Ndryshime kushtetuese e në Kodin Penal, si garanci për asosacionin!
Nga Enver Bytyçi
Eshtë e vërtetë se Albin Kurti i trajton temat e diskutimit në dialog me Serbinë në mënyrë profesionale dhe ndryshe nga paraardhësit e tij. Ka një përceptim pozitiv në atë se si kryeministri i Kosovës është i përkushtuar ta mbrojë shtetësinë dhe integritetin territorial të vendit më shumë se ata që qeverisën para tij pas pavarësisë. Këto garanci i ritheksoi ai edhe ditën e djeshme në një konferencë për shtyp. Dhe shqiptarët e Kosovës besojnë se kreu i ekzekutivit i mandatuar në dialog nuk është peng i Beogradit, as edhe i ndonjë segmenti tjetër. Pra nuk është i shantazhueshëm.
Por a mjaftojnë vetëm premtimet, idetë dhe përkushtimi i zotit Kurti për të qenë gardian i Republikës dhe i territorit të vendit? A mjafton gjithashtu të qenit i pashantazhueshëm për këtë? Testi i parë dhe kryesor është dhe mbetet asosacioni. Që në momëntin kur njëherë ai quhet “vetëmenaxhim” e njëherë tjetër asosacion krijon amulli dhe dyshim, nëse do të jetë në kuadrin e një organizimi thjesht të mbrojtjes së të drejtave të pakicës serbe, apo edhe të mbrojtjes së Kosovës si shtet e si territor!
Megjithatë ne duhet të shohim nga dy pikënisje: Nga njëra anë nga ajo çfarë kanë lejuar e lëshuar paraardhësit e zotit Kurti, Thaçi dhe Mustafa. Dhe nga pikënisja tjetër se çfarë e garanton pavarësinë, shtetësinë, integritetin dhe sovranitetin në Kosovë. Nëse nisemi nga këndvështrimi i së kaluarës, Albin Kurti del një politikan më i aftë dhe më atdhetar, sesa ata të dy. Por edhe Thaçi e Mustafa kishin dallimet midis tyre, sado që ky i fundit ishte peng i të parit. Madje edhe në periudhën kur e kishte vartës si ministër të Jashtëm. Por Isa Mustafa dy gjëra nuk i mendoi keq në atë rrëmujën e madhe të firmosjes së marrëveshjes së vitit 2015. Së pari, se kërkoi që ajo marrëveshje të kalojë në gjykatë kushtetuese. Nëse nuk do të ishte kjo klauzolë, marrëveshja do ishte në fuqi sot. Dhe së dyti, se ia mori me shkrim Frederica Mogherinit garancinë se “Asosacioni nuk do të kishte kompetenca ekzekutive”! Megjithatë është çudi e madhe se si këto kompetenca interferuan në statutin e tij. Ai duhet ta ketë një shpjegim për këtë, nëse nuk vazhdon të jetë peng i pengmarrësve!
Por le të kthehemi te garancitë e zotit Kurti. Janë përmendur shumë modele të servirura nga Miroslav Lajçak. Kurti është kreativ dhe ka forcën e argumentit me interlokutorët për të mos rrëshqit në veprime që dëmtojnë Kosovën. Por djalli fle në detaje. Ndaj dhe zotit Kurti i duhet të marrë pajtimin e Serbisë se do të duhet të bëhen ndryshime kushtetuese për të garantuar sovranitetin, mbrojtjen e territorit dhe të shtetësisë. Lista Srpska nuk po i regjistron kandidatët për zgjedhjet në katër komunat e veriut në preteksin se duhet të largohen nga veriu forcat speciale të policisë. Pra, ka një presion politik, që paralajmëron segregacion në Kosovë. Dhe kur ende nuk ka asnjë lloj asosacioni.
Në këto kushte duhen garancitë kushtetuese. Së pari të krijohet ushtria dhe me nen kushtetues ajo të ngarkohet për ruajtjen e integritetit territorial të vendit. Kudo në botë ushtria dhe forcat e armatosura janë element kushtetues. Lista Srpska duhet ta votojë krijimin e ushtrisë dhe funksionet e saj kushtetuese në parlament, nëse dëshiron asosacionin. Kjo kërkesë e forcon shtetësinë dhe besimin edhe te marrëveshja për asosacionin. Por përveç ushtrisë duhet riformuluar funksioni i policisë së shtetit, prokurorisë, gjykatës si një funksion unik në të gjithë territorin e vendit. Ndryshe asosacioni do të përdoret me të tilla artifice, siç është përdorur pa patur asosacion në 15 vitet e fundit.
Serbisë i duhet bërë e qartë se në Kosovë nuk mund të vazhdojë të ushqejë krimin e organizuar dhe bandat politike, me qëllim destabilizimin e saj. Edhe për këto arsye duhet rikonfirmuar më qartë dhe më saktë raporti i forcave të sigurisë me asosacionin dhe veprimi i tyre unik në të gjithë territorin e vendit. Formimi i asosacionit apo vetëmenaxhimit duhet kushtëzuar me këto ndryshime kushtetuese. Ndryshe serbët në kuvendin e Kosovës nuk do të binden asnjëherë që të votojnë për to.
Qytetarët e Kosovës, përfshirë serbët, duan e duhet ta ndjejnë veten të barabartë, të mbrojtur dhe me perspektivën e një jete të përbashkët. Por kjo kërkon që me kushtetutë Beogradi të largohet nga ndikimi i tij në këtë vend. Pa këtë garanci është vështirë të besohet se asosacioni, vetëmenaxhimi apo çfarëdo lloj forme autonomie për serbët nuk përbën rrezik për shtetësinë dhe territorin e Kosovës.
Ndërkohë që duhet rënë në ujdi që krahas ndryshimeve kushtetuese, të ndryshohet dhe kodi Penal dhe kodi i Proçesdurës Penale me theks të veçnatë rritjen e forcës ndëshkuese kundër çdo përpjekjeje separatiste dhe kundër krimit të organizuar e veprimeve mafioze në të gjithë territorin e vendit. Dhe për të gjitha këto ka eksperienca të mira në të shkuarën, sidomos në bisedimet për statusin e Kosovës. Të kesh Fatmir Sejdiun në Kosovë dhe ta injorosh kontributin dhe eksperiencën e tij në bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës është e çuditshme! Ose kemi të bëjmë me vetëbesim të tepruar, ose me papjekuri të skajshme. Kosovës në këto momente i duhet çdo kontribut-dhënës!