25/04/2024

NUREDIN XHEMAIL ELEZI (1901- 1944)

0

DËSHMORË PËR SHQIPËRI ETNIKE

NGA BAJRAM ҪELIKU – BALI

Nuredin Xhemail Elezi, u lindë në fshatin Kastriot (Sërbicë) të Kërçovës, në një familje bujare e trime. Familje e nderuar dhe e respektuar, jo vetëm në fshatin e tyre, por edhe në mbarë Kërçovën. Duke qenë të nderuar dhe respektuar, fshati i ngarkonte me detyra në interes të fshatit, e sidomos si Plak Katundi, detyrë që ato e kryenin me shumë sukses dhe përgjegjësi. Vlen të ceket se nga gjiri i kësaj familje dolën shumë intelektualë të zotët, si: në mjekësi, shkencë, juristë, arsim e profesione të tjera, por unë do të përqëndrohem te njëri nga ata i cili shkruajti histori në mbrojtje të trojeve tona Etnike. Bëhet fjalë për trimin sypatrembur nga Kastrioti (Sërbica), Nuredin Elezin, i lindur në vitin 1901, dhe i rënë dëshmorë në vjeshtën e vitit 1944, në luftën e pagëzuar ,,Ballë për Ballë,, për çlirimin e Kërçovës.

Tani të përqëndrohemi pak te familja e tijë. Nuredin Elezi ishte djali i vetëm i Xhemail Elezit. Trashëgimtarë të tijë ishin djemtë Jusufi dhe Xhema. Jusuf Elezi        (Ballazhi), për trashëgimtarë kishte djemtë: Nuredinin, Samiun dhe Fadilin, si dhe vajzën Shaqiren të martuar për mjekun Osman Sejdinin nga Tuhini. Djali tjetër i dëshmorit Nuredin Elezi, Xhema për trashëgimtarë ka pasur Nasufin, mjekun Beqirin, historianin Sefadinin dhe gjykatësin Nexhatin. Dëshmori Nuredin Elezi ka pasur edhe dy motra, njëra nëna e arsimtarit Ramiz Xhambazi nga Cërvica, e tjetra nëna e këngëtarëve Dervish dhe Aziz Dervishi nga fshati Garanë.

E tani të kyçemi pak te veprimtaria atdhetare e dëshmorit sypatrembur nga Kastrioti, i rënë në luftë për mbrojtje të trojeve tona shqiptare, nëpër shumë luftëra nëpër fshatra e deri në ditën kur ra dëshmorë, në mbrojtje të Kërçovës tonë kreshnike. Kur flasim për Kërçovën, duhet të cekim se ajo shekuj me radhë u përballoi fortunave pushtuese, në kohë të sundimit romak, otoman e deri te luftërat me bullgarët, serbët gjatë mbretërisë SKS: (serbo – kroate – sllovene), e deri te rënja nën pushtetin e Jugoslavisë të Titos. Luftoi disa herë kundër romakëve që e sulmuan nga Lihnida        (Ohëri i sotëm), duke mos u mposhtur, për të vazhduar të jetë i sulmuar nga mbreti ilir maqedonas Perseu nga Stubera (Velesi), i cili deshi të bashkojë forcat me mbretin ilir Bardhylin nga Shkodra, e pengesë kishte Penestinë me fortesën të quajtur Uskana (Kërçova), e sotshme. Me shumë mund Perseu arriti të mposhtë fortesën e Uskanës, duke e djegur dhe shkretuar, prandaj në histori përmendet si Penestia e shkretuar.

Në kohë të Turqisë, shumë trima kërçovarë nga të gjitha fshatrat në krye me komandantin me kësulë të bardhë, Emin Çelikun nga Cërvica, duke kundërshtuar Reformat e Tanzimatit, të sjellura nga Sulltan Mexhiti, çliruan Kërçovën, e pastaj Hajredin Pashës i bënë edhe disa luftëra si në Sop në jug-lindje të Kërçovës, por edhe së bashku me Dervish Carën nga Tetova, çliruan Shkupin e luftuan Hajredin Pashën dhe Mefmet Pashë Llatasin në Katllanovë. Më vonë Kërçova ra edhe nën sundimin e mbretërisë SKS: (serbo – kroate – sllovene), në mbrojtje të Trojeve Etnike dolën trimat e Zajazit, Kalosh dhe Lazam Dani, Sadin Selmani, e nga rrethet Asan Balla e Arif Braçani, por edhe disa të tjerë.

Erdhi edhe koha e luftës së dytë botërore, e forca të mëdha sllsve në krye me serb, malazezë e “maqedonas” vendës, vrisnin burra të pafajshëm, gra e fëmijë, faj e pa faj, vetëm e vetëm se ishin shqiptarë. Duke vërejtur rrezikun shqiptarët e Kërçovës me rrethinë, u rreshtuan në radhët e Ballit Kombëtarë, në krye me dy Mefailat e Zajasit, në mes këtyre trimave edhe trimi sypatrembur nga Kastrioti Nuredin Elezi. Trim mbi trima, rrëfente gjyshi im Emin Çeliku, ishte Nuredin Elezi, trim të cilin rrallë e lind nëna. Trim, që kur luftonte me armë në dorë, kurrë nuk i trembej syri. Kisha rastin që nëpër shumë luftëra që zhvilluam së bashku, t’i shoh edhe me sytë e mi, duke luftuar si lua kundër shkaut të pabesë. Ia kisha lakmi trimërisë së tij në luftën e Izvorit për marrjen e Klenoecit, i cili mbrohej nga partizanët që ishin fortifikuar atje lartë, luftë të cilën ne nën komandën e dy Mefailave e fituam, duke mos lënë asnjë partizan të gjallë. Trimërinë e Nuredin Elezit me sy të mijë, e pashë edhe në mbrojtje të fshatrave shqiptarë, duke filluar nga mbrojtja e Garanës, e duke vazhduar për Shutovë, Kastriot e deri në Qafë e tutje për Gostivar. Gjatë këtyre luftimeve vërejta se, edhe gratë e Garanës e të Kastriotit, luftonin heroikisht kundër shkaut serbo- malazez, luftohej shtëpi për shtëpi. Më befasoi rrëfimi i një banori nga Kastrioti, ku një grua nga ky fshat e njohur si Bajramica e Llahure, kur sheh se në një ahur (Burg lopësh), partizani malazez kishte mbyllur një grua me dy fëmijë, por edhe një djalë tjetër të fisit me emrin Mafmut Zenku, i cili më vonë ka punuar te hekurudha. Thuhet se Mafmuti aso kohe ka qenë nëndë vjeqar. Partizani malazez ia ven zjarrin kasollës të mbuluar me kashtë thekri, zjarri përhapet me të madhe, por Mafmuti nuk dorzohet thyen parmakët e dritares dhe del jashtë, ndërsa nëna me dy fëmijët e saj digjet për së gjalli. Kur del jashtë Bajramica e Llahure e sheh shkaun malazez duke qeshur, kapet me te fyt për fyti duke ia rrëmbyer pushkën atij, dhe e vret shkaun me pushkën e tij. Trimëresha të tilla rrëfente gjyshi kishte edhe në Garanë, duke luftuar si dikurë Teuta, Sulltanë Qafa e Shotë Galica.

E tani, të këthehemi pak te trimi sypatrembur Nuredin Elezi nga Kastrioti           (Sërbica), në luftën e pagëzuar ,,Ballë për Ballë,, për çlirimin e Kërçovës. Ishte vjeshta e vitit 1944, rrëfente gjyshi. Partizanët kishin dhënë kushtrimin se Kërçova është shpallë qytet i çliruar nga partizanët. Kishin shfrytëzuar rastin kur dy Mefailat i kishin shkuar në ndihmë Xhemë Hasë Gostivarit për të marrë Dibrën. Forcat partizane ishin vendosur në majë të Kalasë së Kërçovës, duke shpallë Kërçovën qytet i çliruar partizan. Me të dëgjuar shqiptarët këte lajm, rrëmbejnë armët, kush me mitrolez, kush me pushkë e bomba dore, rrethojnë Kalanë nga të katër anët, por një mitroloz malazez i pozicionuar mirë në majë të Kalasë nuk u mundësonte të pushtojnë Kalanë. Për fat të mirë këtë problem e zgjidhi trimi i Zajazit Halim Mangupi, duke vrarë mitrolozxhiun malazez, e duke shpartalluar e përzënë ato nga maja e Kalasë, e duke ikur si lepuri kur e ndjek qeni, në drejtim të Krushinës e Knezhinës. Të paktë ishin ato që mbetën gjallë rrëfente gjyshi, e që iu ngjitën kodrës për Krushinë. Në rrëzë të Kalasë Nuredin Elezi bënte kërdi mbi partizanë, për deri sa lëshonin Kalanë partizanët e tmerruar. Një torbesh i frikësuar ishte strehuar te një shpellë që ndodhej në rrëzë të Kalasë, pa pritmas nga frika qëllon Nuredin Elezin pas shpine duke e goditur për vdekje. Kur pamë se ra komandanti sypatrembur nga Kastrioti, e torbeshi dridhej nga frika, e vramë si një derr të egër. Na ra keq për trimin, por vazhduam luftën, nëpër rrugët e qytetit, të pagëzuar si lufta ,,Ballë për Ballë,, sepse, luftohej prej më këmbë. Atë ditë na u vranë shumë shokë trima, si Medin Zenku, Shefki Jagodini, Habib Kaleshi, Begzat Vuli, Ramazan Mislim Dauti dhe shumë të tjerë. Në fund lufta mbaroi, luftën e fituam, por kur u mblodhëm nuk festonim por qëndronim kokë ulur e me lot në sy për shokët, që i humbëm atë ditë. Shokë, të cilët ranë dëshmorë për Kërçovën tonë të dashur, Kërçovën kreshnike.

Nuredin Elezin dhe Shefki Jagodinin i varrosëm njërin pranë tjetrit me nderime kombëtare dhe fetare, në vendlindjen e tyre në Kastriotin e dashur, me porosinë: Pushoni në paqë e parajsë, ju sot nuk keni vdekur por keni lindë, ju nderuat vatanin, e këtu keni edhe vatan edhe iman. Kurr, s’keni për të vdekur në zemrat tona, do të ju kujtojmë sa të jetë jeta, brez pas brezi! Sepse, ju e keni merituar këtë. Lavdi veprës suaj atdhetare, lavdi u çoftë për jetë!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok