Në kërkim të njerëzve të ndershëm!
Shkruan: Florim Zeqa
Në mbarë botën ekzistojnë lloje të shumta të njerëzve që u përkasin nacionaliteteve dhe racave të ndryshme, që u përkasin karaktereve dhe llojeve të ndryshme, që u përkasin niveleve të ndryshme të edukimit dhe ngritjeve profesionale të llojllojshme. Por sa i përket vendit tonë, unë do t’i veçoja tre lloje të njerëzve.
1) Njerëzit me fytyrë të bardhë,
2) Njerëzit me fytyrë të kuqe,
3) Njerëzit me fytyrë të zezë.
Njerëzit që e kanë fytyrën e bardhë janë të drejt dhe të ndershëm, njerëz që bëjnë punë të mira për vendin, njerëz human që flasin mirë dhe ndihmojnë të tjerët, njerëz që e thonë vetëm të vërtetën dhe nuk gënjejnë, që i pajtojnë njerëzit mes tyre dhe nuk nuk marrin ryshfet (mito), njerëz që nuk korruptojnë dhe as që korruptohen nga të tjerët.
Njerëzit që e kanë fytyrën e kuqe, janë ata janë të ryshfetit (mitmarrjes dhe mitdhënjes), pra ata që korruptohen, të cilëve kur ua permendin emrin në vende publike ju s’kuqet fytyra.
Kurse njerëzit që e kanë fytyrën e zezë, janë ata që bëjnë keq, janë delinkuentët, ata që vjedhin dhe mashtrojnë të tjerët, shpifin e spiunojnë, bartin fjalë e të gjitha të këqijat i bëjnë në mesin ku jetojnë. Të tillët as me i pa në rrugë askush nuk do, e kur të hynë në vende publike askush nuk i nderon.
Thënja e së vërtetës, sfidë e njerëzve të ndershëm
Ato që i ceka më sipër vlejnë për kohën e shkuar, për vitet kur respektoheshin vlerat njerëzore në shoqëri, kurse sot, askush nuk urrehet më shumë sesa njerëzit e ndershëm dhe ata që e marrin guximin për të thënë të vërtetën.
Megjithatë, njerëzit më të mëdhenjë dhe më të devotshëm të kohës sonë janë ata që e sakrifikojnë vetën për të përhapur të vërtetën lakuriqe për opinionin publik ashtu siq është ajo e jo ashtu siq ua servojnë të gjithpushtetshmit dhe të fortët e politikës.
Nuk duhet nderuar njerëzit e veshur me petkun e pushtetit, por njerëzit që e thonë të vërtetën dhe përkushtohen me tërë qenjen e tyre për të vërtetën dhe të mirën e vendit. Pavarësisht konseguencave ja vlenë për të rrezikuar për të vërtetën. Në të kundërtën, nëse heshtim e vërteta asnjëherë nuk do të dali në shesh. Ai njeri që nuk sakrifikon për idetë e tij, ai vlen pak për të mos thënë asgjë.
Rreziku më i madh i një shoqërie njerëzore vjen nga reputacioni i rrejshëm i njerëzve të gabuar, pasi jo rrallë herë ndodhë që pas reputacionit në opinionin publik fshehen maskarenjët dhe idiotët.
Në të shumtën e rasteve, në mesin e njerëzve më pak të vlerësuar i gjejmë njerëzit më të ndershëm dhe më të mirë, i gjejmë njerëzit më të mençur dhe më atdhetar, e gjejmë vlerat më të pastra dhe më sublime të kombit tonë.
Për të realizuar gjëra të mëdha në jetë, duhet përkushtim i madh dhe vendosmëri e çeliktë. Pra, duhet përkushtim me tërë qenjen fizike dhe shpirtërore. Ngase, nëse nuk përkushtohesh për gjëra të mëdha do të humbasësh edhe gjërat e vogla në jetë.
Varfëria shpirtërore, sëmundje mentale
Asnjëherë varfëria nuk vjen nga humbja e pasurisë, por nga varfëria shpirtërore, nga urrejtja dhe xhelozia si dhe nga egoja e pakufishme për poste pushtetore dhe pasurim të paligjshëm.
Njeriu i drejt asnjëherë nuk i frikësohet forcës me të cilën përballet, nuk e pranon poshtërimin para njerëzve të padrejt. Njeriu i drejt nuk i frikësohet as vdekjes natyrale, për shkak se ajo vjen kur të vjen koha, prandaj me të gjitha mjetet i kundërpërgjigjet padrejtësive të kohës, të cilat të bëjnë të vdesësh çdo ditë për së gjalli.
Njeriu i drejt nuk pranon të kthehet në “rob” të prangosur qoftë edhe prapa grilave, si rezultat i idealeve jetësore, si i tillë njeriu i drejtë edhe në burg ndjehet i lirë.
Ai njeri i cili është i gatshëm t’iu bëjë ballë sakrificave, është shërbëtori më i mirë dhe më i devotshëm i atdheut të tij. Ndërsa ai njeri i cili nuk është shërbëtorë i mirë ndaj atdheut, nuk mund të jetë qytetarë i devotshëm i shoqërisë njerëzore dhe as nuk mund të jetë udhëheqës i mirë shtetëror.
Florim Zeqa
14.08.2023