26/04/2024

Në dy rrethana zbutet nacionalizmi agresiv i një kombi

0

Nga Prof. Blerim Latifi

Në dy rrethana zbutet ose shfuqizohet nacionalizmi agresiv i një kombi: ose përmes transformimit të brendshëm kulturor e ideologjik ose përmes ekuilibrit të jashtëm të forcave.

Sot nacionalizmi serb vazhdon të jetë tejet agresiv pikërisht për faktin se mungojnë  këto dy rrethana. Në planin e brendshëm shoqëria serbe nuk ka bërë kurrë asgjë serioze për të lënë prapa nacionalizmin shovinist, ndërsa në planin e jashtëm mungon ekuilibri i forcave midis Serbisë dhe fqinjëve të saj, ndaj të cilëve ajo ka pretendime territoriale dhe pretendime të kontrollit.

Për derisa do ta kemi një Kosovë të dobët, një Shqipëri të dobët, një Mal të Zi të dobët, një Bosnje të dobët e të varur nga Serbia, pra katër shtete që nuk janë në gjendje të balancojnë fuqinë ushtarake të Serbisë, nacionalizmi agresiv i saj vetëm sa do të lulëzoj. Ekuilibri i forcave është siguresa kryesore e ruajtjes së paqes mes kombeve. Ne gjithmonë e harrojmë këtë fakt ngase na pëlqen iluzioni i bukur se gjithmonë dikush nga fuqitë e mëdha do të kujdeset për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë. Por heret a vonë vjen një ditë që ky iluzion bëhet copë e thërrime nga të papriturat e historisë, nga e ardhmja e cila gjithmonë vjen për t’ na treguar se sa të gabuara ishin ëndrrat tona për të.

__________

Viktimat kryesore të tërmeteve gjithmonë janë të varfërit, ngase jetojnë në ndërtesa të ngritura me standarte të ulëta të ndërtimit dhe pa i respektuar parametrat inxhinerikë të rezistencës ndaj termeteve. Kuptohet: kushtet ekonomike ua diktojnë kët’ gjë.

Ndërkaq, cubat e mëdhenj të pushteteve politike dhe ekonomike u shpëtojnë tërmeteve pikërisht pse jetojnë në ndërtesa me garanci të mëdha inxhinierike.

Prandaj viktimat e tërmeteve nuk janë thjesht viktima të fatkeqësive natyrore, por, njëkohësisht, edhe viktima të ekonomive që e prodhojnë dhe e konservojnë varfërinë.

Dhe për t’ia vënë kapakun gjithmonë dalin klerikë të paftyrë që tragjeditë e tilla njerëzore ia mveshin zemërimit të Zotit.

Po pse do duhej Zoti të zemërohej me një foshnje të cilës, duke fjetur, i bie muri mbi kokë?

A nuk do duhej Zoti të zemërohej me ata që i detyrojnë njerëzit të jetojnë në kushte të mjera ekonomike, pasojë e të cilave janë edhe banesat e ndërtuara pa kurfarë sigurie?

Dhe me ata që përmes frazave për “paracaktimin e ngjarjeve nga Zoti”, i fshehin gabimet e poshtërsitë njerëzore?

__________

Në Kosovë e Shqipni shkollat pa mësues fizike, ndërsa studiot televizive të mbushura me budallenj që e hedhin poshtë shkencën e Ajnshtajnit përmes broçkullave konspirative e antisemite. Kurrë shqiptarët nuk i janë ekspozuar rrezikut të shkatërrimit të mendjes më shumë se sa sot.

__________

Prej kohëve që nuk mbahen mend ata ishin tre. Si tre vëllezërit e legjendës së Rozafatit.

Një natë vjeshte ai më i larti u godit nga rrufetë dhe u shemb për dhe. Fshatarët vrapuan t’ia marrin trupin e shkrumbosur, për t’i ngrohur vatrat e tyre, vatrat ku rriten rojtarët e rinj të kujtesës se ata ishin tre. Prej kohëve që nuk mbahen mend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok