09/11/2024

Përgjegjësia kolektive serbe dhe dëmshpërblimet e luftës

0

Shkruan: Gani MEHMETAJ

Pas çdo lufte shkatërrimtare, agresori është ai që i heq pasojat dhe merr përgjegjësinë kolektive për krimet e bëra. E drejta ndërkombëtare e njeh institucionin e fajësisë kolektive dhe përgjegjësisë kolektive, sikurse që e njeh edhe institucionin e dëmshpërblimeve të luftës. Po ashtu, kjo është aplikuar pas Luftës së Dytë Botërore, humbësit e luftës janë detyruar jo vetëm të marrin përgjegjësinë kolektive për krimet e bëra, por njëkohësisht dhjetëra shteteve u kanë paguar dëmet materiale dhe dëmet morale, të shkaktuara gjatë luftës. Qindra kriminelë lufe ajën ekzekutuar, apo dënuar me burg. Pas luftës në Bosnjë-Hercegovinë, institucionet e këtij shteti kanë nis procedurën e dëmshpërblimeve të luftës nga Serbia, duke kërkuar shuma të mëdha kompensimesh të cilat do të paguheshin me dhjetëvjetëshe.

Dëmshpërblimi i Serbisë për shkatërrimet në Kosovë

Serbia, krahas luftës në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, bëri spastrime etnike e gjenocid edhe në Kosovës, duke e shkatërruar njëkohësisht gati të gjithë infrastrukturën dhe objektet më rëndësi të veçantë. Janë vrarë mijëra shqiptarë, janë djegur mijëra shtëpi: pronat shtetërore e private, ndërsa dhembjet morale janë të pakrahasueshme. Pasojat e luftës Kosova dhe shqiptarët do t’i ndiejnë edhe për një periudhë të gjatë, pavarësisht faktit se me këmbënguljen e tyre dhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare janë bërë rindërtime të shumta dhe janë zbutur në masë të dukshme pasojat e infrastrukturës së shkatërruar. Serbia këtë luftë e humbi, pavarësisht përpjekjeve dhe pretendimeve të mëdha për spastrime etnike dhe për zgjerim të territoreve, në dëm të shqiptarëve në Kosovë dhe në dëm të joserbëve në Bosnjë-Hrecegovinë e në Kroaci. Është e natyrshme, që meqë Beogradi, qendra e së keqës dhe shkaktari i të gjitha këtyre shkatërrimeve të heqë pasojat si në planin moral, pra ta bartë për një kohë tepër të gjatë përgjegjësinë kolektive dhe fajësinë kolektive, njëkohësisht edhe të paguajë dëmet e luftës. Kjo procedurë para Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës ende nuk është inicuar, edhe pse disa nga përgjegjësit kryesorë të vrasjeve e spastrimeve etnike në Kosovë, janë duke u përballur me gjykimin dhe është konstatuar se ata janë të përgjegjshëm e fajtorë, megjithëse gjykimi ende nuk ka mbaruar.

A mund ta inicojë Kosova procedurën e dëmshpërblimit

Përderisa Bosnjë-Hercegovina ka pasur mundësi ta inicojë procedurën për dëmshpërblimin e luftës, sipas ligjeve ndërkombëtare, meqë është shtet i pranuar ndërkombëtarisht, edhe pse ende është nën mbikëqyrjen dhe qeverisjen ndërkombëtare, Kosova për shumë arsye nuk pati mundësi që ta inicojë procedurën e dëmshpërblimeve të luftës. Arsyeja kryesore është, sepse Kosova ishte nën administrimin ndërkombëtar dhe ende nuk është pranuar  shtet i pavarur. Arsyeja tjetër mund të jetë, sepse Serbia nuk u  ndëshkua kolektivisht nga bashkësia ndërkombëtare, edhe pse kanë përgjegjësi dhe fajësi kolektive. Nuk është ndëshkuar kolektivisht as për gjenocidin në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kroaci. Megjithatë ekspertët dhe institucionet tona shtetërore, duhet të shohin mundësitë dhe procedurat ligjore, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, në mënyrë që krahas përgjegjësitë së kreut të Beogradit për krimet dhe gjenocidin në Kosovë të inicohet edhe përgjegjësia kolektive, përkatësisht të inicohen procedurat për dëmshpërblimet e luftës.

Dihet se janë bërë disa llogari si për numrin e të vrarëve e të plagosurve, ashtu edhe për dëmet e shkaktuara nga makineria serbe gjatë luftës në Kosovë. Është po ashtu e njohur se numri i saktë i të vrarëve asnjëherë nuk mund të dihet, sikurse nuk mund të vlerësohet kurrë dëmi moral e dhembjet e shqiptarëve për të afërmit e tyre dhe për gjymtimin e denigrimin e popullatës gjatë kësaj lufte të ndyrë serbe. Kështu, pos shënimeve që janë, do të duhej të kompletohen  tërësisht të dhënat e përgjithshme për të inicuar proicedurën e dëmshpërblimeve të luftës, që do t’i paguante Serbia Kosovës.

Teksti është botuar para 18 vjetësh, por situata nuk ka ndryshuar. Shteti ynë hesht për krimet serbe dhe për dëmshpërblimin e luftës.

  1. S. Institucionet e shtetit tonë as pas njëzetë vjetësh nuk kanë nis procedurë për të kërkuar dëmshpërblime të luftës dhe përgjegjësi kolektive të serbëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok