NJERËZ TË BUKUR DHE NJË LIBËR NË KATEDRALE…

Nga Visar Zhiti
E lexoj sërish mesazhin: “…të shtunën e kaluar isha në Shqipëri dhe… mora romanin Tuaj në Shkodër. Mezi pres ta lexoj. Bëra edhe një foto në katedrale enkas për Ju…”
Mbaroi Panairi i Librit në Katedralen e Shkodrës, i pari dhe i veçantë, ndërkaq më vjen mirë që ishin dhe libra të mi dhe që më shkruajnë, më duket si një ndodhi e dalë nga fletët e romanit tim a do të futet në ndonjë libër të ardhshëm, mund të mos jetë imi…
Njeri i letrave është ai që më shkruante, Albert Bikaj, kam dëshirë ta takoj, i kam lexuar shkrime, ka vëmendje dhe mendim dhe mirësi apostolike, do të thosha.
– Lexoje këtë djalë, – më kishte Eda ime dikur, – është nga Mali i Zi, ka moshën e djalit tonë.
Edhe në romanin tim “Në kohën e britmës” ka një personazh nga Mali i Zi, është poeti i njohur në Ballkan, Jevrem Bërkoviq, karakter, kam nje ngjarje interesante me atë, më saktë me librat e tij në Shqipërinë diktatoriale, një udhëtim haluçinant nëpër natë për nê shtëpinë e Lazër Radit në internin, që të na i përkthente ato libra si prizrenas qe ishte dhe i dinte ato gjuhë andej,
pastaj une do te shkoja dhe në Podgoricë më pas, do ta takoja poetin hijerëndë, me madhështi ballkanasi, do të mê tregonte dhe vendin para shtëpisë së tij, ku i kishin bërë atentat
dhe vranë shoferin, etj, etj.
Nga Podgirica kishte ardhur dhe Albert Bikaj në Shkodër, për të parë dhe Panairin e Librit dhe kishte gjetur dhe romanin tim.
Doja ta lexonte edhe për atë veçanti. Unë e dija tashmë kush ishte ai, Edës time i kishte folur një mikja e saj, Merita, Alberti kishte moshën e djalit tonë, Atjonit dhe unë e lexoja tashmë atë me ëndje, një nga zërat e rinj dhe aktivë të krahut konservator dhe akademik në rajonin e Malit të Zi, i edukuar mes universiteteve kroate dhe malazeze, me themele të forta intelektuale të figurave me rëndësi si Scruton, Chesterton dhe Ratzinger. Tradita, identiteti kombëtar dhe kritika ndaj liberalizmit ekonomik janë në qendër të veprimtarisë së tij. Më është dukur i angazhuar mes akademisë dhe politikës praktike. Përkthimet e tij filozofike, teologjike kanë një shqipe të kultivuar, dinjitoze, do të thosha.
Dhe ai më dërgon mua imazhin e romanit “Në kohën e britmës” në Katedralen e Shkodrës. Më prek domethënia dhe edhe tronditem. Kujtoj kur isha student në Shkodër dhe ajo Katedrale, – më e madhja në Ballkan, na thoshin, – ishte shndërruar në pallat sporti. Shqipëria ishte shpallur me kushtetutë si vendi i parê ateist në botë, tempujt e fesë ishin shembur, i kishin bërë magazina, depo armësh për ushtrinë, kinema, pallat sporti, etj, qenë dënuar klerikë dhe me pushkatim, kurse në burg më pas unë do të njihesha me priftërinj të Katedrales, do të miqësohesha, do të mësoja të adhuroja Krishtin si të ishte dhe ai në burg me ne, shpresë e ndaluar dhe dritë e ndaluar…
Në Katedralen/pallat sporti na çonin ne, studentëve, të zhvillonim orën e fizkulturës atje, diçka ndjenim, i ngjante dhunës, blasfemisë, mëkatit, pa e patur fort të qarte, mbase e harronim shpejt si revolucionarë të paditur në një atdhe të mbyllur si burg.
Kujtoj që nuk guxonim të shihnim gjatë andej në largësi të liqenit se ishte Mali i Zi, pas maleve vinte Jugosllavia titiste, armiq të Shqipërisë socialiste, mos shiko andej, se konsideroget si tentativë për arratisje dhe në burg kishim vërtet bashkëvuajtës që i kishin kapur në kufi, donin të kalonin lumin Buna, u kishin zbrazur automatikun ushtaret e kufirit, kishin përgjakur ujërat. Më shumë se sa hënën netëve, kujtoj prozhektorin që hidhte fasho dritash mbi liqen për të kontrolluar se po arratiseshin me varka a not dhe vërtet kam takuar në SHBA që ashtu e kishin kaluar kufirin, përmes vdekjes…
Por mjaftojnë mesazhet e të riut Albert Bikaj nga Mali i Zi që të sfidohet dhe brenda meje e gjithë ajo e kaluar e pabesueshme, infernale, me traumat që kalojnë dhe në librat tanë…
Alberti është bërë baba, ka një vogëlushe të bukur si kukull, si engjëll. Të shoqen e tij, më duket se dhe para Albertit vetë, Eda ime ndodhi që u njoh me atë në Tiranë, prej Kristales në Prishtinë, eh, bota është e vogël, më thirri dhe mua në atë takim për ca fotografi artistike, që ende i ruajmë, bashkë me mbresën e së bukurës, që la pas…
Kam ngazëllimin e besimit se gjeneratar e reja që kanë ardhur, janë gjithnjë e më të mira, me të rinj e të reja te mrekullueshëm, që shkëlqejnë prej mirësisë dhe dijes dhe dashurisë.
Ja, familja e re e Albertit…
Dhe më duket se më shumë ndodhi e befasira dhe estetikë drithërimash gjejmë jashtë romaneve se sa brenda fletëve të tyre.
Për të gjitha këto që e ndjeva t’i thosha, shkak u bë ai libër në Katedrale!