02/05/2024

DY FJALË PËR KOLONJËN…

0

Nga Kastriot Frashëri

Po i rikthehem edhe një herë Kolonjës së haruar dhe zhytur në mjerim jo vetëm ekonomik por edhe social. Shkak është lajmi i trishtë i mbylljes së një shkolle 9-vjeçare në një qendër, sa të njohur, aq edhe të qytetërimit të lashtë, në Kamnik të Bashkisë Ersekë. Kjo shkollë ishte ndërtuar disa dekada më parë dhe shërbente si vatra e dijes për fëmijët e fshatrave Kamnik, Sanjollas, Mbënjëz dhe Radimisht. Natyrisht prej kësaj shkolle kanë dalë me dhjetëra intelektualë, mjekë, inxhinierë, ekonomistë, mësues, ushtarakë të lartë, juristë, profesionistë të mesëm etj., që i kanë shërbyer jo vetëm trevës por edhe Shqipërisë.

Shqipëria nën rendin e saj feudo-rilindas duket se nuk ka nevojë më për njerëz dhe shkolla ndaj nuk kemi pse të derdhim lotë për ‘tokën e Rilindjes’ që po shkretohet këtë fillim shekulli të ri më shpejt dhe më rëndë se në zgjedhën e pushtimit otoman. Pra Shqipëria sot nuk ka nevojë as për Kolonjën apo Frashërin? Ajo ka sot rilindasit e saj të cilët prej një dekade kanë të gjitha çelësat e drejtimit të mëmëdheut tonë.

Ndërsa fshatra, qytete dhe atdheu ynë zbrazen çdo ditë nga shpopullimi i shqiptarve që po ikin me shpejtësi nga sytë këmbët për një jetë më të mirë në mënyrë paradoksale këtu i vetmi sektor që punon me rendiment të lartë është Mafia e betonit e cila pasi gjeneron lejët e ndërtimit kundrejt ryshfeteve maramëndëse në dhunim të kondicioneve dhe planeve urbane ndërton çdo muaj kulla e komplekse të larta banimi, resorte e hotele pa fund, a thua se jeta në këtë Republikë mund të programohet të jetohet me turistë apo me pensionistë vendas apo ata të rikthyer për të kaluar pleqërinë vetëm në një sezon pushimesh në vit.

Një ritmi të tillë të zhvillimit social-ekonomik të vendit me përjashtim të ndonje zëri të përpjekur për të cilin nuk përjashtoj dhe veten si autor, askush deri më sot nuk ka guxuar të dalë nga rrjeshti i partisë dhe ti thotë STOP, aq më keq akoma nga bashkëpatriotët tim kolonjarë që kanë 80 vjet që i bien fyellit vetëm në një vrimë, duke u bërë kështu vasalë të një pushteti që trevën e tyre prej dekash për të cilën ka dhënë prova se nuk e ka fare në refene!

Ky është produkti i dashurisë rilindase si shpërblim ndaj Kolonjarëve, votues të daluar prej 1946, të urtë, të mençur dhe punëtorë!?

Nesër Kolonja ime do të ketë më pak një institucion të arsimit dhe kulturës. Kurrë nuk do të dëshiroja ta shihja këtë realitet dhe aq më teper ndaj institucioneve arsimore për një trevë që kurrësesi nuk e meriton këtë fat dëbimi të imponuar nga pushteti politik.

Por nuk gjej dot fjalë tjetër ngushëllimi për ministen e arsimit, politikat e qeverisë apo autoritetet lokale përveçse të them: RIP shkolla e Kamnikut, të një vendbanimi të lashtë.

RIP o Kolonjë e bukur me trimat që kishe dikur, që dhe deputetët, si përfaqësues të saj prej 20 vjetësh ti cakton partia nga lista rezervë e burimeve të saj.

Ndoshta Kolonja është projektuar të kthehet në ndonjë rezervat kombëtar ku në vend të kolonjarëve dhe shkollave të qarkullojnë për eksperiment social  ujqërit, dhelprat, çakallët dhe arrinjtë e ardhur nga malet e Pindit të Greqisë! Një epokë tjetër duket se ka ardhur Kolonja djepi Rilindjes nuk i duhet më askujt. Ajo tashmë ka rilindasit e dalë nga G99 për të cilët nuk heziton aspak të japë për nënën parti!

Mos u çuditni se edhe aksin e ri kombëtar të rrugës Korçë-Ersekë nga segmenti që sapo hyn në qafën e Qarrit nga tre korsi e kanë kthyer me dy korsi për lëvizjen e automjeteve!

Në rast se nuk kanë qēllim tjetër atëhere çfarë mund të jetë ky projekt vanitoz përveçse një akt i pastër korruptiv për të vjedhur fondet publike në dēm të standardeve unike të një aksi rrugor të qarkullimit kombëtar për të cilin kanë të drejtë ta kenë, ashtu si gjithë bota, si kolonjarët, shqiptarët dhe çdo kalimtar tjetër që kalon në territorin e Republikës së Shqipërisë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok