13/12/2024

Pa lëvizjen e 4 shkurtit, Edi Rama dhe Erion Veliaj do të çonin lule te shtatorja e Enver Hoxhës

0
Renja-Diktatorit

(Aty ku filloi lëvizja për rrëzimin e shtatores së diktatorit 31 vite më parë)

Nga Aleks Kapllaj

20 shkurti i vitit 1991, është dita e shembjes së shtatores së diktatorit dhe të gjitha simboleve komuniste dhe enveriste që ekzistonin akoma në Shqipërinë pluraliste.

31 vite më parë, me 4 shkurt, pikërisht tek godinat e Ekonomikut dhe Veterinarisë të Institutit Bujqësor të Tiranës, filloi lëvizja e shkurtit që do të çonte në shëmbjen e shtatores të Enver Hoxhës.

Regjimi i Nexhmije-Ramizit ishte ala i fortë dhe mbante pushtetin me terrorin e sigurimit të shtetit.

Në dhjetor të vitit 1990 monizmi, kishte pësuar një goditje të fortë, por jo përfundimtare për largimin e tyre nga skena politike, që deri atëherë e kishin përgjakur me jetën e shumë të pafajshmëve dhe kundërshtarëve politik në të gjitha nivelet.

Pluripartitizmi i pranuar nga Ramiz Alia, erdhi jo vetëm si pasojë e lëvizjes studentore, por edhe si proçes i vdekjes fiziologjike të sistemit monist komunist, që ishte dekompozuar nga brenda.

Nje pjese e studentëve me prejardhje nga familjet komuniste (Edi Rama, Blendi Gonxhe) e shihnin lëvizjen studentore, si nje rotacion të prindërve të tyre, por duke qëndruar besnik asaj ideologjie ose të paktën të historisë së saj.

Thirrjet e Ramës se “do t’i varim të gjithë komunistët”, ishte sa hipokrite edhe aq vëllavrasëse, që kishte vetëm si qëllim që të paraqitej si demokrat e antikomunist e të konsiderohej “student i dhjetorit”, duke ipotekuar rotacionin e etërve të tyre.

Asnjë student i lëvizjes së dhjetorit (përveç Ramës) nuk kishte qëllim varjen e komunistëve të thjeshtë, por kërkonin një gjyq politik kundër antarëve të byrosë politike të Partisë së Punës, që kishin kryer krime kundër shqiptarëve.

Por më vonë, kur u bë kryeministër, do t’a hiqte maskën duke deklaruar se “babai i tij ishte në krahun e historisë” edhe kur dënonte me varje poetin Havzi Nela, vetëm se  shkruante poezi lirike.

Pa harruar edhe efektin e jashtzakonshëm të ndryshimeve në Europën Lindore dhe të ekzekutimit brenda pak orëve të diktatorit të Rumanisë, Çausceskut, që i paralajmëroi të fundit e sistemit komunist në Shqipëri për fundin që i priste, në rast se do të përdorej dhuna ndaj çdo lëvizjeje demokratike.

Por fakti se e kaluara komuniste, antishqiptare e antikombëtare, të përfaqësuara me figurat e Ramiz Alisë, Adil Çarçanit, Nexhmije Hoxhës, Hekuran Isait e Xhelil Gjonit etj, vazhdonin të kishin rolin kryesor në politikën shqiptare edhe pluraliste, ishte shprehje paralele simbiotike e ekzistencës deri në shkurt të vitit 1991, e kultit të diktatorit dhe e ideatorit të regjimit diktatorial 50 vjeçar, që vazhdonte të elozhohej e të ruhej me fanatizëm nga pasardhësit e tij në Tiranë dhe nëpër rrethe.

Me qindra statuja e sllogane të formave, madhësive e ngjyrave të ndryshme ekzistonin nëpër Institucione, Universitet, shkolla ushtarake, rrugë, ndërmarrje e pothuajse në të gjitha katet e ministrive të qeverisë.

Shumica e këtyre institucioneve mbanin edhe peshën e emrit të diktatorit, ku kulmin e kultit e arrinte me shtatoren e diktatorit në qendër të Tiranës.

Burgjet famëkeqe të Burrelit, Spaçit dhe shumë të tjerë, vazhdonin të ishin plot me të burgosur politik të dënuar nga ligjet e mohimit të lirive më themeltare të njeriut si ajo e shprehjes, organizimit, fesë, opinionit apo të lëvizjes së lirë.

Gjithë kjo situatë e papranueshme vazhdonte të ekzistonte deri me 4 shkurt të vitit 1991, datë që shënon fillimin e protestave studentore kundër simboleve komuniste, e cila mori karakterin e një lëvizje demostruese mbarëkombëtare kundër qeverisë të asaj kohe.

Gjithçka filloi në godinën e studentëve të fakulteteve të Ekonomikut dhe Veterinarisë të Institutit Bujqësor të Tiranës, momente të cilat i kam përjetuar me shumë emocione. Atë mbrëmje, si çdo natë, që kur kishin filluar lëvizjet demokratike, ishim mbledhur të gjithë te salla e televizorit të godinës, për të ndjekur lajmet e TVSH-së, sidomos lajmet me aktivitetet e Partisë Demokratike.

Salla e televizorit në kohën e lajmeve ishte përherë e mbushur dhe të shumtën e herëve nuk kishte vende as në këmbë. Nëpër ambientet e konviktit, në dhomat e në sallën ku po ndiqnim lajmet, ishte shumë ftohtë. Pikërisht në momentin e përqëndrimit të interesit për lajmet që po shikonim, u ba terr.

Vladimir Malushi, student i ekonomikut arriti të digjte transfomatorin që furnizonte me energji të gjitha godinat e konviktit.

Ky ishte momenti i përshtatshëm. Kështu bashkë me studentët: Besnik Sula, Arben Gjeka, Fatmir Çela, Gjon Miraj, Shefqet Hysa, Afrim Jakupi, Ardian Shurdhaqi, Abdyl Matosha, Myslim Murrizi, Dritan Matraku, Ardjan Buçi, Pjerin Bujari etj, në errësirë filluam të thërrasim slogane kundër qeverisë, në fillim me karakter ekonomik e më vonë me karakter politik: poshtë Ramizi, poshtë Adil Çarçani, Enver-Hitler, e duam Shqipërinë si gjithë Europa.

Filluan të dalin të gjithë pa përjashtim, me një entuziazëm, që tregonte se kishin kohë që e pritshin atë moment. Shkuam menjëherë tek godina e studentëve të Fakultetit Ekonomik, të cilët u bashkuan menjëherë me ne dhe i dhanë një hov dhe gjallëri më të madhe vërshimit të turmës nëpër rrugët e qytetit të studentëve. Ishte e rëndësishme pjesmarrja sa më e madhe e studentëve.  Për këtë kaluam tek të gjitha godinat e djemve dhe vajzave të të gjitha degëve dhe u bëmë thirrje që të bashkoheshin me të gjithë studentët. Pjesmarrja ishte pothuajse totale. Brenda një gjysëm ore dolën të gjithë nga godinat dhe të gjithë thërrisnin slogane, në fillim me karakter ekonomik e më vonë kundër qeverisë e kundër komunizmit.

Edhe pse ishte shpallur pluralizmi, strukturat e shërbimit sekret vazhdonin të vepronin më me gjallëri e intensitet. Kërkonin të evitonin çdo organizim që ishte jasht kontrollit të tyre.

Sigurimi i Shtetit, ato kohë, ishte shumë aktiv për tu futur në strukturat e ardhshme të politikës dhe të ekonomisë, duke ndjekur shembullin e simotrës së madhe të KGB-së, ku ish oficerët e saj i shndërroi në menaxher të ndërmarrjeve nën kontrollin dhe influencën e shtetit ( sipas gazetës Herald Tribune të dhjetorit 2007). Në fillim policia nuk bëri rezistencë të madhe, përveç insistimit për të bindur studentët për të mos prishur rendin dhe qetësinë në qytet. Më vonë erdhën nga Tirana edhe forca të tjera të policisë dhe të repartit ushtarak, si dhe një furgon i bardhë, që kishte xhamat e errët na ndiqte në çdo hap në të gjitha lëvizjet tona.

14 vjet më vonë në një bisedë me një punonjës të SHISH të Tiranës, do të konfirmonte dyshimin tonë, se sigurimi i shtetit komunist i kishte regjistruar të gjitha protestat e studentëve të Institutit Bujqësor e të gjitha këto filmime vazhdojnë të ekzistojnë në arkivat e Shërbimit Informativ.

Rreth orës 22.00 protestat u spostuan nga dalja e Institutit, me qëllim ikjen në Tiranë për tu bashkuar edhe me studentat e Qytetit Studenti të Tiranës. Aty hasëm në rezistencën e policisë, e cila ishte gati të ushtronte edhe dhunën për të na ndaluar. Me gjithë insistimin tonë për të vazhduar protestat nëpër rrugë të Tiranës, policia e armatosur dhe me kërcënime fizike, me shkopinj gomet arriti ta ndalonte për atë natë. Por ne u ndamë me qëllimin që të nesërmen do të mblidheshim përsëri tek amfiteatri i Institutit.

Të nesërmen protestat spontane të një nate më parë morën formën e një lëvizje të organizuar, që do të merrte karakter politik, kundër ideologjisë staliniste, kultit dhe simboleve të pavlera, falë maturisë politike që tregoi Osman Stafa, ideatori dhe organizatori i lëvizjes studentore të shkurtit.

Lëvizjen e 4 shkurtit e mbështeti menjëherë sindakata e minierës së Valiasit, të cilët merrnin pjesë edhe në protestat e amfiteatrit. Ata i dhanë lëvizjes, karakter kombëtar.

Më vonë lëvizja u përshendet dhe u mbështet edhe nga Azem Hajdari dhe Arben Imami, si dhe përfaqësues të sindakatave, në veçanti ajo e minatorëve të Valiasit që ishin përherë të pranishëm.

Skënder Gjinushi (si kryetar i bandave të 97 që i vunë zjarrin Shqipërisë u shpërblye nga Rama si kryetar i akademisë ku mblidhen shërbëtorët e regjimit kriminal të Hoxhës), atëherë ministër i arsimit, erdhi bashkë me Lisien Bashkurtin, për të shuar protestën, por studentët i larguan, duke i gjuajtur me monella, si shërbëtor të Adil Çarçanit dhe Ramiz Alisë. Lisien Bashkurti, një ditë më vonë dorëzoi teseren e Partisë se Punës, në shenjë mohimi dhe përbuzje, të asaj që kishte mbetur prej saj.

Mbas disa ditë protestash, Ministria e Arsimit e mbylli Universitetin kështu, studentët e Qytetit Studenti, mbas dështimit të bisedimeve me Rektoratin dhe përfaqësuesit e qeverisë , vendosën që të futen në grevën e urisë, e cila shkaktoi edhe revoltën e qytetarëve të Tiranës, të cilët me kurajo mbështeten kauzën e studentëve dhe hodhën poshtë statujën e Enverit, duke goditur simbolet e ideologjisë.

20 shkurti i vitit 1991 i dogji ( ose ashtu mendonim) të gjitha planet e ish komunistëve dhe veglës të saj, Sigurimit të Shtetit, të cilët kërkonin të mbanin përsëri pushtetin politik dhe atë ekonomik (dukuri që u vu re me dhënien e 300 kredive të para, me interes gati zero, njerezve të regjimit ose që kishin lidhje të padukshme me të). Pa atë ditë, 31 marsi i 1991 dhe 22 marsi i 1992, nuk do të kishin patur atë rezultat të fitores të forcave demokratike dhe ekonominë e tregut të lirë, do ta kishin në dorë vetëm njerëzit anonim që qëndronin në hije, në pritje të urdhërave të eprorëve, duke alternuar pushtetin e politikës me atë të ekonomisë, që vendos edhe fatin e të parës.

Por më ardhjen e Ramës në pushtet në 2013, rikthimi i kriminelëve të regjimit dhe bijve të tyre u bë në të gjitha strukturat, sidomos në drejtësinë e kapur nga mafia e rilindjes që bashkpunon me narkotrafikantët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok