02/12/2024

Në ujëra të cekëta kulturore

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Të krenohesh se i përket një qytetit të Kosovës dhe ta përdorësh këtë si argument qytetarie, me pretendime megalomane, për të vendosë supremaci kulturore e për të përçmu të tjerët, kjo së pari është injorancë e thellë, e së dyti, ky diskurs tregon se personat e tillë, që nuk janë pak ndër ne, janë të zhytur në ujëra të cekëta kulturore dhe nuk kanë lidhje me qytetërimin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Ata që e mendojnë qytetërimin si gjendje biologjik e gjeografike, kanë një mospërkim serioz me qytetërimin.

Duhet përsëritë shpesh, sepse kujtesa jonë është tmerrësisht e shkurtë: Kosova, për shkak të aksidenteve të tmerrshme historike, sundimit të gjatë osmano-komunist, nuk e ka asnjë qytet, në kuptimin mirëfilltë çfarë nënkupton lidhja mes qytetit e qytetërimit.

Fatkeqësisht, asnjë qytet i yni nuk ka një trashëgimi në shenjë, si për shembull ajo që ka Shkodra, ku kanë gravituar idetë më të shëndetshme kulturore shqiptare, e prej ku kanë dalë punëtorët ma të shquar të kulturës shqiptare, që kanë lënë vepra e kryevepra të paçmueshme kulturore e artistike.

E për qytetari e qytetërim te ne flasin pikërisht ata që të vetmin element të qytetarisë mund ta kanë origjinën ose vendin ku banojnë, në disa ndërtesa të shëmtuara arkitektonike, plot beton e në rrugë të ngulfatura, ku është gati e pamundur të spikatësh diçka të bukur.

Qytetaria e mirëfilltë, ashtu sikurse elitat e mirëfillta, ndërlidhen me cilës dhe vlera te njëmenda, me punë e vepra fisnike dhe kurrsesi me vendin ku banon X ose Y – e dokrra të tjera.

Thjesht, qytetaria nuk është atribut as vlerë apriori, por diçka që merr domethënie përmes punëve fisnike e vlerave të spikatura, autentike dhe, përmes njerëzve të ndjeshëm e të ndërgjegjshëm kundrejt Res Publica-s, pra të mirës së përbashkët.

Ky “debati” rreth “qytetarisë dhe katundarisë”, të cilin e nxisin herë neoosmanët e neokomunistët, tregon sa i mjerë është mendimi për elitat dhe qytetarinë në vendim tonë, ku, këto koncepte shpesh reduktohen te biologjia ose gjeografia. A në fakt, elitat e një kombi a shteti, nuk kanë të bëjnë asgjë: as me prejardhjen, as me gjeografinë, por me cilësitë krijuese, kulturore, intelektuale.

Martin Camaj, njëri prej shkrimtarëve ma të mirë në botën shqiptare, pohon se ka lindë në nji vend “ku s’ka shkelë kurrë kama e kalit.”

Por pikërisht Camaj është ai që në Prishtinë, me 1953, e botoi librin e parë me poezi dhe me të filloi letërsia e mirëfilltë shqipe tek ne.

Pra Camaj i ka sjellë qytërim e shkëlqim estetik Kosovës ma shumë se tufa pafund qytetarësh të zallamahisë sonë.

Asokohe, kur Camaj botonte poezi këta “qytetarët” tanë, me siguri kanë qitë petulla në ujë e kanë marrë frymë në tymnajën e thellë të prapambturisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok