13/12/2024

GJYQI  EVROPIAN PËR TË DREJTAT E NJERIUT

0
Nike_Gashaj

Nga Nikë Gashaj

Sistemi më i zhvilluar i të drejtave të njeriut është vendosur në Evropë dhe ai, para së gjithash, është nën patronazhin e Këshillit Evropian. Këshilli në fjalë është formuar me 1949, kur disa shtete të Evropës Perëndimore të frymëzuara me ide të mëdha për bashkimin Evropian, e kanë vendosur të formojnë një organizatë rajonale me qëllim e arritjes më të madhe të bashkimit të shteteve evropiane mbi baza të demokracisë parlamentare, të pushtetit ligjor dhe të respektimit të plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Së shpejti pas formimit, Këshilli i Evropës e ka miratuar Konventën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore me 1950, në Romë, e cila ka hyrë në fuqi me 1953.

Më vonë, pranë kësaj Konvente janë miratuar dhe 14 Protokolle, të cilat paraqesin zgjerimin e përmbajtjes së të drejtave të njeriut. Ajo është Kontrata e parë moderne, e cila merret me një sëri të tërë të të drejtave qytetare (civile) dhe politike dhe formon organet për mbrojtjen e tyre. Prandaj, eksperienca e tyre në atë fushë është dhe më e pasura.

Me Konventen Evropiane janë formuar dy organe: Komisioni evropian për të drejtat e njeriut (1954) dhe Gjyqi Evropian për të Drejtat e Njeriut (1959). Përpos tyre, me Konventë kyçen në procedurë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut edhe disa organe të tjera të cilat kanë qenë të themeluara në kuadër të Këshillit Evropian: Komiteti i Ministrave dhe Sekretari i Pergjithshëm i Këshillit Evropian.

Komisioni për të drejtat e njeriut i ka pranuar kërkesat nga shtetet anëtare, individët, grupet e personave ose organizatat joqeveritare, ndërsa i ka shqyrtuar vetëm nëse shteti në të cilin ka pasur të bëjë ka dhënë deklaratën se e pranon një kompetencë të tillë. Komisioni i tillë është paraqitur si ndërmjetësues me qëllim të arritjes së marrëveshjes miqësore dhe vetëm nëse deri te ajo nuk do të vihet, rasti ka mundur t’i dorëzohet Gjyqi Evropian. Mirëpo, kompetenca e gjyqit nuk ka qenë e detyruar. Ndërkaq, në fillimin e viteve nëntëdhjetë me rritjen e numrit të nënshkruesëve të Konventës Evropiane është shtuar dhe numri i lëndëve që kanë mbetur të pazgjidhura, prandaj është vënë në pyetje efikasiteti i këtij sistemi. Mu për këtë arsye reforma e tij është bërë e domodoshme.

Në nëntor të vitit 1998, ka hyrë në fuqi Protokolli nr. 11 pranë Konventës Evropiane.

Me Protokollin e ri janë paraparë ndërrime me rëndësi. Para së gjithash, formohet Gjyqi i ri Evropian për të Dejtat e Njeriut, i cila tani do të ekzistojë si organ i përhershëm dhe kompetencat e tij do të jenë të detyrueshme për të gjitha shtetet kontraktuese (heqet e ashtuquajtura kompetenca fakultative e gjyqit). Pastaj, shfuqizohet Komisioni për të drejtat e njeriut. Andaj, të gjitha ankesat për cenimin e të drejtave të njeriut të përcaktuara me Konventë drejtpërsëdrejti i dërgohen Gjyqit Evropian. Me ndërrimet e këtilla individi bëhet palë në proces/procedurë para një gjyqi ndërkombëtar.

Gjyqi Evropian për të Drejtat e Njeriut ka po aq gjykatës sa ka edhe nënshkrues të Konventës Evropiane, respektivisht numri i gjykatëseve të këtij gjyqi është i njëjtë me numrin e shteteve anëtare të Këshillit Evropian. Shteti propozon tre kandidatë për gjyq, prej të cilëve Kuvendi Parlamentar i Këshillit Evropian e zgjedh një (1) gjykatës për një periudhë prej gjashtë (6)  vjetësh. Gjykatësit mund t’i shkarkojë vetëm gjyqi me dy të tretat e shumicës së votave kur ta vlerësojë se më tej nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara, përndryshe, gjykatësit duhet të gëzojnë një autoritet të lartë moral dhe profesional. Ata duhet t’i kenë kualifikimet e nevojshme për kryerjen e funksioneve të larta gjyqësore në shtetin e vet, respektivisht duhet të jenë ekspertë juridikë të dëshmuar e të pranuar. Profesionalizmi, pavarësia dhe objektiviteti duhet të jenë cilësitë kryesore të çdo gjykatësi të Gjyqi Evropian. Ata veprojnë në një cilësi të pavarur dhe nuk e mbrojnë shtetin i cili i ka kandiduar. Mund të konstatohet se në kuadër të Sistemit Evropian të mbrojtjes të të drejtave të njeriut, më i rëndësishmi është Gjyqi Evropian për të Drejtat e Njeriut në Strazbur. Ai Gjyq, sikurse thotë M. P. Margulnaud, është: “Rrota kryesore e një mekanizmi të rëndësishëm  të zbatimit mbinacional të Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut…”. Shikuar në përgjithësi, Gjyqi ka për detyrë për të siguruar respektimin e detyrave për të cilat në pikëpamje të mbrojtjes së të drejtave të njeriut i kanë marrë përsipër shtetet përkatëse.

Kompetencat e  gjyqit janë të caktuara sipas parimeve vijuese: për të shqyrtuar vetëm ato ankesa që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të përmbajtura në Konventën Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose në protokolle pranë Konventës; Gjyqi mund t’i pranojë ankesat nga çdo individ, organizatat joqeveritare ose grup personash të cilët pohojnë se janë viktimë e cënimit të të drejtave të përcaktuara me Konventë dhe me protokolle të saj, të bëra nga ndonjëra prej palëve të larta kontraktuese.

Gjithashtu, procedurën para gjyqit evropian për të drejtat e njeriut mund ta nisin një ose më shumë shtete për vërtetimin e cënimit të të drejtave të njeriut të përcaktuara me Konventë Evropiane. Në të vërtetë, ato janë konfliktet apo mosmarrveshjet ndërshtetërore. Por ato nuk janë aq të rëndësishme, në krahasim me rastet e ankesave individuale. Gjyqi nuk është i autorizuar për t’i shqyrtuar rastet e cënimit të të drejtave të njeriut të cilat kanë ndodhur para se Konventa ka hyrë në fuqi ose para se shteti përkatës e ka notifikuar Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut. Po ashtu, sipas nenit 35 të Konventës, Gjyqi nuk do ta shqyrtojë kërkesën nëse i është dërguar dhe parashtruar gjyqit pas përfundimit kohor pas gjashtë muajsh prej ditës kur është marrë vendimi i prerë apo i plotfuqishëm.

Kompetencat e Gjyqit janë të caktuara në nenin 1 të Konventës në të cilin shtetet “u garantojnë të gjithë personave nën juridiksionin e vet të drejtat dhe liritë në pjesën 1 të kësaj Konvente”. Mirëpo, juridiksioni i një shteti nuk është identik me territorin kombëtar për të gjithë ata çka do të mund të bëjë jashtë territorit të vet shtetëror.

Gjyqi është i autorizuar për ta vërtetuar nëse ka ndonjë rast konkret të cënimit të ndonjë të drejte të njeriut dhe të vendosë mënyrën e kompensimit të të dëmtuarit. Gjyqi i mban mbledhjet në këshilla prej tre gjykatësve, me seanca prej shtatë gjykatësve. Procedura zhvillohet në dy faza.

Gjyqi së pari e vërteton, a i plotson ankesa të gjitha kushtet për pranim. Sapo ankesën ta shpallin të pranueshme, gjyqi u vëhet në dispozicion palëve në konflikt me qëllim të arritjes së marrëveshjes miqësore. Në qoftë se nuk vihet deri te marrëveshja, seanca vazhdon shqyrtimin e lëndës dhe marrjen e vendimit. Në një afat prej tre (3) muajsh prej ditës së marrjes së vendimit nga seanca gjyqësore, secila prej palëve mund të kërkojë që rasti të procesohet para seancës së Madhe Gjyqësore. Për këtë vendos paneli nga pesë (5) gjykatës, respektivisht Kolegiumi dhe ai do ta pranojë kërkesën nëse e vlerëson se me rastin procesohet një çështje  me rëndësi që ka të bëjë me shpjegimin dhe zbatimin  e Konventës Evropiane dhe Protokolleve të saj.

Në qoftë se Kolegiumi e pranon  kërkesën, seanca e madhe Gjyqësore do ta marrë vendimin, i cili është definitiv.

Vendimet e Gjyqit janë të prera dhe kanë karakter detyrues. Shteti detyrohet që të marrë masa për kënaqjen e viktimave, kurse aktgjykimi i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili e bën mbikqyrjen e zbatimit të tij. Çështja e zbatimit të vërtetë të vendimit të Gjyqit është padyshim – sikurse thekson Peter Leupretit – çështjë thelbësore. Shteti është i detyruar të zbatojë vendimin e Gjyqit në bazë të nenit 46 të Konventës, i cili e përcakton se shtetet “e marrin përsipër detyrën e zbatimit të vendimit të gjyqit për çdo lëndë të cilat janë palë”. Refuzimi i vendimi të Gjyqit e shpie shtetin në situatë konfrontimi me Komitetin e Ministrave, i cili është  i detyruar të mbikqyrë zbatimin e vendimit Gjyqësor. Gjithashtu, me Statutin e Këshillit Evropian parashihet dhe mundësia e pezullimit ose të përjashtimit nga anëtarësia nëse nuk respekton parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut.

Nga ajo që u tha më lart, rrjedh se pas shumë shekujve të sovranitetit absolut në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, shtetet e Evropës tani janë gjetur në një situatë që “mbi vehten” kanë mekanizma të veçantë ndërkombëtarë gjyqësore dhe të tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo ka të bëjë me format e garancisë kolektive, me të cilat sigurohet se shtetet do t’i sendërtojnë detyrat e veta, të cilat i kanë pranuar me nënshkrimin e një Konvente e cila sipas vokacionit të saj themelor, e ka qëllimin për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Institucionet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë karakter subsidiar apo ndihmës në raport me sistemin shtetëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në qoftë se shteti nuk ka procedurë dhe ilaç juridik efektiv, ose nëse shteti nuk e siguron ilaçin juridik adekuat dhe efektiv, ose nëse procedura e medikamentit juridik në sistemin kombëtar nuk ka dhënë rezultate të kënaqshme, atëherë ia fillon punën e vet gjyqi europian për të drejtat e njeriut si dhe mekanizmat e tjerë.

Prandaj, qëllimi i mekanizmave mbrojtës europianë nuk është në aspektin e marrjeve të vendimeve të vend të shtetit, ato vetëm mënjanojnë lëshimet e bëra të shteteve, nëse deri te ato mangësi vihet në fushën e mbrojtjes të të drejtave të njeriut, e cila është punë dhe detyrë kryesore e organeve shtetërore.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut – sikurse e nënvizon J. H. H. Weiler – është bërë imperativ i përbashkët juridik dhe politik. Ajo qasje e re e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, është bërë sinjal i bindjes se standardi adekuat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në rajonin europian nuk do të mund të realizohet në mënyrë konsekuente pa u vendosur mekanizmat mbikombëtarë. Ndërsa, respektimi, zbatimi dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe të detyrave të pakicave kombëtare janë si kusht të integrimeve europiane.

Domethënë, qasja e re nënkupton mundësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut nga institucionet mbikombëtare. Nga ajo rrjedh – sikurse e thekson J. Frowein – se qëllimi i Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është pikërisht integrimi i shteteve europiane.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor që janë pranua dhe të atyre që do të pranohen në Këshillin Evropian dhe të cilat e nënshruajnë Konventën Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, hyjnë në një pozicion  të ri historik, social dhe politik, sepse të gjitha çështjet më të rëndsishmë të zbatimit të Konventës Evropiane menjëherë  bëhen aktuale. Domethënë,  Vendet e tilla e nënshkruajnë detyrimin se të gjithë individëve/personave nën juridiksionin e vet do t’ua pranojë të gjitha të drejtat e njeriut dhe të drejtat themelore të cilat janë të përmbajtura në Konventën Evropiane dhe në protokollët e saj.  Kjo çështje, në rend të parë, parashtrohet nga këndi i rregullimit dhe efikasitetit bashkëkohor, racionalitetit dhe kompetencës, si dhe objektivitetit (paanshmerisë) të institucioneve të sistemit politik.

Mirëpo, një rëndësi të vogël do të kenë dispozitat kushtetuese të shteteve ballkanike kontraktuese të cilat e proklamojnë primatin e të drejtës ndërkombëtare mbi legjislacionin kombëtar dhe zbatimin e drejtpërdrejt të tij, nëse nuk krijohen kushtet, përkitazi supozimet e nevojshme për zbatimin e saj.

Andaj, rendet shoqërore politiko-juridike të vendeve të Europes Juglindore, me strukturën dhe përmbajtjen e vet dhe jo vetëm me tekstet e akteve pozitive juridike, duhet të jenë esencialisht të harmonizuara me standardet demokratike të Evropës bashkëkohore.

Ajo është me rëndësi qenësore për ardhmërinë e vendeve ballkanike në pikëpamje të evropeizimit dhe të zhvillimit e prosperitetit të përgjithshëm demokratik, ekonomik, social, kulturor dhe politik, si dhe të funksionimit të pushtetit ligjor,  apo të shtetit juridik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok