06/10/2024

Në 330 vjetorin e vdekjes së personalitetit më të madh shqiptar të shekullit XVII, Pjetër Bogdani!

0

Nga Enver Bytyçi
Të gjithë serbët, pa përjashtim, gjatë dy shekujve të fundit kanë shkruar se Beteja e Kosovës e vitit 1689-1690 midis Perandorisë Autro-Hungareze dhe Perandorisë Osmane ndodhi e ashtuquajtura “kataklizmë e popullit serb në Kosovë”! Sipas tyre kjo betejë bëri që 37 000 familje ose 180 200 serbë u shpërngulën nga trevat e Kosovës, pasi Perandoria Austro-Hungareze e humbi betejën e Kosovës në atë kohë dhe shkuan në Hungari. Ata përmendin priftin Arsenije, si udhëheqës të turmave të popullsisë serbe, të cilët u larguan drejt Hungarisë. Nga kjo tezë historianët, demografët, sociologët, filozofët serbë kanë shkuar te trajtesa e gabuar dhe e sajuar, sipas së cilës “Shqiptarët ishin në krah të Perandorisë Osmane dhe meqë osmanët ishin fitues të asaj beteje, osmanët dhe shqiptarët kryen akte dhune kundër serbëve në.
Por kjo tezë me qëllime nacionaliste dhe shoviniste e istoriografisë serbe është hedhur poshtë nga historianë prominentë të Europës dhe SHBA-ve. Në qendër të referencës historike qëndron kontributi i jashtëzakonshëm i shkrimtarit, dijetarit, filozofit, klerikut dhe luftëtarit të pashoq, hasjanit Pjetër Bogdani. Një korrespondencë e Pjetër Bogdanit me komandantin austriak Piccolomini, zbulon të vërtetën e asaj beteje. Ajo letër zbulon se Bogdani në krye të shqiptarëve luftoi në krah të ushtrisë austro-hungareze dhe madje gjatë bashkëpunimit me austro-hungarezët u kërkon atyre që kjo ushtri të përmbahet e mos grabisin, keqtrajtojnë dhe masakrojnë shqiptarët, të cilët ishin shumicë në Kosovë.
Ndërkaq Piccolomini i përgjigjet pozitivisht bashkëpunëtorit të tij me famë. “Po bëj çmos që të ndal mizoritë që kryhen nga hajdutët sllavë dhe i detyrojnë (shqiptarët) të ikin nga sytë këmbët”, i shkruan ai Pjetër Bogdanit. Ndërsa një tjetër korrespondencë si kjo shkëmbehet gjithashtu midis kryepeshkopit katolik të Nikopolit dhe perandorit austriak në qershorin e vitit 1689. Ata pohojnë se serbët iu bashkuan sa ushtrisë osmane po aq ushtrisë austro-hungareze me qëllim që të shfrytëzojnë këtë betejë për të bërë plaçkë të shoqëruar me dhunë.
Eshtë për t’u përmendur kontributi i madh i historianit të shquar britanik, Noel Malcolm, i cili në librin e tij “Kosova – një histori e shkurtër” ka ndriçuar me korrektësi dhe kompetencë profesionale kontributin e Pjetër Bogdanit në krah të Perandorisë Osmane gjatë betejës së saj me Perandorinë osmane. Malcolm shkruan se shqiptarët ishin po aq aktivë kundër ushtrisë osmane sa edhe serbët. Ndërkohë përmend faktin se kur forcat austro-hungareze u futën në Prishtinë, nuk hasën në rezistencë, edhe pse shqiptarët ishin banorët shumicë dërmuese të këtij qyteti. Sipas Malcolm, i cili u referohet dokumenteve arkivore austriake dhe të Venedikut, 5000 shqiptarë, përfshirë muhamedanë, ishin betuar për besnikëri ndaj austriakëve kundër turqve. Asokohe qyteti i Prishtinës kishte 15 mijë banorë, që do të thotë se të gjithë burrat në moshë madhore ishin rendit përkrah Austro-Hungarisë, gjë që lëshon përtokë tezën serbe, sipas së cilës “shqiptarët kishin luftuar kundër Vjenës”, një tezë kryekëput në përpjekje për ta bind Perendimin se “shqiptarët historikisht ishin me Lindjen”!
Duke evidentuar rolin e Pjetër Bogdanit, Malcolm shkruan se “Bogdani duket se ka luajtur një rol udhëheqës në organizimin e lëvizjes pro-austriake”. Autori i veprës së famshme “Çeta e profetëve” dhe komandanti i shquar në beteja, Pjetër Bogdani, mobilizoi shqiptarët pa dallim feje, të krishterë apo muhamedanë, me qëllim që të ndihmojë ushtrinë perandorake austro-hungareze. Gjurmët e këtij kontributi në betejën e Kosovës të viteve 1689-1690 gjenden jo vetë në Prishtinë, por edhe në Prizren e qytete të tjera të Kosovës dhe Shqipërisë së Veriut.
Dhe duke iu rikthyer tezës serbe për shpërnguljen e serbëve në atë betejë, Malcolm dhe historianë të tjerë provojnë me dokumente se prifti serb i kohës Arsenije nuk ishte në Prizren më 6 nëntor 1689, siç pretendojnë historianët serbë. Për pasojë bie poshtë hipoteza sipas të cilës prifti në fjalë të shërbejë si burim i të dhënave të rrejshme të Akademisë së Serbisë. Ndërkaq Malcolm dhe të tjerë historianë, përmes hulumtimeve provojnë se Arsenije nuk ka qenë fare në Kosovë, përkundrazi, ishte në Rusi dhe se kronikat e kohës shkruajnë që nga Kosova asokohe u shpërngulën për shkak të dhunës jo 37 mijë familje, por 40 mijë frymë, d.m.th banorë të Kosovës, ku bënin pjesë edhe shqiptarë si dhe serbë nga trevat e Serbisë së sotme, të cilët iu bashkuan turmës gjatë udhëtimit të saj drejt Hungarisë.
E trajtova këtë ngjarje për dy arsye:
Së pari të ve në dukje rolin dhe kontributin e patriotit të madh, Pjetër Bogdani, në mbrojtje të identitetit dhe ekzistencës së shqiptarëve. Të ritheksoj se shqiptarët ishin asokohe dhe në shumicën e periudhave historike mbështetës të perëndimit. Ata kanë ditur, kur janë udhëhequr nga njerëz të dijes, të urtësisë dhe atdhetarë të orientohen edhe në periudha të vështira. Pjetër Bogdani është një prej këtyre ikonave që ka ditur ta orientojë historinë tonë kombëtare drejt interesit shqiptar!
Së dyti, të argumentoj se propaganda nacionaliste serbe e ndërtuar mbi bazën e miteve të shpikura gati një shekull pas kësaj beteje nga etnografi i shquar serb, Vuk Karaxhiç, është një sajesë e shpifur antishqiptare. Të vetmin synim që kjo propagandë ka pasur dhe ka ende sot ka të bëjë me projektet për krijimin e Serbisë së Madhe. Këtij qëllimi i shërben dhe projekti i fundit për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok