04/10/2024

Mësimet e Rugovës – Njeriu ynë në letërsi dhe në politikë

0

(Fjala ime, në tetëmbëdhjetëvjetorin e kalimit në amshim të Ibrahim Rugovës, me ç’rast, në zyret e LDK-së, promovuam librin “Pushteti dhe intelektualët”, në të cilin janë përfshirë intervistat e tij të fushës së letërsisë.)

Nga Ndue Ukaj

Ibrahim Rugova, “ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë” do të thoshte një Viktor Hygo i yni, siç kishte thënë ky shkrimtar për Volterin në njëqindvjetorin e vdekjes së këtij filozofit dhe mendimtari të madh. Në të vërtetë, Rugova ishte një epokë dhe pas vete la një trashëgimi të pasur intelektuale, me vepra përfaqësuese e identifikuese, dhe një trashëgimi politike, me rezultate të papërsëritshme e monumentale.

Libri “Pushteti dhe intelektualët”, botuar nga Fondacioni “Ibrahim Rugova” në përvjetorin e tetëmbëdhjetë të kalimit të tij në amshim, që përfshinë të gjitha intervistat e tij të fushës së letërsisë, të periudhës 1969-2005,  e provon këtë, duke u bërë edhe dëshmi e zgjatimit të jetës së tij intelektuale e krijuese, në kohën e sotme dhe në realitet e reja të Kosovës.

Në fushën e artit e dijeve humane, është thënë shpesh se asgjë nuk ndodh nëse fillimisht nuk ëndërrojmë. Ky libër e shpalos ëndërrimtarin e madh, që kishte ide të mëdha, ideale të larta dhe synime të qartë, fillimisht në fushën e dijeve e të artit, e më vonë të politikës, prandaj libri ka vlerën e vet, sepse na paraqet intelektualin nëpër faza të ndryshme, si lexues, studiues e nismëtar të ideve letrare, kulturore e shoqërore.

Për më tepër, përmes këtij libri, na dëshmohet edhe njëherë se Rugova ishte intelektual me formim të mirëfilltë, i rryer në dijet letrare dhe me ndjeshmëri të thella humane, dhe përmes tij mund kuptojmë më mirë, si u zhvillua poeti Rugova dhe u bë kritik e mendimtar i madh, pastaj, kryetari i  Shoqatës së Shkrimtarëve, si u bë prijës politik i pa përsëdytur.

Rugova, parasegjithash ishte njeri me shpirt artistik, që besonte në anën e mirë të njeriut e te kultura, si arma e vetme humane për t’ia ndalë hovin së keqes dhe ishte i vetëdijshëm, siç thoshte një shkrimtar tjetër i madh, Ernest Koiliqi se “nji veprimtari politike e cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk asht tjetër veçse nji lojë kote, qi argëton ndoshta ata qe e lozin, por pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historisë.”

Dhe letrari që besonte te idealet estetike, përftonte nga kjo botë e bukur dhe vlerat më  të dëshmuara universale, i aplikonte, kur fliste për letërsi e shoqëri. Ai fliste për të mirën universale e anët më pozitive të popullit të tij, dhe ishte i palëkundur në këtë besim: ndaj kurrë nuk e ndoqi dhunën me dhunë, as dhëmb për dhëmb, por me opsionin e mirësisë.

Dhe si njohës i mirëfilltë i kulturës autoktone e civilizimit perëndimor, vepronte në përkim me mësimet se “e vetmja gjë që nevojitet për të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”; mendim ky që përshkon në thellësi qytetërimin perëndimor, me të cilin Rugova e lidhte historinë, letërsinë dhe orientimin politik të popullit të tij.

Në fushën e letërsisë e të kulturës, ai qe kërkues i thellë i evidencave dhe ngjarjeve më pozitive, që e karakterizojnë identitetin tonë, ndaj me përpjekje të pareshtura zbuloi fenomenin Pjetër Bogdani, vepra e të cilit e magjepste, për filozofinë e thellë dhe dijet shumëdimensionale që ngërthente, duke e konsideruar “një universitet i kulturës sonë.”

Rugova mësonte nga historia dhe si nxënës shembullor, mësimet e saj i kthente në veprime të mira publike. Ai kërkonte vazhdimësinë, prandaj kërkonte, që kultura dhe idetë  tona kulturore të shprehin qëndrime “kreative ndaj traditës dhe ekzistencës sonë historike-kulturore, se sa më shumë dhe më mirë ta çmojmë këtë komponentë, edhe të tjerët do të na çmojnë e pranojnë më shumë.”

Më këto koncepte, ai ishte modern, në kuptimin siç e mendonte modernitetin nobelisti i madh Tomas S. Eliot, që thoshte se përgjigja konservatore kundrejt modernes ishte përqafimi i modernes, por një përqafim me vetëdije kritike, duke mos u shkëputë nga rrjedha dhe historia.

Këtë lloj standardi, Rugova e propozonte edhe kur fliste për raportet mes pushtetit dhe intelektualëve, i pa tunduar nga afshet revolucionare, cektësi, ai këshillonte vlerat universale, me të cilat nuk bëhet kompromis: “…intelektualët duhet të ndikojnë në mjetet dhe vendimet politike, të përpiqen për mirëkuptim brenda kombit dhe me kombe tjera, të mos nxisin të keqen njerëzore, çfarë shpesh për interesa të verbëta e bën pushteti, siç na mëson historia. Mësimi historik është ky: se pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor.”

Këto këshilla, ai i aplikoi kur u vu në aksion politik, asokohe kur politikan i përgjegjshëm, ishte rrjedhojë e intelektualit të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për rolin dhe detyrat e tij në shoqëri.

Rugova, në këto intervista flet qartë, i shpalos pikëpamjet e tij pa hezitim, vlerëson rezultatet letrare të asokohshme, kërkon përherë ide kreative, ndryshime, por ndryshme pozitive. Ai flet për brezninë e tij, karakteristikat tematike të kohës dhe të individualiteteve të spikatura, nxit krijuesit e rinj, për më shumë kërkime e gjakime estetike. Dhe kudo, tregon shpirtin e tolerancës, gjë të cilën ua këshillon edhe kolegëve letrarë.

Është interesant të përmendet fakti se, kur flet për natyrën tematike të letërsisë sonë, ai këmbëngulte, që letërsia jonë të kishte njeriun tonë në qendër, gjë të cilën e identifikonte si mungesë, edhe në poezi edhe në prozë.

Ky qëndrim, tingëllon si një fishkëllim kritike, për kohën e tij, por edhe për tonën, që letërsia të mos zhytet në ujëra të turbullta ideologjik, e të ngjyejë lapsin me bojë të kuqe, për të krijuar njeriun e ri, të kuq, pa kujtesë e pa histori.

Ai thotë: “E meta e madhe e romanit tonë është se atij i mungon njeriu ynë.”

Ose: “Në letërsinë tonë, këtu, fort pak ndihet prania e njeriut. Pra, të marrë frymë njeriu ynë”, prandaj ai është kundër bredhacakëve, të cilëve, asnjë letërsi nuk iu kushton rëndësi (çfarë janë te ne si “realistët”, “socialistët”, “modernistët”, “popullorët”, etj., që i thyejnë dhëmbët për këto e s’e dinë se ç’janë asnjëra).

Pra, duke i lexuar këto intervista, lexuesi mund të thellohet në universin letrar e kulturor të Rugovës, e duke hyrë në këtë univers, ai mëson për kulturën shqiptare, prej ku mund të kuptojë më mirë letërsinë shqipe, atë më të vjetrën dhe të renë, trendët e kohës, shkrimtarët e fenomenet e spikatura, dhe prej aty, mund ta kuptojë më qartësisht profilin e vërtet të intelektualit Rugova, të inkuadruar në politikë.

Lexuesi, përmes këtyre intervistave, do ta kuptojë më mirë se Rugova nuk ishte letrar e intelektual dosido, që sheston realitetin prej një rahatie krijuese, por me guxim e argumente, çmitizon propagandën serbe, është kundër intelektualit konformist, flet kundër padrejtësisë që i bëhet kulturës autoktone shqiptare, dhe kërkon që letërsia, pra arti, të nxisë të mirën, t’i korrigjojë disa sëmundje sociale, siç janë raportet e egra mes shqiptarëve dhe serbëve, sepse, letërsia, thotë ai “përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më burimore, autoktone në raport me botën dhe njeriun.”

Ajo që e shquan Rugovën dhe e dallon prej të tjerëve është fakti se ligjërimi i tij, letrar e shoqëror, pra estetik e politik, është ligjërim i një shqiptari e europiani të vërtetë e të palëkundur në përcaktimet e tij kulturore e identitare, që u gëzohet të mirave, por edhe nuk heziton të vë gishtin tek të metat, dhe sa herë përmend të metat, nuk bie në kurthin e tyre, siç mund të bëjnë ata që tundohen nga oreksi ideologjik, që shton afshin revolucionar dhe ia humb njeriut arsyen.

Rugova, më shumë është vlerësues se sa kritikues, kjo ishte filozofia e tij, ndaj ai kërkonte thellësitë historike të mendimit letrar shqiptar, te Barleti e Bogdani, pastaj te themeluesi i kritikës, Faik Konica e breznia e tij, gjithnjë në funksion të ngulmimit për gjetjen e vazhdimësisë si një parakusht për ripërtëritje të frytshme kulturore.

Duke kritikuar të metat e letërsisë, ai mendon se “nuk është koha e tejçmimit të talentit. Është koha e punës.” Dhe më tej, kur flet kundër epigonizmit në letërsi, thotë se ai nuk sjell kreativitet dhe nuk thotë asgjë, kurse poetët i këshillon të “lëshohen, me vetëdije, në aventurat krijuese, e të mos rrudhen para çështjeve reale artistike, pra t’ia çelin vetes frymën.” Më tej, ai kritikon ashpër egocentrizmit, shkaqet e së cilit sipas tij, lidhen me një elemente sociopatik, kurse “në planin individual, si element psikopatik, të atyre autorëve që duan dhe që realizmin e vet e shohin në shembjen e tjetrit.”

Në rrafshin kombëtar, Rugova promovonte një komunikimi sa më të hapur dhe pa komplekse, letërsinë tonë e konsideronte një dhe unike, prandaj përmende një fakt interesat, tek fliste për rrjedhat letrare të asokohshme dhe karakteristikat më të dallueshme:

“Do veçuar”, thotë  ai “edhe novelën e Kadaresë “Viti i mbrapshtë”, të cilën këto ditë një kritik i “Le Mondit” të Parisit e quajti kryevepër dhe siç bëri edhe disa herë kritika frënge, autorin ua rekomandoi akademikëve të Nobelit, si njëri ndër shkrimtarët e sotëm më të mirë të Europës.”

Rugova ishte i vetëdijshëm se përmes refuzimit estetik, letërsia ndikon në vetëdijen kulturor të kohës, e kjo në vetëdijen dhe aksionin politik. Ky mendim, formoi binomin e punës së tij: kulturë e politikë. Mbi këtë binom, ai shkroi ungjillin politik të shqiptarëve, testamentin e dashurinë së pafund për njeriun tonë.

“Më pëlqen shumë që të krijoj miqësi, ndryshe nga të tjerët këtu në Ballkan, që vetëm akuzojnë”, thoshte Rugova. Ç’mësim i bukur e dritëdhënës! Ashtu siç është udhërrëfyese vepra e tij, fragmente të së cilës na shpalosën në këto intervista, të cilat na mundësojnë, të shohim më shumë, më qartë e të largohemi nga mjegulla mendore, që të mund të ecim me vetëdije përpara.

Breznia jonë e ka për detyrë, morale dhe intelektuale, që ta kultivojë kujtsën e Rugovës dhe veprën e tij klasike, siç po bën Fondacioni “Ibrahim Rugova” dhe Kujtim Shala; ta aktualizojë atë sa më shpesh, që ta bëjë pjesë të tryezës së përditshme, të flasë për të, sepse kjo është për të mirën e shëndetit tonë, për të gjithë ata që kanë uri për ide të bukura, humane e progres njerëzor; po, mësimet e Rugovës meritojnë të bëhen shujtë e jetës sonë kulturore e politike, sepse kanë vlera ushqyese, për të përmirësuar shëndetin tonë dhe për t’na dëftuar udhën më të bukur kah e ardhmja.

Prishtinë, 21 janar 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok