22/11/2024

PËRPJEKJET PËR BALANCË GJINOR NË DOKUMENTET NDËRKOMBËTARE

0

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Problemi i balancës gjinore nëpër shekuj nuk ishte problem vetëm i një individi, gjinie, apo i një shteti. Kjo çështje me kalimin e viteve filloi të shqetësoj opinionin e gjerë ndërkombëtar. Për ti eliminuar padrejtësitë e shumta  që u manifestonin ndaj njërës gjini apo tjetrës, organizatat e ndryshme ndërkombëtare u angazhuan në mënyra të ndryshme që për ato dukuri negative që u manifestonin në barazinë gjinore të krijonin ligje të reja për eliminimin dhe mbrojtjen e tyre. Me vite u morën iniciativa të vazhduara, të cilat nxisnin veprimtari për përfshirjen sa më të madhe të gruas në marrjen e vendimeve. Angazhimi ndërkombëtar ishte i vazhdueshëm në aksionet për të cilat mëtonin për të arritur rezultate të dukshme.

Në aspektin ndërkombëtar me të madhe për çështjet e barazisë gjinore, u angazhua Organizata e Kombeve të Bashkuara ku në mënyrë permanente, me të madhe bënte promovimin e vlerave, të cilat gjeneronin një mbështetje më të gjerë dhe më intensive për mbrojtjen e të drejtave të barabarta të dy gjinive. Duke u nisur mu nga ky aspirim, Kombet e Bashkuara, më 1945, në San Francisko, firmosën Kartën e Kombeve të Bashkuara e cila njëherit ishte marrëveshja e parë ndërkombëtare për të shpallur barazinë gjinore, si një nga të drejtat themelore të njerëzve. Që atëherë OKB ndihmoi në krijimin e një trashëgimie historike të strategjive, standardeve, programeve dhe qëllimeve ndërkombëtare për të rritur statusin e gruas në mbar botën.

Gratë, nëpër rrugën e gjatë të historisë, kanë qenë të detyruara që për një kohë të gjatë të luftojnë për njohjen dhe pranimin e tyre si qenie të plota njerëzore dhe pranimin e të drejtave të tyre themelore, por fatkeqësisht, si duket edhe sot kjo luftë ende nuk ka përfunduar. Edhe pse situata e tyre është përmirësuar dukshëm në shumë sfera në mënyrë globale, strukturat shoqërore dhe paragjykimet janë ato që ende po pengojnë implementimin e plotë dhe të menjëhershëm të të drejtave të grave. Lirshëm mund të themi se shekulli  XX-të ka sjellë shumë përmirësime, por edhe gjatë kësaj kohe të paqes dhe përparimit, grave dhe të drejtave të tyre nuk u është kushtuar ndonjë vëmendje e posaçme për aq sa e meritojnë. Sidoqoftë, në të gjitha periudhat e historisë, nuk munguan gratë- heroina të cilat ngritën zërin për të drejtat e tyre, qoftë me armë ose me pendë e fjalë.

Ca të dhëna historike

Revolucioni francez, në histori njihet si një ngjarje e rëndësishme dhe madhore për proceset avancuese botërore, por me Revolucionin francez zënë fill edhe paraqitjet e para të përpjekjeve të femrave për t’u njohur në botën e meshkujve si qenie njerëzore të barabarta. Kjo epokë nuk paraqet vetëm fillimin e lëvizjes për të drejta civile dhe politike, por gjithashtu kjo kohë i trasoi rrugën lëvizjes së parë të grave për liri dhe barazi. Njëra nga shtytëset më të famshme të kësaj lëvizje ishte, Olimp de Guzh (Olympe de Gouges), e cila ka shkruar Deklaratën për të Drejtat e Gruas dhe Qytetares Femër (1798). Dhe vlen të përmendet, se shpesh ka ndodhur gjatë historisë se nismëtarët dhe ato që kanë marr guximin që të kërkojnë të drejta më të mëdha, e kanë paguar me gijotinë përkushtimin e tyre, siç ndodhi edhe me vetë Olimp de Guzh.

Në Deklaratën për të Drejtat e Gruas dhe Qytetares Femër, de Guzh shkruante se “Gruaja lind e lirë dhe gëzon të drejta të barabarta më mashkullin në çdo aspekt.”dhe kjo ishte ajo fjali që trandi themelet e një bote që mendonte se çdo gjë ishte në harmonin më të përsosur.

Ndërsa në proceset historike në aspektin e barazisë gjinore, Britania e Madhe njihet si një vend që ka tradita të vjetra dhe të forta të luftës së femrave për të drejta të barabarta. Shpesh ndodhë në shkrimet që merren me studimin e barazisë gjinore,  Britania e Madhe të quhej edhe “atdheu i feminizmit”. Dihej se nga të dhënat që kemi, se qysh nga viti 1830-ta, gratë britanike ishin angazhuar të kërkojnë të drejtën e votës. Ato luftuan për më shumë se 70 vite për ndryshimin e kësaj gjendjeje, vetëm e vetëm për të arritur suksesin e shumë pritur përfundimisht më vitin 1918, kur atyre (grave), iu lejua e drejta për të votuar, duke filluar që nga mosha 30 vjeçare. Fushat e tjera të veprimit të tyre kanë përfshirë qasjen në arsimim, të drejtat e grave të martuara në pronë dhe të drejtën për të mbajtur pozita publike.

Gratë, vlen të përmendet se sidomos në Britani të Madhe dhe Shtete të Bashkuara të Amerikës kanë ditur në momente të caktuara të aplikojnë edhe metoda më radikale, madje kanë organizuar edhe greva të urisë. Anglezja Emilli Devjison (Emily Davison) që ishte e njohur për angazhimin e saj për të drejtat e gruas, gjatë një gare në vitin 1913 zgjodhi vdekjen me qëllim duke e hedhur veten para kalit të Mbretit Xhorxhi i V-të.

Ndërsa Këshilli Ndërkombëtar i Grave, i cili u themelua në vitin 1888, që vepron edhe sot. Ky Këshill ka selinë në Paris dhe merr pjesë aktive për të siguruar të drejtat e grave përmes takimeve ndërkombëtare, seminareve dhe workshopeve ndër regjionale dhe vendore, pastaj programeve intensive për zhvillim të projekteve në bashkëpunim me agjensionet ndërkombëtare, rezolutave të përpiluara dhe të miratuara në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, si dhe përmes bashkëpunimit në të gjitha nivelet me organizatat e tjera joqeveritare dhe planit trevjeçar të veprimit në secilin nga pesë Komitetet e tij të përhershme..

Organi i parë ndërqeveritar i cili trajtonte të drejtat e grave ishte Komisioni Interamerikan i Grave (CIM) për Regjionin e Amerikës Latine i cili ishte krijuar në vitin 1928. Ky organ ka qenë përgjegjës për përpilimin e Konventës Interamerikane të Grave, të miratuar nga Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) në vitin 1933. Kjo konventë nxiti debat pasi që regjioni po zhvillonte një trup të ligjeve që do të trajtonte të drejtat e njeriut.

Më vitin 1945, me formimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gratë tentuan të marrin pjesë brenda strukturës së saj dhe të bënin prezencën e tyre të dukshme në përmbajtjen dhe implementimin e instrumenteve dhe mekanizmave për të drejtat e njeriut. Në kohën kur u formua organizata, vetëm në 31 vende të botës gratë kishin të drejtë vote.

Komisioni për Statusin e Grave (CSW), i cili kishte mandatin për promovimin e të drejtave të grave në gjithë botën, u krijua në vitin 1946. Kryesuesja e parë e tij ishte Bogil Boegstrup nga Belgjika. CSW-ja promovoi përfshirjen eksplicite të të drejtave të grave në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut.

Edhe pse gratë që nga fillimi kontribuuan në mënyrë të barabartë evolucionin e sistemit ndërkombëtar politik, ekonomik dhe social, vëmendja ndaj problemeve të tyre ka qenë minimale. Dekada të tëra të verbërisë gjinore në dokumente për të drejtat e njeriut, kanë bërë që edhe njerëzit të verbërohen për këto fakte. Të drejtat fondamentale të më shumë se gjysmës së njerëzimit u harruan, gjë që sjell domosdo deri te konkluzioni se deri sa shoqëritë nëpër gjithë botën ende nuk janë neutrale ndaj gjinive dhe vazhdojnë të diskriminojnë gratë, nuk mund të ekzistojë neutralitet gjinor në ligje ndërkombëtare dhe vendore.

Ellenor Ruzvellt (Eleanor Roosevelt), insistonte që më 1948, që në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, në Nenin 1, të draftit, në vend të “të gjithë njerëzit janë vëllezër”, të rregullohet me këtë ndryshim se “të gjitha qeniet njerëzore janë të barabarta”. Ndryshimi i tillë në këtë formulim bëri të qartë se të drejtat e njeriut u takojnë të gjitha qenieve njerëzore, pa marrë parasysh nëse janë femra apo meshkuj dhe kjo bëri që barazia të jetë një ndër parimet fondamentale të të drejtave të njeriut. Kjo fjali e propozuar nga vet gruaja e kryetarit të SHBA-ve, ndikoi dukshëm në parimet themelore të demokracisë në botë, dhe kjo grua e fuqishme që ndikoi shumë për barazinë gjinore, llogaritej si njëra ndër prijataret e kohës moderne që avancoi dhe shtyri lartë problemin e gruas.

Pas reagimit që u bë në Deklaratë dolën në pah pabarazi të shumta në fusha të ndryshme të jetës së përditshme, pastaj varfëria në mesin e grave dhe diskriminimi ndaj fëmijëve vajza ishin ato rrethana që shtynë Kombet e Bashkuara që gjatë viteve të 1970-ta, të vendosin për lansimin e Dekadës së Kombeve të Bashkuara për Gratë: Barazia, Zhvillimi dhe Paqja, nga viti 1976 deri më 1985.

Viti 1972, vit ky kur Asambleja e Përgjithshme e KB vendosi ta shpallë vitin 1975 vit ndërkombëtar të gruas, ishte sinjal për të gjitha iniciativat dhe organizatat për të drejtat e gruas në të gjitha shtetet e ndryshme të botës për intensifikimin dhe mobilizimin ndërkombëtar të angazhimit të tyre. KB atyre u ofroi kornizën organizative. Viti ndërkombëtar i gruas ishte një vit tejet i suksesshëm, gjë që bëri që ai të zgjatet në Dekadë të KB-së për të Drejtat e Gruas nga viti 1975-1985. Në këtë dekadë u mbajtën tri konferenca të mëdha për të drejtat e gruas: e para në vitin 1975 në Meksiko, e dyta më 1980 në Kopenhagë dhe e treta më 1985 në Najrobi, në Pekin, 1995

Në dekadën e të Drejtave të Gruas dhe në konferencat e sipërpërmendura u përmblodhën dhe u dokumentuan diskriminimet dhe kufizimet e shumta në shoqëri ndaj grave dhe vajzave anembanë botës. U miratuan plane të ndryshme të veprimit dhe propozime për rregullimin e politikës në fushën e të drejtave të gruas për qeveritë e ndryshme. Plan-projektet në fjalë fillimisht ishin tejet të kufizuara dhe jo specifike, pasi që ato ishin përgatitur nga përfaqësuesit e qeverive. Deklaratat e qarta kundër dhunës ndaj gruas p.sh. atje nuk ishin të shpeshta. Konferencat e KB synonin t`i mbledhin nën një kulm të përbashkët qeveritë konservative, fundamentaliste, diktatoriale, demokratike dhe institucionet e ndryshme fetare.

Parimi i barazisë- duke mos bërë diferencimin mes grave dhe burrave, ashtu si gjendet formalisht në ligj, shpesh në mënyrë të fshehtë nënkupton diskriminim ndaj grave. Duke pasur parasysh pozitat dhe rolet e ndryshme që kanë gratë dhe burrat në shoqëri, shpesh barazia “de iure” rezulton në diskriminim “de facto”. Kjo gjendje ka detyruar aktivistët e të drejtave të grave të promovojnë diferencimin (dallimin) mes barazisë formale dhe reale.

Në shumë raste, nocionet formale për barazinë të bazuara mbi hipotezat e barazisë ndërmjet të gjitha qenieve njerëzore, nuk u kanë ndihmuar njerëzve nëpër situata jo të favorshme. Nocioni i tillë duhet lëvizur drejt definicionit real të barazisë, duke marrë parasysh pluralizmin, dallimet, disavantazhet dhe diskriminimin. Sikurse Dairijan Shanti (Dairian Shanti), që theksonte në artikullin e saj “Barazia dhe Struktura e Diskriminimit”, “neutraliteti nuk lejon që ndjeshmëria të dëmtojë dhe me këtë të parandalojë disa njerëz të përfitojnë nga trajtimi i barabartë. Barazia e vërtetë ndërmjet grave dhe burrave mund të arrihet vetëm nëse së bashku realizohen plotësisht barazia formale dhe ajo reale.

Në vitin 1979, me miratimin e Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), Dekada arriti kulmin. Kjo Konventë ishte instrumenti më i rëndësishëm për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave. Për herë të parë, CEDAW, i cili në vete përmban të drejta civile, politike dhe ekonomike, sociale e kulturore, duke bashkuar kështu dy kategori të të drejtave, të cilat përndryshe janë të ndara në dy kategori, njohu gratë si qenie të plota njerëzore.  Në mesin e shumë pikave që cekte Konventa, ajo e cila i barazonte burrat e gratë ishte definicioni për barazinë, se “Diskriminimi ndaj grave nënkupton çdo dallim, përjashtim ose kufizim të bazuar në gjini, që ka për efekt ose qëllim të komprometojë ose të asgjësojnë njohjen, gëzimin ose ushtrimin nga gratë, cilado qoftë gjendje e tyre martesore, mbi bazën e barazisë së burrit dhe të gruas, të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore në fushat politike, ekonomike, shoqërore, kulturore e civile ose në çdo fushë tjetër.”

Konventa përveç tjerash rregullonte edhe çështjet nga jeta private edhe ajo publike e grave. Disa dispozita kanë të bëjnë me rolin e grave në familje dhe shoqëri, nevojën për ndarjen e përgjegjësive brenda familjes dhe nevojën urgjente për implementimin e ndryshimeve në sistemet sociale dhe kulturore, të cilat i atribuohen pozitës subordinuese të grave. Njohja e të drejtave të grave në nivel global mund të bëhet vetëm përmes këtyre ndryshimeve themelore. Kur një shtet bëhet palë e CEDAW-it, ai obligohet që me të gjitha mjetet e nevojshme dhe pa kurrfarë vonese ta respektojë politikën e eliminimit të diskriminimit dhe çdo akti tjetër diskriminues ndaj grave.

Konferenca Botërore për të Drejtat e Njeriut e mbajtur në Vjenë, në qershor të vitit 1993, mblodhi mijëra aktivistë dhe ekspertë për të drejtat e njeriut.

Deklarata dhe Programi për Veprim e Vjenës, e miratuar si rezultat i kësaj Konference, vë theksin te promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të grave dhe të vajzave në përgjithësi dhe parandalimin e dhunës ndaj grave. Gjithashtu, deklaron se pjesëmarrja e plotë dhe e barabartë e grave në jetën politike, civile, ekonomike, sociale dhe kulturore në nivel vendor, regjional dhe ndërkombëtar, si dhe çrrënjosja e të gjitha formave të diskriminimit të bazuar në gjini, janë objektiva me prioritet të bashkësisë ndërkombëtare.

Më 6 tetor të vitit 1999, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me një vendim historikë për gratë, të bazuar në konsensus, miratoi Protokollin Opcional të Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave me 21 nene dhe u bëri thirrje të gjitha shteteve palë të Konventës, të bëhen sa më parë palë edhe të këtij instrumenti. Ky Protokoll ofron mundësinë që Komisionit t’i adresohen ankesa individuale të bazuara në CEDAW. Deri në prill të vitit 2003 Protokollin Opcional, e kanë nënshkruar 75 shtete, deri sa tashmë e kanë ratifikuar 50 shtete.

Për më tepër, në New York në vitin 2000, u mblodh Takimi i 23-të Special i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, “Gratë 2000: Barazia Gjinore, Zhvillimi dhe Paqja në shekullin XXI”, me qëllim të vlerësimit të progresit të përkushtimeve të bëra nga qeveritë në vitin 1995, gjatë Konferencës Botërore për Gratë në Pekin. Kjo është arsyeja, si dhe pse ky takim është quajtur “Pekini + 5”

Platforma e Pekinit për Veprim, e miratuar në vitin 1995 gjatë Konferencës së Katërt Botërore të Kombeve të Bashkuara për Gratë, ka një rëndësi të posaçme. Preambula dhe 12 kapitujt e saj, përbëjnë programin më të plotë për të drejtat e grave, i cili përmban diagnozën mbi gjendjen e grave dhe ekzaminimin e politikave, strategjive dhe masave për promovimin e të drejtave të grave në gjithë botën. Vëmendje e posaçme u është kushtuar 12 fushave kryesore të shqetësimit: varfërisë, arsimimit, konflikteve të armatosura, ekonomisë, procesit të vendimmarrjes, mekanizmave institucionale, të drejtave të njeriut, mediave, mjedisit, fëmijëve vajza dhe rregullimit institucional dhe financiar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok