Asosacioni si intrigë dhe hipokrizi e Miroslav Lajçak!

0

Nga Enver Bytyçi

Në janar të vitit 2002, tetëdhjetë vite pas shpërbërjes së Perandorisë Austro-Hungareze, hyri në fuqi ligji i parlamentit hungarez për qytetarët e këtij vendi, të cilët jetojnë jashtë territorit të Hungarisë. Ishte fjala për qytetarët hungarezë, të cilët deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore jetonin në territorin e këtij shteti. Por që si ndëshkim për humbjen e asaj lufte këto territore mbetën jashtë saj. Si rezultat gjysëm milioni hungarezë banojnë në territorin e Sllovakisë, vendin e Miroslav Lajçak. Sipas atij ligji, Hungaria kërkon të drejta për minoritetin hungarez në Sllovaki në fushën e arsimimit, çeshtjet sociale, të kulturës dhe punësimit.

Qeveria e zotit Lajçak, pra qeveria sllovake, e refuzoi këtë ligj hungarez. Madje marrëdhëniet midis dy vendeve anëtare të BE-së shkuan deri te refuzimi i një vizite të presidentit hungarez në zonën minoritare sllovake. Popullsia hungareze në territorin sllovak përbën rreth 10 përqind të të gjithë popullsisë së këtij vendi. Megjithatë hungarezët e Sllovakisë nuk kanë të drejta, të cilat Miroslav Lajçak kërkon t’ia imponojë një minroteti serb në Kosovë, i cili kap vetëm tre përqind të popullsisë së përgjithshme. Kjo për faktin se këtë e refuzon qeveria e Bratislavës. Një refuzim të tillë e ka bërë gjithashtu vetë Miroslav Lajçak para një dekade në rolin e ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovakisë.

Pavarësisht këtij standardi, Lajçak sot do të jetë sërishmi në Prishtinë për të kërkuar me insistim që Kosova të pranojë asosacionin e Komunave me Shumicë Serbe, me të cilin serbët do të kishin të drejta deri extraterritoriale e jo vetëm kulturore, të arsimimit, në fushën sociale dhe të punësimit, çka ka kërkuar Hungaria për hungarezët që jetojnë në Sllovaki. Të jesh anëtar i Bashkimit Europian dhe i NATO-s, të shijosh privilegjet që burojnë nga ky status nga njëra anë, dhe të kërkosh të drejta për serbët në Kosovë, të cilat nuk ia jep një minoriteti të caktuar në vendin tënd, nga ana tjetër, kjo është hipokrizi!

Unë jam nga ata që nuk besojnë se diplomacia, sidomos ajo euro-atlantike është e ndërtuar mbi bazën e hipokrizisë. Por, në Kosovë kjo lloj diplomacie bën presion mbi qeverinë dhe aktorë të tjerë për të pranuar një asosacion, që shpërbën shtetin dhe shtetësinë e saj. Lajçak duhet të jetë një diplomat i tillë hipokrit! Ndryshe pse Sllovakia nuk pranon të zbatohet ligji hungarez për këtë minoritet brenda territorit të saj? Sepse ka frikë që ky minoritet nesër mund të kërkojë asoiacionin dhe të bashkohet përsëri me atdheun amë, Hungarinë. Nuk ka asnjë arsye tjetër veç kësaj.

Por, kur Sllovakia dhe Hungaria, dy vende demokratike dhe anëtare të BE-së, nuk pranojnë një status për minoritetin hungarez në Sllovaki, pse Lajçak duhet ta kërkojë këtë për Kosovën?! Kur Bratislava nuk i beson Budapestit, pse u dashka që Prishtina t’i besojë Beogradit?! Kur qeveria sllovake e Lajçak nuk i beson qeverisë së Budapestit, qeveria e Kosovës ka një million arsye më shumë që të mos i besojë qeverisë së Serbisë. Historia e Kosovës dhe e Serbisë është histori genicidi e serbëve kundër shqiptarëve. Gjenocid i organizuar dhe zhvilluar me plarforma shtetërore, akademike e fetare të Beogradit. Eshtë histori konfliktesh të përgjakshme, masakre dhe përpjekjesh të Serbisë për ta asgjësuar elementin shqiptar! Ndërsa, historia e Hungarisë dhe e Sllovakisë nuk është e tillë. Atëherë për cilën arsye duhet që Prishtina t’i besojë Beogradit për të implementuar një projekt të tij me minoritetin serb në Kosovë, projekt të cilin Sllovakia e Lajçak e refuzon për minoritetin hungarez atje?!

Çdo marrëveshje që rrit të drejtat e minoriteteve, ashtu si edhe marrëveshjet e tjera, arrihen me një kusht të vetëm: – Që palët të kenë besim te njëra-tjetra! E si mund të ketë besim Kosova te Serbia, kur ende sot pas dhjetë vitesh, pas nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit 2013, strukturat paralele të Serbisë ende janë të fuqishme në veriun e Kosovës?! Si mund të ketë besim midis këtyre dy vendeve, kur këto struktura paralele janë armatosur ilegalisht dhe kërcënojnë integritetin territorial e institucional të Kosovës?! Si mund të arrihet besueshmëria midis Prishtinës e Beogradit, kur çdo ditë liderët serbë betohen se „do të marrin diçka nga Kosova“, d.m.th teritore prej saj?!

Lajçak është në Kosovë. Do të drekojë me kryeministrin Kurti dhe zv. Kryeministrin Bislimi. Do t’u kërkojë atyre për të disatën herë që ata ta pranojnë asosacionin. Madje pa u skuqur! Pa u ndjerë keq, se ai dhe vendi i tij i refuzojnë të drejta shumë më të kufizuara se këto të serbëve në Kosovë për minoritetet në vendin e tyre! E tmerrshme, sa shumë intriga e hipokrizi ka edhe në politikat dhe diplomacinë ndërkombëatre! Pse? Sepse mbi të drejtën dhe drejtësinë prevalon interesi! Madje na thonë se asosacioni i komunave me shumicë serbe krijon stabilitet në rajon, kur në fakt asosacioni serb në Kosovë i ve flakën Ballkanit, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës e Malit të Zi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok