LIGJËRUESE SUADE DOKO MEKULI- E PARA ARKITEKTE SHQIPTARE NË KOSOVË DHE SHUMË E VLERËSUAR SI PROJEKTUESE DHE NË AUDITORËT E UNIERSITETIT TË PRISHTINËS
Nga Gani S. Pllana, Prishtinë
Ligjëruese Inxh. dipl ark. Suade Doko Mekuli lindi më 2 shtator 1931 në Ohër, në Maqedoninë e Veriut, në një familje të qytetare të pasur, arsimdashëse dhe me ndikim në jetën e banorëve të Ohrit. Shkollën e mesme, gjimnazin, e kreu në Ohër.
Studimet universitare i përfundoi në vitin 1958, në Degën e Arkitekturës të Fakultetit Teknik të Universitetit të Shkupit.
Pas përfundimit të studimeve filloi punën në Prishtinë, duke u cilësuar si arkitektja e parë, në Ndërmarrjen Ndërtimore “Ramiz Sadiku”. Në kohën kur Prishtina po zhvillohej dhe po ndërtohej si qendër urbane, e më pas po zgjeroheshin edhe lagjet e saj, ajo dha kontributin e vet profesional si arkitekte. Me themelimin e Sektorit të Projektimit në këtë ndërmarrje, u emërua udhëheqëse e tij.”
Nga viti 1962 deri më 1967 punoi në ndërmarrjen projektuese “Kosmet-projekt”, si projektuese-përgjegjëse e grupit projektues. Në vitin 1967 filloi punën në arsim, në Shkollën e Mesme Teknike “19 Nëntori” të Prishtinës, e njohur më parë si “19 Nëndori”, ku ligjëroi lëndët “Konstruksione ndërtimore” , “Vizatim i lirë” dhe “Godinari”.
Titujt/gradat shkencore: “Inxhiniere e diplomuar e arkitekturës” (1958), “Asistente” (1968), “Ligjëruese” (1970).
Gjuhët e huaja: maqedonisht, serbokroatisht, turqisht dhe rusisht.
Punësimi në Fakultetin teknik – Seksioni i Ndërtimtarisë
Në vitin 1968, Suade Doko Mekuli u emërua asistente e lëndëve “Godinari I” dhe “Godinari II” në Seksionin e Ndërtimtarisë të Fakultetit Teknik të sapoformuar. Në vitin 1970 u emërua ligjëruese e këtyre lëndëve.
Kontributi në hapjen e Seksionit të Arkitekturës
Ligjëruese Suade Doko Mekuli dha një kontribut të rëndësishëm në hapjen e Seksionit të Arkitekturës, në kuadër të Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës, në vitin akademik 1978/1979, veçanërisht në përgatitjen e kuadrove shqiptare të Kosovës. Në këtë seksion u emërua ligjëruese e lëndës “Konstruksionet arkitektonike III”.
Pozitat udhëheqëse në Fakultetin Teknik në Prishtinë
- Në periudhën 1 tetor 1973 deri më 1 tetor 1975 ka qenë shefe e Seksionit të Ndërtimtarisë;
- Nga viti 1976 u angazhua në komisione profesionale të fushë së ndërtimtarisë, të organizuara në nivel të Universitetit të Prishtinës;
- Në vitin 1978 ka qenë shefe e Seksionit të Arkitekturës në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës;
- Në periudhën 1975-1979 ka qenë zëvendësdekane për mësim në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës;
- Në periudhën 1979-1983 ka qenë zëvendësdekane për mësim e Seksionit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.
Funksionet shoqërore dhe politike
Përveç veprimtarisë profesionale, Suade Doko Mekuli ushtroi edhe funksione shoqërore e politike me rëndësi, ndër të cilat:
- Kryetare e Këshillit Krahinor të Arsimit dhe Kulturës;
- Anëtare e Këshillit Drejtues të Entit për Urbanizëm dhe Çështje Komunale pranë Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Veprimtaria projektuese në Ndërmarrjen Ndërtimore “Ramiz Sadiku” në Prishtinë (1958–1962)
Si arkitektja e parë shqiptare në Kosovë, Suade Doko Mekuli realizoi një numër projektesh në vitet e para të veprimtarisë së saj profesionale, pavarësisht vështirësive të kohës.
Nga 1 tetori 1958 deri më 1 janar 1962, gjatë punës në Departamentin e Projektimeve të Ndërmarrjes Ndërtimore “Ramiz Sadiku”, hartoi kryesisht projekte që u zbatuan nga vetë ndërmarrja. Në mënyrë të pavarur projektoi disa objekte banimi në Kosovë, shkolla, objekte bujqësore dhe magazina. Gjithashtu, mori pjesë si bashkëpunëtore në projektimin e dy objekteve të larta të banimit në Prishtinë, të një objekti banimi në rrugën “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, të një magazine duhani në Mitrovicë, të një fabrike mobiliesh në Ferizaj, të objektit të Postës Kryesore në Prishtinë dhe të objekteve të tjera. Ndër projektet e kësaj periudhe përfshihen:
- Godinë banimi në Rahovec;
- Godinë banimi në Pejë;
- Godinë banimi me tetë banesa në Shtërpcë;
- Godinë banimi me katër banesa “Malizhgan” në Klinë;
- Godinë banimi për ndërmarrjen “Radnik” në Gjakovë;
Disa objekte individuale, sipas tipologjisë së ndërmarrjes “Kosmet-projekt”;
- Objekte individuale me hapësira tregtare në Gjakovë, sipas kushteve urbanistike të përcaktuara;
- Godinë kampi në Pejë, e ndërtuar me elemente të lehta të parafabrikuara;
- Shkollë me tri klasa;
- Shkollë me pesë klasa;
- Qendër për fëmijë të shurdhër në Prishtinë;
- Shtëpi gjuetie, sipas një modeli;
- Ndërtesë administrative e pronës bujqësore “Malizhgan” në Klinë;
- Stacion shëndetësor në Novobërdë;
- Qendër për nëna dhe fëmijë në Vushtrri;
- Kopsht për fëmijë në Vushtrri;
- Përshtatje e ndërtesës së barakave në Institutin Biologjik në Prishtinë;
- Veshtore/garderobë me banjë “Kosovo”;
- Fabrikë barnash “Farmakos” në Prizren;
- Zgjerim i ndërtesës administrative të Kombinatit në Obiliq;
- Punëtori veglash “18 Nëntori” në Rahovec;
- Stacion dispeçer i Kombinatit të Linjitit të Kosovës;
- Punëtori mekanike në “Malizhgan”, Klinë;
- Një sërë objektesh bujqësore.
- Në bashkëpunim me kolegë, projektoi edhe:
- Objektin banesor të ndërmarrjes hoteliere “Sloga” në Prishtinë;
- Objekt banesor njëkatësh, me përdhese, zyrë postare dhe aneks për vetëshërbim në Suharekë.
Veprimtaria projektuese në “Kosmet-Projekt” në Prishtinë (1962–1967)
Nga viti 1962 deri më 1 shtator 1967, Suade Doko Mekuli punoi në ndërmarrjen projektuese “Kosmet-projekt” në Prishtinë.

Arkitekte Suade Doko Mekuli: Foto e një dite pune në ndërmarrjen projektuese “Kosmet-Projekt” në Prishtinë (1965)
Gjatë kësaj periudhe projektoi dhe zhvilloi në mënyrë të pavarur projektet e mëposhtme:
- Shkolla tetëvjeçare “Ulpiana” në Prishtinë – pjesa e edukimit fizik: Projekti ekzekutiv i objektit të shkollës, sipas përmasave të përcaktuara nga urbanisti. Pjesën e palestrës e projektoi dhe e përpunoi në mënyrë të pavarur;
- Objekti administrativ i Degës së SPB-së në Prizren: Projekti ekzekutiv, projektin e hartoi dhe e zhvilloi në mënyrë të pavarur. Përmasat e kompleksit ishin përcaktuar nga urbanisti i Prizrenit.
- Objekti i Gjykatës në qytezën Vitisë: Projektin kryesor të objektit të gjykatës e hartoi dhe e zhvilloi në mënyrë të pavarur;
- Zyrat postare në Skënderaj, Istog dhe Deçan: Projektet i hartoi në mënyrë të pavarur;
- Objekt banimi me hapësira shërbimi në Prishtinë;
- Klinikë specialistike në Prizren;
- Qendra për Nëna dhe Fëmijë në Vushtrri:
Ajo projektoi dhe përpunoi projektin, i cili u miratua nga urbanisti i Prizrenit, prof. Mandiç. Projekti parashikonte një hyrje të kompleksit spitalor, në lidhje me objektet e tjera të ndërtuara ose të planifikuara për t’u ndërtuar.
- Objekt banimi me 12 banesa në Pejë: Projektin e hartoi dhe e zhvilloi në mënyrë të pavarur.
Veprimtaria botuese
Përveç numrit të konsiderueshëm të projekteve, Suade Doko Mekuli hartoi edhe dispensa mësimore për studentët, duke përdorur mjete të thjeshta projektimi. Në materialin e konsultuar përmenden këto botime:
- Mekuli, D. S.: “Godinari I”, dispensë, Fakulteti i Ndërtimtarisë, Prishtinë, 1978.
- Mekuli, D. S.: “Godinari II”, dispensë, Fakulteti i Ndërtimtarisë, Prishtinë, 1980.
- Mekuli, D. S.: “Konstruksionet arkitektonike I”, dispensë, Fakulteti i Ndërtimtarisë, Prishtinë, 1981.
- Mekuli, D. S.: “Konstruksionet arkitektonike II”, dispensë, Fakulteti i Ndërtimtarisë, Prishtinë, 1982.
- Mekuli, D. S.: “Konstruksionet arkitektonike III”, dispensë, Fakulteti i Arkitekturës, Prishtinë, 1984.
Mobiliteti akademik
Në vitin 1976, Suade Doko Mekuli realizoi një vizitë studimore disaditore në Shqipëri, vizitën e fshatit Olimpik ne Munih në Gjermani, Francë, si dhe në ish-BRSS.
Përjetimi i masave të dhunshme në Universitetin e Prishtinës
Në qershor të vitit 1991, pas vendosjes së masave të dhunshme në Universitetin e Prishtinës nga ana e Serbisë okupatore, arsimi në gjuhën shqipe në Kosovë u përball me kushte tejet të vështira. Mësimi zhvillohej në lokale private, pa ngrohje dhe pa mjetet elementare mësimore, ndërsa presioni i autoriteteve serbe vazhdonte. Suade Doko Mekuli u përball me trysni dhe me dokumente për largim nga puna, sikurse edhe profesorë të tjerë shqiptarë të universitetit. Megjithatë, ajo nuk u dorëzua dhe vazhdoi deri në pensionimin e saj, në vitin 1993.
Urdhra dhe çmime
- Në vitin 1977 iu dha “Urdhri me Kurorë të Argjendtë”;
- Mirënjohje për kontributin e dhënë në mbarëvajtjen e punëve në mandatin dyvjeçar si Zëvendësdekane, UP Fakultetit Teknik, 22 shtator 1977, Prishtinë;
- Mirënjohje për kontributin e dhënë në fushën e Arkitekturës (mirënjohje pos mortum), Komuna e Prishtinës, 11 qershor 2011, Prishtinë.
- Mirënjohje për kontributin në mësimdhënie dhe zhvillimin e Departamenti të Arkitekturës përgjatë viteve, dyzet vjet studime të arkitekturës (mirënjohje pos mortum), UP Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Seksioni i Arkitekturës, 20 dhjetor 2018, Prishtinë.
Përfundim
Ligjëruese arkitekte Suade Doko Mekuli ishte pioniere e arkitekturës në Kosovë që nga viti 1958. Ajo kontribuoi në projektimin e shumë objekteve në Kosovë, përfshirë ndërtesa banimi kolektiv në Prishtinë, Rahovec, Pejë, Vushtrri, Klinë, Mitrovicë dhe Obiliq; fabrikën e mobilieve në Ferizaj; Postën Kryesore në Prishtinë; ndërtesën e Fakultetit Filozofik; ambulancën në Prizren; Konviktin e studentëve numër 5 në Prishtinë, si dhe shumë objekte të tjera me rëndësi për kohën. Ajo punoi me mjete të thjeshta vizatimi, por me përkushtim dhe profesionalizëm.
Punën me studentët e kreu me përkushtim dhe dashuri. Çdo student të arkitekturës e konsideronte si fëmijën e vet, prandaj ish-studentët e kujtojnë me respekt profesoreshën që e thërrisnin “Mama Suade”. Ajo i udhëzonte studentët dhe arkitektët e ardhshëm që t’i jepnin përparësi kulturës së banimit, një çështje thelbësore për jetën e njeriut. U mësonte të projektonin hapësira që ofrojnë rehati, qetësi dhe kujdes për të tjerët, pa cenuar hapësirën e askujt, si dhe të krijonin ndjenjën e lirisë brenda banesës. “Banimi lidhet ngushtë me jetën shpirtërore dhe shoqërore të njeriut”, u thoshte ajo studentëve të saj.
Bibliografia
- Mekuli, D. S.: “Godinari I”, Dispensë, Fakultetit i Ndërtimtarisë, Prishtinë, 1978;
- Mekuli, D. S.: “Godinari II:”, Dispensë, Fakultetit i Ndërtimtarisë, Prishtinë, 1980;
- Mekuli, D. S.: “Konstruksionet arkitektonike I”, Dispensë, Fakulteti i Ndërtimtarisë, Prishtinë, 1981;
- Mekuli, D. S.: “Konstruksionet arkitektonike II”, Dispensë, Dispensë, Fakulteti i Ndërtimtarisë, Prishtinë, 1982;
- Mekuli, D. S.; “Konstruksionet arkitektonike III”, Dispensë, Fakultetit i Arkitekturës, Prishtinë, 1984;
- Dokumentacion nga arkiva e Fakultetit të Ndërtimtarisë, Prishtinë, 2025;
- https://fin.uni-pr.edu/page.aspx?id=1,8&utm_source=chatgpt.comistoriku zyrtar i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit – Universiteti i Prishtinës
