ky është i vetmi në tërë Historinë tonë ?

Me “princat” e gjallë të gjen belaja, të hidhen në fyt, ta marrin erzin me një mijë mënyra, të shpifin, të godasin pas shpine kur sta merr mendja.

Të marrim ndonjë shembull nga “princat” e vdekur.

Skënderbeu pengoi perandorinë osmane të pushtonte Europën, mbrojti krishtërimin. A mund të besohet se tërë këtë e bëri duke mbrojtur e mbajtur kështjellëzën e Krujës strukur ndër shkëmbinj më pak se një kokrrizë pluhuri në hapësirat Ballkanike ? E pamundur. Rrenë tepër e madhe. Dozë për kuaj.

Luftoi sot, dhe u bë shembull frymëzimi e heroizmi pas pesqint vjetësh. Me kë e ke ore. S’ka budalla ta besojë. S’ka shkak me pasojë kaq të largët. Skënderbeu s’ishte aq i trashë sa torollaku i sotëm, por nami i tij është i tepërt, i pamerituar.

Po Ali Pashai ? Çfarë lloj princi ishte vallë Aliu i Tepelenës ? Qè pakrahasimisht më inteligjent, diplomatik, ngulmues, se dy të parët, dhe gjithë të tjerët. Por ishte gjakatar. Vrau e preu më tepër shqiptarë se turq dhe jevgj. Si çdo despot sundimtar abuziv, më tepër se gjithçka i interesonte domeni i vet. Për Shqipëri e Atdhe, nëse kishte ndonjë ide, e kishte tepër të turbullt. Krejt i ndryshëm nga sa na e paraqet historia, përveç kalasë që të mahniten turistat dhe me të drejtë të mburren lebërit, një Zot e di për çfarë mund të vlejë si frymëzim katili me nargjilè.

Lufta e Vlorës pati një princ, Selamin e Salarisë që hodhi Italinë në det. Në cilin det e hodhi ? Italia në det ishte me dhjetra kryqëzorë nga më modernët e kohës. Pse erdhi Selam Musai nga Salaria në bregdet ? Ku u bë ajo lufta ku Selami hodhi gunën përmbi tela ? Lexoi gjithë ç’është shkruar për Luftën e Vlorës. Mos lër zgëq të Internetit pa kqyrur. Nuk është bërë asnjë luftë. Llafe plot. Luftë asnjë. E gjitha rrenë.

Dual malit me mijra partizanë. Edhe bij e bija zengjinësh. Jo për të luftuar. Si në krejt Europën, vetëm për modë, vetëm për tu hargalisur. Lexo gjithçka që është shkruar, fotografuar, filmuar, në ato vite. Çirre fytyrën me thonj. Shkuli leshrat. Bjeri kokës me grushta. Plase kokën pas murit. Nuk gjen dot asgjë që të besosh se u bë ndonjë luftë. Mund të thotë ndonjë se u bë luftë te “Tenda e Qypit”. Si te ajo tabloja socrealiste që paraqet ca partizanë trima yxhym mbi disa gjermanë të friksuar. “Tenda e Qypit” ka qënë dhe është thjesht një toponim. Fshati më i afërt, tre orë larg. Vend i shkretë ku ka vetëm shkurre, shkëmbinj, dhe gjarpërinj, asgjë tjetër. Gjermanët që u sulmuan nga qindra partizanë në “betejën e lavdishme” “pavdekësuar” në tablonë me borizanin që ndal me gisht rrjedhjen e gjakut nga plumbi në fyt, ishin hiç më tepër se nja pesë a gjashtë gjeodedë me uniformë që po bënin rilevimin e zonës.

Asnjë princ, gjeneral, apo ushtar i shquar. Të gjitha ç’thuhen janë përpjekje për të mbushur zeron e luftës me boshin e propagandës.

Ka plot që mbahen për princa nga langaqaqët e sotëm. Kryesisht ata që shkruajnë. Ca plehra pa pik yndyre. Ca autoreferencialë me t’i pru zorrët në fyt. Pa asnjë ndjeshmëri, talent, energji, frymë. Pa asnjë lidhje me Artin.

Ishte Princ Hamleti, na qënka Princ dhe budallai ynë. Pika që s’u bie, atij dhe atyre që i krefin bishtin.

Keqkuptimi dramatik me princa kallp rrethuar me rrena, është e vetmja përgjigje për pyetjen rrënqethëse: Pse Shqipëria është gjithmonë dhe për gjithçka e fundit, pse bëhet përherë e më e vogël, dhe shqiptarët gjithmonë e më të pakët në numur ?

E megjithatë, si ndodhi që Shqipëria mbijetoi, dhe, si tha Princ Noli: Rroi or’ rroi, e s’vdiq shqiptari ?

Shqipëria dhe shqiptarët rrojtën e do rrojnë, e kurrë nuk do vdesin, sepse u mbrojtën e u ruajtën, jo nga princa të rrejshëm injorantë që u bëjnë video me celularë ish-grave, por nga të kudondodhurit shqiptarë të ndjeshëm, të qytetëruar, të shkolluar, që Shqipërinë e duan, nga Princat e vërtetë, Princat e heshtur, Princat e Panjohur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok