25/05/2024

Ngjarje që zunë një hapësirë të madhe në imagjinatën time djaloshare

0

Nga Ndue Ukaj

Jam lindë dhe jam rritë në një fshat piktoresk, rrafshnalta e së cilës ishte hijeshuar me majën e lartë të Stubllavaçës, që dukej sikur kishte kurorëzuar një fat lartësish për të. Poshtë shtëpisë sime shtriheshin lugina të bukura, një kurorë malesh, bashkë me fushat e Anamoravës, kurse përpara, maja e Lubotenit, një pikë ku toka lidhej me qiellin.

Ne jetonim në një shtëpi, në një kodër as të madhe e as të vogël, rreth e përqark së cilës shtriheshin shtëpi të punuar me gurë.

Kur zgjohesha dhe bëhesha gati për në shkollë, përpara më shfaqej maja e Lubotenit, kurse prapa ishte maja e Stubllavaçës dhe një kryq i vjetër, më i vjetri në krejt atë rajon, historia e të cilit më kishte ngacmuar imagjinatën qysh si fëmijë.

“Është kryq i vjetër”, -më thoshte gjyshi im, i cili dinte shkrim lexim, ishte nxënës i shkollës së vjetër, dhe fliste me devocion prej besimtari për të, tek përpiqej të më shpjegonte historinë e Martirëve të Karadakut dhe vazhdonte:

“Ata janë syrgjynë të kombit e të fesë”, dhe ndalej, shikonte përpjetë, merrte frymë thellë, pastaj pëshpëriste diçka nëpër buzët e tij të holla, me siguri ndonjë lutje në gjuhën e vjetër arbnore.

Diellit, kur linde, i duhej kohë të kalonte kodrën mbi shtëpinë time, që të shfaqte rrezet e tij në oborrin tim, por kur i ngulte rrezet në oborrin tim, ato shndritnin deri kur terri mbështillte tokën dhe gjithçka që ekzistonte mbi të.

Dhe ishte magjepse të sodisje perëndimin e diellit në ato lartësi, kur ai bëhej i vogël e terri i madh, dhe të mendoje për ato çaste, kur terri gjithçka e fuste nën pushtetin e tij.

Atëherë ndihej nevoja e dritës, e fuqisë së saj, e mengjesit të ri.

Që fëmijë, më dukej e çuditshme loja mes dritës e territ, e sodisja si vinte terri si një ushtri dhe gjithçka e gllabëronte në pushtetin e vet.

Dhe vinte nata!

Kur je në terr e pa dritë, një natë mund të jetë shekullore, nuk sheh asgjë përpos errësirës, siç mund të ishte një jetë njerëzore, një jetë, në të cilën ndodhte shpesh të plandoste terri i madh.

Stublla e Epërme është një vendbanim i bukur, por atë e bënë më të veçantë, historia e tij, historia e Martirëve të Karadakut, të shekullit XIX, dhe sidomos ajo e shkollës së parë shqipe në Kosovë, ngjarje këto që zunë një hapësirë të madhe në imagjinatën time djaloshare.

Fshati ka dy kisha të bukura, njëra e ndërtuar me gurë të gdhendur nga mjeshtrit e spikatur të fshatit, të cilët gdhendjen e gurit e kishin mjeshtëri të moçme, kurse tjetra, një kishë shkollë, tani e kthyer në muze, që rrinte e vetmuar dhe e ndrojtur rrëzë kodrës, tatëpjeta e së cilës të çonte kah Maja e Stubllavaçës.

Jam rritë duke dëgjuar cicërimën e zogjve dhe tingujt melodikë të kambanave të kishës, por në fillimet të viteve të 90ta, beftë e furishëm, filluan të binin kambanat e ankthshëm të robërisë; kambana kobzeza, që vinin si korba nate për të ndukë sy njerëzish, aso kambana të llahtarshme, të dëgjuara shpeshherë në histori, por që për popujt e këtyre tokave, ishin krejt të freskëta.

“Ne kurrë nuk kemi jetuar të lirë”, thoshin më të vjetrit, e mua kjo frazë më tmerronte, më dukej si një therë në zemër dhe më shponte përditë e më shumë.

Dhe në moshë krejt të re, aty mes viteve dymbëdhjetë e katërmbëdhjetë, i trembur kundroja realitetin, pa mundë të kuptoja vërtet çfarë po ndodhte.

Dhe pikërisht në vitin kur kaloja nga shkolla fillore në atë të mesme, mes gëzimit se po rritesha dhe mallëngjimit se po ndahesha me shokë e shoqe, pashë se qielli ynë u errësua tërësisht. Ne mbetëm pa shkolla, pa universitet, pa radiotelevizion, pa administratë tonën, me prindër të larguar egërisht nga puna dhe me frikën e shtrirë kudo, si një mjegull, që nuk të linte të shihje asgjë përpara.

Asokohe, i dëshpëruar, ngjitesha shpesh në maje të Stubllavaçës dhe prej atyre lartësive, kur qielli ishte i kthjellët, më dukej se e shija gjithë botën në shuplakë dore.

Po, asokohe, përfytyrimi im për kufijtë kishte një mospërkim të thellë me realitetin, nuk mund ta kuptoja se kufijtë vërtet ishin përcaktuar të ishin humnerë njerëzore, ku fundoseshin dëshira të pafundme, ku virtrshin shumë ëndrra të rinjsh porsa çelnin filizat e parë të jetës.

Unë kisha mbushë një lundër plot dëshira e kisha lundruar nëpër retë e bardha, atyre lartësive magjepse, deri kur erdhi një ditë, kur realiteti kishte forcë të llahtarshme sa t’i tmerronte edhe ëndrrat, dhe lundra ime u godit prej dallgëve të jetës.

Gjithçka erdhi shpejt, si vetëtima, për të ndryshuar jetën time përfundimisht, jo vetëm timen, por edhe të gjithë njerëzve përreth meje.

(Fragment nga një libër që po shkruaj)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok