15/11/2024

MUHARREM FEJZA- NUK NJOH PARTI POLITIKE, PËRPOS SHQIPTARISË, NUK NJOH LUFTË PËR ÇËSHTJE IDEOLOGJIKE, PËRVEÇ LUFTËS PËR SHQIPËRI ETNIKE

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1919- e vranë më 3 maj 1945)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Atdhetari i madh i Hogoshtit, Muharrem Fejza u lind në vitin 1919, në fshatin Hogosht të komunës së Dardanës (Kamenicë). Ishte djali i patriotit të madh të kësaj ane, Salih Fejza, ndërsa nënë e kishte Nexhiben, bijë e fshatit Koperrnicë, jo larg Hogoshtit. Gjithashtu edhe nëna vinte nga një familje atdhedashëse. Andaj ishte krejt e natyrshme që ky trim me famë do të ndjek rrugën e të parëve të vet që ishin të njohur për atdhedashuri dhe liri për vendin e vet. Ai-Muharrem Fejza si i ri dallohej me mençurin, urtësinë dhe modestin e tij prej një politikani dhe diplomati të mirë. Ai u rritë në një familje me tradita të lashta patriotike dhe rrethi ku jetoi dhe takimet e shpeshta me atdhetar të shquar, që pikë takimin e kishin çdoherë në odën e famshme të Sali Fejzës, ai u burrërua para kohe. Ai u lind në një familje të kamur fshatare. Por fati e deshi që në moshën tri vjeçare e humbi nënën. Mungesën e nënës e ndjeu shumë por, megjithatë, babai u martua dhe dashurin e nënës që nuk e kishte u mundua t’ia falte gruaja e dytë e babait, e që njëherë ishte tezja e Muharremit. Babai i Muharremit ishte analfabet por ishte i dhënë dhe e donte shumë arsimimin, andaj duke e parë se sa i rëndësishëm është shkollimi, ai pa hezituar vendosi që ti shkollonte fëmijët.  Në moshën shtatëvjeçare, Muharremin e dërgon në shkollë të fshatit, që kuptohej shkolla ishte në gjuhën serbe. Pas përfundimit  me sukses të shkollës, ai e vazhdoi shkollën në mësim besimin islam, edhe atë, në shkollën e Mulla Idrizit të famshëm. Muharrem Fejza ishte i dalluar në mësime dhe lente përshtypjen e një njeriu të pjekur. Ishte këmbëngulës në qëllimet e veta, kishte besim dhe e donte mbi të gjitha lirin që na mungonte. Sjellja dhe edukata e tij prej një djali inteligjent e modest i kishte bërë përshtypje të madhe edhe mësuesit të tij- Mulla Idrizit. Ai i mahnitur nga ligjërimi i tij dhe mësimi i historisë, në një rast kur kishte bërë një hatme, Mulla Idrizi iu kishte thënë të pranishmëve: “e shihni këtë djalë, nga ky një ditë do të dali një personalitet i shquar i kombit” dhe vërtet nuk u gabua.

Ai mësonte mirë, lexonte bukur e rrjedhshëm në gjuhën shqipe, po edhe në atë serbishte. Lexonte pa problem në gjuhën arabe. E fliste bukur gjuhën jevge. Fliste turqishten dhe më vonë edhe italishten. Duhet konstatuar se Muharrem Fejza ishte një poliglot.

Më 1936, kishte hapur një dyqan tregtie në fshatin Lisockë, dhe më këtë tregti do të njihej me atdhetarët Hafiz e e Sejdi Demin, të cilët do të shquhen për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga viti 1938-1941, kishte punua si agjent tregtar i firmës gjermane “Singer” të makinave për qepje, me përfaqësi në Kamenicë. Me shkatërrimin e Jugosllavisë , më 6 prill 1941, duke e parë se çdo gjë kishte marr kahe të luftës, Muharrem Fejza s bashku me bashkëpunëtorët e vet e thyejnë depon e armatimit në Stacionin e xhandarmërisë në Hogosht, duke i rrëmbyer nga aty armatimin. Armatimin e sjellin në shtëpi, dhe iu ndajnë fshatarëve të cilët paraqiten vullnetar për mbrojtjen e vendit, në rast të ndonjë sulmi eventual. Dihej se Muharrem Fejza edhe më herët kishte vu lidhje me qarqet patriotike të Anamoravës, dhe me ndihmën e tyre iu përkushtua organizimit të pushtetit lokal në Hogosht e Kamenicë. Më 1 qershor 1941, u emërua Sekretar në Bashkinë e Gjilanit. Gjatë punës si sekretar, u tregua shumë i suksesshëm, dhe gjatë këtyre viteve fitoi një autoritet të pakontestueshëm. Më 1942, u inicua formimi i njësive të “vullnetarëve”, të cilët do të kujdeseshin për ruajtjen e qetësisë dhe të mirëqenies së qytetarëve në “Tokat e çliruara dhe të bashkuara me Shqipërinë”.

Ai, si patriot që ishte asnjëherë nuk kishte mendua se ndonjë shqiptar intelektual do të luftonte kundër popullit të vet, andaj, fillimisht nuk bënte dallime se çfarë ideologjie kishin, me rëndësi ishte që të donin Shqipërinë dhe të luftonin për bashkimin e tokave shqiptare. Shquhej në përpjekjet për ti kufizuar lëvizjet dhe kompetencat e ushtrisë dhe të karabinierisë italiane dhe kjo u jepte shpresë komunistëve se Muharrem Fejzën një ditë do ta përvetësojnë për vete. Më 1942/43, kur hapet shkolla shqipe në Hogosht, me ndikimin e familjes Fejza, në këtë fshat do të vije si mësues Fadil Hoxha. Por pas dy jave mësuesi i fshatit që u prit si një hero, u detyrua që të ik nga aty ngase familja Fejza, fshatarët dhe paria patriotike e kësaj ane, nuk duruan që dikush të propagandonte bolshevizmin e komunizmin jugosllav. Më 24 dhjetor 1942, me Dekret Mbretëror të Mustafa Krujës, kryetari i mëparshëm Kurtesh Agushi u shkarkua, zyrtarisht nga posti i kryetarit dhe për kryetar të komunës së Kamenicës u emërua Muharrem Fejza.

Pasi se Muharrem Fejza emërohet kryetar komune, për të fillon një etapë e re e veprimtarisë. Gjatë vitit 1943, me ndihmën e një plake serbe, i bije në gjurmë një rrjeti të madhe të çetnikëve që vepronin në “Lëvizjen Çetnike për Krivarekë”, e që numëronin mbi 260 persona. Muharremi mori një aksion të gjerë dhe të gjithë ata i arrestoi dhe i internoi në kampet e përqendrimit në territorin e Shqipërisë. Po ashtu, Muharremi si kryetar komune ndërmerrte veprimtari të shumta atdhetare. Më 1943, gjatë muajit prill përgatiti një revolt gjithë popullore, me të cilën kërkonin bashkimin e tokave shqiptare me Shqipërinë duke dal haptas kundër italianëve që ishin në atë anë. Këtë aksion, komunistët u munduan që ta përvetësonin duke trumbetuar se Muharrem Fejza ishte përkrahës i tyre. Bile për këtë akt trimërie e kishin thirr  në fshatin Zhegoc, ku ishte e përqendruar një Aradhe Partizane, për të graduar Muharrem Fejzën me “gradën e oficerit”. Muharrem Fejza ftesën e pranon dhe shkon në Zhegoc, por aty i ndodh dëshpërimi më i madh që kishte pasur ndonjëherë. Në kampin e komunistëve i takon çetnikët e Kamenicës të cilët më herët i kishte internuar. Andaj kthehej në shtëpi i dëshpëruar dhe duke e kuptuar të vërtetën e dhembshme. Trimi nga Hogoshti, u largua nga aty, duke u betuar se Muharrem Fejza nuk njeh parti politike, përpos shqiptarisë, nuk njeh luftë për çështje ideologjike, përveç Luftës për Shqipëri Etnike.

Pasi se i kishte qërua hesapet me komunist dhe pasi se ishte kthye në Kamenicë, ai në fillim të muajit maj 1943, kishte shkua për ta vizitua kryetarin e komunës së Roganës. Në rrugë e sipër i kishte takua karabinierët italian se si kishin arrestuar disa vajza shqiptare të fshatit Muqivercë. Aty ndodhi edhe konflikti i hapur me ta, ai, posa i sheh dhe e kupton se çfarë po ndodhte, kërkoi nga ata që ti lironin vajzat. Karabinierët, reagojnë ashpër. Atëherë, ai tërhiqet skaj rrugës dhe iu drejton armën, kur karabinierët zihen ngushtë, i lirojnë vajzat, dhe ata me duar mbi kokë i dorëzon në kazermën e tyre. Muharrem Fejzës, me këtë gjest trimërie, populli i kësaj ane i ishte mirënjohës dhe i ngriti lavde për trimërinë e treguar. Populli e donte dhe e respektonte. Kishte besim tek ai dhe e ndjenin veten të sigurt ngase ai e kishte fituar besimin e tyre.

Italianët duke e parë autoritetin dhe guximin e Muharrem Fejzës, vendosin që në një mënyrë më perfide ta arrestojnë dhe ta likuidojnë. Me tradhti e thirrin në zyrat e tyre gjëja se duhet të bisedojnë për çështje administrative të komunës. Ai duke besuar se për këtë e kishin thirrur, pa askënd, dhe as pa përcjelljen e tij shkon në fshatin Strezocë ku i kishin zyrat. Që në fillim kishte vërejtur se në ato zyra veç nëpunësve kishte edhe shumë ushtar italian. Pasi se ai rehatohej në karrige, ushtaret në mënyrën më të vrazhdë të mundshme e sulmojnë, e çarmatosin dhe e rrahin në mënyrën më të egër. Aty për aty, një kolonel italian  urdhëroi që ta lidhin dhe ta hedhin në burgun e karabinierëve. E akuzonin për katër vepra penale që i kishte bë ndaj italianëve dhe çetnikëve serb. Aktakuza që e kishte ngritur koloneli italian, kërkonte që Muharrem Fejza të dënohej me dënimin me vdekje, pushkatim ose varje, ngase thoshte se ai ishte bashkëpunëtor i komunistëve.

Me të dëgjuar për arrestimin e Muharrem Fejzës, dhe dënimin e tij, intervenon Sejd Budriga, një njeri me autoritet të madh dhe shok e mik i Salih Fejzës. I cili me ndihmën e nënprefektit, kapiten Kolë Biba, i garanton se hynë dorëzanë me krejt familjen se, Muharrem Fejza, kurrë, nuk ka qenë, nuk është dhe kurrë nuk do të jetë komunist. Në Hogosht e rrethin me të shpejt ishte përhapur lajmi se Muharrem Fejzën e kishin arrestua italianët dhe e kishin dënua me vdekje. Populli ishte trazua, me të shpejt ishin grumbullua mbi 180 veta në shtëpinë e Salih Fejzës, duke i kërkuar atij që të shkojnë për me e lirua atë nga burgu. Sali Fejza, njihej në popull se ishte burrë i ndalur, i qet dhe uragan kur e kërkonte nevoja. E qetësoi masën e tubuar, dhe pa hezitim u vu në ballë të masës. Italianët duke e ditur rendësin e madhe që kishte atdhetari i madh i Anamoravës, familjen Fejza vazhdimisht e kishin nën vëzhgim. Kur ata e kuptuan qëllimin e qytetarëve, me një shpejtësi të madhe e nxorën Muharremin nga burgu i Gjilanit dhe e ekstraduan në burgun e Prizrenit me një kamion të vjetër. Rrugën prej burgut të Gjilanit e deri në burgun e Prizrenit, karabinierët e detyruan që Muharrem Fejza ta bënte të lidhur me kokë te poshtë, ngase kështu kishte urdhërua koloneli italian. Sali Fejza posa kuptoi se djalin e tij e kishin dërgua në Prizren, edhe ai e vazhdon rrugën, duke i ndjekur hap pas hapi italianët. Në qytet bie në kontakt me personalitete të kohës, por megjithatë fal fatit të mirë, pas dy dite kapitullon Italia (8 shtator 1943), dhe Muharrem Fejza me ndihmën e gjermanëve u lirua nga burgu. Lirimi i Muharrem Fejzës nga burgi ishte një gëzim i madh për babën e tij, familjen dhe të gjithë miqtë e popullin që i donte shumë.

Pas kësaj ngjarjeje të dhembshme por edhe krenare, Muharrem Fejza filloi punët edhe më me përkushtim. Ai pas kësaj, tek populli gëzonte respektin e një heroi, Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë të Prizrenit duke e parë respektin e tij te masat, e transferon për kryetar komune në Zhur të Prizrenit. Duke e ditur guximin dhe trimërinë e tij e vendosin aty, ngase llogaritnin se në këtë mënyrë do të ndërpritet lidhja e komunistëve në mes të Prizrenit dhe Kukësit.

Në fillim të vitit 1944, Lidhja e Dytë e Prizrenit shpërndan Thirrjen e Komitetit Qendror të L.D.P, për organizimin urgjent të Mbrojtjes Kombëtare të Shqipërisë në viset veri-perëndimore të Novi Pazarit. Muharrem Fejza, menjëherë u angazhua duke e thirr popullsinë që të marri pjesë në mbrojtje të këtyre viseve nga bandat çetnike . Pasi theu depot ushtarake të armëve në Zhur, armatosi qytetaret, formoi një njësi me qindra veta, dhe nëpër dimër e borë të madhe, duke i pri vet njësisë, arrin në Novi Pazar, atje ku e priste atdhetari i madh Haqif Blyta. Pas një muaji luftime, ai kthehej në Zhur, dhe duke e par se sa organizator e strateg lufte ishte, atë e emërojnë nënprefekt në Kaçanik, ndërsa Abdyl Dura ishte emërua udhëheqës i forcave vullnetare për mbrojtjen nga depërtimi i njësive partizane serbo-maqedone e shqiptare nga ana e Maqedonisë. Në vitet 1944/45, Kosova ishte bë arenë luftimesh, kishte hy në fazën ku duhej ecë para se okupimi si hije i vinte mbrapa. Muharrem Fejzën në këtë kohë luftimesh e gjejmë çdo kund, në viset e Kaçanikut, të Moravës së Epërme, të Zhegocit, të Ferizajt. Ai ndodhej në çdo betejë e front të luftës ku ishte nevoja. Mori pjesë aktive në përgatitjet e punimeve të Kuvendit Themelues të Shtabit Suprem të Kosovës që u mbajt më 1 dhjetor 1944, në fshatin Tërpezë.

Më 17 dhjetor 1944, në fshatin e Zarbincës u tubuan të gjithë grupet e gueriles shqiptare nga Malësia e Gallapit, Malësia e Karadakut dhe Malësia e Hashanisë dhe mbajtën një Kuvend gjithë popullor në shtëpinë e Dul Hajrullahut, në Zarbincë,  ku numri i pjesëmarrësve kalonte mbi 1000 veta. Ata ndërmorën masa të shpejta për themelimin e Shtabit Drejtues të Rezistencës Shqiptare për Kosovën Lindore. Në këtë kuvend u zgjodhën: Mulla Idrizi-komandant, Muharrem Fejza u zgjodhe sekretar, Sylë Zarbinca- zëvendëskomandant. Kurse për anëtarë u caktuan të gjithë komandantët e njësive guerile: Shefki H. Desivojca, Ajet Rainca, Lam Breznica, Ajet Kosovica, Xheladin Kurbaliu, Lotë Vaku, Hoxhë Lipovica, Sulë Hotla, Faik Taliri. Gjithashtu u propozua se të gjithë komandantët e qetave të më vonshme që do të formohen, udhëheqësit e tyre do të jenë anëtarë të shtabit.

Pas sulmit të Gjilanit, më 23 dhjetor 1944, fillon shthurja e grupeve të armatosura të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare në Viset e Kosovës Lindore. Për të lëvizur ma lehtë, udhëheqësit e grupeve u ndan në grupime të vogla nga dy e tre veta. Muharrem Fejza fillimisht kalon në fshatin Lisockë, te Sejdi Demi, ndërsa në këto anë ishte strehua edhe Mulla Idrizi në fshatin Gjurishec, te Sadik Sadiku. Bashkëpunimi i madh i dy patriotëve filloi mu këtu, kur Mulla Idrizi e ftoi Muharrem Fejzën që ti bashkëngjitet në këtë fshat dhe nga aty lindi ideja për mbajtjen e një kuvendi që i parapriu “Besa e Tugjecit”. Në këtë tubim të cilin e udhëhoqi vet Mulla Idriz, të gjithë pjesëmarrësit që erdhën aty e që nuk ishin të pakt, formuan “Besëlidhjen Shqiptare të Malësisë së Gallapit”. Në këtë tubim të madh, të gjithë të pranishmit dhanë betimin “Betohemi se nuk do të hakmarrim gjak as hak deri sa ta lirojmë vendin nga pushtuesi jugosllav”.

OZN-a famëkeqe, megjithatë nuk rrinte duarkryq, luftëtaret atdhetar i përcillte hap pas hapi. Ata kishin marr masa dhe bënin përgatitjet për likuidimin sa më të shpejt të Muharrem Fejzës. Njerëzit i kishin sigurua, duke i nxjerr nga burgu dhe duke iu falur jetën, vetëm e vetëm që të vritnin Muharrem Fejzën. Momenti kishte ardhur, në bunker ishin Bali Xhymshiti nga Hogoshti dhe Veli Rexhepi. Këta persona duke e nxitur Muharrem Fejzën që duhet vizituar babain në Hogosht, e bindën që të nisej për fshat. Përgatitjet bëhen,  dhe vetëm Veli Rexhepi e dinte se ku duhej të shkonin dhe ku duhej të pushonin atdhetaret, ngase ai e kishte përgatit kurthin me oznashët. I tha Muharremti se Sali Fejza ka porositur se ku duhet shkuar për të pushuar. Andaj i përmbaheshin “porosisë” me përpikëri. U ndalën te Piqët e Laqiqit, që ishte në mes Desivojcës e Zarbincës. Shkuan në odën e Miftar Gagicës, familje kjo që Muharremi fare nuk e njihte dhe nuk kishte shkuar kurrë në këtë shtëpi.

Në mes të 2-3 majit 1945, me arritjen e tyre në këtë shtëpi, Veli Rexhepi urdhëroi, që Salih Beqa dhe Behlul Baravani të qëndrojnë roje në rrethin e parë, ndërsa, posa hynë brenda në oborrin e shtëpisë, urdhëroi që  Ferat Shipashnica të qëndroi roje në rrethin e dytë. Ndërsa ekzekutori i krimit Veli Rexha, u fsheh edhe më thellë në një terr që mos ta shohin Salih Beqiri dhe  Behlul Barvani kur të kryej ekzekutimin. Nuk vonoi shumë dhe u dëgjua një krismë e tmerrshme e një pushke, u qëllua pas shpine Muharrem Fejza. Në atë natë të zezë- futë, gjëmuan malet, ushtoi lugina, dhembja qau natën tejpërtej, gjithandej ku jetonin shqiptarët. Ndërsa, Veli Rexhepi, njeriu i OZN-es, thirri sa mundi “O ma vranë Muharremin bre…”. Por, ai kishte harrua se burrat si Muharrem Fejza nuk vdesin kurrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok