Penda prej argjendi e vajzave shkodrane dhuruar Dora d’Istrias bashkë me dedikimin “Bijë e heronjve, motra jonë”

0
Dora-d-Istria

Dora d’Istria (Elena Gjika), portret historik. Gravurë sipas veprës së piktorit italian Felice Schiavoni (1803–1881), botuar në vitin 1863 në librin e Armand Pommier, Profils contemporains. La Comtesse Dora d’Istria (Bruksel)

KUJTESE NE PERVJETORIN E NDARJES NGA JETA TE ELENA GJIKES

Nga Albert Vataj

Më 2 prill 1881, treqind vajza shqiptare nga Shkodra i dërguan princeshës Elena Gjika, të njohur në botën kulturore si Dora d’Istria, një pendë shkrimi prej argjendi, të shoqëruar me një letër ku kishin vendosur 300 nënshkrimet e tyre.

Kjo e dhënë dokumentohet edhe në një botim akademik të vitit 1932, në revistën Revue Historique du Sud-Est Européen, ku botohet poezia kushtuar Dora d’Istrias, së bashku me shënimin se dhurata iu përcoll nëpërmjet atë Leonardo Martino de Greçit dhe se letra mbante treqind nënshkrime.

Dokumenti i vitit 1932 përmban një hollësi që nuk duhet humbur: penda ishte një punim i hollë filigrani, realizuar nga argjendarë shqiptarë. Pra, dhurata mishëronte edhe mjeshtërinë tradicionale të argjendarisë shqiptare. Ajo nuk ishte vetëm një objekt prej metali të çmuar, por një vepër arti e punuar nga duart e mjeshtërve të vendit.

Por edhe më domethënëse është letra poetike që e shoqëronte. Në origjinalin italisht, vajzat i drejtoheshin princeshës me fjalët: “Figlia d’Eroi, ma pur nostra sorella”, ndërsa në shqip: “Bijë e heronjve, por edhe motra jonë”.

Ato shprehnin se, ndonëse nuk kishin një skeptër të artë apo një fron mbretëror për t’i dhuruar, mund t’i ofronin një pendë argjendi; një dhuratë të vogël në pamje, por të madhe në dashurinë dhe nderimin që përfaqësonte. Letra përfundonte me datën 2 prill 1881 dhe mbante treqind nënshkrimet.

Dora d’Istria iu përgjigj vajzave shkodrane më 4 maj 1881, duke shprehur dëshirën për t’i përqafuar një ditë. Përgjigjja e saj përmban një formulim me peshë të veçantë:

“Uroj që kjo pendë, më e fortë se një skeptër, të përdoret gjer në fund të jetës sime për mbrojtjen e nderit dhe të drejtave të Shqipërisë, atdheut tim të nderuar”.

Këtu qëndron një prej kuptimeve më të bukura të kësaj ngjarjeje: Dora d’Istria e vendos pendën mbi skeptër. Ajo i jep dijes, shkrimit dhe fjalës një autoritet më të madh se simbolit të pushtetit. Penda nuk do të shërbente për të shkruar lavdinë e një princeshe, por për të mbrojtur nderin dhe të drejtat e një populli.

Vajzat shkodrane nuk po i shkruanin një personaliteti të largët thjesht për t’i shprehur mirënjohje. Ato po i drejtoheshin një gruaje që kishte fituar autoritet në kulturën evropiane dhe që e kishte vënë një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së saj në shërbim të njohjes së Shqipërisë.

Ky episod lidhet edhe me historinë e arsimit të vajzave në Shkodër. Sipas studimit doktoral të Eranda Bilalit, shkolla e Stigmatineve ishte hapur më 1879, fillimisht me 200 vajza dhe tri mësuese. Ndërkaq, në qytet vepronin edhe shkolla të tjera për vajza, disa të mbështetura nga familje shkodrane.

Kështu, treqind nënshkrimet e vitit 1881 janë edhe një dëshmi e kulturës së shkrimit, e arsimimit dhe e vetëdijes qytetare të vajzave shkodrane në fund të shekullit XIX.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok