24/12/2024

PËR HAGËN, UÇK-NË DHE “KASETËN” E BASHËS

0
Flamuri-Kosoves

Nga Ndue Dedaj

Çdokush, që do të donte të bënte një analizë serioze të asaj se çfarë po ngjet sot me udhëheqjen e Kosovës të njëzet viteve të fundit, atë të dalë prej UÇK-së, nuk do të mund t’i shmangte dot disa pyetje thelbësore, që nuk mund të jenë retorike. Ku ishte Gjykata e Hagës, kur Hashim Thaçi, asokohe një djalosh trupimët dhe intrigues, u bë pjesë e nënshkrimit në Rambuje, në shkurt të vitit 1999, të dokumentit për fillimin e luftës së NATO-s në Kosovë, krahas elitës më të lartë kosovare të kohës, Ibrahim Rugovës, Rexhep Qosjes dhe Veton Surroit? Ai akuzohet se krimet e tij kanë filluar që nga vitin 1898? Nga ana tjetër, a do t’ia lejonin vetës Rugova me shokë të shkonin në Rambuje bashkë me një “kriminel” lufte? Mund të thuhet se asokohe ishte shpejt dhe ende nuk kishin dalë dëshmitë rreth veprimtarisë “kriminale” të Thaçit dhe komandantëve të tjerë të UÇK-së. Po nëntë vite më vonë, në shkurt të vitit 2008, si u lejua nga e nderuara Gjykatë e sipërthënë, që zoti Thaçi, në cilësinë e Kryeministrit të vendit, të nënshkruante deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, dokumenti themelor i shtetit më të ri të Europës? E po ashtu dhe Jakup Krasniqi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës? Dy nga tre firmat kryesore të këtij dokumenti (krahas asaj të Presidentit Sejdiu) iu përkasin të akuzuarve për krime të llahtarshme lufte. Thaçi, Krasniqi e Veseli, pse jo dhe Haradinaj, Limaj e të tjerë, duke qenë për njëzet vite në pozicionet më të lartë të shtetit të Kosovës, kanë nënshkruar historinë e re të saj, njëherësh përfaqësues të këtij shteti në kancelaritë euro-atlantike, si në Bruksel, Uashington etj.

Dhe befas e gjitha kjo zh’bëhet dhe ata i dorëzohen gjyqit ndërkombëtar, si të kishin qendruar njëzet e ca vjet në arrati e të ishin kapur javën e kaluar në bjeshkët e Kosovës?!

Gjykata e Hagës mund të thotë se sa më sipër i përkasin sferës dhe marrëdhënieve politike, kurse ne si institucion i ligjit, merremi me drejtësinë, pa dashur t’ia dimë për politikën. Ne nuk mund ta paragjykojmë atë, por në arsyetimin tonë zor se politika dhe ligji, në qasje të tilla të luftës dhe paqes, janë të ndarë si me thikë. UÇK ka qenë një formacion ushtarak, po aq dhe politik, që është çertifikuar nga ndërkombëtarët që në hapat e saj të parë. Është monitoruar dhe mbështetur nga afër prej tyre, gjersa ka ardhur dita që ajo të ishte aleate e NATO-s për çlirimin e Kosovës nga makina ushtarake serbe, që kishte kryer krime mizore dhe genocid dhe më parë mbi popullsinë civile në Bosnje etj. William Walker do të mbetet jo vetëm një mik i shqiptarëve përjetësisht, por dhe një diplomat i pazakontë perëndimor, që shkoi vetë deri te hendeku me dhjetëra trupa pa jetë të masakrës së Reçakut. Nëse do të kishte ndodhur e kundërta, që ai të kishte parë ndonjë “masakër” të UÇK-së mbi serbë apo shqiptarë, pa dyshim që do t’ia thoshte botës me të njëjtën kurajo. Dhe atëherë do të shihnim se si NATO do të izolonte pikërisht këtë ushtri rebeluese. Por kjo nuk ka ndodhur. Nuk mund të krijohej në zemër të Europës moderne një ushtri klandestine që nuk i bindej asaj dhe Amerikës. Kjo është drita në të cilën duhet parë UÇK-ja, në anën gjeostrategjike.

Ka dhe një anë tjetër shumë të rëndësishme, kjo ushtri shqiptarësh dëshmoi se fuqia e rezistencës së një populli për liri dhe pavarësi nuk ishte bjerrë në kohën moderne, se lirinë nuk mund ta presësh dhuratë nga askush, as nga Fuqitë e Mëdha, një mësim që shqiptarët jo vëtëm e kishin përftuar për vete që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, por ia kishin përcjellë dhe Euopës si kumt madhor. Ky nuk është një lavdërim rapsodik për ne shqiptarët, por realitet historik i shkruar me gërma të mëdha e të ndritshme në libra të shumtë të Europës pas-skënderbegiane e gjer poemat e poetit të shquar amerikan Longfellou. Nuk është rastit që mbështetës dhe luftëtarë të ushtrisë çlirimtare të Kosovës nuk ishin vetëm kosovarët e mbetur në trojet e të parëve në atdhe, por dhe ata të emigracionit politik e ekonomik në Gjermani, Zvicër apo Amerikë etj.

Sa i përket procesit të sotëm të Hagës, askush nuk vë dorën në zjarr për krime që mund të jenë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së, në rrethana kritike, e ato ndëshkohen dhe sot për atëherë, individualisht, por në ato çka kemi dëgjuar deri tani nga aktakuzat e shpallura kësaj jave ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit, nuk përmenden raste konkrete vrasjesh të kryera apo të urdhëruara prej këtyre, çka ka bërë që ata të shprehen kategorisht për pafajësinë e tyre vetjake. Atëherë, lind pyetja, ata akuzohen për një fajësi kolektive të supozuar? A mund të ketë juridikisht një fajësi të tillë? Apo, i gjithë procesi gjyqësor ndaj tyre, është politik, për të ruajtur “ekuilibrat” me Serbinë, siç thuhet nën zë? Në vitin 1999 në Kosovë kishte vetëm një rezultat lufte: një i fituar dhe një i humbur. Fitimtari ishte Kosova, humbësi ishte Serbia. UÇK-ja meritoi kurorën e fitimtarit dhe nuk mund të kishte një ushtri e lavdishme, me një komandë kriminale!? Përpilimi i dosjeve dhe pretencës serbe në ngarkim të UÇK-së nuk mund ta tjetërsojë këtë fakt plebishitar, qoftë dhe duke u përfillur drepërdrejt apo tërthorazi një akuzë e tillë e pabazuar nga faktorë ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, Kosova kishte vetëdije shteformuese që nga Lidhja e Prizrenit e që nga 1912-a, kur dërgonte në Vlorë Isa Boletinin dhe nuk do të nxirrte kurrë në krye të saj vrasësit e çfarëdo natyre. Një popull që ka hequr për lirinë nuk vret. Gjykatësit duhet të dinë se kanë të bëjnë me një popull që kurrë nuk e ka kapërcyer kufirin e vendit të tij për të luftuar të tjerët.

(Do të ishte tjetër gjë nëse do të merrej në analizë sjellja në liri e disa prej udhëheqësve të dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si abuzimi me pushtetin etj.)

Së fundi, mos procesi i Hagës i nisur si penal, do të përfundojë si… politik? Kjo do të kishte vetëm një të mirë, të katër të akuzuarit e Hagës do të ktheheshin në liri, në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe kështu do të mbyllej përgjithnjë kapitulli i pretendimeve të palës serbe për krime (edhe) nga UÇK.

Post scriptum. Dihet se pas nisjes së procesit të fundit në Hagë, ka pasur opinone dhe qasje nga më të ndryshmet, sidomos hamendësime apo keqpërdorime të qëllimshme. Siç mund të merret me mend, politika provinciale as në këtë rast nuk mund të qëndronte duarjashtë, siç do të ishte normale. Mund të pritej gjithçka tjetër në adresë të kreut të opozitës, Lulzim Basha, tash që ka filluar me tone të ndezura fushata elektorale, por përpjekja për ta përfshirë në “historinë” e Shtëpisë së Verdhë, që nuk ekziston as në mitologjinë shqiptare, apo atë të masakrës së Krushës së Madhe, përmes një kinse kasete që ai paskësh zhdukur (!?), na duket një teprim, një truk politik e mediatik për t’iu hedhur hi syve shqiptarëve. Me një cic-mic të tillë qesharak, me dikë “tradhtar” e dikë tjetër “patriot”, nuk mund të fitohen vota. Por në këtë vend askujt nuk i skuqet fytyra për furtunat e ngritura në gotë! Vjen një ditë e thuhet, e po ashtu ishte loja… dhe me kaq mbyllet diçka që sot shitet si skandal. Ama këto janë njolla në politikën “rurale” elektorale të vitit 2020 për zgjedhjet e prillit të ardhshëm…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok