04/12/2024

ME GJAK U NDËRTUA, ME DJERSË DUHET MBROJTUR

0
Avzi-Mustafa

Me rastin e Ditës së Mësuesit

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

Lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe, që populli ynë e ka zhvilluar me shekuj, përfaqëson faqet më të ndritura, por edhe më të përgjakura, të historisë sonë kombëtare. Rilindësit, duke kuptuar kompleksivitetin e momenteve historike për ta ruajtur qenien e identitetit kombëtar, dhanë kushtrimin se – pa rrokur armën e shkrimit – nuk mund të mbijetosh e të futesh në rrugën e progresit, të lirisë e të pavarësisë.

Që në vitin 1868 u mblodhën patriotët shqiptarë mu në qendër të Perandorisë, në Stamboll, dhe vendosën: “Duhet ta shkruajmë gjuhën shqipe, duhet të zgjedhim ato germa që përcjellin tingullin me lehtë, tingullin e bukur të gjuhës sonë. Dhe, germat të jenë shqip!”

Pa marrë parasysh vështirësitë dhe pengesat, ata dhanë besën e shqiptarit që fjalës ilirike t’ia japin shpirtin në hapësirën e gjithësisë dhe, nën mbikëqyrjen e shenjtorëve tanë: Koto Hoxhi, Hoxhë Tasini, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami e Naim Frashëri, Ismail Qemalit…, pastaj të shkruhej një ABETARE, me të cilën do të përhapej drita për shqiptarët kudo që janë.

Në truallin e Arbërisë çdo pushtues mundohej të linte gjurmë në shpirtin e shqiptarit, duke hapur shkolla osmane, greke, latine, sllave, por asnjë shqipe. Banorët e Arbërisë quheshin arnautë, latinë, kaurë, por jo edhe me emrin e tyre të vërtetë. Shqiptarët kurrë nuk e identifikuan veten me pushtuesit. Pavarësisht nga përçarja fetare, ata mbetën gjithmonë shqiptarë. Këtë e bënte gjuha, e cila ishte “rojtarja me besnike, me vigjilente e kombit”, që i bënte ata të pamposhtur përballë pushtuesve të huaj.

Abetarja shqipe është shkruar me gjak nga promethenjtë tanë dhe me kockat e tyre të shenjta është ndërtuar shkolla shqipe. Në krye të kësaj rruge fisnike u shquan shumë fytyra të ndritura, që sakrifikuan jetën për shkollën shqiptare. Si Naum Veqilharxhi, që na fali Abetaren e parë dhe këtë e pagoi me kokë në burgun e patrikanës greke. Gjithashtu me kokë e e pagoi veprimtarinë patriotike dhe humane edhe mësuesi parë i shkollës shqipe, Pandeli Sotiri, që u vra prej të vjehrrit të së shoqes me prejardhje greke.

Për arsye se çeli shkollë shqipe në Negovan dhe pse predikonte për çështjen shqiptare, xhandarët grekë, të ndërsyer nga dhespoti i Kosturit, e vranë Papa Kristo Negovanin me të vëllain, Theudosin, si edhe pesë patriotë negovanas përkrahës së shkollës shqipe, vetëm e vetëm për të futur frikë, që shqiptarët të mos mësonin në gjuhën amtare. Patriotit Koto Hoxhi – yllit të gjuhës shqipe, që edukoi jo vetëm me ndenja patriotike, por ua mësoi gjuhën shqipe shumë mësonjësve, po ashtu iu hakmorën mizorisht. Mitropolia e Manastirit po ashtu me dinakëri e futi në dorë të kusarëve, duke e mbajtur rob Gjerasim Qiriazin, vetëm e vetëm që të heqë dorë nga shqipja e shqiptaria. Fanari grek, në bashkëpunim me hyqimetin osman, më 1911 e helmuan Petro Nino Luarasin, më 1884 nga tortura në burgun e Athinës e mbytën Anastas Kulloriotin, ndërsa Nuçi Naçin, drejtorin e fundit të mësojtores së Korçës, e mbytën në internim.

Ndaj shkollës dhe abetares shqipe qeveria osmane merrte masa të rrepta, duke torturuar, syrgjynosur e vrarë edhe në zandanët e Turqisë, siç ishte rasti me Sadik Zajmin e Idriz Novokasin, vetëm sepse kishin hapur shkolla shqipe në Shkup, Pejë, Gjakovë e Prizren. Ata e internuan Hamdi Ohrin. që hapi shkollë edhe në burgun e Manastirit, ndërsa Said Najdenin, mësuesin e Dibrës, e mbytën në moshën 39-vjeçare po ashtu sepse hapi shkollë klandestine në Dibër.

Tmerr të tërbuar kundër shkollës shqipe merrte pansllavizmi. Ai vrau At Shtjefan Gjeçovin, mbyti në burgun e Prizrenit Bedri Pejanin, ish-mësuesin e gjuhës shqipe në gjimnazin e Shkupit dhe e vranë rekasin Anastas Albanski, mësuesin që hapi shkollë në gjuhën shqipe në Kumanovë.

Me këtë rast i përmendëm vetëm disa emra, ndonëse ka edhe shumë emra të tjerë, që u sakrifikuan për gjuhën dhe shkrimin shqip. Ashtu siç thotë Noli: “Ata ishin njerëz me privacione e me vuajtje e me tortura të çdo minute, përpara të cilëve edhe Ferri i Dantes ishte një panair i bukur.”

Megjithatë, gjithë ky krim më barbar, që iu bë mësuesve e patriotëve shqiptarë, nuk i trembi, por i bashkoi shqiptarët, duke e realizuar amanetin e mësuesve e patriotëve shqiptarë të Rilindjes, të cilët na kanë porositur “Sido të jemi e ku do të jemi, edhe nëse na ndjek qeveria e s’na le të hapim shkolla në gjuhën tonë, gjuha shqipe le të shkruhet edhe në kalldrëme dhe le të këndohet.”

Përpjekje për mësim në gjuhën shqipe ka pasur pandërprerë në shumë vende të Shqipërisë ose përpjekje të mëdha për të futur gjuhën shqipe si lëndë mësimore në shkollat e huaja.

Kur okupuesit i ndanë shqiptarët në banovina sllave e greke, një pjesë e madhe e shqiptareve mbeti e okupuar e shkollë në gjuhën amtare as që flitej, por përgatiteshin plane për shfarosje e shpërngulje.

Sidoqoftë, shkolla në gjuhën shqipe, me mësues, libra e planprogram dhe jofetare u realizua para 133 vjetëve, më 7 Mars të vitit 1887, kur u hap Shkolla e Parë në Korçë. Me këtë shkollë u hap rruga e forcimit të ndërgjegjes kombëtare. Kjo shkollë i mobilizoi të gjitha forcat për t’i bërë ballë terrorit e intrigave të sunduesve gjatë gjithë historisë së arsimit tonë, duke shprehur vendosmërinë e popullit shqiptar për ta ruajtur e për ta shkruar gjuhën shqipe.

Në sistemet moniste arsimi u zhvillua në situata të ndërlikuara, por periudha pas vitit 1981 është periudha më e errët në historinë e arsimit shqiptar në Maqedoni dhe Kosovë. Në këtë periudhë u vu në zbatim të hapur strategjia antishqiptare e përgatitur në kuzhinën e Beogradit, ku testohej së pari te shkollat shqipe në Maqedoni e deri në mbyllje në Kosovë..

Pushteti jugosllav në këtë periudhë u tregua shumë i ashpër për të flakur gjoja “separatizmin dhe irredentizmin shqiptar.” Politika antishqiptare, që ushtrohej nga organet partiake me direktivën e shtetit, filloi ta sulmojë arsimin shqiptar nga të gjitha anët.

Së pari filluan me evidencën dhe dokumentacionin pedagogjik, që duhej të shkruhej në gjuhën e shtetit, pastaj e ndërruan edhe Kushtetutën, me çka gjuha shqipe u hoq plotësisht nga përdorimi. Kështu filloi kryqëzata e vërtetë kundër arsimit në gjuhën shqipe. Organet e pushtetit monist filluan të pushojnë nga puna arsimtarë, u ndalua që në shkollë të komunikohet në gjuhën shqipe, arsimtarët filluan të burgosen, u ndërruan emrat e shkollave, u mbyllën shkollat e mesme dhe shkollat e larta etj.

Megjithatë, shqiptarët asnjëherë nuk e pranuan shkollën në gjuhë të huaj e as shkollë të përkthyer në gjuhën shqipe, por vetëm shkollën kombëtare, ashtu siç na kanë mësuar mësuesit tanë patriotë shqiptarë, që sot brezi ynë i kujton me admirim emrat e tyre.

Megjithatë, më i rëndësishëm është fakti se populli autokton shqiptar është i vetëdijshëm, që duhet edhe më tej të qëndrojmë në këto hapësira, se – përveç tjerash – duhet jo vetëm shkolla fillore e të mesme, por edhe universitetin e tij, sepse kjo është shenja dhe simboli i emancipimit kulturor dhe kombëtar. Tragjedia e arsimit tonë kombëtar do të vazhdojë pa reshtur derisa shqiptarët sidomos në Maqedoni u vetëdijesuan se për fatin tonë nuk mund të vendosin të tjerët, madje pikërisht ata të cilëve u duket edhe varrimi ynë si kulturë e komb.

Vështirësitë dhe pengesat për jetësimin e kësaj ideje s’kishin dyshim se ishin të mëdha. Në radhë të parë kishin të bëjnë me lejimin dhe themelimin e një universiteti në gjuhën shqipe në Maqedoni. Veprimtaria e tij jo që u përjashtua nga çfarëdo detyrimi ose ingerence e pushtetit maqedonas, por përkundrazi ai pushtet ushtronte trysni me format më barbare të represionit që ta pengojë veprimtarinë e tij.

Sidoqoftë, shqiptarët e Maqedonisë – edhe përballë dhunës e terrorit – e ruajtën fuqishëm vulën e pavdekshmërisë, vulën dritëdhënëse të pishtarit të lirisë dhe të parimit të popullit shqiptar në Maqedoni. Ky universitet, që shumë dashamirë të arsimit, si të vendit ashtu edhe të huaj, e quajtën “Panteon i pamposhtur”, pas legalizimit nuk na mbetet asgjë tjetër, përveçse ta mbrojmë me meritokraci akademike.

Viti 2015 për historinë e arsimit shqip në Maqedoni është i rëndësishëm për atë sepse ndodhi hapja e universitetit të dytë shqip në Maqedoni – Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Ky universitet u themelua në bazë të trendeve të shoqërisë evropiane si një projekt me objektiva të qarta, të mbështetura në nevojat e tregut të brendshëm dhe të jashtëm e me qëllim të krijimit të profileve me arsim të lartë.

Arsimi në gjuhën amtare për shqiptarët mbetet hyjnesha më magjike ashtu siç do të ta përshkruajë i madhi Tagora “O arsim i popullit, hyjnesha më e lartë e të gjitha besimeve dhe të gjithë popujve në botë! Kur do të shndrisë nëpër popujt të gjitha racat e botës, fytyra jote shkëlqimplotë, kur t’i vishet ai brez i yt i art mbarë rrukullisë së dheut?”

Sot kur kemi shkolla e universitete, arsimtarë e pedagogë, arsimin duhet ta shikojmë si kategori kombëtare dhe universale dhe se ai duhet të udhëtojë drejt një sistemi arsimor modern i cili do të jetë në përputhje me ekonominë e tregut dhe standardet evropiane e botërore.

Edhe përkundër disave arritjeve në të gjitha shkallët arsimore edhe në këtë shekull arsimi përballet me shumë sfida të ndryshme, duke filluar nga mungesa e pamjaftueshme e infrastrukturës, performanca e dobët e mësimdhënësve, mungesa e pamjaftueshme e buxhetit për trajnimin e mësimdhënësve, materialet mësimore të papërshtatshme me synimet që i kërkon tregu i punës, mungesa e mekanizmave për sigurimin e cilësisë etj.

Cilësia e arsimit është i vetmi faktor që çon shoqërinë përpara, prandaj duke qenë i tillë kërkon angazhim serioz të të gjithë atyre që kanë përgjegjësi, sidomos atyre që janë të kyçur në procesin mësimor.

Për të pasur arsim cilësor në të gjitha shkallët, duhet të angazhohen më të mirët, ata që e duan kombin, ata që i hapin horizonte te reja kombit, ata që janë më të njerëzishmit që mësuesinë e kanë edhe mision edhe profesion. Në shkolla e universitete politika duhet të rrijë larg, kështu që nuk duhet të bëhet nga selitë partiake që herë-herë e bëjnë për një votë për punësimin e surrogatëve, herë-herë me nepotizëm ndonjëherë edhe me korrupsion. Me arsimin duhet të merren ata që e meritojnë se vetëm me punë e cilësi mund ta mbrojmë arsimin.

Shqitarëve nuk u duhen diploma pa dije, por dije shkencore, sepse nuk kemi më kujt t’ia hedhim fajin për mosdijen tonë. Tani luftën do ta bëjmë ndaj secilit që harron sakrificat e shkollës dhe të gjuhës shqipe. Siç thotë Viktor Hygo-ja, me arsimin duhet të merret vetëm “njeriu që do më shumë se veten krijesën e tij, nxënësin tek i cili do ‘të derdhë’ shpirtin e tij”.

Kur jemi në këtë ditë të shënuar, ua kemi borxh kujtimin dhe nderimin të gjithë atyre që ishin dhe mbetën fanarë të përjetësuar të arsimit në gjuhën amtare. Prandaj, të gjithë ata duhet t’i përshëndesim me përshëndetjen më humane të botës arsimore: Lavdi ndër shekuj!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok