11/12/2024

NJË I “PANJOHUR”, QË DËSHIROJ T’JUA BËJ TË NJOHUR…

0
Kryeziu

(Skicë nga Kryeziu)

Nga Ndue Dedaj

Nuk është një lajthitje apo trill ky titull, e njoha këto ditë në Kryezi të Pukës, veç pesë minuta, aq kohë sa i duhet njeriut me ndërrue dy fjalë me tjetrin e nga një cigare duhan.

Binte një shi i imtë, që i kishte veshur degët e zhveshura të pemëve me kristale. Ai më pa kur po bëja fotografi, herë tek ura mbi Fan e herë te ura mbi lumin e Kryeziut, aty ka ata bashkohen e bëhen një, duke qenë sërish të dy…

Iu afrova, më shtrëngoi dorën. Nuk më pyeti se kush isha e nga vija, nuk e kishte këtë “kuriozitet” koti, por krejt natyrshëm më ftoi të shkoja në shtëpinë e tij për drekë. Ishte ora 12 e ditës. I thashë se isha me shokë dhe ata po më prisnin te bujtina “Makry” aty pranë. Unë desha që të vish te shtëpia ime, përsëriti ai, duke bërë deri në fund doken e vendit.

Këtu ka shumë “fise” të ardhura herët, para treqind vjetësh, i thashë unë. Po, ma ktheu ai,  ne jemi të ardhun prej Kuzhneni, shtëpia e Bajraktarit… Ma tha dhe emrin… Por atëbotë nuk kishin dhe aq rëndësi detajet vetjake, cili ishte ai dhe cili isha unë. Mendja më rrinte në një pikë, te ftesa e tij aq e sinqertë, aq e shpejtë, pa u menduar dy herë, për t’i shkuar në shtëpi. Ashtu, ai njeri i thjeshtë më “konformoi” dhe njëherë se tradita shqiptare nuk shuhet kurrë, as në të 21-in shekull, edhe sikur një shqiptar të mbetet mbi rruzull, paçka valëve goditëse të globalizmit. Prandaj dhe ka mbijetuar raca jonë shekujve. Aspak për ekzotikë, por më thoni, ku tjetër ndodh mbi këtë tokë, që një i panjohur, pa të njohur, pa e ditur se kush je, pa të pyetur për emrin, të të ftojë në shtëpi? Ai burrë, as i ri e as plak, nuk kishte kurrëfarë interesi për mua, një njeri që e pa në breg të lumit duke fotografuar shiun!…

Nuk i thashë se në atë fshat kisha qenë disa herë dhe se kisha plot miq, që me siguri ai i kishte dashamirë, pavarësisht se ku rronin e punonin, në Pukë, Tiranë etj., nuk i përmenda asnjë emër nga ata, sepse atë ditë më mjaftoi emri i tij, i një malësori “anonim”, fisnikëria e të cilit nuk vdarët as në kohë moderne. Ashtu si ai do të bënte çdo shoq i tij në atë vend. Për këtë arsye nuk po ia them emrin, ama për vete nuk do ta harroj. Bile, të kisha se si, nuk do të vija as emrin tim poshtë këtyre radhëve, që dhe nëse atij ia thashë, ashtu kalimthi, me siguri që nuk e ka mbajtur mend, pasi ai nuk ftoi në shtëpi mua si person, por mikun që pa në fund të arës së tij dhe duhej ta thirrte për sillë apo për darkë, si e donte zakoni.

Ja, sjellje të tilla unike i kanë befasuar të huajtë, si Edit Durham, që erdhën njëherë në Shqipëri e nuk ikën më prej saj.

Dhe të mendosh që Kryeziu është vendorigjina e Gjeçovit të Kanunit…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok