Pendimi dhe kërkimfalja
Nga Ndue Ukaj
Shkrimtari i njohur, Italo Calvino, thotë diku se, njerëzimi arrin aq sa arrin dashuria; ajo nuk ka kufij përveç atyre që i japim ne. Në një kuptim pak më konkret, ky autor thotë se kufijtë e së keqes, personale e kolektive, i shkaktojnë ata që nuk dashurojnë, ose, më saktë, ata që nuk jetojnë në përkim me virtytet e dashurisë. Kjo dashuri, për çka flet ky autor, nuk duhet reduktuar në terma erotikë, por propozohet si agape, si forma më e lartë e dashurisë njerëzore, që nuk njeh kufij. Kjo formë e dashurisë nxit mirëkuptimin, të mirën, faljen dhe ndërgjegjësimin.
A ka shoqëria jonë një kompas moral kur bëhet fjalë për këto tema?
Që të mos përgjithësohen gjërat, asnjëherë nuk është e udhës të jepen vlerësime të përgjithshme, por, ka disa elementë mes nesh, që tregojnë se kemi të bëjmë me një sëmundje, që po e bren keq jetën e vendit tonë, sëmundja e egoizmit.
Ka autor, si Bertrand Russell, që sugjerojnë njeriun t’i zgjerojë interesat, duke i bërë ato gjithnjë e më pak të lidhura me veten, derisa muret e egos të tërhiqen pak nga pak dhe jeta njeriut të shkrihet gjithnjë e më shumë në jetën universale.
Këtë tip mësimi, shoqëria jonë nuk e ka përvetësuar, për arsye të njohura historike, pra, për shkak të pushtimeve të shumta, që shqiptarëve iu pamundësuan të rriten e të edukohen sipas një parimi a shkolle morale.
Nëse kthehemi te mendimi i Calvinos, e keqja njerëzore, lidhet me pamundësia për ta shtrirë dashurinë. Një gjë të tillë na kujtonte edhe Zef Pllumi, një autor i rëndësishëm shqiptar, që përjetoi ferrin komunist, por kurrë nuk lejoi që gjuha e tij të ishte me gjemba urrejtje, kurse një shkrimtar tjetër i madh, Ismail Kadare, problemet tona, pra sëmundjet e brendshme i lidhte me pazotësinë për t’i sqaruar raportet me vetveten, për ta kuptuar vetveten, identitetin tonë.
Ka disa ditë, që pyes veten nëse ekziston ideja e pendimit në shoqërinë tonë, sidomos në atë politike?
Pas së cilës do të duhej të pasonte fjala përgjegjësia. Fjala përgjegjësia, me gjitha detyrimet që ka ajo: kërkimfalja, mësimi prej pësimeve dhe brerja e ndërgjegjes.
Ky proces, natyrisht, te njeriu e shoqëria, sjell përmirësime, vetëdijesim e ndërgjegjësim e vetëkorrigjim.
Mjerisht, këto fjali, në realitetin tonë, ngjajnë në një kontinent të pambërrimë, të largët, që nuk përkon me ne.
Këto ditë, kemi parë e përjetuar me shqetësim të thellë krime makabre, por ajo që ka ra në sy është fakti po aq tragjik sa krimet në vetvete, se fjalët “pendimi”, “përgjegjësia”, “kërkimfalja”, “vetëkorrigjimi”, nuk janë pjesë e diskursit të atyre që kanë detyrime e përgjegjësi.
Në të vërtetë, njohja e këtyre fjalëve, me të gjitha përgjegjësitë që bartin ato, bëjnë që shoqëritë të vetë korrigjohen, të përmirësohen, pra të bëhem më humane. Sepse, këto fjalë, kanë një energji shëruese, si të themi, janë censorë etikë, që mirëmbajnë shoqërinë humane dhe nuk e lënë të bie në barbari.
Duke e parë sesi reflekton pushteti e shteti përballë tragjedive që ndodhin në vendin tonë, pyetja që bëhet natyrshëm është kjo: mos ka ndodhur që dehja prej madhështisë që u jep pushteti njerëzve, t’iu ketë çaktivizuar zërin e ndërgjegjes, duke i bërë konformistë, që nuk çajnë kokën për asgjë, pos që t’iu shkojë atyre kungulli mbi ujë?
Dhe pyetja mbetet pa përgjigje, përsa kohë nuk kemi përgjegjësi prej atyre që kanë detyrë ta japin përgjegjësi.
Çfarë atmosfere shpirtërore e mendore zotëron në Kosovë?
Kjo pyetje më shtang, sepse, ka kohë që mjedisi ynë është krejt i helmuar, në shkallën e rrezikshme për shëndetin e një populli, një shkallë shumë më të rrezikshme seç ndodh të tregojnë matjet e smogut e ajrit në ditë dimri në Kosovë.
Sepse, u pa qartë se, përballë tragjedive që ndodhën në vendin tonë, pushteti e shteti folën pa kurrfarë ndjesie përgjegjësie, pendimi. Përkundrazi, u dëgjuan deklarata koti, retorikë boshe, gërvallje, që, në thelb, kanë një mospërkim tragjik me fjalën përgjegjësia.
Është e frikshme dhe njëkohësisht shumë e pashëndetshme për një shoqëri kur pushteti nuk ndien kurrfarë nevojë të pendohet, për asgjë, sepse, kjo domethënë, ai nuk ndien nevojë të vetëkorrigjohet.
Pse?
Sepse, ky pushtet, e ka shenjtëruar vetveten dhe sjelljet e veta. Punët e veta i predikon si të ishin të vërteta shkencore, ose, dogma religjioze. Pra, ky pushtet, e ka shpallur me dekret ideologjik pafajësinë e secilit, dhe këtë e mbron me afsh e propagandë pushteti.
Ama e vërteta është krejt ndryshe.
Dhe qytetarët e Kosovës, krahas lajmeve tragjike, këto ditë panë sesi vendi i tyre u privua nga mundësia të përfitonte mbi 40 milion euro prej BE-së, për arsye që nuk kanë lidhje me përgjegjësi e interesa të përgjithshme.
Dhe çka mbetet pas këtyre lajmeve të këqija është që qytetarët të shohin fytyrën e vërtetë të pushtetit; të shohin sa pak ka kuptim jeta e njerëzve të këtij vendi.
Ndërkaq, kur jemi te dhuna si dukuri, nuk guxojmë kurrë të harrojmë një gjë: dhuna kryesore, ajo që i paraprinë çdo të keqe, është dhuna gjuhësore, gjuha që formon njerëz e mbjell ide.
Mjerisht, njerëzit rriten në këtë vend, duke dëgjuar një gjuhë, që nuk ka lidhje me zhvillim e mirëkuptim njerëzor, një gjuhë që nuk përkon me interesat e përbashkëta, një gjuhë që ka mospërkim të thellë e tragjik me fjalët kërkimfalja, pendimi, përgjegjësia, pra një gjuhë që nuk ka lidhje me emancipimin.
Prandaj, shoqëria jonë ka nevojë emergjente që të dalë prej kësaj gjendje alarmante.
Ajo ka nevojë për një ripërtëritje të thellë shpirtërore. Për një emancipim të gjithmbarshëm. E, emancipimi nuk bëhet me fjalë boshe, por me edukim, libra e vullnet. Emancipimi nuk bëhet duke treguar përditë sa të këqij janë të tjerët, ose, duke kërkuar e projektuar armiq, sa më shumë.
Emancipimi kërkon mirëkuptim njerëzor, bindje intelektuale ndaj vlerave humane dhe përkushtim të palëkundur ndaj tyre.
Më tingëllon si një lutje e prajshme, një thirrje që bën Milan Kundera, diku, ku thotë se do të donte t’i shihte të gjithë njerëzit duke kërkuar fjale.
Po, në Kosovë, secili ka nevojë të kërkojë falje. Secili, sipas përgjegjësisë së vet, nëse duam ta braktisim këtë udhëkeqe ku jemi futë. Dhe kjo nuk mund të vihet në jetë pa fjalën përgjegjësia.
