08/10/2024

NDERIMI LOKAL I FIGURAVE KOMBËTARE

0

NGA NDUE DEDAJ

Dje, më 22 shkurt 2024, plot 107 vjet nga shuarja e Abat Prend Doçit, Bashkia Mirditë dhe Dioqeza e Rrëshenit organizuan një takim përkujtimor dhe një ekspozitë me foto të vjetra të “Marubit” kushtuar këtij prelati të shquar atdhetar e dijetar. Dhjetë vjet më parë në Rubik qe organizuar dhe një sesion shkencor kushtuar imzot Doçit, me studiues nga Tirana e Shkodra, si vendlindja e tij! Por problemi është a përmbushet kjo figurë duke u përkujtuar vetëm në nivelin lokal? Nëse nga autoritetet vendore, në takimin e djeshëm, u premtua se do të vihet shtatorja e Doçit në sheshin që mban emrin e tij në Rrëshen, a nuk duhet të ndodhë diçka e tillë dhe në Shkodër, pasi shoqërinë e mirënjohur “Bashkimi”, që Luigj Gurakuqi e quante “Akademi”, Abati e krijoi atje me elitën shkodrane e më gjërë, ku gjendet dhe selia e kësaj shoqërie historike, duke u rrënuar përditë e më shumë. Mirdita, Shkodra apo Tirana mund të krijonin dhe një çmim kombëtar “Abat Doçi”, në rrafshin gjuhësor, letrar, kulturor, pasi Prend Doçi është figurë unike, emblematike e Rilindjes Kombëtare, qoftë dhe për faktin se shqiptarët sot shkruajnë alfabetin e “vulosur” prej tij.

Nuk ishte një përvjetor i rrumbullakosur, kështu që të tjerët mund të justifikohen pse nuk kanë bërë diçka për këtë figurë. Por nuk kanë bërë as herë të tjera, kur ka qenë rasti, Tirana dhe Shkodra, për të mos shkuar më larg, pasi mund të bënte dhe Prishtina apo diaspora, kudo ku flitet shqip. Kjo ngaqë për disa Abati shihet “ngusht”, vetëm si personalitet i Mirditës, kur ai është një figurë kombëtare ndër të rrallat, pse jo dhe ndërkombëtare, pasi shërbeu në tre kontinente: Europë, Azi, Amerikë për shumë vite. Doemos që dje nuk mund të mos e përcillte Vatikani përvjetorin e tij, duke e quajtur “Abati i madh i Mirditës”, ku epiteti i madh rrallëkujt i shkon, por Doçit po.

Një ditë para përvjetorit të tij, më 21 shkurt, ishte dita ndërkombëtare e gjuhës amtare, u mbajtën ligjërata gjithandej, por nuk u mbajt dhe një e vetme në ndonjë universitet apo akademi shqiptarësh për Prend Doçin, sendërtuesin e alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit, nga pozita e kreut të shoqërisë së përmendur “Bashkimi”. E nuk është vetëm ky “mëkati” i metropolit politik, kulturor, akademik shqiptar. A e keni vënë re, nuk venë qeveritarët tanë, krerët e shtetit në asnjë datë të shënuar historike të Skënderbeut në Krujë, që ishte dhe mbetet kryeqyteti skënderbegian. Të gjitha veprimtaritë për heroin kombëtar janë spostuar në Lezhë, që sigurisht ka rëndësinë e saj në këtë mes, për shkak të dy datave të shënuara 17 janarit dhe 4 marsit. Lezha mund të identifikohet me Skënderbeun, kurse ky i fundit nuk mund të identifikohet vetëm me Lezhën.

Në Lezhë përkujtohet për çdo vit dhe Gjergj Fishta, më 23 tetor, aty i është botuar vepra e plotë, në entin botues dhe shtyshkronjën “At Gjergj Fishta”, jepen çmime me emrin e tij, ka përmendore në sheshin kryesor të qytetit, si dhe një instalacion të veprës “Lahuta e Malcis” etj. Vitet e fundit i është ndërtuar dhe kulla ku lindi në Fishtë. Një qytetarí që i shkon aq mirë Lisussit antik dhe Lezhës moderne. Por vendlindja nuk mund të jetë gjithçka për figura të tilla kombëtare. Gjergj Fishta si veprimtari i përket më shumë Shkodrës se Lezhës (posaçërisht Troshanit), por qyteti i Rozafës na duket se pak ndihet për poetin kombëtar që kreu aq shumë vepra misionare, arsimore, kulturore aty. Ai është njëri nga shëmbëlltyrat e identitetit kulturor shqiptar të shekullit XX, çka do të thotë se e ka gati piedestalin kudo.

Edhe At Zef Pllumi është zhvendosur në Lezhë, po për shkak të vendlindjes, kur ai rroi e veproi në Shkodër. Lezha i ka bërë bust në Shëngjin, jep dhe një çmim letrar me emrin e tij. Edhe njëherë nuk ka ndonjë problem ajo që bën Lezha, problemi është çka nuk bëjnë të tjerët. Çka nuk bën Tirana! A nuk ka dhe atje vend për një figurë të tillë? Ai e nderoi kryeqytetin me praninë e tij në të gjallë. Pse tash duhet spostuar në Lezhë? “Rrno vetëm për më tregue” është një libër përfaqësues i Shqipërisë dhe përtej kufijve të saj. Ana tjetër e medaljes është se për figura të tjera kombëtare, nuk bëhet as ai që po e quajmë nderim lokal. Kështu, për Frang Bardhin, asnjë fjalë, askund. As në Lezhë. As në Tiranë. As në Prishtinë. Edhe pse është njëri nga katër shkrimtarët e parë të letërsisë shqipe. Ndër ipeshkvijtë e parë shqiptarë. Autor i të parit fjalor leksikor latinisht – shqip dhe i Apologjisë për Skënderbeun, të mjaftueshme këto për të pasur bustin para Akademisë së Shkencave. A thua se është figurë vetëm e Zadrimës?!…

“Ditët e Naimit” zhvillohen më së miri në Tetovë e Përmet, si takime ndërkombëtare të shkrimtarëve, por krejt mirë mund të zhvilloheshin dhe në Tiranë e Prishtinë, pasi kemi të bëjmë me një figurë të papërsëritshme të botës shqiptare, për të cilin kemi përherë adhurim dhe nostalgji, si dhe për Samiun e Abdylin, përndryshe, trininë e vëllezërve “Frashëri”. Petro Marko, shkrimtar i madh dhe hero i rezistencës ndaj cilësdo diktaturë, vërtet prehet në Dhermi, po vendi i tij është kudo ndër shqiptarë. Ali Asllani duket sikur është poet vetëm i Vlorës, ashtu si Vinçens Prenushi e Zef Zorba vetëm të Shkodrës. Emrin e Çabejt vërtet e mban universiteti i vendlindjes së tij, Gjirokastrës, por normalisht mund ta kishte Universiteti i Tiranës. E sa e sa raste të tjera kështu. Është për t’u përshëndetur Kosova, që rrugët i ka të mbushura me emra nga më të larmishmit e botës shqiptare, pa u tutur se do të gjykohet apo paragjykohet për ndonjërin. Vetëm një vetëdije e lartë kombëtare nuk bën diferencime të asnjë natyre, aq më pak të asaj politike-ideologjike. Edhe pse pati jo pak debate, elita kosovare universitare i tejkaloi ato me dinjitet dhe shtatorja e Anton Çetës u vendos aty ku e meritonte, para Institutit Albanologjik, ku profesori e shkriu jetën si dijetar e, në mbarë Kosovën, si minionar i pajtimit të gjaqeve. Shtatorja e tij mund të vihej dhe te Verrat e Llukës në Deçan, ku u bë kuvendi i madh i pajtimit, por kryeqyteti është njëherësh dhe simbol i vendit.

Në përceprimin tonë, mbase dhe të gabuar, përkujtohen me lehtësi në Tiranë të gjitha figurat që përkujtoheshin dhe në të kaluarën komuniste, ndërsa ka një si ngurrim për të përkujtuar e nderuar publikisht ata që nuk ishin të nomeklaturës së djeshme, qoftë dhe figura atdhetare. Ju kujtohet sa “mundim” e mobilizim qeveritar u desh për t’i bërë nderimin Mit’hat Frashërit, kur gjërat mund të ishin më të natyrshme. Nga ky qendrim ende nuk është bërë asgjë për Musfafa Krujën, si të jetë vulosur fati tij nga “Tarasi” qysh në kohën e Luftës. Në të vërtetë, duhet thënë njollosur, si dhe figura të tjera të ashtuquajtura kolaboracioniste, që hapën shkolla në mbarë trojet shqiptare etj. Kurse nderimi për At Anton Harapin do të ndodhë, ama pas tridhjetë e ca vitesh dhe vetëm pasi të nisë beatifikimi i tij nga Selia e Shenjtë.

Do të duhej një “protokoll” kombëtar për përkujtimin në nivel institucional, shtetëror, akademik të figurave të kombit. Mirëpo kjo nuk ndodh gjithnjë e për të gjithë, çka ka bërë që të shtohet zelli i disa shoqatave atdhetare (shpesh “folklorike”), për t’iu dalë përzot figurave të ndryshme historike, duke i mëshuar më shumë se ç’duhet origjinës. Të kuptohemi, gjëja lokale ka rëndësinë e vet, por nuk mund të eklipsohet prej saj, ajo kombëtare, që është kryesorja!… Thënë ndryshe, periferia ka vlerën e saj të padiskutueshme, pasi aty janë gurët e themelit për gjithëkënd, por sigurisht panteoni është vetëm një. Gjithmonë ka qenë prirja që figura lokale me peshë, hap pas hapi, të promovoheshin në rang kombëtar dhe jo e kundërta.

Nuk arrijmë të kuptojmë se pse për të mëdhenjtë flasim me vështirësi? Prend Doçin nuk e “ndihmon” as fakti që është nderuar me titullin “Nderi i Kombit” nga presidenti i republikës. Por ajo çka të shqetëson seriozisht është se figura të tilla nuk njihen më nga brezi i ri që “lexon” vetëm internet. Nuk po themi në ç’masë njihen ato as nga mësuesit, edhe për faktin se mungojnë botimet akademike me këtë synim. Nga ana tjetër, rendja e mediave pas pasqyrimit të politikës, që çuditërisht është kthyer në modë, e ka zënë hapësirën publike ku mund të flitej jo vetëm për figura të shquara të së kaluarës së largët, por dhe asaj të afërt, si Eqerem Çabej, Frederik Shiroka, Vaçe Zela, Petrit Radovicka, Aristidh Kola etj. Nuk bën të teprohet as me të “mirën”. Kemi zënë disa figura të ndritura disidente të kohës së diktaturës dhe nuk i lëshojmë, më shumë për t’i shtuar kredibilitetin vetes, se sa ndriçimin realisht të tyre, të cilëve do t’iu mjaftonte nxjerrja në dritë e veprës dhe jo “bashkëngjitja” me pahir e fotografisë tonë, atyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok