03/05/2024

Familja shqiptare një burim thelbësor në ruajtjen dhe e gjuhës shqipe në mërgim

0

Nexhmije Mehmetaj, në mësimin shqip në Delemont

Nga Nexhmije Mehmetaj

Familja shqiptare në mërgim është një nga burimet thelbësore ku mund të kultivohet me përkushtim gjuha shqipe, ndaj rëndësia e saj është e pa zëvendësueshme. Por familja nuk mund të bëjë atë qe bënë mësimi i organizuar në shkollë.

Gjatë gjithë këtyre viteve në mërgatën shqiptare në Zvicër, familja ka luajtur rol në mësimin apo mos mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e tyre.

Për kundër faktit se në shumë kantone të Zvicrës janë hapur Shkolla shqipe me mësim plotësues të gjuhës shqipe, vihet re se pjesëmarrja e fëmijëve shqiptarë është e ulët.

Mungesa e fëmijëve shqiptarë nga shkollat shqipe është një shqetësim, sepse në pak vite vihet re humbje e pjesshme e shqipes së folur. Pjesa dërrmuese e fëmijëve tanë nuk flasin shqip. Pa asnjë arsye shumë prindër flasin frëngjisht apo gjermanisht me fëmijët e tyre.

Roli i familjes emigrante në ruajtjen e gjuhës amtare është thelbësor dhe shpesh vendimtar. Familja është njësia e parë dhe më e rëndësishme sociale ku fëmijët mësojnë dhe zhvillojnë aftësitë e tyre të para të komunikimit. Si të tillë, familjet emigrante kanë disa përgjegjësi dhe mundësi të veçanta për të mbajtur gjallë gjuhën amtare:

-Komunikimi në shtëpi: Prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes duhet të inkurajojnë dhe praktikojnë përdorimin e gjuhës amtare në shtëpi. Kjo përfshin bisedat e përditshme, leximin e përrallave, tregimin e historive të familjes dhe bashkëbisedimi për ngjarjet e ditës.

-Shkolla e mësimit plotësues të gjuhës shqipe: Prindërit duhet të i dërgojnë fëmijët në shkollë ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, ku përvetësohen të katër shprehitë komunikuese gjuhësore: të dëgjuarit, të folurit, të lexuarit, të shkruarit. Padyshim suksesi është më i dukshëm kur fëmijët fillojnë të përdorin elemente të gjuhës së shkruar dhe të lexojnë e zgjerojnë thesarin e tyre leksikor, zhvillojnë aftësitë e të shprehurit dhe nxënë gradualisht gjuhën shqipe e cila bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, si në shkollë, ashtu edhe jashtë saj. Në mënyrë të theksuar forcohet edhe kompetenca e orientimit mes gjuhës standarde dhe dialektit. Gjithashtu mësimi shqip, frenon ndikimin e tepruar të huazimeve nga gjuhët e vendit pritës.

-Traditat dhe festat kulturore: Festat dhe traditat janë një mënyrë e shkëlqyer për të lidhur gjuhën me aspekte të tjera të kulturës. Përgatitja e ushqimeve tradicionale, kremtimet e festave dhe ritualet e veçanta janë momente kur gjuha dhe kultura ndërthuren, duke i dhënë fëmijëve kujtime dhe përvoja të pasura.

-Librat dhe multimedia: Prindërit duhet të sigurojnë libra, revista, filma dhe muzikë në gjuhën shqipe. Kjo i ekspozon fëmijët ndaj gjuhës në kontekste të ndryshme dhe i ndihmon ata të zhvillojnë aftësi të leximit dhe të dëgjimit.

-Teknologjia dhe mediat sociale: Përdorimi i teknologjisë dhe mediave sociale mund të jetë një mjet i fuqishëm për të ruajtur gjuhën. Komunikimi me familjen dhe miqtë përmes telefonatave, aplikacioneve të mesazheve dhe platformave sociale ndihmon në praktikën e gjuhës në një mënyrë të natyrshme dhe të përditshme.

-Vlerësimi dhe përkrahja: Është e rëndësishme që prindërit të vlerësojnë dhe të përkrahin përpjekjet e fëmijëve të tyre në mësimin dhe përdorimin e gjuhës. Përkrahja emocionale dhe motivimi mund të bëjnë një ndryshim të madh në suksesin e fëmijës.

Përfundimisht, familjet shqiptare janë burimi kryesor dhe mbështetësit më të mëdhenj në ruajtjen e gjuhës amtare. Ato krijojnë një bazë të fortë për trashëgiminë kulturore dhe gjuhësore që do të kultivojnë tek brezi i ri.

Nexhmije Mehmetaj

Zvicër, 08.11. 2023

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok