10/11/2024

Pavarësia e Shqipërisë mban vulën e Ismail Qemalit

0

Nga Ibrahim Kabili

Gjithmonë më kanë motivuar dhe tërhequr si me magji figurat e mëdha kombëtare. Puna mbi 42 vjet në arsim në lëndën e bukur të historisë më ka intriguar, më ka ngjall kureshtje dhe më ka motivuar në vite ti admiroj figurat e shquara të kombit shqiptar. Ato bënë gjithçka për lirinë, çlirimin kombëtar dhe pavarësinë e Shqipërisë. Dhanë gjakun e tyre për Të. Shitën shtëpitë dhe pasuritë e tyre për çështjen kombëtare dhe arritën veprën më madhore Pavarësinë e Shqipërisë. E pa më të voglin dyshim figura më e ndritur prej tyre qe ajo e Ismail Qemal Vlorës. Shumë është folur për Të, është vlerësuar dhe respektuar figura e tij, por asnjëherë nuk mund të themi se është bërë vlerësimi shterues për figurës e tij. Jeta dhe veprimtaria e admirueshme e Ismail Qemalit në shërbim të kombit të tij, pasqyrohet më së miri në mënyrë kronologjike në librin e tij “Kujtime”. Ky libër ka vlera unike, krahas ngjarjeve të tjera, për jetën dhe veprimtarinë e kreut të parë të shtetit shqiptar. Libri “Kujtime” është shkruar në vitin 1920 nga publiçisti amerikan William Morton Fullerton i cili kishte studiuar në Universitetin e Harvardit dhe i kushtoj një kohë të gjatë përgatitjes së librit, bisedave, intervistave me Ismail Qemalin dhe dokumentave autentik të jetës dhe veprimtarisë së tij. Libri u përkthye në italisht nga mbesa e Ismail Qemalit, Nermin Vlora Falaski dhe më pas në shqip nga Vjollca Tafaj. I citova emrat dhe burimin e mësipërme për vetë faktin se ato do jenë “lënda” dhe “brumi” i shkrimit tim të mëposhtëm… Për këtë figurë madhore është shkruar shumë. Do ketë edhe shumë shkrime të tjera. Sa më shumë të shkruhet aq më tepër do të plotësohet figura e Ismail Qemalit. Unë duke shkruar diçka nga jeta dhe vepra  e Ismail Qemalit e ndiej veten më të qetë, jam në paqe me ndërgjegjen time, më duket vetja si më i çliruar, më mirnjohës, më shërbëtor ndaj veprës dhe figurës së tij…  Megjithëse një jetë në arsim ku kemi folur dhe rifolur për këtë figurë madhore përsëri e ndiej si detyrim moral, ndoshta të fundit në të shkruar, pjesë nga jeta dhe vepra e babait të kombit, lsmail Qemalit… Ky shkrim vjen edhe pas leximit dhe rileximit të librit “Kujtime”.

Ismail Qemali lindi në në Vlorë më 24.01.1844 në një familje fisnike dhe me shumë peshë për kohën. Babai i tij qe Mahmut Bej Vlora, ndërsa nëna e tij Hadie Hanëm. Të dy vinin  nga familje me pozita të larta ndaj mbanin këto tituj të lartë. Familja e tij për shkak të origjinës dhe posteve që mbanin ka luajtur një rol të madh në fatet e Shqipërisë. E natyrisht dhe Ismaili si pasardhës i tyre luajti një rol të madh unikal në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Qeveritarët, shteti turk, ndryshimet e herpasherëshme në qeverisje, fushatat ndëshkuese, dobësimi dhe rënja e Perandorisë ndikuan në fatet e Shqipërisë… Në vend shpërthenin kryengritje dhe forcat perandorake  hakmerreshin me fushata ndëshkuese dhe bënin vrasje dhe internime të shumta. Edhe familja Vlora dhe pinjollët e saj krahas pozitave që zotëronin në perandori, edhe ndëshkoheshin  nga regjimi osman. Në këtë periudhë shumë fisnikë shqiptar në perandori kishin pozita të rëndësishme në udhëheqje të saj. Padyshim disa prej ngjarjeve lanë mbresa të mëdha edhe tek lsmaili. Pas shkollimit në Selanik dhe formimit të tij, lsmail Qemali nis jetën politike dhe diplomatike në perandori. Ai gjatë një periudhe të gjatë kohore ka kryer këto funksione:

▪︎Fillon punë në MPJ në vitin 1860 si përkthyes dhe më pas

sekretar i përgjithshëm.

▪︎Kryen detyrën e ministrit në disa dikastere.

▪︎Pjesmarrës në disa misione politiko-diplomatike të         Perandifisë Osmane në Europë, në shërbim të guvernatorëve.

▪︎ Drejtor i Komisionit Europian të Danubit dhe funksione të tjera.

▪︎Guvernator në disa qendra të mëdha të Perandorisë Osmane.

▪︎ Këshilltar apo sekretar i kryeqeveritarëve në vilajete.

▪︎ Prefekt apo edhe kryeqeveritar në krahina të mëdha të Perandorisë Osmane.

▪︎ Kryetar i Dhomës së Deputetëve.

▪︎Deputet  i Beratit në vitin 1908, etj.

Siç dihet Ismail bej Vlora falë aftësive intelektuake dhe diplomatike mbajti shumë poste, kreu shumë detyra të rëndësishme, dhe ishte mjaft i besuar për disa drejtues të perandorisë dhe qe shumë aktiv në veprimtarinë e tij. Kjo qe njëra anë e medaljes. Ana tjetër idetë e tij moderne, liberale dhe përparimtare të mbështetura në inteligjencën e tij sollën dyshime, smirë, armiqësi, hakmarrje dhe dënime ndaj tij.

Pavarësisht gjithë veprimtarisë së tij në shërbim të perandorisë, vepra më madhore e Ismail Qemalit qe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Ai braktisi gradat, ofiqet dhe ju përkushtua çështjes kombëtare, lirisë dhe mëvetësisë së Shqipërisë.

Këtu merr udhë vepra më madhore e tij në histori, pavarësia. Kjo nuk qe e lehtë por tepër e vështirë dhe që sabotohej nga kancelaritë e fuqive të mëdha dhe fqinjët grabitqar. Ismail Qemali duke çuar deri në fund amanetin e rilindasve dhe patriotëve të mëdhej shqiptar e ndërmori nismën dhe ia doli me sukses. Ndërkohë që Perandoria Osmane po shkatërrohej plotësisht, Shqipëria ishte përball rrezikut të pushtimit nga fqinjët. Ato kanë qenë gjithnjë tëpangopur dhe mjaft grabitqar me Shqipërinë dhe shqiptarët. Ismail Qemali intensifikoj luftën diplomatike, ndërmori takime me shumë qeveritar miq evropianë ku mori mbështetjen e tyre. Po kështu organizojë shumë takime me mërgatën jashtë vendit ku siguroj përkrahjen e tyre dhe organizoj punën për shpalljen e pavarësisë. Duke studiuar rrethanat Ai me mjeshtëri diplomatike dhe mision prej atdhetari kaloi nga autonomia në pavarësi. Për këtë i duhej:

▪︎Një mbështetje politike ndërkombëtare.

▪︎Të garantonte jetën e shtetit të ri që sapo do të lindte.

▪︎Të arrinte bashkimin e të gjithë krerëve shqiptar të të gjithë trevave për arritjen e aktit final.

▪︎Të bindte një pjesë të popullsisë që ende mendonte se ruajtja e shtetit shqiptar mund të bëhej vetëm nga osmanët,  që të pranonin shkëputjen përfundimtare nga Porta e Lartë.

▪︎Mbështetja dhe nënshkrimi i aktit final nga 50 firmëtarët e Pavarësisë.

Këto objektiva dhe të tjera si këto Ai i arriti më së miri falë aftësive që kishte, mbështetjes nga ana e Austro-Hungarisë dhe Italisë dhe bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trevave në arritjen e aktit të madh, mëvetësisë së Shqipërisë.

Më 28 nëntor 1912 ai mblodhi në Vlorë  Kuvendin Kombëtar i cili shpall Pavarësinë e Shqipërisë. Kuvendi Kombëtar zgjedh Qeverinë e Përkohshme me kryeministër të saj, Ismail Qemalin. Qeveria e Tij nuk pati jetë të gjatë. Ajo u përball me vështirësi të mëdha si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Qeveria e Vlorës që në hapat e para u përball me:

▪︎Vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha për aneksimet e trevave shqiptare, shteteve fqinje.

▪︎Veprimtarinë agresive të fqinjëve për coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë në veri dhe jug dhe marrjen e tyre nga Serbia dhe Greqia.

▪︎Kundërshtitë për zgjerimin e influencës së saj jashtë trekëndëshit të njohur, dhe përpjekjeve që Shqipëria të shtrihej deri atje ku ishin kufijtë e saj etnikë.

▪︎Gjendjen e vështirë ekonomike, mungesën e institucioneve, mungesën e financave.

▪︎Veprimtarinë e egër të luftës për pushtet dhe të individëve  të veçantë “dumbabistë”, kundër pavarësisë, etj.

Për rrjedhojë si rezultat i gjendjes së krijuar ajo dha dorëheqjen më 22 janar 1914.

Vetë Ismail Qemalin, patriotët e tjerë dhe popullin shqiptar do ta zhgënjenin:

▪︎Vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës për Shqipërinë.

▪︎Lënja jashtë e kufijve të Shqipërisë e më shumë se  gjysmës së territoreve dhe popullsisë së saj.

▪︎Favoret që iu bënë Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi, duke ju dhënë padrejtësisht territore shqiptare.

▪︎Vënja e Esat Pashë Toptanit në shërbim të Serbisë dhe veprimtaria e tij e ulët kundra Ismail Qemalit, etj.

Sa paradoksale tingëllon sot nënshkrimi Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, me kompetenca ekzekutive nga “esadistët e rinj” në Kosovë, prej dy ish kryeministrave të saj. Siç duket esadistë për fatin e keq lindin dhe prodhohen në çdo kohë…

E fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite nuk është zgjidhur siç duhet çështja shqiptare, pavarësisht disa arritjeve siç është  Pavarësisë e Kosovës. Padrejtësi kjo që u çua në vend mbas një shekulli robërie. Dhe përsëri Evropa po i bën favore Serbisë! Sa paradoksale! A thua se territoret shqiptare që pretendon Serbia e sotme, janë territore në Karpate? Jo! Jo!

Unë shpresoj shumë tek Amerika, në të kundërt padrejtësitë do të vazhdojnë!

Megjithëse i zhgënjyer shumë, pas dhënies së dorëheqjes  Ismail Qemali nuk u tërheq nga jeta politike dhe përsëri vazhdoj rrugën diplomatike jashtë Shqipërisë, në mbrojtje të çështjes kombëtare deri në fund të jetës së tij. Edhe ditën e fundit më 26 janar 1919 para se të vdiste krejt papritur në hotel “Brufani” në Peruxhua qe në punë. Dyshohej për helmim nga qarqe antishqiptare serbe, greke apo malazeze… Disi si i braktisur Ai para se të vdiste kishte organizuar koferencë shtypi me gazetarët… Kështu janë njerzit e mëdhej ata çdo gjë ja kushtojnë kombit të vet. I tillë qe dhe do të mbetet figura e Ismail Qemalit. Ai ishte modeli i një:

▪︎Intelektuali të shquar dhe që vështirë që për shumë gjenerata ti vijë kombit shqiptar.

▪︎Njeriu të urtë, të mençur, fjalëpak e punëshumë që respektonte njerëzit, përfshirë edhe kundërshtarët.

▪︎Kryeministri që shkriu gjithë energjinë intelektuale dhe shiti gjithë pasurinë e tij për çështjen kombëtare dhe funksionimin e shtetit shqiptar.

▪︎I një njeriu me kulturë të gjerë, që njihte shumë gjuhë të huaja, merrte mendimin e të tjerëve dhe që nuk bënte kompromis me çështjen kombëtare.

▪︎ Politikani dhe burri shteti që lartësoi veten dhe shqiptarët me veprën më madhore të tij, PAVARESINE.

▪︎I babait të kombit që bëri gjithçka në shërbim të kombit të tij.

▪︎Shtetari që i vlerësonte dhe respektonte shumë bashkëpunëtorët.

Shqiptarët në kohë e kanë vlerësuar dhe ngritur në lartësinë që meriton figurën e Tij.

Ismail Qemali dhe figura e tij është përjetësuar në libra, filma, buste, vendosje të emrit të tij në shumë institucione, në krijimtarinë popullore, në këngët kushtuar atij dhe bashkëpunëtorëve etj. Sa do të bëhet përsëri nuk është e mjaftueshme.

Më mirë veprën e tij e plotëson vargu:

…Unë jam Smail Qemali

Mbrapa më vjen historia…

Ibrahim Kabili

Tiranë më 26.01.2022

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok