18/05/2024

PASARDHËSIT E DINASTISË DUKAGJINI (PJESA IV)

0

Stema heraldike e familjes Dukagjini në fasadën e pallatit Pamfili në pronësi të Lecca Ducagini Guevara Suardo në kuartierin Piazza di Navona në Romë

NË SHËRBIM TË PERANDORISË OSMANE DHE NË ITALI

Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Leka III Dukagjini u martua me Teodorën, motra e vogël e Gjon Muzakës të Beratit. Nga kjo martesë nuk patën fëmijë. Pasardhësit e familjes Dukagjini in Itali dhe ato që u vunë në shërbim te Perandorisë Osmane, janë fëmijët e adaptuar nga Leka III, ishin fëmijë jetima pas vdekjes të prindërve në luftimet kundër pushtuesve turqë dhe pas masakrave të turqëve në banorët e principatës. [Karl Hopf, Croniques gréco-romanes. Inedite ou peu connues; avec notes et tables généalogiques. Berlin. Librairie de Weidmann, 1873,  pp. 270 – 353].

Dinastia Dukagjini ka luajtur rol me rëndësi në historinë e Arbërisë. Krahas kontributit në trojet arbërore, Duakgjinët janë shquar dhe në vende të tjera si në Turqi, në Raguza dhe sidomos në Mbretërinë e Napolit, ku emigruan disa nga pjestarët e kësaj familje fisnike.

Largimi i Dukagjinëve nga trojet arbërore kishte filluar në vitet e fundshekullit XIV. Duka Progoni II Dukagjini në vitin 1393 u martua me Vojsava Topia dhe nga kjo martesë lindën pesë djemë: Dhimitri, Gjoni, Bartolomeo, Pali dhe Nikolla. Në vitin 1394, duke ndjerë rrezikun e dyndjeve osmane, Progoni II ia dorëzoi Lezhën Venedikut, por ruajti të drejtat të merrte një të tretën e të ardhurave vjetore të prodhimeve bujqësore, artizanale dhe tregetare, ashtu si iu kërkoi mbrojtjen dhe strehimin e pjestarëve të familjes së tij në Venecia. Tre djemtë Palin, Nikollën dhe Gjonin, Progoni II i dërgoi në Venecia, ku vazhduan linjën e Dukagjinëve në këtë qytet. Palin e vranë në vitin 1402, kur po kthehej nga Venecia. Në vitin 1506, në regjistrat e banorëve të Venecias rezulton Duka Luk Dukagjini, por nuk specifikohet i biri i cilit ishte.

Nikolla I (1409 – 1454) dhe bashkëshortja Kirana Arianiti kishin dy djemë, Drago Dukagjini, të cilin e dërguan në Venecia, ku vdiq në vitin 1462 dhe Pali IV, i cili pas pushtimit të Arbërisë nga Perandoria Osmane, u konvertua në fenë islame dhe turqit e shpërblyen duke i akorduar titullin e Pashait në Rumani.

Nё dhjetor të vitit 1463, princi Leka III Dukagjini, dërgoi Fratin Eugenio Summa OFM, Nunci dhe Ministri Provincial i Françeskanëve në Arbëri, pёr t’iu prezantuar Dozhës të Venedikut kërkesёn e Lekës III dhe nënshkrimin e marrëveshjes pёr strehimin nё Venecia tё familjes tё Dukagjinёve, nё rast se rrezikohej jeta e tyre prej sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë turke. Kjo marrëveshje favorizoi disa nga pasardhësit e dinastisë Dukagjini të ikin dhe të strehohen në Venecia. [Alessandro Serra. Relazione del Castriota con il Papato nella lotta contro i Turchi (1444 – 1468). Archivio storico italiano, vol. 115, No. 1 (413) (1957), pp. 33 – 63, Pubblicato: Casa Editrice Leo S. Olschki s.r.l]

Gjatë vitit 1466, një degë e familjes Dukagjini u vendos në Kapodistria Veneciana, ku në vitet e më pasme rezultojnë me mbiemërin Docaini (Dokaini). Ky ndyshim i mbiemërit ishte dukuri e shpeshtë me arbërorët që shkonin në Venedik dhe në Mbretërinë e Napolit, ku administratorët dhe në kishat i regjistronin emërat dhe mbiemërat si i shqiptonin arbërorët dhe shpesh me gabime orthografike. Fisnikët Dokaini ishin integruar në jetën e re, madje bënin pjesë në shtresën sociale të patricëve dhe disa breza fisnikësh Dukagjini (Dokaini) ishin guvernatorë të Kapodistria deri në fillim të shekullit XVII, kur u shua linja mashkullore, ndërsa mbetën linja femërore, që mori mbiemërat e martesës me fisnikët e Kapodistria dhe të Venecias.  [Aldo Cherini, I greci a Capodistria, in “La Sveglia”, nr. 136, 1999, pp. 5 – 9]

Nё janar të vitit 1471, Progoni IV Dukagjini dhe i vëllai Gjergji IV Dukagjini sё bashku me 200 malёsorё u bashkuan me turqit dhe u kthyen nё fenё islame. Ky veprim e revoltoi Lekën III, i cili ngarkoi Fra Eugenio Summa, të shkoi dhe t’i bindi tё ktheheshin në familjen e tyre dhe në fenë katolike. Fra Eugenio e kreu me sukses këtë mision, të gjithë u kthyen në vendin e tyre. Misioni i Fra Eugenio u vlerësua nga Papa Pali II, i cili e përgëzoi me një letër të gjatë. [Ignatius Parrino, Acta Albaniae Vaticana Res Albaniae Saeculorum XIV et XV Atque Cruciatam Spectantia. Tomus I Acta Ex Libris Brevium Excerpta Colligens Citta Deu Vaticano Biblioteca Apostolica Vaticana 1971, dokumenti 541, faqe 138]

Një nga pinjollët e tjerë të Lekës III ishte Stefan Dukagjini, i martuar me Anxhela Spani, e bija e Aleks Pjetër Spanit. Pas pushtimit turk të Danjës, Stefani dhe Anxhela emigruan në Ankona. Nga martesa e tyre lindën pesë fëmijë, djemtë Leka IV, Pali IV, Nikolla III, Gjergji V , të cilët krijuan degën e Dukagjinëve në Ankona) dhe vajza Veza. Leka IV u martua me Pentiselea, e bija e Kostantin Arianitit (Markezi i Monteferrato). Për djemtë e tjerë nuk ka të dhëna, ndërsa vajza Veza e martua me Gjergj Kukën dhe mbetën në Arbëri. Pas pushtimit të trojeve arbërore nga Perandoria Osmane, dy djemtë e tyre u konvertuan në fenë islame dhe morën emëra turq Muhametbeg dhe Hajdarbeg.

Në shekullin XVI ndër pjestarët e dinastisë Dukagjini shquhet Jahja Bej Dukagjini (1488 – 1582). Emëri i tij ishte Gjon, por kur u islamizua mori emrin Jahja. Fillimisht shërbeu në rradhët e Jeniçerëve si oficer me gradën yayabash e më pas bylykbash. Mori pjesë në disa beteja dhe sidomos në pushtimin e Egjyptit. Krahas impenjimeve ushtarake, u shqua si shkrimtar dhe poet i Divanit të Sulltan Selimi I. Pasi shkruajti poemën “Shehasade Mustafa”, që ishte një elegji e famëshme e kohës, me të cilën atakoi sulltanin dhe Rustem Pashën, Jahja Beun e internuam. Vdiq në vitin 1582. Djemtë e tij Ahmet Pashë Dukagjini ishte Vezir i Madh, ndërsa Mehmet Pashë Dukagjini ishte guvernator i Eyalet në Egjypt, ku e vranë në vitin 1546. [Idris Gűven Kaya. Dukaginzade Taslicali Yahya Bej in Eserleridine Mevlana Celaledin. Turkish Studies, Vol. 4. 2019]

Për pasardhësit e dinastisë Dukagjini në Itali, ka pak pak dokumenta dhe ato që ekzistojnë janë të pjesëshme. Krahas vendosjes në Venecia, në Kapodistria, në Ankona, në Pulja, ka dokumenta që dëshmojnë praninë e tyre në Napoli dhe në Roma. Në fakt, pasardhësit e dinastisë Dukagjini janë shpërndarë në shumë qytete të Italisë, aktualisht shumica e tyre janë asimiluar, ose mbiemëri Dukagjini humbi me shuarjen e linjës mashkullore.

Një nga degët e Dukagjinëve në Itali është me origjinë nga Dhërmiu i Provincës së Himarës, por ka mbetur në heshtje dhe e pa studiuar. Në pemën gjeanologjike të Dukagjinëve të prezantuar nga Karl Hopf, rezulton se Progoni I, i biri i Gjini I Dukagjini, në vitin 1368 ishte vojvoda i Kaninës dhe i Himarës, i emëruar nga car Stefan Uroshi I. [Charl Hopf. Croniques gréco-romanes. Inedite ou peu connues; avec notes et tables généalogiques. Berlin. Librairie de Weidmann, 1873,  f. 270 – 353].

Progoni I, kishte dy djemë, Leka I Dukagjini, Pali I Dukagjini dhe vajza Irena. Mendohet se Leka I qëndroi deri në vitin 1398 në trevat e bregdetit dhe sipas gojëdhënave, familjet me mbiemërin Leka në këto troje, ishin pasardhës të Lekës I Dukagjini. Në traditën arbërore njihet fakti se fëmijët merrnin si mbiemër emërin e babait, andaj të mos çuditemi pse djemtë e Leka I morën mbiemërin Leka, si ata që qëndruan në Dhërmi dhe ata që u kthyen ne trojet e Principatës të Dukagjinëve. Ka pak të dhëna rreth pasardhësve të Dukagjinëve në Dhërmi, por nga të dhëna dokumentare të kohëve të më pasme rezultojnë të dhëna me interesa historike.

Në vitin 1581, në letrën e himarjotëve dërguar Papës Gregori XIII, ndër tre të deleguarit që i dorëzuan letrën ishte dhe përfaqësuesi i Dhërmiut Gjon Leka. Në shekullin XVII, shumë banorë të Provincës së Himarës, ndër ato dhe nga Dhërmiu, shkuan në rradhët e Regjimentit Iliro – Maqedon të mbretërisë së Napolit, ku 320 ishin ofcera dhe ndër ata kishte me mbiemërin Leka. [Alia. L. Dixit 2, Regjimenti Iliro -Maqedon në mbretërinë e Napolit. Tiranë 2022, faqe 212 – 230]

Më 7 – 16 korrik 1647, në Napoli shpërtheu revolta popullore, e njohur si komploti i Masaniello kundër presionit fiskal të qeverisë të zv-mbretit Don Rodrigo Pana de Leon. Populli i revoltuar hyri në pallatin mbretëror duke shkatërruar dhe plaçkitur. Zv-mbreti për t’i shpëtuar ndëshkimit nga turma e zemëruar u strehua në kuvendin e Shën Luigjit. Historiani A. Leh tregon: “Zv-mbretin do ta kishte masakruar turma e ndërsyer, po të mos ishte trimëria e kapitenit albanez Gjin Leka, i cili me shpatë në dorë dhe i vetëm në krye të shkallëve të kuvendit, e detyroi turmën të zbrapsej”. [Leh A. Cenno storico dei servizi militari prestati nel Regno delle due Sicilie dai greci, epiroti, albanesi e macedoni in epoche diverse. Corfu 1843. p 45 – 60]

Në vitin 1735, në rradhët e Regjimentit Mbretëror Iliro-Maqedon, ndërmjet komandantëve të njësive rezulton kapiten Leka, por për fat të keq nuk jipet emëri i tij dhe as i komandantëve të tjerë. Në betejën e Velletri më 1744, një komandant kompanie rezulton me mbiemërin Leka, por historiani A. Leh nuk jep emërin. [Leh A. Cenno storico dei servizi militari prestati nel Regno delle due Sicilie dai greci, epiroti, albanesi e macedoni in epoche diverse. Corfu 1843. Pp. 18 -22]

Në vitin 1794 në rradhët e regjimentit Iliro-Maqedon të mbretërisë së Napolit rezulton togeri Polimer Leka, i cili pasi përfundoi shërbimin ushtarak, qëndroi në Napoli, por nuk dihet kush ishin pasardhësit e tij. [Archiv Stato di Napoli. Min. Est. Filza 4253] [Harold Acton, I Borboni di Napoli (1734-1825).Firenze, Giunti, 1997]

Në fillimet e shekullit XIX në rradhët e oficerave të Regjimentit Iliro-Maqedon të Mbretërisë së Napolit shquhet Dhimitër Leka nga Dhërmiu. Dhimitër Leka ishte lindur më 24 prill 1779 në Dhërmi dhe vdiq në Napoli më 21 prill 1862. Dhimitër Leka iku në Napoli, ku bëri një karrierë të shkëlqyer ushtarake duke arritur gradën e gjeneral brigade në Regjimentin Real Iliro-Maqedon të Mbretit të Napolit Ferdinandi IV Borbon, ndërsa në vitin 1860 ishte inspektor i përgjithshëm i Fanterisë Linea, të mbretit të Napolit Karli III. Dhimtër Leka ishte betuar besnik i oborrit të Borbonëve, andaj dha dorëheqien kur Garibaldi hyri në Napoli. Poeti arbëresh Jeronim De Rada, veprën “Milosao” botuar në vitin 1836, ia përkushtoi Dhimitër Lekës, gjeneralit të shquar arbëror. [Francesco Altimari, I canti di Milosao di Girolamo De Rada, storia e la struttura della poema.

Lingua e letteratura d’oriente e d’occidente, Nr. 6 (2017), pp. 79 – 98]

Gjenerali arbëror Dhimitër Leka vdiq në vitin 1862 dhe e varrosën në Kishën ortodokse Shen Pjetri dhe Shen Pali të Napolit, kisha e ritit ortodoks e Regjimentit Mbretëror Iliro – Maqedon. Në një nga kapellat e kësaj kishe, gjendet varri monumental me sarkofagun, me bustin e gdhendur në basoreliev dhe lapiden me dedikim nga i biri i tij Akile Leka.

DHIMITËR LEKËS EPIROT, TENENT GJENERAL I USHTRISË NAPOLITANE, I URDHËRIT SHEN GJERGJI I PAJTIMIT, I SHEN SALVATORE I GREQISË, I SHEN ANA I RUSISË, I SHEN MIKELIT TË BAVARISË DHE KALORËS I KRYQIT TË MADH,

LINDUR NË DRIMADHES MË 28 PRILL 1779 VDEKUR NË NAPOLI MË 21 PRILL 1862.

DJALI (PINJOLLI) AKILE LEKA, I A DEDIKON NË KUJTIM ATIT KRESHNIK.

Në Arkivin Historik të Araldikës Italiane, Dhimitër Leka rezulton në listën e fisnikëve napolitan, së bashku më të birin Akile Lek Dukagjini, me nipin Xhiulio Lek Dukagjini dhe stërnipat Akile II Lek Dukagjini dhe Vittorio Lek Dukagjini. [Ricardo Magdaleno Redondo, Adela Gonzàlez Vega (cura di), Titulos privilegios de Nàpoles: onomastico. Archivio Generale de Simancaes, Valladolid, 1980. P. 287]

Dhimitër Leka kishte një djalë Akile Leka, i lindur në Napoli më 7 shkurt 1832, vdekur më 9 shkurt 1900 po në Napoli. Akile Leka ishte oficer me gradën kapiten i dytë, në repartet e ushtrisë të mbretërisë të Dy Siçilive dhe ashtu si i ati, Akili nuk pranoi të shërbejë në ushtrinë sabaude. Akili ishte i martuar me Marien, por nuk dihet origjina e familjes së saj. [Erasmo Ricca, La nobiltà del Regno delle Due Sicilie, Napoli, 1839]

Është interesant fakti se në dokumentat e arkivit të Napolit rezulton i shkruar Akile Leka dhe Akile Lek Dukagjini, madje dhe i biri i tij rezulton i regjistruar Kavalieri Giulio Maria Lecca Dukagini (i lindur në Napoli më 6 maj 1859 dhe i vdekur po në Napoli më 9 mars 1927).

Pasi i vdiq i ati, Xhiulio Maria Leka Dukagjini u adpatua nga Prospero Guevara Suardo, patric napoletan, duka i Bovino dhe Castell’Airola, kont i Savignano, i biri i dukës Giambattista Kavalier i Urdhërit mbretëror Shen Xhenaro. Pas adaptimit, Xhiulio Maria Lek Dukagjini shtoi mbiemërin Guevara Suardo. Në vitin 1899 u martua në Pozzuoli me dukeshën Maria Guevara Suardo, motra e Prospero, Dukesha e Bovino, e cila kishte mbetur e vè pas vdekjes të burrit Giuseppe di Sangro, patric napoletan, konti i Buccino. Me martesën me Maria Guevara Suardo, kavalieri Xhiulio Maria Lek Dukagjini, me dekretin e mbretit të Italisë, mori titullin Duka i Bovino [Con Regio Decreto del 2.VIII.1914], i regjistruar në Librin e Artë të Fisnikëve Italianë dhe në listën zyrtare të fisnikërisë Italiane ku rezulton i regjistruar Familia Leka Dukagjini Guevara Suardo. [Libro d’oro nobilità italiana, Edizione 2015 – 2019. Edite. Collegio Araldico Roma. Ducagini di Guevara Suardo. Duca. Vol. XX, Lecce Sicilia. pp,131] [Archivio di Stato di Napoli, Libro d’Oro Napoletano, Lecca Ducagini Guevara Suardo. La storia dietro gli scudi, vol. VI, Napoli 2007, pp.2].

Pas martesës Xhulio Maria Dukagjini dhe Maria Guevara Suardo shkuan me banim në Romë, në kuartierin

Piazza di Navona, ku kishin në pronësi pallatin Pamphili (Pamfili). Në fasadën ballore të pallatit, në segmentin

ndërmjet dy dritareve në katin e dytë, ndodhet stema heraldike e Dukagjinëve, me mburojën me në qendër kështjellën me tre kulla, mbi kullën qendrore është shqiponja e zezë dy krenëshe me kurorat, me krah të hapur anash. Pra, Xhiulio ruajti dhe përdori stemën heraldike të Leka III Dukagjinit në Arbëri.

Në regjistrin e heraldikës italiane, prezantohet stema e familjes të Xhulio Maria Dukagjini, me mburojën me sfond të argjendët, në qendër kështjella me tre kulla, mbi kullën qendrore me shqiponjën e zezë dykrenëshe me kurorat, me krah të hapur anash.

Vlen të theksohet se stema me shqiponjë dykrenëshe është tipike vetëm e fisnikëve arbëror që emigruan në Itali, si stema e Gjonit II Kastriotit, e Muzakëve, e Gjon Granai Kastriotit, e Kostanttin Arianitit dhe e fëmijëve të tij, e Engjëllorëve, si dhe e familjes Albani, madje Papa Klementi XI (Françesko Albani) kishte stemën me shqiponjën dykrenëshe me kurorat.

Maria bashkëshortja e Xhiulio Dukagjinit ishte ndër gratë e njohura të Mbretërisë së Italisë, si e shohim në gazetën “Tiro a segno”, numëri i 25 majit 1907, ku rezulton se Kontesha Maria Lek Dukagjini është anëtare e komiteti organizativ të sportit të qitjes në tabelë. Interesant është fakti se prezantohet Maria Lek Dukagjini, pa shtesat e mbiemërave të saj Guevara Suardo.

Nga martesa e Xhiulio Lek Dukagjini me Maria Guevara Suardo, në shtator 1900 lindi një djalë, që i dha emrin e të atit Achille II Lecca Ducagini Guevara Suardo, i cili trashëgoi dhe titullin Duka i Bovino. Akile II Lek Dukagjini rezulton regjistruar me titullin Duka në Librin e Artë të Fisnikëve Italianë dhe në listën zyrtare të fisnikërisë Italiane. [Archivio di Stato di Napoli, Libro d’Oro Napoletano, Lecca Ducagini Guevara Suardo. La storia dietro gli scudi, vol. VI, Napoli 2007, pp.2].

Vlen të theksohet se dinastia Guevara u shua me vdekjen e dy vëllezërve Don Karlo dhe Don Prospero, që nuk lanë trashëgimtarë. Pronat e dinastisë Guevara u trashëguan nga Duka Akile II Leka Dukagjini Guevara Suardo, i cili vdiq në vitin 1990. Akili II Dukagjini nuk kishte fëmijë, andaj adaptoi një djalë Vittorio Achille Lecca Ducagini, i cili kishte pesë fëmijë, që vazhduan dhe ruajtën mbiemërin e dinastisë Dukagjini. [Vincenzo Belli, Allegati Ricerche sui Guevara, New media & Historical Heritage, 2008]

Pasardhës të dinastisë Dukagjini rezultojnë dhe në gjysmën e parë të shekullit XX, ndër ata një nga djemtë e Vittorio Leka Dukagjini, quhej Xhiulio II Lek Dukagjini, pra kishte emërin e gjyshit. Në Gazetën Zyrtare të Mbretërisë së Italisë të vitit 1910, me dekret mbretëror rezulton se “Fondi Giardinetto në kadastrën e komunës Castellaccio dei Sauri (Kastellaçio), që ishte në pronësi të Akile Lek Dukagjinit, i kalohet në pronësi Xhiulio Lek Dukagjinit. [Gazzetta Ufficiale del Regno d’Italia. Foglio delle inserzioni Nr. 265. Roma 3. IX. 1910]

Edhe në vitet në vazhdim pasardhës të dinastisë Dukagjini përmenden në dokumenta zyrtare të Republikës Italiane. Në suplimentin nr. 2 të Gazzetta Ufficiale, nr. 15, i 20 janarit 1953, në shtesën 1, prezantohet urdhëri i Fanfanit, ministri i Bujqësisë dhe i Pyjeve i Republikës Italiane, i cili miraton listën e terreneve në pronësi të Xhiulio II Leka Dukagjini në komunën Bovino (Provinca e Foxhia), i biri Vittorio Akile Leka Dukagjinit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok