14/12/2024

Mirënjohje të përzemërta!

0
Terziu-Liria

Prof. Dr. Fatmir Terziut dhe analistit të shquar, z Kadri Tarelli!

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Të nderuar miq, z. Fatmir dhe z. Kadri !

Prof.dr. Terziu, falënderimin mediatik për librin kritik, studimin tuaj filozofik rreth krijimtarisë sime që mban titullin “Liria në Optikën e Letrave të Vilhelme Vranari Haxhiraj“, po e bëj me vonesë.

E vetmja arsye ka qenë se, nuk mund të lëvdohesha e të mburresha për vete duke perifrazuar vlerat e krijimtarisë sime të spikatura nga ju gjatë analizave. Një mënyrë e tillë për t’u dukur nuk është në natyrën time. Është diçka e ulët, madje e dalë boje për cilindo. Vetmburrja duket apo i ngjet kockës së zvargur në fyt që s’ të lë të kapërdihesh, ndaj unë nuk e bëj dot. Duhej të fliste dikush për vlerat e librit tuaj që unë të reagoja me konsideratat e mia.

Si shtysë për të thënë dy fjalë mirënjohjeje, shërbeu shkrimi analitik dhe me shumë vlera i mikut tonë të përbashkët, z. Kadri Tarelli, (shkrimtar, studiues dhe analist i thellë). Ndaj z. Tarelli, shpreh mirënjohje dhe nderim se, me analizën e tij të mirëfilltë i ka bërë autopsinë librit kritik të Prof. dr. Terziut ” Liria në Optikën Letrare të Vilhelme Vranari Haxhiraj”.

Pas Prof. dr. Terziut në larminë e analizave të krijimeve të mija, qëndrojnë intelektualët e shquar, të cilët i përshëndes dhe i falënderoj, Dr. Mujë Buçpapa, Prof. Dr. Eshref Ymeri dhe z. Kadri Tarelli. Nuk janë pak, po janë me dhjetëra analiza të spikatura që unë i kam përjetësuar, duke i vënë si parathënie në librat që kam botuar.

Pa e tepëruar shprehem se, janë analistë të nivelit të lartë intelektual dhe profesional, si, Odhise Grillo, Teodor Laço, Dionis Bubani, Fatos Beja, Fatos Arapi, Uran Butka, Adriatik Kallulli, Xhevahir Spahiu, Bedri Çoku, Shaban Xhyheri, Ajet Nuro (Kanada), Fatmir Minguli, Lejla Gorishti, Vladimir Muça, Halil Rama, Fisnik Sina, Flori Bruqi,Skënder Hasko, Bardhosh Gaçe, Nimfa Hakani, Mexhid Prençi, Fatmira Beqja Veseli, Redin Hafizi, Hamdi Meçe, Myrteza Mara, Gëzim Llojdia, Bujar Leskaj, Marjeta Pronjari Zaçe, Xhevahir Cirongu, Shpend Topollaj, Merita Kuçi, Meto Hoxha, Adem Zaplluzha, Maku Pone, Albert Habazaj, Mexhid Haxhiu, Ahmet Demaj, (Sadulla Zendeli Daja, Sokol Demaku, Ramiz Dermaku,)-Suedi; (Baki Ymeri, Marius Qelaru, Mihaji Antonesku, Monika Muresan)-Rumani; Boro Nazaj, Duro Mustafaj,  Xheladin Mjeku, (Prof. Italo Fortino, Prof.Agostino Xhordano -Itali);  Kozeta Zylo-ShBA, Vjollca Biraku, Vangjel Sako, Natasha Limaj Fejzaj, Dero Murataj, Seit Beluli, Bajram Koshena, Gentian Banaj, Bajame Hoxha, Federik Radovani, Sitki Cerekja, Albert Zholi, Raimonda Moisiu, Dhurata Reçi, Merita Smaja etj. U kërkoj ndjesë zonjave apo zotërinjve që për çastin, nuk më kujtohen…

Shpreh mirënjohje, jetë të gjatë dhe krijimtari të begatë atyre që jetojnë. Kujtoj me nderim dhe uroj të prehen në paqe ata që janë ndarë nga jeta, por kanë lënë pas veprën e tyre madhore. Një mirënjohje të veçantë e kam për botuesit, Irena dhe Fatmir Toçi(ShB.Toena), Mujë Buçpapa(ShB Nacional), Vladimir Gaba (ShB Europrint) dhe mediat e shkruara kudo në botë dhe ato televizive që janë bërë tribuna të fjalës së lirë!

Megjithëse fillova të shkruaj në moshën 52 vjeçare, më ka prirë fati, pasi kam patur miq shumë të mirë që i dhanë krahë letërsisë sime. Nga të gjithë emrat e mësipërm, ai që më nxiti, më mësoi se si t’i ngjitja shkallët e letërsisë për të qenë vetvetja, ishte i paharruari miku im dhe i familjes, Profesor Odhise Grillo, “Mjeshtër i Madh”. Ai njeri bujar me zemër të madhe dhe pa kurrfarë interesi,më zgjati dorën e tij të ngrohtë për të ecur e sigurt  në rrugën e vështirë, por fisnike  të artit letrar.  Kjo ishte e përgjithshmja e këtyre 26 viteve krijimtari.

Le të kalojmë tek e veçanta, te libri kritik i Prof.Dr. F.Teziut.

Me përjashtim të temave të hyrjes në libër, pak a shumë unë e kam njohur ndër vite analizën e shumë librave të mi nga z. Terziu. Qysh pas botimit të trilogjisë “Vështroni Meduzën”, kur Fatmir Terziu, kritiku modern, tashmë i mirënjohur, njëri nga tre kritikët më të shquar në botë, sipas vlerësimit të Universitetit “Oksford”, u paraqit në media me kritikën” Romane Psikosocial”. Pas kësaj kritike Dr. Fatmiri, edhe kur i dërgoja ndonjë dorëshkrim për ta parë nëse vlente për botim, ai më befasonte. Të nesërmen ende pa u përshëndetur horizonti nga dielli, ky artist, ky krijues shumëdimensional, dilte me një analizë që mua më shërbente si përgjigje pozitive ose afirmonte për sa kisha shkruar.

Të nderuar miq dhe shkrimtarë, një fjalë, një citim, një shkrim, vënia në dukje e një vlere letrare, studimore, filozofike, apo publicistikë, ndikojnë shumë tek krijuesit e rinj. Fillimet e mia letrare ishin njësoj sikur unë që deri dje isha një hije symbyllur, veshvulosur, gjuhëprerë, tashmë kisha dalë nga errësira në dritë. Botimi dhe përurimi i letërsisë sime krijoi brenda qenies sime, një tjetër njeri të dalë nga hiri. Duke qenë një e mohuar, e harruara e kohës, më dukej vetja si një e rilindur nga hiçi apo asgjëja. Mendoja se me një apo dy libra do të shfrehja jetën e mohuar, gëzimin e munguar, dëshirat e vjedhura dhe ëndrrat e vrara për gjysmë shekulli dhe do të mjaftohesha me kaq. Por, kurrë nuk më kishte shkuar ndër mend se dhembjen që më ishte bërë përvojë dhe ishte njehsuar me organizmin dhe ishte ngjizur në shpirt dhe në ndërgjegjen time, do ta shndërroja në art.

Çudi! Sa më eegër të jetë lufta klasore, Sa më e madhe të ketë qenë vuajtja dhe sa më e thellë dhembja njerëzore, aq më e pjekur del letërsia apo arti. Kot nuk kanë thënë se, arti buron nga dhembja. Le të kesh prirje sa të duash, por nëse nuk plotësohen disa kritere të domosdoshme, jo vetëm ngelesh në hije, por mbetesh “Askushi”. Duhen disa kritere sociale dhe kushte rrethanore që talenti të marrë krahë.  Them të drejtën e vetme, e panjohur si letrare apo pa prezantimin e analistëve dhe mediave, nuk do të kisha bërë asgjë.

Por ishit ju miqtë e letrave, analistët, kritikët dhe mediat, veçanërisht kritika e paanshme për ta parë realitetin në sy, bëri që me shkrimet tuaja reflektuat ndaj talentit tim të ndrydhur e të harruar në brazdat e kohës së kolerës komuniste. Ishte thirrja juaj që më imponoi mendërisht dhe shpirtërisht se, letërsia do të ishte bashkudhëtarja, si dhe udhërrëfyesja ime drejt mirësisë.

Është e vështirë të shpalosësh talentin në moshë disi të shkuar, aq më tepër në Shqipërinë e politizuar me lloj lloj simbiozash antinatyrale dhe anti njerëzore. Në mentalitetin shqiptar gratë në moshën që unë fillova të shkruaj, i quajnë plaka. Mbi të gjitha opinioni “intelektual” i mbrujtur me letërsinë dhe artin e Realizmit socialist, ende nuk e pranon një letërsi të re ndryshe që vërshoi në vendin tonë pas ndryshimeve politike të viteve ’90.  Gjithsesi bashkë me ju, me bashkëpuëtorët e mi (redaktor, korrektor, dizenjator, menaxher, botues dhe kritikun më të paanshëm, lexuesin) si dhe me mbështetjen e familjes sime, veçanërisht të bashkëshortit tim, Fitim Haxhiraj, lashë pas krahëve gjithçka dhe munda të them e të botoj të pathënat e jetës sime të mundimshme. Këto fjalë meritojnë mirënjohjen time ndaj cilitdo që e përkrahu ose jo, madje dhe për ata që kanë dalë kundër. Të gjithë papërjashtim kanë qenë nxitëse që unë të vazhdoja rrugën e krijimtarisë, pasi dhe kundërshtia më bën mua që të shoh brenda vetes, të futem në çdo labirint të errët dhe të ndriçoj çdo skutë me dritën e së vërtetës. Kjo do të thotë që njeriu duhet të luftojë për të drejtat dhe liritë e tij.

Liria është shumë dimensionale, e cila është e drejta më legjitime e një shteti, e një shoqërie dhe e çdo individi. Pa fituar lirinë vetjake, nuk mund të shprehësh mendime të lira, të cilat e gjejnë shprehjen tek “fjala e lirë”. Nga një mendje dhe shpirt i burgosur, nuk mund të dalin mendime të lira.

Veçse nuk ka gjë më të vyer dhe më të bukur se, kur lufton për drejtësinë dhe të vërtetën. Në një citat jam shprehur: “Drejtësia është barasvlertë me lirinë e shpirtit, të cilën mund ta vendosë vetëm i virtytshmi!”

Po a ka njerëz të virtytshëm mes atyre që formulojnë dhe zbatojnë ligjet?

Përgjigja ime është, “Jo”. Ndaj në gjithë krijimtarinë time pa vetëdije, vetkoshienca, këndëvështrimi im për botën, më kanë çuar që të zhbirojë se çfarë i mungon këtij kombi, çfarë e mundon komunitetin shqiptar. Çuditërisht të gjitha pyetjet apo rrugët në të cilat udhëton krijimtaria ime, më çojnë mua dhe lexuesin në kërkim të së vërtetës së mohuar dhe të lirisë së munguar.

Ajo që e ndjen më shumë peshën e kohës, dhunën, mungesën e lirisë vetjake  është segmenti më vital dhe i pazëvendësueshëm, gruaja. Pikërisht në analizat dhe kritikat e z. Terziu rreth krijimtarisë sime, spikat nocioni i lirisë. Liria është shumëdimensionale. Ajo fillon me lirinë e kombit që tek ne është vetëm një farsë emblematike. Që të jesh një komb me liri të plot duhet të kesh ekonomi të zhvilluar, nivele sociale të larta, si në organet e larta vendimmarrëse, ligjvënëse, ligjzbatuese, në arsim, shëndetësi, drejtësi, në art e kulturë, në ideologji e diplomaci. Është domosdoshmëri të kemi një komunitet të kulturuar, jo intelektual që nga makinat luksoze me xhama të errët, na tundin diplomat dhe doktoraturat e blera. A mund të jetë i sigurt dhe të bëjë jetë të qetë e të lumtur individi, kur ligjin e bën rruga, e bën paraja e dalë nga krimi, prostitucioni, trafiqet e çdo lloji, trafiku i qenieve njerëzore dhe korrupsioni që fillon që nga instancat e larta shtetërore deri tek sanitari apo portieri i institucionit.  Emigrimi, kjo plagë e rëndë, gangrenë kenceroze në trupin e Shqipërisë, po e plak kombin. Kemi një vend të bukur si parajsë, të pasur si mbi tokë dhe nëntokë, porse ne jemi njerëzit më të varfër në kontinent. Nga që nuk ia dimë vlerat vendit tonë, jemi shndërruar në argatët e botës duke e lënë vendin tonë dierrë dhe shterp. Nuk di se ku shkoi tradita jonë e bukur shqiptare. Çfarë ka ndodhur me ne? Pse e kanë mohuar shpitarizmin vallë?  Janë pikërisht këto ankthe frymëmarrëse që ka spikatur Fatmir Terziu në krijimtarinë time të evidentuar në librin “Liria në optikën e letrave të Vilhelme Vranati Haxhiraj”.

Por z.Kadri Tarelli si historian dhe studiues i vëmendshëm, i ka vënë në dukje gjithë vlerat e librit kritik të Terziut. Madje i ka shoqëruar edhe me citate. Nga të dy miqtë e mi, si për profesor Terziun dhe për analistin Tarelli, është bërë një punë e madhe studimore dhe analitike. Për të bërë diçka të tillë në mijëra faqe duhet sakrificë, vullnet, përkushtim, art, njohuri të gjera dhe dëshirë për të realizuar një vepër që u vlen katedrave të gjuhësisë, të përkthimit, gjithë institucioneve arsimore në vend!

Miqtë e mi të mirë, Prof.Dr. Fatmir Terziu dhe Kadri Tarelli, ju shpreh mirënjohjen dhe urimet e mia më të mira! Ju uroj jetë të gjatë dhe suksese në krijimatrinë tuaj të bukur dhe fisnike që është vlerë kombëtare. Ju, me punën tuaj të palodhur,  e keni vendosur veten në kolanën e artë të letërsisë shqiptare. Shkrimtarët dhe artistët duhet të tolerojnë dhe të gjejnë fjalën mes tyre, të lënë mënjanë smirën, ambicjen për të mirën e kombit. Një komb me një elitë të kulturuar dhe me nivel të lartë arsimor, integron më shpejt drejt mbrothësisë.  Vetëm me kulturë rritet ndërgjegja kombëtare.

Me konsiderata të larta,

Vilhelme Vrana Haxhiraj

Vlorë, 25 gusht,2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok