18/05/2024

NJËSHI RRËNUES A NDËRTUES

0

(Ese)

Nga Meti Rexhepi

Një motiv i fortë me ëndjen në brendi më shtyn, që t`i dhuroj botimet e mia në gjimnaz. Përse pikërisht në gjimnaz? Në gjimnaz ngase ishte gjimnazi i rinisë time, gjimnazi i ëndrrave të mia rinore. E kam përshtypjen se kopertinat  e këtyre librave nga djemtë dhe vashat e gjimnazit, nuk do të mbeten pa i hapur, pa i shpaluar për shkëputje të ndonjë fragmenti, të ndonjë copëze kudo: në fillim, në mes ose në fund të akëcilës faqe të librit përkatës… Hyrja në cekëtinë  tërheq hyrjen më në thellësi. Zgjohet kureshtja për përmbajtjen e lëndës, për zhytjen në botën e ndjenjave dhe të figurave, të vargëzimit të motiveve, të cilat prodhojnë ide të tërthorta, me qëllimin për hapje të mbylljes të së vërtetës në një mjedis, ku ndiqet ose fshihet e vërteta dhe e drejta e jetës me fytyrë të dinjitetshme. Me gjithë vështirësitë e ndryshme për bërjen e librit, qoftë i sferës së imagjinatave, qoftë i diskurseve kritike, teorike e estetike ato përgjegjësi i përkasin autorit. Kënaqësia e dhurimit i përket pasionit të lexuesit. Mirëpo, njëkohësisht horizontet e hapura nga autori, lexuesi i pasionuar i zgjeron përmes horizonteve vetjake; duku identifikohet në ngjyrat, hapësirat, reflektime që të ndërsjella forcojnë impulset shpirtërore të shkrimtarit, sepse ndjeshmëria shtrihet në dy pole: autor-lexues… Tash e tutje në mes tyre kanë fatin dhe trajtat e lakimit të fatit mes shkrimtarit dhe lexuesit. Lexuesi futet në botën shpirtërore të akëcilës vete, duke i kapur perceptimet e autorit, edhe ai në mënyrën e vet, assesi ngjashëm me autorin. Kështu përftohet alternativa e pamjeve… Në hapësirën dhe kohen e autorit, lexuesi diku i shmanget asaj fushe dhe ngjitet në kodrat e paparashikuara nga shkrimtari. Ky identifikim shkrimtar-lexues, lexuesit i hap shteg për qasje kritike në rrjedhën e shtjellimit: qoftë imagjinar, qoftë diskursiv ose leximit kritik të shtjellës…

Lidhjet shkrimtar-lexues sjellin përafrimet e perceptimeve për çfarëdo identifikimesh, duke zgjeruar horizontet e ndërsjella në hapësirë e kohë dhe, duke i saktësuar kahet e rrjedhave shoqërore, paranderjen për oguret e fateve për të keqen, për të shëmtuarën, për të bukurën, për paqen dhe harmoninë e shoqërisë njerëzore, drejt zgripeve ose shmangies të zgripeve ekzistenciale?

Cili do të ishte njëri nga qëllimet më fisnike të lexuesit? Gjithsesi, depërtimi në egot e kamufluara e të ndërlikuara të vetave me mëtime për arritjen e shkallës së Njëshit… Shkrimtari ngre shkallët e ngjitjes emocionale, ideore, etike, filozofike e estetike të Njëshit mbi fatin njerëzor të individit e të masës; përherë në përballje me të keqen, krimin e kamuflimit finok dhe të hapur… Ku do të dal Njëshi tejet, tejet, tejet i forcuar me kompetencat që i kemi dhënë? Njëshi me kategorinë e cilësimeve të së keqes a me ngadhënjimin e të bukurës, të fisnikërisë, të harmonisë e të paqes në shoqërinë e pleksjeve të çuditshme njerëzore?!

Rebusi i shkrimtarit dhe lexuesit: mes Njëshit rrënues a ndërtues?

Gjilan, më 11 shtator 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok