30/12/2024

NORBERT JOKLI – I HAPI SHTIGJE TË REJA STUDIMIT TË GJUHËSISË SHQIPTARE

0
Norbert-Jokl

Nga Anton Nikë Berisha

“Sot për sot po e jap fjalën e shpresës, që nëse edhe një herë bota do ta fitojë lirinë, nga qenësia e popullit shqiptar, ku ruhen aq thesare të lashta e të bukura, në këngë dhe në përralla, në gojëdhëna e në besime popullore, shkenca do të nxjerrë po ashtu njohuri të çmueshme edhe mbi doke e zakone të popujve të tjerë indogjermanë[1]”.

MAXIMILIAN LAMBERTZ
(Die Volkspoesie der Albaner, 1917)

I.

Ndër autorët e huaj të hershëm që na ka lënë në formë të shkruar dëshmi për gjuhën shqipe është udhëtari gjerman nga Këllni, Arnold Ritter von Harff (Arnold von Harf, 1417-1505), i cili në rrugë për në Tokën e Shenjtë, në Palestinë, në vitin 1497 kaloi në bregdetin e Arbërisë, në Ulqin, Durrës e Sazan, dhe shënoi 26 fjalë të gjuhës shqipe, 8 shprehje e numrat 1 deri 10 dhe numrat 100 e 1000 të shoqëruar me përkthim në gjermanisht[2].

I dyti është italiani, Nilo Katalano (Nilo Catalano), pwr shumw vite misionar shpirtëror në Shqipëri, ku dhe vdiq më 1693. Ai na la në formë të shkruar dy dëshmi të rëndësishme të gjuhës sonë, tekstin e rapsodisë arbëreshe “Kënga e Pal Golemit”, e shënuar para vitit 1693, dhe fjalorthin në dorëshkrim italisht – shqip dhe shqip – italisht (Lessico italiano-albanese e albanese-italiano)[3].

Prifti italian, Francesco Mario Da Lecce, botoi më l716 Gramatikën e parë të gjuhës shqipe[4].

Nga autorët e huaj që shfaqi disa mendime të rëndësishme për gjuhën shqipe dhe për popullin që e flet këtë gjuhë, është Leibnitz-i (Lajbnici), i cili para më së 300 vjetësh theksonte afrinë e shqip­tarëve me grekët dhe italianët dhe me pak shembuj nxiti studimin kraha­simtar të gjuhëve të këtyre popujve. Ai e vështroi dhe historinë e popullit shqiptar brenda historive të popujve më të vjetër të Evropës Juglindore.

Disa nga arsyet e këtij interesimi për shqip­taret, për kulturën dhe për gjuhën e tyre, i theksoi studiuesi suedez Johann Erich Thunmann (Joan Erih Tunman) në veprën e tij të famshme “Kërkime mbi historinë e popujve të Evropës Lindore” (Untersuchungen über die Geschichte der östlichen europäischen Völker[5]) të botuar më 1774. Në fillim të kapi­tullit “Über die Geschichte und Sprache der Albaner und der VVlachen” (Mbi his­torinë dhe gjuhën e shqiptarëve dhe të vllahëve)[6], që kap faqet 169-366, Thun­manni shkruan: “Për ne evropianët e Perëndimit, asnjë popull i pjesës perëndi­more, ku ne banojmë, nuk është, sa i përket rëndësisë së origjinë, pjesës tjetër të historisë dhe gjuhës, aq i panjohur se sa shqiptarët dhe vllahët. Dhe, megjithatë këta janë popuj kryesorë; popuj kryesorë të lashtë e të rëndësishëm, të cilët çdo studiues i historisë do të duhej (dëshironte) t’i njihte: historia e tyre do të plotësonte një boshllëk në historinë e vjetër dhe të re evropiane[7]”.

Arsyet e këtilla dhe të ngjashme i përmendin dhe autorë të tjerë të huaj, që u morën me historinë, me gjuhën dhe në përgjithësi me kulturën shqiptare[8].

Në këtë rrjedhë duhet përmendur dhe veprat me vlerë “Mbi gjuhën e shqiptarëve” tw I. Ritter Von Xylanderit (Ksylanderit), botuar më 1835[9] dhe tw Franz Bopp-it “Über das Albanesische in seinen vervvandtschaftlichen Beziehungen” (“Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së saj”; u botua më 1855) dhe “Zahlëörter und Pronomina im Albanesischen” (“Numërorët dhe përemrat në gjuhën shqipe”).

Në studimet e veta Bobb u bëri një analizë historike, sado tërësore, strukturës gramatikore dhe disa elementeve të leksikut të gjuhës shqipe, ku zbuloi një varg përbërësish të përbashkëta të shqipes me gjuhët e tjera indoevropiane dhe vërtetoi në mënyrë të pamëdyshtë se ajo bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane.

Shumica e këtyre studiuesve u morën me gjuhën shqipe brenda kulturave dhe historive të popujve të lashtë të Siujdhe­sës Ballkanike, ku nëpërmjet saj (po dhe letërsisë shqipe), ndriçuan dhe qartësuan çështje të lashtësisë që i cilësonin këto kultura, gjuhët dhe letërsitë e tyre. Ndodhi kështu për arsye se gjuha shqipe u hapi shtigje të shumta për ndriçimin e sistemeve dhe kategorive të ndryshme të gjuhëve tw tjera, që ndërlidheshin me gjuhët indoevropiane, të cilat, në disa pikë ishin ruajtur mjaft mirë në gjuhën shqipe.

Brenda rrethit të autorëve të përmendur, dallohet sidomos Norbert Jokl[10], për të cilin gjuhëtari ynë i shquar, prof. Çabej, theksonte: “Vepra gjuhësore e Norbert Joklit, me gjithë se me zhdukjen tragjike të tij mbeti e pambaruar, paraqet diçka tërësore në vetvete; tematika e saj është shumë më e gjerë se ajo e paraardhësve të tij. Në fushë të fonetikës, për periodën parahistorike të shqipes, ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë, si edhe në reflekset e likuidave silabike[11] […]

Ky është përfaqësuesi gjer tani i fundit në radhën Miklosich-Gustav Meyer-Pedersen-Jokl, një radhë dijetarësh, të cilët janë marrë me gjuhën shqipe drejtpërdrejt dhe vazhdimisht. Jokli në këtë lëmë arriti një mjeshtëri të madhe, solli këtu një frymë të re në gjerësi dhe në metodë, dhe zgjeroi e thelloi qenësisht (esencialisht) njohjen gjuhësore të shqipes. Metoda e tij del në shesh që me titullin e së parës vepër më të madhe albanistike ‘Studien zur albanesichen Etymologie und VVortbildung’, (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes), me të cilën u habilitua më 1911 në universitet të Vjenës[12]”.

Duke e ndriçuar edhe më tej punën cilësore të Joklit në studimin e shqipes, Çabej thotë: “Qëllimi i kërkimeve të tij rreth historisë së fjalëve është më fort ky, që të mos mjaftohet vetëm me hetimin e burimit etimologjik të një fjale, po të japë një pamje sa më të plotë të fjalës, të formimit dhe të historisë së saj, ta ndjekë këtë fjalë në të gjitha fazat e zhvillimit të saj. Në pikëpamje stilistike kjo metodë shfaqet në këtë, që Jokli një paraqitjeje sistematike të thatë e parapëlqen traktatin monografik, prandaj vlerat vetiake të veprave të Joklit janë thellësia dhe pushtimi i objektit nga të gjitha anët[13]”.

Ky gjuhëtar i orës së parë, një pjesë të madhe të jetës e kaloi në kryeqytetin e Austrisë, në Vjenë, ku jetuan e vepruan disa nga bijtë më të shquar të popullithebre të qindvjetshit të kaluar, të cilët dhanë një ndihmesë të jashtëzakonshme në zhvillimin e arteve e të kulturës që zhvillohej në gjuhën gjermane, sidomos në Vjenë.

Njëri ndër shkrimtarët më të shquar, jo vetëm të kohës kur jetoi, Stefan Zvveig (Cvajg 1881 – 1942) në kujtimet e tij shkruan: “Pikërisht gjatë viteve të fundit, njësoj si në Spanjë para rrënimit po aq tragjik, hebrenjtë e Vjenës ishin bërë shumë prodhimtarë në fushën e artit, sigurisht që jo në një mënyrë të veçantë hebraike, por nëpërmjet një harmonizimi të mrekullueshëm me mjedisin e tyre, duke e shprehur me forcën me të madhe atë çka ishte austriake, atë çka ishte vjeneze.

Guldmarku, Gustav Maleri dhe Shënbergu fituan famë botërore në krijimtarinë muzikore; Oskar Shtrausi, Léo Fali dhe Kalmani bënë që të lulëzonte sërish tradita e valsit dhe e operetës; Hofmanstali, Artur Shnicleri, Ber-Hofmani dhe Peter Allenbergu e ngritën letërsinë vjeneze në rangun e letërsisë evropiane, çka s’ishte arritur dot as në kohën e Grilparcerit dhe të Shtifterit; Sonentali dhe Maks Rajnhardi rikthyen në mbarë botën lavdinë e qytetit të teatrit; Frojdi dhe personalitetet e mëdha të shkencës bënë që gjithë njerëzit t’i kthenin sytë nga Universiteti me famë të hershme – kudo, si dijetarë, si virtuozë, si piktorë, si regjisorë, si arkitektë e si gazetarë, ata zunë në mënyrë të padiskutueshme pozita të larta, madje edhe pozitat më lë larta në jetën shpirtërore të Vjenës.

Me dashurinë e zjarrtë për këtë qytet, me dëshirën për t’u asimiluar, ata iu përshtatën plotësisht atij mjedisi dhe ishin të lumtur që i shërbenin lavdisë së Austrisë; këtë e ndienin si një mision që donin ta kryenin para botës, dhe – duhet përsëritur për hir të së vërtetës – një pjesë e mirë, për të mos thënë pjesa më e madhe, e tërë asaj që Evropa, e tërë asaj që Amerika e admirojnë sot në muzikë, në letërsi, në teatër, në artet e aplikuara si shprehjen e një rilindjeje të kulturës vjeneze, është krijuar prej hebrenjve të Vjenës, të cilët, edhe duke hequr dorë nga tiparet e veta të veçanta, arritën një shkallë shumë të lartë të hovit të tyre mijëvjeçar në rrugën e zhvillimit shpirtëror.

Një energji intelektuale që s’e kishte gjetur udhën e vet për shekuj me radhë, po bashkohej këtu me një traditë paksa të topitur, po e ushqente, po e gjallëronte, po e lartësonte, po e freskonte me ndihmën e një hovi të ri dhe përmes një veprimtarie të palodhur e intensive; vetëm dekadat e ardhshme do të dëshmojnë se çfarë krimi u krye kundër Vjenës me orvatjet për të kombëtarizuar dhe për të provincializuar me dhunë një qytet, fryma e kultura e të cilit mbështeteshin pikërisht në gërshetimin e elementeve nga më heterogjenet, në karakterin e tij mbikombëtar.

Gjenia e Vjenës, gjeni me të vërtetë muzikore, ka qenë gjithmonë harmonizimi i tërë kontrasteve etnike e gjuhësore, dhe kultura e saj përbën një sintezë të të gjitha kulturave perëndimore; kushjetonte e punonte aty, e ndiente veten të lirë nga çdo kufizim e paragjykim. Askund nuk ishte më lehtë për të qenë evropian, dhe faktin që mësova qysh herët ta doja idenë e bashkësisë si idenë më fisnike të zemrës sime, në njëfarë mase duhet t’ia di për nder këtij qyteti, i cili qysh në kohën e Mark Aurelit pati mbrojtur frymën romake të universalizmit[14]”.

Pa asnjë dyshim se hebreu Norbert Jokli bën një nga emrat më të shquar në gjuhësi, sidomos në fushën e albanologjisë, të këtij qarku krijuesish të mëdhenj, që i pwrmend Cvajgu.

Këtë e dëshmojnë një varg punimesh të Joklit, në mënyrë të veçantë dy veprat: ‘Studien zur albanesichen Etymologie und VVortbildung’, (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes)[15] dhe “Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen” (Kërkime gjuhësore-kulturhistorike nga fusha e gjuhës shqipe, Berlin 1923)[16]. Kjo e fundit është kryevepra e tij.

Studimet e Joklit në albanistikë kanë peshë të shumëfishtë, qoftë ato në fushën e fonetikës historike, të përcaktimit të kronologjive e të ndryshimeve fonetike të mundshme, në studimet e morfologjisë historike, në historinë e fjalëve, në etimologji, qoftë përgjithësisht, në fushën e historisë së gjuhës. Dallohen sidomos studimet e tij për marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e lashtësisë dhe me gjuhët fqinje të më vonshme, që ruajnë vlerën e tyre edhe sot e gjithë ditën. Njëherit Jokli bënte “[…] kritikën e gjithanshme ndërtuese të ideve të brezave para tij dhe po ndihmonte kështu kalimin e studimeve albanistike në një fazë të re, me njëzonte të ri[17]”.

II.

Puna kryesore dhe e qenësishme e Joklit është, siç u tha, studimi i historisë së fjalëve dhe i etimologjisë së tyre. Përmes një pune kërkimore shkencore të mirëfilltë, ia doli t’i vështronte e t’i ndriçonte një varg fjalësh që ishin të burimit shqipe, e jo huazime, siç mendonin disa nga gjuhëtarët, midis tyre dhe Gustav Myjeri. Jokli i mbështeti hulumtimet e veta në parimet e lëvizjet së njohur gjuhësore “Fjalët dhe sendet” (VVörter und Sachen”, që e themeluan Hugo Schuchardt dhe Rudolf Meringer[18].

Përkundër faktit se një varg gjuhëtarësh kishin marrë në vështrim çështje të veçanta të shqipes, ndërlidhur dhe me gjuhët e tjera indoevropiane, kishin mbetur edhe shumë dukuri të pa studiuara e të pandriçuara në formën e duhur. Këtë gjë e theksonte dhe vetë Jokli: “Ësht’e vërtetë se ankimi i Pedersenit që shqipen nuk e njohim akoma në mënyrë të plotë (K. Z. 36, 308) vlen edhe për sot e gjithë ditën. Po megjithatë njohja e leksikut të kësaj gjuhe në kohët e fundit ka shkuar mjaft përpara.

Dy fjalorë të mbëdhenj, ai i Kristoforidhit (Athinë 1904) dhe ai që botoi më 1908 Shoqënia Bashkimi në Shkodër, kanë shumë fjalë që do t’i kërkonim më kot në glosarët e gjertanishëm. Në qoftë se nga këto dy vepra e dyta shquhet për një pasuri fjalësh më të madhe, fjalori i Kristoforidhit ka këtë dobi që fjalët na i paraqet në trajtën e tyre dialektore dhe shënon edhe proveniencën e tyre – dobi kjo, që për punën e etimologjisë ka vlerë shumë të madhe[19]”.

Shkaku kryesor i disa studimeve jo të mirëfillta, të pjesshme ose shkencërisht të paqëndrueshme, sipas Joklit, ka qenë para së gjithash mungesa e lëndës gjuhësor, përkatësisht mungesa e burimeve të natyrave të ndryshme, siç ka ndodhur, fjala vjen, me çështjen e huazimeve të shqipes. Ja çfarë shkruan ai: “Po edhe një lexim i saktë i teksteve të moçme na nxjerr në shesh një material që gjer më sot kish mbetur i pazbuluar. Kështu ne gjejmë që te Bogdani një buri fjalësh, të cilat gjenden dhe në fjalorët më të rinj që përmendëm më lart dhe janë interesante për punë të etimologjisë. Në kërkimet që po paraqesim më poshtë autori është munduar të çfrytëzojë të gjitha këto mjete e burime që thamë. Në këtë punë ai formoi bindjen gjithmonë e më shumë që G. Meyeri ka shkuar tepër larg në pranimin e huazimeve[20]”.

Në veprën “Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” Jokli e përcakton në qenësi dhe e bën mirëfilli të njohur mënyrën e hulumtimit të vet në fushën e gjuhës shqipe: “Le të shënojmë edhe që kërkimet që po rreshtohen në këto fletë trajtojnë kryesisht vetëm probleme thjesht etimologjike, dhe çështje të gramatikës rrihen aq sa hyjnë në punën e shpjegimit të fjalëve. Etimologji, të cilat mund të diskutohen vetëm në kuadrin e gjerë të një pjese të fonetikës, i kemi shmangur pothuajse krejt dhe rezervohemi t’i trajtojmë në një studim më të vonë. Përkundrazi, disa çështje të morfologjisë janë pothuaj gjithmonë të pandara nga çdo lloj kërkim etimologjik[21]”.

Jokli nuk e fsheh edhe cytjen dhe mbështetjen që pati nga disa gjuhëtar të shquar paraprakë ose bashkëkohës: “Dëshiroj që ky libër, fryt i marrjes sime për kohë të gjatë me gjuhën dhe me historinë e gjuhës shqipe, të tregojë në sa shumë cytje të miat gjuhësore dhe të historisë së çështjes më kanë ndihmuar punimet e gjithanshme të Liedén-it![22]

Ajo që e dallon punën e Joklin në stundimin e disa dukurive të shqipes e të veçantive të saj ishte vetë shqipja si gjuhë dhe sistem gramatikor e shprehës. Në Hyrje të veprës së tij kryesore “Kërkime gjuhësore-kulturhistorike nga fusha e gjuhës shqipe” ai thekson: “E pra, edhe për shqipen duhet të vlejë motoja që mundësitë e interpretimit duhet te kërkohen në rend të parë në vetë shqipen, pastaj të provohet në mos fjala e shqipes ose ndonjë veçori gjegjëse e saj ka nevojë për sqarime, duhet t’i shtohen një kategorie që, sipas shtrirjes dhe paraqitjes, i takon vetë shqipes[23]”.

Duke e sqaruar edhe më tej mënyrën e studimit të dukurive të gjuhës shqipe, në Hyrje Jokli thotë: “Metoda që është zbatuar në këtë punim është, siç dua të besoj unë, parakushti i domosdoshëm si për formësimin e ri e fjalorit etimologjik të shqipes ashtu edhe për ngritjen e një sistemi nominal të temave emërore të shqipes. Brugmann, në veprën e cituar hetonte me të drejtë se pikërisht tek sistemi i temave nominale shihet qartë se gramatika historike ngërthen në vete, nga vetë natyra e çështjes së shtruar, gjithë atë që duhet pasur parasysh me rastin e trajtimit leksikologjik të lëndës gjuhësore.

Në të vërtetë, në kuadër të zgjidhjes së kësaj detyre, merren në konsideratë jo vetëm respektimi i përpiktë i hollësive të historisë së fjalës, të fonetikës, që shumë shpesh rezulton pas krahasimit të të gjitha formave dialektore, porse edhe kuptimet që shpesh dalin në dritë të mirëfilltë përmes historisë së gjësendit, edhe paralelet formantike janë në gjendje të na mbrojnë nga gjykime të gabueshme në rrafshin e etimologjisë porse që, në kuadër të zgjidhjes së kësaj detyre do të inkuadrohen edhe paralelet formantike.

Etimologjia, e cila niset nga trajtimi i fjalës, është, kësisoji, një element i morfologjisë dhe morfologjia është parakusht i etimologjisë. Të dy fushat të zgjeruara e të mbështetura nga historia e gjësendit (Sachgeschichte), qëndrojnë pra në raport varësie të ndërsjellë. – Kjo është punë e një indoeuropeisti, e cila parashtrohet këtu[24]”.

Studimet e Joklit i cilëson një frymë shkencore e mirëfilltë, larg çdo anësimi të qëllimshëm e të punës për sy e faqe; Ai bën kërkime shumëplanëshe dhe të mbështetura nga një lëndë sa më e pasur dhe e shumëllojshme, thellohet në qenësinë e rrjedhës së fjalëve të veçanta tw shqipes, pa lënë anash format e ndrysmë të dialekteve si dhe rrethanat në të cilat fjalët pësuan ndryshime.

Ai bën dhe krahasime me gjuhët e popujve të Ballkanit e më gjerë: “Për më tepër, mbi të gjitha, synimi im ka qenë që gjurmimet e mia të mbështeten mbi studime krejtësisht të paanshme dhe esull e të qëndrueshme duke i pasur parasysh edhe gjuhët fqinje të shqipes dhe huazimet, si ato latine-romane ashtu edhe ato sllave e greke. Së fundi, nuk është lënë pasdore as momenti i “unionit ballkanik” që për gjuhësinë shqiptare duhet pasur gjithmonë parasysh. Në rrjedhë të këtyre gjurmimeve do të tregohet më shumë një herë se si pikërisht në shqipen disa sfera të ndikimit gjuhësor janë kryqëzuar dhe bashkëshkrirë[25]”!

Pikërisht hulumtimet shkencore të shumanshme, veçmas ato krahasimtare,

mbështetura në argumente të qëndrueshme, bënë të mundur që Jolki të sjellë përfundime që paraardhësit e tij nuk qenë në gjendje ta bëjnë. Kjo vërehet nga një varg fjalësh, që ky studiues i nxori si burimore shqipe: “Vetëm në mbështetje të ç’u tha më sipër vërtetohet që një pjesë jo e vogël e terminologjisë së të drejtës së familjes është me origjinë shqipe.

Përveç fjalës nuse, që u përmend më lart dhe fjalës me të njëjtin kuptim re, fjalës mbesë që sapo u përmend, edhe përcaktorët për vjehërr,-i dhe vjehërr,-a dhe dhëndër […] janë pranuar fjalë të fondit vetanak të shqipes. Fjalën kopíl’ si të fondit autokton që ka shtegtuar në gjuhë të tjera të Ballkanit e kishte pranuar dhe K. Oshtir (si më lart) […] dhe raporteve të afrisë që rrjedhin prej andej bashkë edhe me faktet gjuhësore tregojnë se martoj duhet parë etimologjikisht si pjesë e vetë shqipes[26]”.

III.

Në përmbyllje të këtij punimi po përmend një letër të atë Gjergj Fishtës dërguar Françesko Jakomonit, mëkëmbësit (Luogotenente) të Shipërisë në kohën e fashizmit për ta strehuar profesor Norbert Joklin, të cilin e ndiqnin nazistët për ta vrarë. Në të vërtetë, letra e Fishtës bashkohet me përpjekjet të ndryshme, diplomatike dhe individale, për të strehuar në Shqipëri guhëtarin e famshëm.

Në revistën “Cirka” të vitit 1939 (f. 56 – 57) thuhet: “Në këtë rasë nuk mundemi me ndejë pa e shfaqë edhe na dishirin e urimin, që kje tregue edhe prej ndonjë anës tjetër, qi Prof. Norbert Jokli, shkencëtari albanolog me famë botnore i Universitetit të Vjenës, të merret në shërbim prej shtetit shqyptar…Profesor Jokli, i cili sot ka mbetë pa plang, pa atdhe, duhet të gjejë çerdhen e vet në këtë Shqypni e cilla tij i detyron sa vepra vigane qi ia kanë zbulue randësín e bukurín e vet ditunís ndërkombëtare”.

Nga një bisedë e shkodranit, Kolec Çefa[27], me atë Justin Rrotën, mësohet se: “Kur më 1938 filluen përndjekjet naziste kundër çifutenve në Austri, françeskanët me Fishtën, Justinin në bashkëpunim me Kolë Rrotën[28] u përpoqën ta tërhiqnin Joklin në Shqipni. Ideja e Fishtës, në fillim, ishte ta mbante Joklin në Kuvendin Françeskan.U ba gati edhe dhoma, njashtu si u mbajt Luigj Gurakuqi në periudha të vështira të jetës, sidomos gjatë viteve 1921-1923.E synuen t’i nxirrej nënshtetësia shqiptare”.

Më 1950, në një letër të Kolë Rrotës, dërgue Justin Rrotës, thuhet: “Sa për zhdukjen e të ndjerit prof. Joklit në vjetin 1942, po të diftoj se unë atëherë jam mundue me gjithë shpirt me e shpëtue prej thojve të nazistave. Shkurt, ky mbaroi në Minsk, po ashtu si u banë therorë miliona e miliona njerëzish tue u helmue me gaz”.

Më 23 shtator 1939 Fishta, në emën të të gjithë intelektualëve shqiptarë, i dërgon një letër mëkëmbësit të Shqipërisë, Françesko Jakomonit[29], me kërkesën që të gjendet mundësia e ardhjes së gjuhëtarit të shquar, Norbert Joklit në Shqipëri, për t’i siguruar një vend pune të përshtatshme, në përputhje me famën e tij. Ja teksti i plotë i letrës:

Shkodër, 23 shtator 1939

Shkëlqesisë së tij
Françesko Jakomoni
Luogotenente

Shkëlqesi,

Mendoj se ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Evropë, asht profesor Norbert Jokli, me kombësi çifute që, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit te Vjenës e profesor gjuhësie në të njajtin universitet.

Tashti, më shkruejnë nga Vjena, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem të largohet, brenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut.

Ai, tashma, asht i ndrymë, beqar, me një fat mjaft modest. Atij, natyrisht, i duhet të rropatet me gjetë ndonjë vend, kudo të jetë, sa me jetue. Duket se don me shkue në Amerikë.

Shkelqesi, pa dyshim, do të ishte një fatkeqësi e madhe për gjuhën kombëtare shqipe, në qoftë se ky shkencëtar, me famë europiane, që unë e njoh e që, me autoritetin e tij të padiskutueshëm, ka mbajtë gjatë interesin e filologëve ma të përmendun për gjuhën shqipe, të jetë i shtrënguem me braktisë Europën.

Kombi shqiptar, i tani, do t’ju dijë për nder shumë, nëse Shkëlqësia e juej të mund të gjejë mundësinë ta bajë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty një vend, edhe pse jo aq fitimprurës, megjithatë të përshtatshëm për famën e tij si shkencëtar e gjuhëtar i shquem.

Jam i sigurtë se do ta merrni në konsideratë dashamirëse këtë propozim timin, që unë e paraqes në emen të të gjithë intelektualëve shqiptarë.

Përfitoj nga rasti, për t’Ju lutë të pranoni ndjenjat e respektit ma të madh dhe me mirënjohje të thellë.

I Shkëlqesisë suej i devoçëm e mirënjohës
Gjergj Fishta OFM

Mjerisht, rrethanat e rënda të krijuara në Vjenën e atëhershme u përkeqësuan dhe nuk mundësuan që të përmbushet dëshira e Fishtës dhe e disa intelektualëve shqiptar për shpëtimin e gjuhëtarit të shquar: nazistët e arrestuan dhe e ekzekutuan.

Vrasja tragjike e Joklit ishte një humbje e madhe për albanologjinë dhe gjuhësinë evropiane në përgjithësi. Ai kishte në plan të bënte dhe një varg studimesh të tjera të qenësishme për veçantitë e gjuhës shqipe. Kjo përligjet edhe nga këto fjalë të nxënësit, gjuhëtarit tonë të madh, Eqrem Çabejit: “Me këtë dijetar albanistika humbet një përfaqësues të madh, atë që e pat zgjedhur studimin e shqipes për mision të jetës së tij. Përtej caqeve të dijes, edhe populli shqiptar humbet një burrë, i cili, duke rrahur me frymë objektive ravën shkencore, u bë njëkohësisht dhe indirekt një mbrojtës i të drejtave tona nacionale[30]”.

Prishtinë, janar 2021

R E F E R E N C A:

[1] M. Lambertz, (Die Volkspoesie der Albaner.Sarajevo 1917, f. 77.

[2] Shih Historia e letërsisë shqipe I – II. Grup autorësh.Enti i botimeve shkollore i Republikës socialiste të Serbisë Reparti Prishtinë, f. 124.

[3] Shih G. Grispi, Memoria sull lingua albanese. Palermo 1831, f. 5.Cituar sipas Dhimitër Shuteriqi, Autorë dhe tekste.Tiranë 1977, f. 42.Shih variantin e rapsodisë arbëreshe në Anton Nikë Berisha, Antologji e poezisë gojore arbëreshe.Antologia della poesia orale arbëreshe. Transkriptimin F. Altimari. Përkthimin V. Belmonte. Rubbettino, Soveria Mannelli, Catanzaro 1998. Botimi i dytë vetëm tekstet në arbërisht, Antologji e poezisë gojore arbëreshe. “Shpresa”, Kisha e Shën Ndout, Prishtinë 1999.

[4] Shih P. Vinçenc Malaj, Kuvendi i Abënit 1703.Përktheu nga italishtja Prof. Tonin Zadeja.Instituti i filozofisë dhe i sociologjisë, Prishtinë 1998, f. 101.

[5] Johann Erich Thunmann, Untersuchungen über die Geschichte der östlichen europäischen Völker. Leipzig 1774. Sidomos kapitulli Über die Geschichte und Sprache der Albaner und der VVlachen, f. 169-366.

[6] Ky kapitull i kësaj vepre voluminoze të J. E. Thunmannit u botua si libër i veçantë më 1976 në Baske Verlag të Hamburgut.

[7] J. E. Thunmann, vep. e përm., f. 171.

[8] Shih më gjerësisht A. N. Berisha, Bibliographie deutschsprachiger Veröffentlichungen zur albanischen Volksdichtung (Texte und Sekundärliteratur) 1835-1985) në “Gjurmime albanologjike.Folklor dhe etnologji”, Nr. 15 Prishtinë 1986.

[9] I. Ritter von Xylander, Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren. Frankfurt am Main, 1835.

[10] Norbert Jokl, i lindur më1877 në Bzenec të Moravisë Jugore, studioi dhe u doktorua në jurispondencë.Në moshën 25 vjeçare vazhdoi studimet e rregullta për gjuhësi të krahasuar, idoeuropiane, sllave, gjermanike dhe romane.Punoi një kohë në bibliotekën e Universitetit të Vjenës dhe paralelisht mbajti ligjërata për gjuhësi fino-ugriane dhe filologji sllave-baltike-shqiptare.Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Rumanisë dhe të Danimarkës dhe u dekorua nga mbreti Zog me urdhrin e Skënderbeut.Me gjithë përpjekjet e miqve dhe kolegëve të tij austriakë, shqiptarë e italianë për ta shpëtuar, N. Jokli nuk arriti t’u shmangej përndjekjeve naziste të hebrenjve dhe u vra në vitin 1942.

[11] Eqrem Çabej, Hyrje. Në  Norbert Jokl, Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes, vep. e përm., f. 9 – 10.

[12] Eqrem Çabej, Hyrje. Në  Norbert Jokl, Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes. Përktheu nga origjinali gjermanisht Eqrem Çabej.Çabej, Tiranë 2017, f. 7.

[13] Eqrem Çabej, Hyrje. Në  Norbert Jokl, Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes. Përktheu nga origjinali gjermanisht Eqrem Çabej. Çabej, Tiranë 2017, f. 7 – 8.

Për herë të parë ky punim i Çabejit u botua në gazetën “Msuesi” më 25 tetor 1972 me titullin “Në tridhjetëvjetorin e vdekjes së Norbert Joklit.

[14] Stefan Zvveig, Bota e djeshme. Kujtime të një evropiani. E përktheu nga origjinali Aristidh Ristani. Botimet “Santori”, Tiranë 2012, f. 33 – 34.

[15] Norbert Jokl, Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes. Përktheu nga origjinali gjermanisht Eqrem Çabej.Çabej, Tiranë 2017.

[16] Norbert Jokl, Kërkime gjuhësore-kulturhistorike nga fusha e gjuhës shqipe & Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen. Akademia e shkencave dhe e arteve të Kosovës.Botime të veçanta Libri 63, Prishtinë 2018.

[17] Rexhep Ismajli, Kryevepra e Norbert Joklit. Në Norbert Jokl, Kërkime gjuhësore-kulturhistorike nga fusha e gjuhës shqipe & Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen. Akademia e shkencave dhe e arteve të Kosovës.Botime të veçanta Libri 63, Prishtinë 2018, f. 12.

[18] Anila Omari, Parathënie. Në  Norbert Jokl, Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes, vep. e përm., f. 15.

[19] Norbert Jokl, Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes. Përktheu nga origjinali gjermanisht Eqrem Çabej.Çabej, Tiranë 2017, f. 21.

[20] Norbert Jokl, Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes, vep. e përm., f. 22.

[21] Norbert Jokl, Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes, vep. e përm., f. 22.

[22] Norbert Jokl, Parathënie. Në “Kërkime gjuhësore-kulturhistorike nga fusha e gjuhës shqipe & Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”.Akademia e shkencave dhe e arteve të Kosovës.Botime të veçanta Libri 63, Prishtinë 2018, f. 20.

[23] Jokl, Hyrje. Në “Kërkime gjuhësore-kulturhistorike nga fusha e gjuhës shqipe & Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen.Vep.e përm-., f. 21 – 22.

[24] Jokl, Hyrje. Në “Kërkime gjuhësore-kulturhistorike nga fusha e gjuhës shqipe & Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, vep.e përm., f. 22.

[25] Jokl, Hyrje. Në “Kërkime gjuhësore-kulturhistorike nga fusha e gjuhës shqipe & Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, vep.e përm., f. 23.

[26] Jokl, Hyrje. Në “Kërkime gjuhësore-kulturhistorike nga fusha e gjuhës shqipe & Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, vep.e përm., f. 34.

[27] Shih Kolec Çefa, Një letër e pabotueme e Fishtës në mbrotje të Joklit. 25 gusht 2003, Trepça net.

[28] Ish konsull i Shqipërisë në Vjenë dhe lektor në Universitetet.

[29] Francesco Jacomoni, markez nga San Savino (Rexho Kalabria31 gusht 1893, Romëshkurt 1973), ishte diplomat italian, i cili gjatë kohës së pushtimit fashist nga Italia, nga 1939 deri më 1943, ishte mëkëmbës i përgjithshëm (Luogotenente gjenerale) në Shqipëri.

[30] Eqrem Çabej, Hyrje. Në  Norbert Jokl, Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes, vep. e përm., f. 13.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok