11/12/2024

“NAÇERTANIJA” E GARASHANINIT – KJO MURTAJË E ZEZË E BALLKANIT

0
u6_jet-e-shqiptareve-ne-turqi

Nga Xhelal Zejneli

Në vitet ’40 të shekullit XIX, ose më saktë pas vitit 1842, udhëheqësit serbë filluan t’i shqyrtojnë planet e zgjerimit të Serbisë. Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë – Ilia Garashanin (1812-1874)figurë kryesore e regjimit konstitucional, u bë strumbullar i pikëpamjeve të zgjerimit të Serbisë. Pothuajse është i saktë edhe konstatimi se Garashanini i ka përcaktuar bazat e politikës serbo-madhe të bashkimit. Konceptin e sipërthënë të zgjerimit të Serbisë do ta mbështesin qarqet politike konservatore si dhe individë të ndryshëm deri ne vitin 1941. Këtë e pohon edhe historiani dhe akademiku serb Vasa Çubriloviq (1897-1990) në “Istorija političke misli u Srbiji XIX veka”, Beograd 1958, f. 176 (“Historia e mendimit politik në Serbinë e shekullit XIX”).

Sikurse edhe shumë bashkëkohës të tij, edhe Garashanini besonte se misioni i Serbisë është ta përmbushë detyrën çlirimtare që e kishte filluar revolucioni serb i vitit 1804. Kufijtë e Serbisë së re duhet të zgjerohen në të gjitha hapësirat ku jetojnë serbët, e këta kufij, sipas filologut dhe linguistit serb Vuk S. Karaxhiq (1787-1864),janë kufijtë e gjuhës serbe. Së këndejmi, përgjegjësia për “çlirimin dhe bashkimin” e të gjithë serbëve në shtetin e madh dhe të bashkuar serb, gradualisht u bë parim kryesor i politikës serbe. Garashanini këtë pikëpamje e paraqiti në mënyrë të sistematizuar në dokumentin sekret të cilin e quajti “Naçertanie” (1844) që do të thotë Projekt, d.m.th. Plan.

Propozimin për këtë ia dha pansllavisti çek Frantishek A. Zach (1807-1892), i lindur në Brno të Moravisë që në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë Austriake. Zahu ishte ithtar i flaktë i marrëdhënieve të gjithmbarshme ndërmjet popujve sllavë. Ishte në shërbim të udhëheqësit të organizatës së emigrantëve polakë – princit Adam Czartorysky. Zahu e kishte bazën e vet në Beograd dhe u sugjeronte autoriteteve serbe që Serbinë që ta mbajnë larg ndikimit rus. Ai përpiqej t’i bindë politikanët serbë që ta bëjnë Serbinë flamurtare të një shteti të fuqishëm të sllavëve të jugut, që do të paraqiste pengesë për ndikimin e habsburgëve dhe të rusëve në Ballkan dhe që do ta ndihmonte lëvizjen çlirimtare në Poloni. Për këtë qëllim ai hartoi një memorandum mbi politikën e brendshme dhe të jashtme të Serbisë, të cilin ia dorëzoi Garashaninit. Në këtë memorandum Zahu parashikonte që Serbia e re të ishte vazhduese e perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit (1308-1355). Me fjalë të tjera, duhej të përmbushej detyra e dikurshme e Nemanjiqve – rimëkëmbja e perandorisë serbo-sllave, të cilën në shekullin XIV e paskëshin rrënuar turqit. Por, derisa Zahu e paramendonte këtë perandori të re si një produkt të përhapjes graduale të idesë shtetërore serbe ndër sllavët e jugut, Garashanini e miratoi planin e Zahut për t’i paraqitur arsyet për të cilat Serbia duhet “t’i përqafojë të gjithë popujt serbë që e rrethojnë atë”. Zahu konsideronte se roli prijatar i serbëve është i vetëkuptueshëm, për arsye se asnjë popull tjetër – përveç tyre – nuk mund t’u printe sllavëve të jugut në një shtet të përbashkët. Në konceptin jugo-sllav të Zahut, Garashanini bëri ndryshime, kështu që “Naçertanien” e hartoi si program për krijimin e shtetit të madh serb. Me këtë program sekret, Garashanini, duke pritur në mënyrë të sigurt shkatërrimin e Perandorisë Turke – politikës së jashtme dhe kombëtare të Principatës Serbe i caktoi si objektiv “rilindjen e perandorisë serbe” duke theksuar se “ajo nuk kufizohet në kufijtë e saj të sotëm, por synon t’i përqafojë të gjithë popujt serbë që e rrethojnë”. “Në saje të së drejtës së shenjtë historike”, i caktoi Serbisë mision që “duke hequr nga kështjella e shtetit turk nga një gur”, ta rimëkëmbë dhe ta ndërtojë Perandorinë e Dushanit. Me këtë rast, veprimin e Serbisë e përqendroi në tokat e sllavëve të jugut që ishin nën Perandorinë Turke (në radhë të parë në Bosnjë dhe Hercegovinë, që trajtohej si territor serb si dhe në Mal të Zi). Sipas “Naçertanies” së Garashaninit, pjesë e shtetit të madh serb do të ishte edhe Shqipëria Veriore.

Programit të vet, Garashanini ia dha konceptin kombëtar serbomadh. Për ta realizuar programin e vet, Garashanini parashikoi organizimin e shërbimit informativ dhe të një sistemi të zhvilluar propagandistik (dërgimin e agjentëve, shkollimin e të rinjve të atyre vendeve në Serbi, pranimin e tyre në shërbimin shtetëror serb për të fituar përvojë të nevojshme, edukimin e tyre në frymën e politikës së përcaktuar, botimin në Serbi të librave fetarë, historikë dhe të librave të tjerë, mbështetjen e peshkopit të Malit të Zi, themelimin e gazetave në viset matanë Savës etj.). Më vonë ndërmori edhe organizimin e shoqërive sekrete në zonën turistike dhe të qendrave propagandistike, si p. sh. në Dubrovnik, në kuadër të një aksioni të gjerë në vendet fqinje.

“Naçertania” u hartua në kohën kur pjesa më e madhe e personaliteteve të shquara të Serbisë nuk kishte besim ndaj të huajve, madje edhe kur këta ishin serbë të Monarkisë Habsburge. Një prej qëllimeve të planit të ri kombëtar të Serbisë – sipas Zahut – ishte “shembja e murit kinez me të cilin Serbia rrethohej nga fqinjët e vet”. Por, ndonëse Garashanini e kishte pranuar konceptin e ri të kombësisë gjuhësore serbe, me çka i hedhi poshtë pikëpamjet e tradicionalistëve ortodoksë, ai megjithëkëtë, nuk e pranoi idenë e elitës kroate të reciprocitetit midis sllavëve të jugut, të cilin Zahu po ashtu e theksonte si objektiv. Derisa Zahu mbështeste idenë që Serbia e Madhe të jetë në harmoni me botën e gjerë të sllavëve, prirjet e Garashaninit kanë qenë vetëm serbe. Prandaj ai u largua nga çdo koncept që ndërlidhej për së tepërmi me gjuhën në memorandumin e Zahut, në të gjitha ato pika në të cilat ky memorandum e zvogëlonte epërsinë e Serbisë. Zahu, në dokumentin e vet shpesh shkruan: “shteti i sllavëve të jugut” ose “sllavët e jugut”, ndërsa Garashanini këtë rregullisht e shndërronte në shprehjet “shteti serb” dhe “serbët”.

Akoma më i rëndësishëm është fakti se Garashanini, nga versioni i programit të vet i kishte hequr dy fragmente të gjata në të cilat Zahu fliste për nevojën e bashkëpunimit të Serbisë me lëvizjen ilire në Kroaci si dhe me çekët. Me këta të fundit, për shkaqet praktike.

Zahu ishte i bindur – e Garashanini pajtohej me këtë – se Perandoria Otomane plotësisht do ta humbë pushtetin në Ballkan. Çështja e trashëgimisë së kësaj perandorie, sipas tyre, do të mund të zgjidhej vetëm në dy mënyra:

– ose Habsburgët dhe Rusia do të mund të zgjeroheshin në llogari të Turqisë, duke e ndarë Ballkanin ndër vete, gjë që do të ngjallte reagimin e Britanisë dhe të Francës;

– ose, fuqia e re – Serbia – do të fitonte atë që Turqia do të humbte në gadishull.

Zgjerimi i Serbisë do të ngjallte armiqësinë e Habsburgëve. Shteti i madh serb do të paraqiste rrezik për interesat e Austrisë, për arsye se sllavët e jugut – shtetas të saj – do t’i dilnin nga dora. Por, Garashanini mendonte se Serbia nuk duhet t’i përkeqësojë marrëdhëniet me Vjenën. Megjithëkëtë, propaganda garashaniniste vepronte edhe në viset e sllavëve të jugut që ishin nën pushtetin e Habsburgëve, d.m.th. në viset kroate. Aty zhvillohej edhe aktiviteti i agjencisë informative që e kishte krijuar vetë Garashanini. Kjo propagandë ndërmerrej për të nxitur ndjenjat kombëtare serbe ndër serbët “gjuhësorë” joortodoksë – d.m.th. ndër kroatë. Garashanini nuk dëshironte që efektet e veprimit serb në Kroaci të arrihen në dëm të Habsburgëve.

Ai këtë goditje e shtyri për shkaqe praktike, kështu që synimet e Serbisë i orientoi drejt trashëgimisë otomane, sidomos ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, ku shihte vetëm popullsi serbe. Edhe Zahu edhe Garashanini frikoheshin nga pavarësia e mundshme e rajoneve të tjera të sllavëve të jugut, posaçërisht nga pavarësia e Bosnjës. Boshnjakëve duhej bërë me dije se – po qe se nuk do të pajtoheshin me shtetin e bashkuar në udhëheqjen e Serbisë – “si rrjedhojë, do të pasonte copëtimi i Bosnjës në principata të vogla të udhëhequra nga familjet sunduese të cilat do të pranonin ndërhyrjen e huaj”. Vetëm dinastia monarkiste serbe do të mund t’i bashkonte serbët (sllavët e jugut), e kjo nënkupton se në një moment të caktuar, në mënyrë të pashmangshme do të rrezikonte dinastinë dhe pavarësinë e Malit të Zi.

Qëllimi i ideologjisë të shprehur në “Naçertanie” ishte që Serbia, duke i asimiluar vëllezërit për nga gjuha, të zgjerohej vetë. Ekzistimi i interesave të sllavëve të jugut, jashtë serbëve, apo më saktë, jashtë shtetit serb, nuk merrej parasysh fare.

Ngritja e nacionalizmit serb të bazuar në gjuhë, me vulën e pakontestueshme të një ideologjie kombëtare integrale filloi t’i shqetësojë sidomos kroatët.

Platforma e “Naçertanies”, me synimet e saj pushtuese në Ballkan, nënkuptonte edhe shtrirjen në territoret shqiptare.

“Naçertania” e Garashaninit nuk përfillte kurrfarë parimi të kombësisë. Në të propagandohej kryesisht ideja e shtetit të madh serb dhe “e drejta shtetërore historike”.

Ideologët serbë, që nga Garashanini e këndej, popullin serë do ta quajnë popull hyjnor dhe popull historik.

Sipas tyre:

– boshnjakët janë serbë të fesë islame, d.m.th. serbë të myslimanizuar; gjuha që flasin ata është serbishtja;

– malazeztë janë serbë, si për nga gjuha, ashtu edhe për nga feja;

– Maqedonia është Serbi Jugore;

– kroatët ndërkaq, janë serbë të fesë katolike dhe gjuha që flasin ata është serbishtja.

Sipas Ilija Garashaninit, Vuk Karaxhiqit, Jovan Cvijiqit (1865-1927), Vladan Gjorgjeviqit (1844-1930), radikalit Stojan Protiq (1857-1923), Slobodan Jovanoviqit (1869-1958), Vaso Çubriloviqit, Dobrica Qosiqit:

– e kujt është gjuha, i atij është territori;

– e kujt është feja, i atij është territori.

Sipas ideologëve serbë, boshnjakët (myslimanë), malazeztë, kroatët dhe popullata e “Serbisë jugore” (d.m.th. sllavo-maqedonasit) nuk janë veçse serbë.

Pas shembjes së Perandorisë Osmane, pseudoshkenca serbe shqiptarët do t’i konsiderojë si mbetje turke në Ballkan.

Krahas synimeve për të bashkuar rreth shtetit serb territoret e banuara nga sllavët e jugut, “Naçertania” parashikonte edhe aneksimin e trojeve shqiptare të Vilajetit të Kosovës si dhe të pjesëve veriore dhe qendrore të Shqipërisë.

“Naçertania” u realizua në një pjesë të konsiderueshme gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912) kur Serbia, në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-13) aneksoi Kosovën dhe viset e tjera lindore të Shqipërisë, që sot ndodhen në pjesën veri-perëndimore të Maqedonisë, duke vendosur në to një pushtet të egër dhune dhe duke ndjekur një politikë shkombëtarizuese dhe gjenocidale.

Planin e Zahut dhe “Naçertanien” e Garashaninit për herë të parë i botoi paralelisht historiani serb, profesor i Universitetit të Beogradit Dragoslav Stranjakoviqi (1901-1966) në vitin 1939. Më 1852 Garashanini u bë kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Gjatë kësaj kohe e vazhdoi politikën pro Francës. Programi i Garashaninit ishte në themel të politikës së jashtme të Serbisë, që nga vitit 1849 e deri në fund të Luftës së Parë Botërore.

Por, autori i elaboratit “Iseljavanje Arnauta” (“Dëbimi i shqiptarëve”, 1937)  Vasa Çubriloviq thotë se “synimet e elitave politike dhe intelektuale serbe, të frymëzuara nga “Naçertania”, nuk shtriheshin vetëm deri më 1918 por deri në vitin 1941”.

Ideologët serbë, Serbinë e shohin si Piemont që nga viti 1804 e deri në vitin 1914. Në të vërtetë, kjo ide do të shtrihet përgjatë tërë shekullit XX, e sidomos në vitin 1918 kur Nikolla Pashiqi (1845-1926) e themeloi Jugosllavinë (Mbretërinë e Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve), më pas në kohën karagjorgjeviqëve (midis dy luftërave botërore).

Nikolla Pashiqi ishte politikan serb dhe jugosllav, kryetar shumëvjeçar i Qeverisë së Mbretërisë së Serbisë dhe i Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve; themelues i Partisë Popullore Radikale.

Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën e Aleksandër Rankoviqit(1909-1983) dhe pas saj, qarqe të caktuara nacionaliste serbe në krye me akademikun Dobrica Qosiq (1921-2014), kurrë nuk hoqën dorë nga idetë garashaniniste.

Dobrica Qosiqi është akademik serb me shkollë të mesme bujqësore. Pastaj kreu edhe kursin partiak “Gjuro Gjakoviq”. E quajtën “Baba të kombit serb”. Për vendimet e A VNOJ-it (KAÇKJ-së) dhe për Kushtetutën e RSFJ-së të vitit 1974, ka deklaruar: “Atë që serbët e fitojnë në luftë, e humbin në paqe”.

Federalizimin e Jugosllavisë, e sidomos Kushtetutën e vitit 1974, serbët e konsideronin si politikë dhe si strategji antiserbe, ndaj në vitet ’80 të shekullit XX, akademikët serbë hartuan një program kombëtar që njihet si Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve (SANU), të publikuar në janar të vitit 1986, si një libër anonim. Dobrica Qosiqi nuk figuron si një prej autorëve të Memorandumit të Akademisë Serbe. Në të vërtetë, ai është ati shpirtëror i këtij pamfleti, që e cilësuan si nekrolog të Jugosllavisë.

Elita intelektuale, elita politike, qarqet ushtarake si dhe qarqet klerikale – serbe, në fund të viteve ’80 të shekullit XX dhe në fillim të viteve ’90 iu rrekën punës për ta rimëkëmbur Jugosllavinë unitariste, centraliste dhe etatiste me dominimin serb.

Zbatues i kësaj ideologjie ishte zjarrvënësi i Ballkanit Sllobodan Milosheviqi (1941-2006). Duke qenë se ideologjia e “Naçertanies” ishte retrograde dhe anakronike, në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, ajo ishte e papranueshme për botën demokratike. Si e tillë dështoi.

Mirëpo, ish-kryetari i Serbisë Boris Tadiq (Sarajevë, 1958-), pinjoll i një familjeje akademikësh serbë, bashkë me një pjesë të elitës politike, intelektuale dhe ushtarake duke përfshirë edhe tërë klerin ultranacionalist serb, ende nuk kanë hequr dorë nga garashaninizmi. Sot, në krye të murtajës së zezë serbe ndodhen kryetari i përtashëm i Serbisë Aleksandar Vuçiqi, ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiqi etj.

Shqiptarët, për t’i bëtë ballë kësaj makinerie ideologjike, politike, ushtarake, intelektuale, klerikale dhe propagandistike të sofistikuar, duhet të jenë më të ndërgjegjshëm si komb, duhet të jenë në krye të përgjegjësisë historike.

Shqiptarët, në këto çaste historike vendimtare, në vend që të merren me kauzën kombëtare, ndërtojnë xhami politike. Lufta kundër armikut serb, kështu nuk fitohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok