08/10/2024

Dom Mikel Beltoja, kleriku i fundit i ekzekutuar me vdekje me vendim gjykate

0

Nga Kastriot Dervishi

Hilë Gjergj Gjoni, lindur në vitin 1935 në Beltojë të Shkodrës, i njohur ndryshe si Dom Mikel Beltoja është kleriku i fundit i ekzekutuar me vdekje me vendim gjykate. Regjimi e bëri shembull sepse ai ushtronte fenë edhe pse ajo ishte ndaluar. Madje sendet e tij, ia ekspozoi popullit. Është fiksuar kjo foto teksa fëmijëve dhe kooperativistëve iu tregoheshin orenditë që përdorte kleriku. U arrestua më 19.4.1973. U akuzua në bazë të neneve 64 (tradhtia ndaj atdheut) në kombinim me nenin 10 (përgatitja dhe tentativa), nenit 73/1 (agjitacioni dhe propaganda), nenit 239/2 (kundërshtimi përfaqësuesit të pushtetit) dhe nenit 185 (mashtrimi, d.m.th. feja konsiderohej “mashtrim”). Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendimin nr.229, datë 4.9.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim. U la në fuqi me vendimin nr.1775, datë 6.12.1973 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Nuk pranoi të nënshkruajë kërkesë për faljen e jetës. Presidiumi i Kuvendit Popullor në mbledhjen e datës 30.1.1974 refuzoi t’i falë jetën. Në mungesë të dokumenteve të tjera plotësuese, d.m.th. praktikës së ekzekutimin, e cila nuk është gjendur, besohet se vrasja të jetë bërë më 1.2.1974. Te rasti i Hile Gjonit, spikat qëndrimi i qartë antikomunist, i demonstruar në sallën e gjyqit dhe botërisht. Ai ishte i akuzuar, por akuzoi publikisht klikën e Enver Hoxhës dhe regjimin e tij antikombëtar. Në vendimin e Gjykatës së Lartë, ndër të tjera thuhet: “Ai është shprehur haptazi kundër sistemit kooperativist, në mbrojtje të armiqve të popullit, kriminelëve të luftës, etj., udhëheqësit e partisë dhe të shtetit i ka quajtur servilë dhe të shitur në vendet e tjera. Haptazi gjithashtu, ka deklaruar ndër persona të ndryshëm se në qoftë se do të ndryshojë gjendja politike e vendit ‘nuk kam çka të bëj tjetër, vetë se këto komunistët dhe me i pa jo të pushkatuar, por me i gri copa me brisk rroje’. Bile edhe gjatë hetimit si dhe gjykimit të çështjes, i gjykuari ka mbajtur të njëjtin qëndrim armiqësor, gjë që vërteton se ai është i vendosur në rrugën e tij prej armiku të betuar të pushtetit popullor”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok