30/12/2024

ODISEJADA E LUFTËTARIT MARK SOKOL PNISHI

0
Mark-Vitore-Pnishi

Në foto: Marku me bashkeshorten, Vitoren

Nga Pal Ndrecaj

Ishte viti 1999 dhe vala e luftës po përfshinte krahinat e fshatrat e Kosovës. Një fshat i vogël malor, me emrin Nec, i bashkohet aradhave të rezistencës së madhe, që shtrihej prej maleve të Junikut, Batushës, Ponoshecit e deri në Smolicë. Në mesin e vullnetarëve të këtyre njësiteve u radhit edhe Mark Sokol Pnishi, 50 vjecar dhe djali i tij, Kened Pnishi, 17 vjecar. Të gjithë të gatshëm me u përballë me një armik të pabarabartë në të gjitha aspektet. Në aspektin ushtarak, armiku printe me armatimin modern e me njësitet e organizuara në mënyrë profesionale. Në aspektin moral printe me shpirtin mesjetar, të  pajisur e të mobilizuar me të gjitha bekimet politike, kulturore e religjioze për të zhbërë deri në gjene qenien shqiptare, me anë të vrasjeve masive, pa dallim, deri te foshnjet. Granatat hidheshin nga distanca prej dhjetëra kilometrave, duke pasur për  objektiv shtëpitë e civilëve e vendet ku ishte grumbulluar popullata e shpërngulur.

Për një kohë të gjatë, malet e Smolicës e të Necit nuk arriten të shkelën nga këmba e armikut. Vullnetarët e organizuar në mënyra guerile po e mbanin atë larg.

PLAGOSJA E MARK PNISHIT

Mirëpo, për të marrë këtë pikë strategjike, më 2 gusht 1998, armiku mobilizon forca shtesë. Mëngjesi i hershëm i kësaj dite gdhiu me granatime të papara nga toka e ajri. Njësitet e UCK-së duhej të tërhiqeshin në mënyrë taktike, duke bërë zbrapsje graduale: vija e pare, vija e dytë e vija e tretë, deri në vendin e planifikuar të rigrupimit. Aty, nëpër breshërinë e plumbave e granatave mbildhen, pothuajse, të gjithë luftëtarët. Mirëpo mungon djali i Markut, Kenedi. Njoftimet për të vijnë të zymta. Një lajm thotë se ai ka mbetur në llogoret e vijës së parë, pasi që ishte më afër armikut. Marku,  pa një pa dy, niset përsëri në drejtim të asaj vije. Tashmë, njësitet tankiste e autoblindat e armikut kishin kapërcyer vijën e parë dhe kishin hyrë në fshat. Depërtimi i Markut tek llogoret, ku thuhej se kishte mbetur i biri, nuk mund të bëhej pa u hetuar nga armiku. Mirëpo, gatishmëria e prindit për ta parë edhe njëherë djalin e tij, të gjallë a të vdekur, shpërfill cdo rrethanë dhe Marku, duke lëvizur ngadalë e me kujdes prapa një muri, arrin të del në rrugën që shpinte drejt vendit ku ndodhej i biri. Por, vetëm deri këtu! Pjesa tjetër ishte blinduar dhe nuk kalohej as nga zog mali. Atëherë, kur arrin në pikën e mbramë të shpresës dhe kupton se nuk shkohet përtej, vjen ndjenja e hakmarrjes për ta shpaguar të birin. Hap derën e vogël të murit.  Tre ushtarë të armikut, që po lëviznin prapa autoblindit, bëhen vlera e cmimit që atë ditë Marku e nxori për të birin. Mirëpo, autoblindi “Praga”, i njohur për mënyrën e shpejtë të reagimit, hedh granata në drejtimin nga i kishte ardhur gjuajtja dhe copat e tyre plagosin rëndë Markun në disa pjesë të trupit. Tërhiqet zvarrë deri në përrockën e fshatit, ku mundohet t`ia lidhë plagët vetes. Më pas, takon një luftëtar tjetër, shok të Kenedit, i cili i ndihmon me u tërheqë përsëri tek bashkëluftëtarët tjerë, në mal.

Menjëherë dërgohet në spitalin në shtëpinë e Shpend Nurajt, në fshatin Rracaj, ku merr ndimen e parë nga mjeku i UCK-së, Bedri Beqaj. Pas marrjes së ndihmës së parë, i vendosur në qerre kali e i përcjellur nga, Zeqë Tahiraj,  babai i tij, Isufi e Demë Bunjaku , përmes rrugës së fshatit Skivjan,  dërgohet në spitalin e ushtarak të Irzniqit për trajtim të mëtejshëm. Pastaj, prej këtu, kalon në fshatin Vranoc, dhe strehohet në Shtëpinë e Brahim Ibrës.

LAJMI PËR “VDEKJEN” E MARKUT

Në shtëpinë e Brahim Ibrës ishin strehuar shumë luftëtarë të plagosur.  Cdo mbrëmje, tregonte Marku, dëgjonim lajmet për lëvizjen e trupave tona e të armimkut, për gjendjen e civilëve dhe për të vrarët e të plagosurit. Një mbrëmje, Radio Evropa e lirë, duke bërë fjalë për depërtimin e trupave serbe në Rekë të Keqe, njofton se në atë betejë të ashpër ka mbetur i vrarë luftëtari Mark Pnishi. Në dhomën e Brahim Ibrës, ku ishin mbledhur të plagosurit, bie heshtje vdekjeje. Ishte dita e dytë pas ofensivës dhe të strehuarit nuk njiheshin ende mes vete me emra. Si zakonisht, pak para shprehjes se ngushëllimeve vijnë pyetjet: a e ke pase njohur të vrarin? Pyetje, te cilave iu pergjigjet ne menyrë pohuese. Pas dy-tri ngushëllimeve, Marku, nuk pret më dhe ua zbulon te pranishëmve se është fjala për të, se ai është personi për të cilin ishte dhënë lajmi i kobshëm. Në dhomën ku ishin tubuar të strehuarit, ishin tretur retë e vdekjes dhe ishte kthyer prapë qetësia. Mirëpo, ato re u lëshuan menjëherë mbi një dhomë tjetër të një shtëpie në fshatin Moglicë, ku ndodhej famija e Markut: Gruaja, Vitorja; vajzat Ardiana e Mirjana dhe djali Zefi.

Lajmin e dëgjuam unë dhe Vitorja, motra ime. Pritjet e mia se ajo do të pësonte ndonjë goditje dolën të pasakta, sikur ta dinte se Radio Evropa e Lirë e kishte gabim. Motra u mbajt e fortë. Ishte natë dhe në një shtëpi tjetër, mbi shtëpinë time ishin strehuar dy vëllezërit e Markut, poashtu ushtarë të UCK-sw, Nika e Pali dhe djali Kenedi, i pandehur si i vrarë. Shkuam nëpër terr tek ata, mirëpo lajmi kishte mbërritur para nesh. Atë natë e kaluam si në gjysmëjetë. Të nesërmen në mëngjes, duke kaluar rrugëve më të fshehta të qytetit, shkova në zyrën e vogël të Këshilllit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Gjakovë. Aty ishin aktivisti Mark Malota, tash Hero i Kosovës dhe gazetarja Valentina Gjuraj, të cilët më siguruan se Marku është gjallë, por i plagosur.

Plagët Marku i përballoi burrërisht deri në fund. Pa u ligështuar kurrë dhe duke u ndier gjithmonë krenar për to. Kurrë nuk është ankuar për pensionin e vogël invalidor, por kurrë nuk i ka kaluar në heshtje dobësitë që qeveritë kanë bërë në përparimin e ngadalshëm të vendit. Idealin e tij për lirinë e vendit kurrë nuk e ka kalkuluar materialisht, por kurrë nuk ua ka falur qeveritarëve korrupsionin e dhënien pas interesave personale. Atdheun e ka dashur të fortë, të begatshëm e të drejtë për të gjithë, e  jo vetëm për ata që janë të zotë për të zhvatur. Ai e kishte kuptimin  tij të lirisë dhe nuk e ndërronte. Ai kuptim ishte drejtësia, e cila matet vetëm me një masë, me masën e përkushtimit serioz e vetmohues për të ardhmen e Kosovës.

Marku jetoi deri të hënën, më 15 janar 2024, kur dha shpirt, duke marrë me vete, vetëm pak minuta pas, edhe bashkëshorten e tij, motrën time Vitoren (emri zyrtar Gjyste) e duke lënë prapa vepra dashurie, kujdesi e humanizmi në secilin hap të jetës së tyre

Pushoni të qetë, motra ime e dhëndrri im!

Ju kemi në zemrat tona gjithmonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok