21/12/2024

PATOLOGJIA E KRIMIT? NUK ËSHTË METAFORË, POR REALITET SOCIAL I BANALIZUAR….

0
Gezim-Tushi

Intervistë me Gëzim Tushin, sociolog dhe politolog, mban titujt “Mjeshtër i Madh”, “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” dhe “Personalitet i Shquar i Labërisë”

Intervistoi: Fran Gjoka

Sociologu Gëzim Tushi është një nga intelektualët e njohur në këto tre dekadat e jetës demokratike. Me kontribute të njohura dhe të afirmuara, me zë të plotë në fushën e sociologjisë, politologjisë dhe jetën shoqërore. Është një nga figurat me prezencë intelektuale dhe aktivitet publik të pandërprerë. Gjithnjë aktiv dhe i përfshirë në në mënyrë intensive në debatet e gjëra publike, diskutimet akademike e politike dhe sidomos në ofrimin e ideve për zgjidhjen e problemeve sociale që preokupojnë shoqërinë shqiptare dhe që shqetësojnë nevojën e orientimit të shëndetshëm të individit. Është autor i 20 librave ose afërsisht 10 mijë faqe krijimtari në politologji e sociologji. Ka shkruar qindra e qindra artikuj teorikë, politikë e socialë, pothuaj në të gjitha organet e shtypit periodik.

Gëzim Tushi është një nga personalitetet e jetës publike me kontribute në rubrika, emisione e debate radio-televizive. Ai botoi brenda vitit 2021 dy libra me vlerë me titull “Pandemia ose asgjë nuk do të jetë si më parë” si dhe librin tjetër “Pse vriten dhe vetëvriten shqiptarët?”.

Pyetje: -Pse po shtohen krimet në Shqipëri?

Mund të ketë shumë shkaqe me natyrë morale dhe materiale, por sipas mendimit tim ka një shtysë të thellë, një nxitje me natyrë ontologjike, që po bëhet pjesë paradoksale e kulturës tonë qytetare, nga që njerëzit që kanë vese private, që pasurohen në rrugë kriminale, kanë filluar të kapardisen në shoqëri. Për fat të keq shpeshherë ka një opinion të deformuar në cilësimin e tyre, sepse në shumë raste ka njerëz që me naivitet kriminal i konsiderojnë këtë lloj “specieje” si njerëz që shfaqen si tipa social të aftë, të shkathtë, të zotët. Kjo është arsyeja që vesi i krimit dhe natyra e kriminelit (jo vetëm në kuptimin e ngushtë nominal të vrasësit), nga që ka humbur kufiri ndarës midis njeriut të ndershëm që pasurohet me punë dhe atij që pasurohet me vjedhje, vrasje, krime, etj., ka bërë që në heshtje krimi të konsiderohet gati si “virtyt publik”. Në kuptimin që nuk është më aq shumë shqetësues për qytetarin, shoqërinë, moralin, ligjin, etj.

Kjo është arsyeja pse është lëshuar në ofensive krimi dhe kriminelët kanë dalë në “fushë të hapur” për të vjedhur, grabitur, madje dhe vrarë, nga që duket sikur po kalojmë gjatë një fazë delikate të adoptimit me kulturën e krimit dhe të bashkëjetesës pa shumë shqetësime sociale e personale me njeriun kriminel. Nuk mund të mos alarmohemi me faktin, që kjo situatë gradualisht synon ta fshijë kufirin e ndarjes së prerë midis “shoqërisë së mirë” dhe “shoqërisë kriminale”. Për pasojë, është rritur në përmasa të frikshme mungesa e reagimit të vërtetë, shpeshherë për dukje e butafori sociale. Kjo është tejet e rrezikshme, sepse ndikon që gradualisht shoqëria jonë po pajtohet me kulturën e mosndëshkimit adekuat ligjor e social të krimit, një mentalitet social që fillon nga “lart” dhe përhapet deri “poshtë”.

Pyetje: -A nuk ju duket se krimi po kapërcen “kufirin” midis normales dhe patologjikes?

Mbase niveli i sjelljeve asociale, qëndrimet ekcentrike anormale janë shtuar aq shumë në shoqërinë shqiptare kohët e fundit, sa që me sa duket, është e domosdoshme të diskutohet, bëhet debat publik për një çështje që më duket se tani është kruciale dhe me shumë rëndësi. Është fjala për të rivendosur kufirin human të dallimit midis sjelljes normale dhe veprimeve patologjike. Unë besoj se në kohën e tanishme perceptimi i drejtë i këtij “kufiri”, nuk është më thjeshtë problem i pastër mjekësor apo psikiatrik.

Në kohën e sotme, në shoqërinë shqiptare të kapluar nga krimi, veprimet ekcentrike dhe qëndrimet asociale të shumë njerëzve duket qartë që vendosja e “kufirit” që ndan sjelljen humane nga ajo asociale, normalen nga patologjikja, është problem social, moral, fetar me shumë rëndësi dhe që në mënyrë të drejtpërdrejtë ka rëndësi sociale për organizimin e sjelljes personale dhe ndërtimin e parametrave të funksionimit normal të raporteve dhe marrëdhënieve midis shoqërisë dhe individit.

Pyetje: -Cilat janë kostot sociale të krimit në shoqërinë tonë?

Ne duhet të mendojmë dhe veprojmë ndryshe, lidhur me situatën e krimit dhe veprimet e kriminelëve në shoqërinë tonë. Kjo do të thotë, që duhet të ripërcaktojmë qëndrimet sociale dhe qytetare, që janë kundër me dëshirat dhe veprimet e kriminelit për të vrarë, vjedhur banka, shtëpinë dhe pronën e qytetarit, për të ngjallur frikë dhe pasiguri, për të ulur kokën e shoqërisë përballë forcës së krimit.

Të gjitha planet, dëshirat, synimet, qëllimet, veprimet, mjetet, metodat e krimit dhe kriminelëve janë përtej “finisheve morale” të shoqërisë, në kundërshtim me interesat, sjelljen humane të qytetarit të ndershëm. Prandaj e vetmja rrugë, i vetmi qëndrim që duhet mbajtur, është përpjekja komplekse ligjore, morale, fetare, qytetare, në mënyrë që të bëjmë “alenacën e madhe” të shtetit me qytetarin, të ligjit me moralin, si kusht që krimi dhe kriminelët të bëhen “zap” nga shoqëria, shteti dhe instrumentet e institucioneve të disiplinës. Sepse “dëshirat” e njeriut kriminel nuk mund të lejohet që të jenë as jashtë moralit, ligjit, arsyes së shëndoshë, as mund të ekzistojnë, pavarësisht nga kufizimet morale dhe ligjore që vendosin institucionet e përbashkëta të shoqërisë tonë.

Ky është një problem tejet delikat. Sidomos kur në kohën e tanishme shpeshherë interpretohet, duke ngatërruar lirinë e vërtetë të qytetarit me kohën abuzive të lirisë individuale të kriminelit, dëshirave të tij anormale për të relativizuar në rrugë kriminale sjelljen e vet individuale. Kjo çështje duhet trajtuar mirë, duhet marrë dhe interpretuar seriozisht, saktë nga pikëpamja ligjore, morale, filozofike. Nuk është rastësi që me këtë çështje, në kohën tonë janë marrë dhe e kanë trajtuar me optikë moderne, filozofë të mëdhenj të kohës si Zhan Fransua Loytard dhe Mishel Fuko, etj.

Pyetje: -Si duhet vepruar në betejën me krimin në shoqërinë tonë?

Nuk mund të mposhtet krimi nëse nuk ndahet mirë sjellja normale nga ajo patologjike dhe, në të njëjtën kohë, nuk sinkronizohet qëndrimi dhe arsyeja qytetare me forcën e ligjit dhe veprimin e vendosur antikriminal të shtetit, të cilat jo vetëm nuk duhet të jenë të ndara, por të të bashkuara sa më fort, në mënyrë që të bëhen “një forcë” dhe veprojnë së bashku në mënyrë kompakte, për të mbajtur të mbrojtur nevojën e përbashkët të shoqërisë për “rregull social”.

Në situata të tilla, kur liria shoqërohet me kaos social dhe dëshirat e njeriut me nivele të larta të ekcentrizmit individual, sidomos kur ato bëhen të dukshme në shoqëri, kjo tregon në mënyrë sintetike e statistikore praninë e kushteve që ndihmojnë të shtohen njerëzit kriminelë patologjikë, tek të cilët në shumë raste arsyeja e tyre e difektuar personale nuk është instrument i mjaftueshëm për të ndarë sjelljen dhe dëshirat e arsyeshme nga veprimet patologjike, irracionale e kriminale. Kufiri i “relativizuar” subjektivisht keq, ka bërë që të ngatërrohet dëshira e natyrshme humane nga anormaliteti i dëshirave dhe sjelljes asociale, pse jo edhe kriminale.

Ndaj me të drejtë, duke analizuar rreptësisht situatën e krimit në Shqipëri, duke vlerësuar logjikën e çalë të arsyes individuale të kriminelëve, dëshirat e tepërta anormale dhe antiligjore, që janë me natyrë individuale, por që shoqërisht janë ekcentrike, kundër të mirës së përgjithshme, është koha kur duhet të veprojmë ndryshe. Kjo kërkon veprim dhe janë të gjitha gjasat që shoqërisht dhe individualisht të veprojmë. Sepse në këtë kohë të turbulencave, dëshirave personale, nevojave për të krijuar koncept të gjerë qytetar për të “mirën publike”, është i nevojshëm që në shoqërinë shqiptare të vendoset kufiri midis “dëshirave normale” të qytetarit dhe kërkesave patologjike të kriminelit.

Padyshim, brenda hapësirave të dëshirave dhe veprimeve të njeriut, nuk ka mjet tjetër për të ndarë të drejtën nga e padrejta, normalen nga patologjikja, përveçse nëpërmjet veprimit të vendosur të institucioneve sociale, morale, juridike, jetës publike. Ato kanë aftësi që përtej arsyes, dëshirave normale dhe qëndrimeve patologjike të njeriut, të vendosin “kufirin ndarës”, midis lirisë së arsyeshme individuale që duhet të jetë e pacënuar nga askush përveç arsyes së individit dhe veprimeve anormale, instiktive, patologjike, kriminale të njerëzve që me tipologjinë e dëshirave të tyre, dëmtojnë seriozisht të mirën publike të shoqërisë, sepse, sikurse duket, krimi në shoqërinë tonë është në zgjerim, nga që gradualisht ka hyrë në terrenin e frikshëm, nga mungesa e kufirit të qartë kur hyn në terrenin e palejuar të të paligjshmes dhe të papërligjshmes. Kjo duhet të na shqetësojë seriozisht. Është e vërtetë që jeta e lirë dhe moderniteti social nuk bëhen duke vendosur “gardhe ndalues”. Por ndërkaq, është po aq e vërtetë, që shoqëria shqiptare nuk mund të jetë arenë e paqes sociale, nëse lihen të lirë të livadhisin, të bëjnë ligjin social “luanët e krimit”. Egocentrizmit të njeriut ekcentrik, veçanërisht atij me prirje kriminale, i duhen vënë shtrëngesa ligjore, duke i treguar qartë “kufirin social”, si mjet dhe mënyrë për t’u mbrojtur prej veprimeve destruktive dhe kriminale të tij. Ndryshe krimi do të bëhet plagë e madhe sociale, që me siguri do zmadhohet në shoqëri, që në një farë mënyre mund të bëhet nxitës i destabilitetit social, kaosit, pasigurive që po e shqetësojnë seriozisht shoqërinë tonë. Ndaj duhet të veprojmë bashkërisht dhe institucionalisht. Por jo në mënyrë parciale, me struktura të paintegruara për ta sulmuar krimin, por me synimin e qartë dhe objektivin, që të rritet rezistenca masive antikrim e shoqërisë. Pa këto qëndrime strategjikisht të vendosura të shtetit dhe shoqërisë, krimi nuk tërhiqet. Ai do të jetë në sulm po qe se ndjen, e kupton me intuitën kriminale, se “mishi i shoqërisë” shqiptare, rezistenca sociale dhe forca e ligjit janë të dobta.

Pyetje: -A mund të demotivohet kundërkultura e krimit në shoqëri?

Sociologët dhe psikologët e kohës sonë janë të mendimit se krimi dhe shfaqjet antinjerëzore, tek disa njerëz nuk janë rastësore dhe të paparashikuara. Për arsye sociale, edukative, familjare e personale krimi është bërë natyrë e dytë, madje duhet konsideruar sikurse e klasifikon filozofi dhe politologu spanjol, J. Ramoneda si e “metë e kësaj lloj specieje” antihumane. Madhësia e plagës sociale të krimit në shoqërinë tonë, jo vetëm është një fakt në përmasa shqetësuese, duke e vlerësuar nga pikëpamja sasiore, por është tregues se krimi po cënon rëndë cilësinë e bashkëjetesës sociale në shoqëri, duke ulur përtokë atë që është kryesore “çmimin e jetës”.

Në këto kushte është bërë imperative, madje në shumë aspekte është urgjente ndërtimi i strategjisë, hartimi i planeve të veprimit sa më parë të jetë e mundur për t’iu kundërvënë krimit, synimeve diabolike afatshkurtëra e “strategjike” të tij për ta përgjumur dhe bërë indiferent shtetin, policinë, institucionet e edukimit, familjen, shkollën e shoqërinë. Të mos e marrim me shaka këtë situatë sociale, e cila akoma është në kushtet kur mund të kontrollojë, monitorojë e madje ta bëjë “zap” krimin. Akoma shoqëria e ndodhur përballë krimit nuk është në “sallën e urgjencës”, kur mund të ndodhemi dhe të mos dimë se çfarë duhet bërë më parë për të shpëtuar “shëndetin e shoqërisë” nga metastazat në zgjerim të krimit në familje, shkollë, jetën publike e shoqërinë në tërësi. Megjithatë, me mendje të kthjellët duhet të fillojmë të mendojmë, të diagnostikojmë me përgjegjësi shoqërinë dhe të identifikojmë se cilat janë shkaqet dhe rrethanat që favorizojnë “prodhimin e krimit”.

Nuk ka pse bëjmë naivin, nuk ka pse të kemi iluzione utopiste e romantike për natyrën e “njeriut kriminel”. Ai është asocial, kriminel, që kryen veprime të planifikuara apo rastësore, qoftë në gjaknxehtësi apo me “gjak të ftohtë”. Në këto kushte për të demotivuar krimin është e nevojshme të ndërgjegjësohemi për të këputur fijet sociale që bëhen me dashje apo pa dashje “aleatë të krimit” në shoqërinë tonë. Dy mendoj unë se janë “aleatët kryesorë” të krimit: e para, është zgjerimi i një lloj “indifference qytetare” që buron përgjithësisht nga sindroma e “sigurisë së budallait”, duke menduar se “krimi nuk ka të bëjë me mua dhe unë nuk kam pse merrem me të”. Një mentalitet fatal me pasoja retrograduese. E dyta, është një lloj zbutje e forcës goditëse të ligjit, veprimit policor dhe shtetëror për t’u përballuar pa kompromis, por me intransigjencë ligjore me krimin dhe kriminelët.

Janë disa gjëra që duhen vlerësuar më mirë dhe duhet vepruar më me shpejtësi. Javashllëku I reformës në drejtësi dhe pengesat e natyrshme dhe artificiale të procesit janë në favor të krimit. Ka një aksiomë të vërtetë që nuk do mend për vërtetim: krimi ngjallet kur shteti dhe ligji dobësohen. Personalisht mendoj se analizat, gjykimet dhe debatet që bëjnë politikanët, shtetarët dhe ata që shoqëria i ka vendosur në “bordin” e saj, duhet të jenë krejt ndryshe. Ata nuk janë analistë por njerëz që kanë përgjegjësi strategjike e operative. Dhe duhet ta mbajnë atë. Kjo është rruga nëse kemi ndërmend t’i futemi një procesi të gjerë të “dekriminalizimit” të familjes, shkollës, shoqërisë dhe jetës publike në tërësi. Politikanët tanë duhet të jenë të bindur sociologjikisht se jemi në momente kruciale, kur krimi në shoqërinë tonë nuk është vetëm dhe thjeshtë një “infeksion social” i përhapur në tërë qelizat e jetës sonë, por ajo që është më e keqja është se krimi po zgjerohet. Ai është në procesin e “banalizimit masiv”. Nuk është fare pesimiste të pranojmë tezat se jemi në kushtet kur krimi po shfaqet si e metë serioze e njeriut individualisht, apo që sipas parashikimit të Eric Fromm-it, breznitë po vijnë duke u përkeqësuar dhe që qytetarët kanë prirje për indiferencë dhe adoptim me krimin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok