20/06/2025

HOMAZH PËR NJË DASHURI QË NUK PRANON TË DORËZOHET

0
Elsa-Feridi

Elsa dhe Feridi, ata që sfidojnë sëmundjen me dashuri, dhe vetë dashurisë i shërbejnë me sakrifica

Nga Albert Vataj

“Sëmundja na mëson se sa i pafuqishëm është njeriu para jetës, por edhe sa i fuqishëm është ai para dashurisë.”, ky përkufizim i Carl Jung, është ajo që përshkon si një fill drite, ditënetët e asaj sprove ngadhënjimtare, ku po farkëton shpirtin e vet miku im, Ferid Kola, në betejën për të pranuar si fatin e tij, atë që Gabriel García Márquez kumton, se: “Më shumë se mungesa, na dhëmb ajo që nuk mund të rikthehet më siç ishte.”

Megjithatë barrën e rëndë që i duhet të mbajë në shpirt, torturën e sakrificës që i ka flijuar gjithë qenien e tij, tek ai ende është e dritshme ajo buzëqeshje. E përkorë ajo thjeshtësi që begatueshëm e ndanë me të gjithë. E shëlbyer në shenjtërinë e një shpirti të pastër, ajo mirësi që e mëkon me gjithë zemër. Dhe… i zjarrtë ai pasion për të artin, për të bukurën, edhe pse lufta që i duhet të bëjë çdo orë të çdo dite, është një ndeshje për të mbajtur në jetë dashurinë dhe përmes saj, njeriun më të shtrenjtë, që i tregoj atij se çfarë vërtetë është dashuria.

Ferid Kola, skulptori dhe veprimtari i paepur i kulturës dhe qytetarisë shkodrane, është një prej miqve të veçantë që më ka mbetur në Shkodër. Në telefonatat e rralla që bëj, e mora një mbrëmje. Më shumë se për shëndetin e tij, e pyeta se si është Elsa, bashkëshortja, e cila prej vitesh vuan nga Alzheimeri.

– Përditë e më poshtë më tha. I shqiptoi këto fjalë sikur po i shkulte nga thellë vetes.

– Po përpiqem miku im të bëj të pamundurën, por gjithçka është e kotë, vijoi, ndërsa zëri që kumbonte nga zgafella, sikur filloi të gërvishtej nga vibratot e një emocioni sëmbues.

– Ky ishte fati i saj, dhe i imi, tha, me një ton dramatik.

– Më ka vrarë, shtoi… dhe kjo frazë e plumbtë shoqëroi me një pauz, sikur vetë biseda duhet të ruante atë teatralitetin ngjethës, në një skenë të errët, ku e vetmja dritë që pluskonte ishte zëri i tij, që venitej dhe theksonte fuqinë e shkëndisë nën një ritmikë EKG-je.

Dhe… nuk desha ta dija, se ai po thoshte se e ka “vrarë” bashkëshortja, të cilës duhet t’i shërbejë si një fëmije, në përpjekjen për t’ia lehtësuar rrugëtimin e saj në një botë harrimtare.

Po në një realitet çfarë premton Alzheimeri për të gjithë fatkeqet, e mbetur jashtë në natën e stuhishme të këputjes së çdo filli me botën, me të shkuarën dhe të tashmën.

Po, të një frymimi që të merr gjithçka, duke të lënë të jesh e huaj mes atyre që të njohin, e pakuptueshëm në gjerat që dikur ishin kuptimi i jetës tënde.

Apo… mikun tim e ka “vrarë” pamundësia që ai ka për t’i rikthyer asaj, Elsën e dikurshme dhe vetes një mike të mirë, një shoqe të pashoqe jete dhe sfidash, një kolege dhe një shpirt të bukur, mbrujtur me muzikë dhe art, lëmuar me dashuri dhe përkujdesje.

Sëmundja, një lëngim që më shumë se të sëmurin, drobit vetë atë që ka fatin e keq t’i shërbejë, shkallmon çdo ditë e më dhunshëm shpirtin e tij, i cili në një betejë të pamundur, është më shumë se i mundur. Sepse çdo betejë është një sprovë, por ai do ta ndërronte me çdo tjetër, mjafton që ai të mund të bëjë diçka në limitet e së mundshmes, që gjërat të ndryshojnë, që jeta t’i kthente ditët e dritshme të dashurisë dhe haresë, të cilat Alzhaimeri erdhi t’u marrte, për të mos ua kthyer më kurrë.

Edhe pse nuk është krejt i vetëm në këtë betejë të ngadhënjimtë me fatin, sërish hapat e tij kanë më pak udhë për të bërë, zëri i tij është më pak prezent, ku Shkodra pluskon në nevojën e saj për t’u përtërirë. Çdo ditë e më pak e vërejmë, ndërsa tenton të rivendosë lidhjet që e mbajnë atë në jetë, në përditshmërinë e marrëdhënies me atë që Feridin, më shumë se e thërret për t’u përfshirë, e ngas për t’u blatuar.

Ai nuk e ka humbur gruan, të cilën e do ende, siç e ka dashur shumë e shumë vite të shkuara, por ajo është ndarë nga ai, për të mos ikur, për të qëndruar, ndoshta për t’ia thënë në një mënyrë tjetër, se sa i rëndësishëm është ai për të, se sa e thellë dhe e lartësuar ka qenë ajo ndjenjë, që i ka bërë bashkë, aq sa e ka të pamundur t’i ndajë plotësisht, as sot, as kurrë.

Për Feridin, por shumë më shumë për Elsën, pas ka mbetur gjithçka, një jetë dashurore dhe bashkëshortore, për të cilën Feridi flet me kaq përkushtim dhe pasion, njëjtë sikur po përpiqet ta kthejë në jetë një të larguar pa lamtumirë, t’i ribëjë gjëra, t’i veshi ende ditët me pranverim, dhe pranitë me aromë lulesh.

Feridi dhe Elsa, një nga çiftet model të Shkodrës, nuk janë më në tablotë e ngjyrshme të qytetit, as në pëshpërimën e hapave nën blirë. I mungojnë më së shumti haresë së harmonishme dhe muzikalitetit të mbrëmjeve, të cilat për ironi të fatit kanë filluar të jenë gjithnjë e më të gjallërimshme dhe më dinamike, siç ata i nxorën nga thellësia e përjetimit dhe përfshirjes së tyre.

Kapja e tyre dorë për dorë, është krejt ndryshe sot. Ndoshta më e bukur. Më e ndrojtur ndoshta. Sepse, më shumë se një ngërthim gishtërinjsh, që zbret në çdo nerv e ndijim, është një shtrëngim duarsh me panik. Njëri ruan tjetrin dhe të dy mbahen te njëri-tjetri, fort. Sepse një ndarje, ata nuk e dinë se si është, por ngurojnë ta provojnë, madje kanë fikë ta bëjnë. I kanë ikur ditëve të dritshme, të dy, duke marrë njëri-tjetrin me vete. Ndoshta mungimi i tyre nuk bie në sy, por në sytë e tyre gjithçka është si më parë, ndoshta me një pamje më gri, por ata janë sot aq të zbardhur, sa ikin e vijnë me neonet, duke e ruajtur solemnitetin ceremonial të llamburitjes së dritshme.

Në këtë teatralitet tragjik, ndërsa sipari ende është i hapur dhe loja vazhdon, ata behin me mungimin e tyre në xhirot me biçikleta e shëtitjeve nga Liqeni, të cilat Shkodra i ruan në kujtesën e saj të vagullt. Ndërsa ata të dy, ata të dy, i kanë në fotografitë e tyre, të bëra nga miqtë, apo ndonjë video të fiksuar të spontanitetit.

Në oborrin e shtëpisë të dy biçikletat janë në disk. Elsa nuk mundet më, por as Feridi nuk e nget dot i vetëm. Ikën e kthehet në këmbë, për ta mbajtur të përjetësuar këtë sublimitet në një nga punët e tij më të dashura, që u dergjet në studio, në pritje për ta kthyer atë në një ikonë të qytetit të biçikletave.

Të shtrenjtat, vjen një ditë që bëhen të huaja. Nuk ke patur zgjidhje tjetër vetëm të pranosh. Kjo i ka ndodhur mikut tim, i cili i bën qëndresë kësaj, për t’i ruajtur si arsye që veçse i shton dhimbjen që lexohet në pasqyrimin ku ai shihet.

Edhe peshkimi, një dashuri e kapur për fyti, që merr frymë dhunshëm. Ka mbetur pas edhe ky pasion për Feridin, të cilin ia sëmbon më keq kur Bunës i kalon përbri dhe Drini i lag këmbët, kur krapi mbush tavën, e lagjes i vjen era saraga t’fërgume.

Gjithçka ka mbetur pas. Ka ndaluar koha. Janë këputur pothuajse të gjithë fijet e ndijimeve që e lidhin me çdoditshmërinë e tyre. Ai ka braktisur gjithçka, përfshi dhe veten, për t’i qëndruar asaj te koka, për t’i dhënë dashuri, shumë, dashuri, të vetmën gjë që ajo kupton, në këtë lidhje që asaj i ka mbetur me realitetin.

Me lejen tuaj, që po e lexoni këtë kumtim, do të doja t’i them Feridit:

– Miku im, vuaj sot sa e ke Elsën, se kur të mos e kesh, do të dhëmbi shumë më shumë se çdo dhimbje, se çdo mungim tjetër, aq sa do të jepje njëqindfish sa ç’po jep sot, që ta kishe sërish aty, teksa të puth duart, të puth ballin, të puth sytë, si mirënjohje e asaj dashurie, me të cilën ti e ushqen atë, në një botë që i’a ka marrë të gjitha por jo ty, që je arsyeja, të cilën ajo nuk e arsyeton dot, se pse ende është aty, duke të të parë më thellë se çdo thellësi ka mundur të zbresë brenda teje.

“Të qëndrosh kur të gjithë ikin, kjo është forma më e pastër e dashurisë.” miku im, thoshte Rainer Maria Rilke. Sepse ti ke qenë dhe ke mbetur më shumë se për vete për Elsën, ai “Heroi i vërtetë… ai që qëndron pranë kur nuk i kërkon më njeri ta bëjë.”

Po miku im, tek ty, “Ka një fisnikëri të heshtur në përkushtimin që nuk kërkon asgjë për vete.” Por gjithçka që jep prej vitesh, çdo orë të çdo dite, është ajo që ti do, për ti treguar Elsës, se e do ende, e pse jo edhe për të dëshmuar botës, se ata që duhen vërtetë nuk ndahen kurrë. Ja pse ju jeni ende bashkë, dhe do të jeni ende bashkë, duke paguar dashurinë me përkushtim dhe sakrificës, çmimin me të cilin vetëm dashuria mund të blihet, asgjë tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok